Vrau të bijën e të shoqen. Për mjekun e avokatëve, Veli Selmanaj “është mendërisht i paaftë” - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Nëse trupi gjykues pranon përfundimet e kësaj ekspertize psikiatrike, Veliaj nuk do të dënohet me burgim të përjetshëm siç kërkon akuza

Romë, 20 maj 2014 - Veli Selmanaj, kosovari 46 vjeç, që më 16 tetor 2013 vrau të shoqen Fatime 45 vjeçe dhe të bijën Senade 21 vjeçe me tetë plumba, mund t’i shpëtojë dënimit të përjetshëm. Në fakt ai i është nënshtruar ekspertizës psikiatrike sipas të cilës rezulton se është i paaftë mendërisht. “Depresioni nga i cili vuante pa e ditur e ka kthyer në person mendërisht të paaftë, pra në një njeri me vullnet seriozisht të reduktuar” është shprehur mjeku në sallën e gjyqit gjatë seancës së fundit Sipas këtij, Selmanaj ka rënë në depresion pasi disa të afërm kishin marrë vesh për akuzën e  abuzimit ndaj të bijave. Avokatët e kosovarit kanë kërkuar që edhe gjykata të bëjë një ekspertizë të re mjekësore, kërkesë që është hedhur poshtë fillimisht nga prokurori e më pas edhe nga gjyqtarët.

Pasi është verifikuar se nuk ka më dëshmitarë për të dëgjuar, gjyqtarët kanë vendosur që në seancën e ardhshme, të caktuar për në 12 qershor, të marrin fjalën mbrojtja dhe akuza. Më pas trupi gjykues do të tërhiqet për të marrë vendim. Nëse pranon tezën e ekspertit mjekësor të mbrojtjes së Selmanajt, ky do të ketë zbritje dënimi. Në të kundërt, i akuzuar për dy vrasjet, me rrethanat rënduese të paramendimit dhe të lidhjes së gjakut (për vrasjen e të bijës), si edhe për mbajtje arme pa leje, vështirë se mund t’i shpëtojë dënimit të përjetshëm.