Berishës i djeg zemra për emigrantët, por jo kur këta shkojnë në Amerikë - Shqiptari i Italisë

Shqipëri

E ka pohuar vetë kryeministri shqiptar në ShBA kur mori pjesë në ceremoninë e 100 vjetorit të shoqatës Vatra

Tiranë 1 maj 2012 – Kryeministri Sali Berisha ilustroi në mbledhjen e 30 prillit të grupit parlamentar rezultatet e vizitës së tij në Amerikë e mes të tjerash foli për pjesëmarrjen “mbresëlënëse” në ceremoninë e organizuar për 100 vjetorin e shoqatës Vatra, që e quan Federatë pan-amerikane por në të vërtetë emri i saj i plotë është Federata pan-shqiptare e Amerikës VATRA. Berisha pohoi se i vjen keq kur shqiptarët largohen nga vendi, por jo kur ikin në SHBA sepse “sepse ata mbeten po kaq shqiptarë dhe atje, ndërkohë që shanset dhe mundësitë janë të përmasave të jashtëzakonshme”.

Berisha tregoi se nga SHBA një shqiptar ka ikur në Hënë, por nuk specifikoi për cilin rast bëhet fjalë. Ndoshta e ka pasur fjalën për astronautin me emrin Alan Shepard, për të cilin nuk ka burime akademike që të pohojnë origjinën shqiptare. Ka pasur edhe thashetheme se Shepard ka vendosur një flamur shqiptar në Hënë, por fotoja zyrtare e kësaj ngjarjeje historike tregon pikërisht astronautin Shepard teksa vendos flamurin amerikan në Hënë.

Ja si u shpreh në mbledhjen e grupit parlamentar mbi këtë aspekt kryeministri Berisha: “Vizita ime u mbyll me pjesëmarrjen në ceremoninë e 100 vjetorit të Federatës pan-amerikane VATRA, e cila festonte 100 vjetorin me një kontribut të jashtëzakonshëm në historinë tonë kombëtare. Kontributi i VATRËS, nga dita e themelimit të saj në 28 prill të vitit 1912, deri në ditët e sotme, bën krenar çdo shqiptar dhe ushqen me ndjenjat më të thella të atdhetarisë, të mirënjohjes, të krenarisë, për rolin e madh dhe të rëndësishëm që kjo organizatë ka luajtur në të gjitha zhvillimet kombëtare gjatë këtij shekulli, ka luajtur në miqësinë dhe bashkëpunimin mes dy vendeve dhe kombeve tona, në rolin e shqiptarëve gjithnjë e në rritje në SHBA. Ne jemi krenarë me diasporën tonë në këtë vend, e cila edhe duke mos qenë ndër më të pasurat, ka shpalosur aty, më mirë dhe më fuqishëm se kudo në botë, gjeninë krijuese. Në këtë vend të madh, shqiptarët arritën në Hënë, u bënë nga astronautët e shquar, morën çmim Nobel, u përfaqësuan si yje të Hollivudit. Pra, unë ua thashë edhe atyre në takim, se zemra të djeg kur sheh shqiptarë që largohen nga Shqipëria, por jo kur sheh shqiptarë që ikin në SHBA, sepse ata mbeten po kaq shqiptarë dhe atje, ndërkohë që shanset dhe mundësitë janë të përmasave të jashtëzakonshme”.

Për festimet e 100 vjetorit të Pavarësisë dhe të 100 vjetorit të themelimit, më 4 prill  2012, qeveria shqiptare miratoi t’i japë shoqatës VATRA një financim prej 3.640.000 lekësh, mbi 34 mijë dollarë.