Gjyqi Hoxha-Kadare, dorëshkrimi t’i dorëzohet arkivit të shtetit - Shqiptari i Italisë

Shqipëri
Hapi i parë në çështjen gjyqësore Kadare-Hoxha: dorëshkrimi i romanit "Dimri i vetmisë së madhe" duhet të ruhet në Arkivin e shtetit

Tiranë, 26 korrik 2012 – Gjykata e Tiranës ka vendosur sot që dorëshkrimi i romanit "Dimri i vetmisë së madhe", i shkrimtarit Ismail Kadare, të kalojë për ruajtje në Arkivin e Shtetit, deri në një sentencë përfundimtare të gjyqit.

Vendimi është marrë nga gjyqtari Bledar Abdullai, i cili pranoi kërkesën e avokates së Ismail Kadaresë, ndërkohë që edhe avokati mbrojtës i së vesë së Enver Hoxhës, ka qenë dakord me këtë kërkesë.

Vendimi i gjykatës konsiston në ruajtjen e dokumentit origjinal nga një palë e tretë, para se të merret edhe vendimi nëse ai do i kalojë Kadaresë, apo jo. Ky vendim është marrë pas padisë që Kadare ka bërë ndaj të vesë së diktatorit Enver Hoxha për t’i dorëzuar atij dorëshkrimin origjinal të romanit. Nga ana tjetër, Nexhmie Hoxha, ka deklaruar se romani i është dhuruar në vitin 1972 nga vetë shkrimtari.

E sotmja ishte seanca e dytë e gjyqit, pas shtyrjes të seancës së parë ditën e hënë, për mungesë të avokatit të Nexhmije Hoxhës.

Dorëshkrimi origjinal i veprës që sipas Kadaresë mbart vlera të mëdha, ai është trashëgimi kulturore. Në vitin 2005 Arkivi i Shtetit dhe Muzeu historik nisën përpjekjet për ta marrë dorëshkrimin nga duart e Nexhmije Hoxhës, por e veja e diktatorit ka refuzuar me pretendimin se është dhuratë që i kishte bërë shkrimtari Kadare.