Vjedhja në Bankën e Shqipërisë. Arrestohen nëntë persona - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Zbulohet se si u thyen protokollet e sigurisë, që mundësuan vjedhjen e 713 milionë lekëve. Arrestohen gjithsej tetë punonjës të bankës dhe nipi i njërit prej tyre

Tiranë, 1 gusht 2014 - Prokuroria e Tiranës ka zbardhur gjithë mekanizmin e vjedhjes së 713 milionë lekëve nga Banka e Shqipërisë, duke arrestuar pas Ardian Bitrajt dhe Mimoza Bruzisë edhe 7 persona të tjerë të implikuar në këtë krim të rëndë. Nga të arrestuarit dje dhe sot, gjashtë ishin përgjegjës për mbikëqyrjen e veprimeve në godinën e Thesarit, por përmes shpërdorimit të detyrës kanë krijuar kushtet për supervjedhjen, i shtati është nipi i Ardian Bitrajt, i cili akuzohet për moskallëzim krimi.

Vjedhja

Dy të arrestuarit e parë janë Mimoza Bruzia dhe Ardian Bitraj, ky i fundit punonjës i thesarit që në vitin 1993, për 4 vite me radhë, që kanë vjedhur paratë që vinin me peshë nga Zvicra duke i zëvendësuar ato me letra dhe libra. Skema e vjedhjes u zbulua nga inspektorët e Auditit të Brendshëm të Bankës, të cilët zbuluan se disa kuti ku mbaheshin paratë ishin hapur. Brenda këtyre kutive janë gjetur libra vend të 713 milionë lekëve. Bitraj ka pranuar se paratë që merrte nga hapja e kutive të lekëve që vinin nga Zvicra, i zëvendësonte për të patur të njëjtën peshë si kuti, me libra që i fuste vetë. Bruzia akuzohet të ketë vjedhur vetëm 40 milionë lekë. Si Bitraj dhe Bruzia, duhet të përgjigjen për akuzat e vjedhjes, shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve.

Hetuesit e kësaj ngjarjeje kanë krijuar bindjen se vjedhja, e kryer nga Ardian  Bitraj dhe Mimoza Bruzia, është lehtësuar nga fakti se punonjës të tjerë që kanë pasur detyrë për të rakorduar kartëmonedhat që hynin dhe dilnin nga sportelet përkatëse, nuk kanë kryer detyrën e tyre, ndaj edhe është kërkuar arrestimi i 6 punonjësve të tjerë të bankës.

Kështu mbrëmë janë arrestuar edhe Petrit Ramohitaj, përgjegjës i arkës në veprim dhe specialistët Liljana Tusha, Lavdim Cani, Myzejen Belba dhe Dhimitër Davidi. Një tjetër arrestim është bërë sot në mëngjes, dhe është Bashkim Xhilaga, shef i arkës “stok në veprim” në Bankën e Shqipërisë

Nga hetimet del se lëvizjet e Ardian Bitrajt janë diktuar nga operatori i kamerave të sigurisë, Dhimitër Davidi, por ky nuk ka bërë asnjë denoncim. “Detyra e vëzhguesit-operator është që të mbikëqyrë kamerat e sigurisë dhe të raportojë për çdo anomali. Nga ana e Prokurorisë së Tiranës është kryer këqyrja e kamerave të sigurisë, nga të cilat rezulton se vëzhguesi-operator i ka parë veprimet e shtetasit A. Bitraj, i cili mbushte thasë me kartëmonedha në magazinën e stokut dhe nuk e ka raportuar. I pandehuri kryesor, Bitraj, pasi i merrte para me thasët plastikë, shkonte në tualetet e ndërtesës dhe paratë i fshihte në trup, poshtë rrobave”,- deklaron prokuroria.

Nga ana tjetër, punonjësit e arkës në veprim, nga edhe janë vjedhur paratë, kanë për detyrë të rakordojnë çdo ditë gjendjen e sportelit të tyre dhe të koordinohen me kontrollorin mbikëqyrës. Por nga hetimi rezulton se ky rakordim nuk është kryer si duhet. Dyshohet se ky rakordim nuk është kryer për një kohë të gjatë, gjë që ka sjellë vjedhjen e një shume tejet të madhe parash nga Departamenti i Emisionit. Nga ana tjetër, edhe punonjësit e arkës stok nuk kanë zbatuar protokollet e sigurisë në Drejtorinë e Emisionit. Detyra e tyre është që të ndjekin lëvizjen e vlerave monetare nga sportelet tek magazinat, si edhe të kryejnë rakordime periodike. Gjithashtu, për të hyrë në magazinën e stokut, përdoren tre çelësa, të cilët mbahen nga një çelës për tre punonjës (përgjegjësi, i cili ishte A. Bitraj dhe dy specialistë). Këta tre çelësa janë mbajtur të gjitha nga i pandehuri Ardian Bitraj, i cili më pas ka kryer veprimtarinë kriminale të vjedhjes. Po ashtu, specialistët e arkës stok kanë pasur për detyrë që në përfundim të ditës së punës këto çelësa t’i vendosnin në një kasafortë. Por ky detyrim nuk është përmbushur dhe në kohë të ndryshme këto çelësa janë mbajtur nga i pandehuri A. Bitraj.

Mbrëmë është arrestuar edhe nipi i Bitrajt, Klevis Bejtaj. Prokuroria ka zbuluar se ai kishte dijeni të veprimtarisë kriminale të dajës së tij. Prokuroria e akuzon atë për moskallëzim krimi.

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)