Shqipëria në Panairin Ndërkombëtare të Turizmit në Milano - Shqiptari i Italisë

Shqipëri
Agjencia Kombëtare e Turizmit dhe 8 operatorë turistikë 3 ditë në Milano për promovimin e Shqipërisë. Kritiku Sgarbi dhe ministri Franceschini premtojnë se do të vizitojnë shpejt vendin

Romë, 12 shkurt 2016 – Mes 100 vendeve pjesëmarrëse në Panairin Ndërkombëtare të Turizmit, BIT, në Milano që po mbahet këto ditë (11-13 shkurt), është e pranishme edhe Shqipëria. Përfaqësohet nga Agjencia Kombëtare e Turizmit dhe 8 operatorë turistikë.

Drejtori i Përgjithshëm i AKT, Ardit Çollaku, shpjegon se arsyet pse duhet vizituar Shqipëria duhen parë në potencialin e madh që ajo ofron jo vetëm në pjesën bregdetare dhe natyrën e mrekullueshme, por gjithashtu në vlerat historike, sitet arkeologjike si dhe llojet e ndryshme të turizmit që ofron. Në këtë aspekt, u cilësua roli i veçantë i turizmit të aventurës, hiking, rafting, trekking etj. Ndër të tjera u theksua sa pranë janë Italia e Shqipëria, jo vetëm në aspektin gjeografik por edhe tradita, kulinari, për faktin që gjuha italiane flitet nga një numer i madh shqiptarësh, për linjat e shumta ajrore dhe detare.

Stendën e Shqipërisë e vizituan ditën e parë dhe Presidenti i Federatës së Turizmit Social, Fabrizio Pazzoli si dhe kritiku i njohur i artit Italian,Vittorio Sgarbi. Tërhoqi vëmendjen e mediave veçanërisht vizita e këtij të fundit që pasi u shpreh se është i dashuruar me vendin tonë,  vlerësoi potencialin turistik shqiptar, bukuritë natyrore (duke i krahasuar me ato të Sardenjës), kulturore dhe historike, pa harruar bukurinë e vajzave (“c’è bella gnocca a Tirana” tha mes të tjerash duke shprehur në mënyrën e tij simpatinë për vendin tonë).  Me ftesë të Drejtorit të Përgjithshëm Çollaku, kritiku italian premtoi që së shpejti do të vizitojë Shqipërinë me një grup gazetarësh dhe përfaqësues të institucioneve italiane në fushën e turizmit dhe kulturës.

Stenda e Shqipërisë u vizitua dje edhe nga Konsullja e Pergjithshme, Luljeta Cobanaj e cila shprehu gatishmërinë për një bashkëpunim sa më të frytshëm në nxitjen e promovimit të turizmit në Konsullatën e Milanos.

Sot, në ditën e dytë të BIT, Drejtori i Përgjithshëm i AKT-së ka takuar Ministrin italian të Kulturës dhe Turizmit, Dario Franceschini. E me sa lexohet në komentin e vënë nga Çollaku në rrjetin social Facebook, edhe ministry i ka premtuar që “se shpejti do të vizitojë Shqipërinë në kuadër të rritjes së bashkëpunimit dypalësh mes vendeve tona në fushën e Turizmit”.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)