Vrau dy shqiptarë në vitin 2009, dënim i përjetshëm për Morandin - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Gjykata e Diktimit dënon përfundimisht me burg të përjetshëm e izolim gjatë ditës Fabrizio Morandin, 37 vjeçarin nga Modena. Në shtator të vitit 2009 vrau me paramendim të rinjtë Nikolla Ekonomi dhe Shkëlzen Allka

Romë 12 qershor 2014 – Burg i përjetshëm me izolim gjatë ditës. Ky është dënimi që Gjykata e Diktimit e i ka dhënë Fabrizio Morandit për vrasjen me paramendim të Nikolla Ekonomit, 28 vjeç, dhe të Shkëlzen Allkës, 21 vjeç, në 22 shtator të vitit 2009, dy kuzhinierë në Modena. Gjykata e Diktimit ka konfirmuar edhe dëmshpërblimet për familjarët e viktimave:150 mijë euro për secilin prin e 70 për çdo motër e vëlla.

Në gjyq u vërtetua se Morandi ishte bashkëpunëtor me viktimat në trafik droge, dhe u kishte borxh atyre një shumë parash që nuk mund t’u kthente. Për këtë arsye organizoi vrasjen e tyre. Dy shqiptarët u gjetën të vdekur më 6 tetor 2009 në një makinë Fiat Punto në një kanal në Caselle Crevalcore në provincën e Bolonjës, dy javë pas vrasjes. Ekonomi ishte qëlluar me dy plumba, një pas qafe e një në ballë, ndërsa Allka me një plumb pas qafe.

Nga kontrollet e tabulateve të celularëve të viktimave dhe të Morandit dhe të sinjalit GPS të Fiatit të dy shqiptarëve hetuesit arritën në përfundimin se ata ishin bashkë deri para se makina me trupat e pajetë të shqiptarëve të hidhej në kanal.