SHQIPËRIA NUMËROI VOTAT{br}Edi Rama fiton Tiranën? - Shqiptari i Italise
04
Mer, M

Shqipëri

23 maj 2011      Përditëso këtu faqen

KQZ -VAZHDON AKTIN E TIJ TË FUNDIT

19.20 Anëtari opozitar i KQZ-së, Pandeli Varfi, u shpreh se shqetësimet nisën, rregullat u ndryshuan dhe u vendos standarde të reja në zgjedhje, menjëherë pas projektimit të rezultatit nga kutia e fundit. Sipas tij, KQZ duhet të kishte dhënë porosi që të vazhdohej me rregullin që ishte ndjekur deri në ato momente, nxjerrja e pavlefshme e fletëve të hedhura në kuti të gabuara. Ai tha se akti ka dy karakteristika, “së pari ishte i panevojshëm dhe e dyta ky akt është diskriminues sepse në momentin kur fillon të funksionojë në vendin tonë janë numëruar më shumë se gjysma e kutive”.

Kodi Zgjedhor në situatën e sotme, shtoi më tej ai, përcakton në mënyrë kapitale që s’mund ta anulojë asnjëri: “Rezultati del nga numërimi i kutive për kryetar bashkie në Tiranë. Kodi nuk lë rrugë tjetër”.

Sapo mbaroi fjalën e saj edhe nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, që e quajti absolutisht të paligjshëm projekt-aktin që po diskutohet në këto çaste në KQZ, dhe vendimet e komisionit të javës së shkuar që “ishin të njëanshme dhe të parregullta. “Sot kemi përpara një projekt-akt të ndryshuar që në emërtimin e tij, sepse në aktin e parë u fol për bashkinë e madhe, sot përfshihen të gjitha njësitë zgjedhore të Tiranës. Ky projekt-akt është i veçantë edhe për mënyrën se si është hartuar. Duke dashur të justifikojë një veprim të paligjshëm, akti është i deformuar në kontekstin ligjor, është akt konfuz dhe kontradiktor për mënyrën se si i trajton problemet”.

“Ky akt denoncon parregullsinë e vendimmarrjes së KQZ-së. Neni 33 i Kodit Zgjedhor flet për detyrat e KZAZ-ve. Nuk ka asnjë lidhje me vendimmarrjen e KQZ-së. Në 10 njësi zgjedhore të Tiranës rezultati zgjedhor ka vendimmarrje. E vetmja që nuk ka është njësia 49 e cila i është drejtuar për vendimmarrje KQZ-së . Kryetari nuk thirri mbledhjen për ta bërë këtë mbledhje, unë dhe kolegu im e kërkuam, por ende sot nuk është zhvilluar. A nuk është kjo një fakt i vendimmarrjes së një anshme.”,- tha Subashi.

KQZ – AKTI I FUNDIT

18.30 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur në orën 17.00 nisi mbledhjen e radhës gjatë të cilës pritet të miratohet tabela e rezultateve për Tiranën. Deri tani po diskutohet rreth projektaktit të miratuar nga kreu i KQZ-së Arben Ristani në lidhje me ndryshimin dhe përllogaritjen e fletëve të kontestuara që KQZ ka numëruar gjatë javës së shkuar.

Përfaqësuesi ligjor i PS Genci Gjonçaj ka argumentuar se  projekt-akti i propozuar ka probleme si në formë ashtu edhe në përmbajtje, madje sipas tij KQZ ka kryer vendime të jashtëligjshme. Përsa i përket formës, akti është normativ e si i tillë kishte nevojë për vendim të marrë me pesë vota e jo me katër. Përsa i takon përmbajtjes, projektakti nuk është tjetër veçse një përpjekje e KQZ-së për të argumentuar me baza historike dhe teorike vendimmarrjen e tij, por vendimi është konfuz dhe i pavërtetë. Për më tepër, projekt-akti që paraqitët sot është i ndryshëm nga ai që u paraqit më 17.5.2011. “Fillimisht flitej për votat e panumëruara, sot fitet për votat të kontestuara dhe të shpallura të pavlefshme nga KZAZ-të”. Gjithnjë sipas Gjonçajt, ndryshimi i tabelave të KZAZ-ve nga KQZ me 4 vota ishte një akt i paligjshëm. “E vetmja detyrë që kishte KQZ ishte të nxirrte rezultatin përfundimtar nga ajo e tabelave të KZAZ-ve dhe ta bënte jo më vonë se 48 orë’,- theksoi Gjonçaj.

Sipas Njazi Kosovastrit, anëtar demokrat i KQZ-së, është e vërtetë e kundërta: “KQZ ka bërë ka bërë të mundur vetëm vlerësimin e votave të qytetarit në bazë të rregullave, pasi ajo ndodhi nga një gabim njerëzor”. Ai solli në vëmendje se nga viti 2009 PS ka bërë protesta që ajo të shihte votën e saj, tashmë sipas Kosovrastit, ajo po bie në kundërshtim me ato që ajo vetë ka kërkuar. Për dy vjet rresht nga viti 2009, PS e çoi vendin drejt situatave të pakëndshme në bazë të një kërkese “Dua të shoh votën time, ndërkohë që sot thotë nuk e dua as votën time”,- solli në vëmendje Kosovrasti.

 “Ne vendosëm që vota të vlerësohet dhe numërohet, Kodi ka bërë kujdes për votën e qytetarit. Ai thotë që qytetari kur voton gabim vjen kthehet dhe i kërkon komisionit një fletë tjetër, po e bëri përsëri nuk ja jep. Vijmë në rastin konkret ashtu siç gabon në fletën e votimit kur shënon për kandidatin ai gabon edhe në hedhjen e kutisë së gabuar, por ky gabim nuk rregullohet në vend, ndaj meqenëse gabimi ishte njerëzor. KQZ vendosi që vota e qytetarit të numërohet” u shpreh ai.

Në këtë frymë vazhdojnë edhe të tjerët që marrin fjalën: kush është përfaqësues i mazhorancës mbron veprimtarinë e ditëve të fundit të KQZ-së, përfaqësuesit e opozitës argumentojnë të kundërtën.

Përfaqësuesi i LSI në KQZ, Ylli Manjani, deklaroi se veprimi i KQZ-së për rinumërimin e fletëve të kontestuara ishte vendimi i duhur sepse kështu vihet mbi të gjitha interesi i votuesit. “KQZ kishte dy mundësi: ose ta injoronte këtë fakt, duke shkelur barazinë e votës ose të gjente një zgjidhje dhe ju zoti kryetar e gjetët një zgjidhje pavarësisht se u kundërshtua. Vota meriton të shkojë në destinacionin e duhur”,  theksoi Manjani.

Artan Lazaj anëtari i KQZ i zgjedhur nga opozita,  theksoi se projekt-akti i paraqitur nga KQZ është akt normativ dhe për këtë arsye duhet të ishte paraqitur më parë. “Ky akt kërkon vlerësimin e fletëve të votimit të pavlerësuara për kryetarin e bashkisë dhe për kryetar njësie dhe për këshillat bashkiak. Ai është akt normativ dhe si i tillë të ishte miratuar 6 muaj para fillimit të ditës së votimit”, tha mes të tjerash Lazaj.

KQZ: MBLEDHJA PËR DHËNIEN E REZULTATEVE TË TIRANËS NË ORËN 17.00

15.30 KQZ shtyn për në orën 17.00 mbledhjen e saj për dhënien e rezultatit të Tiranës. Pasi e kishte shtyrë disa herë këtë mbledhje, e nisi në orën 14.00, por anëtarët përfaqësues të  PS-së, kërkuan 24 orë kohë për shqyrtimin e materialit prej 60 faqesh, që ka të bëjë me aktin normativ dhe vendimin për fletët e panumëruara, mbi bazë të të cilave do të përpilohet tabela përmbledhëse përfundimtare për Tiranën. Por kryetari i KQZ-së u ka dhënë vetëm tre orë kohë dhe vendosi të shtyjë për në orën 17.00 mbledhjen për votimin e aktit normativ.

Gjithsesi beteja për rezultatin e Tiranës nuk do të mbarojë sot. Ndërsa paradite KQZ ka përditësuar faqen e saj duke përfshirë në të edhe rezultatin e kutisë së fundit të numëruar nga KZAZ-të, dhe që nxjerr fitues Ramën me 10 vota, është mëse e qartë se rezultati që komisioni do të japë pasi të marrë në konsideratë kutitë që ka numëruar vetë dhe ndryshimet në tabelat përkatëse do të nxjerrë fitues Bashën me 78 vota mbi Ramën. Me siguri, vendimi i KQZ për numërimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara do ta marrë verdiktin mbi vlefshmërinë e tij ligjore në Kolegjin Zgjedhor.

KQZ PËRDITËSON FAQEN E SAJ TË INTERNETIT: FITUES RAMA

13.30 Ndërsa pritet të jepet sot rezultati për kryebashkiakun e Tiranës, KQZ përditëson më në fund faqen e saj me rezultatin paraprak që kishte dalë nga numërimi i votave nëpër KZAZ që më datë 14 maj: sot në faqen e saj lexohet që fituesi i Tiranës është Edi Rama me 10 vota mbi Bashën. Deri dje tabela mbante ende rezultatin e 484 kutive ndër 485, edhe pse numërimi kishte përfunduar prej një jave.

STONESTREET NË KQZ: PALËT TË ZBATOJNË LIGJIN

12:30 - Kreu Misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it Jonathan Stonestreet ka shkuar  rreth orës 11.00 në KQZ. Kreu i misionit të vëzhguesve të OSBE/ ODIHR-it Jonathan Stonestreet është takuar me kryetarin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Arben Ristanin dhe nënkryetaren e këtij Komisioni, Dëshira Subashi.

Në një deklaratë të shkurtër pas takimit, Stonestreet ka shpjeguar se me Ristanin dhe Subashin ka biseduar rreth raportit të ODIHR për zgjedhjet, se ka marrë nga KQZ informacione të nevojshme për t’ia shtuar raportit përfundimtar që do të nxjerrë misioni i vëzhguesve pas dy muajsh.

I pyetur për zhvillimet javës së fundit post-zgjedhore në Shqipëri, Stonestreet tha se ai nuk e kanë prekur aspak këtë çështje në bisedën e sotme, por theksoi se parimi që duhet të udhëheqë palët e përfshira është ai i shtetit së drejtës dhe se duhet të vihet në zbatim se çfarë thotë ligji.

KQZ NXJERR FITUES LULZIM BASHËN. SOT JEP REZULTATIN

09.00  Mbrëmë në darkë, KQZ mbaroi së numëruari 125 kutitë ku gjeti votat e futura në kutitë e gabuara dhe me 171 vota dhënë Bashës dhe 83 Ramës. Sipas saj, kryetari i ardhshëm i bashkisë së Tiranës është Lulzim Basha, dhe ky rezultat përfundimtar do të shpallet sot.

Me numërimin e mbrëmshëm të fletëve të kontestuara për njësinë 5, KZAZ 49, KQZ i jep fund numërimit të fletëve të kontestuara/të pavlefshme/të panumëruara gjatë procesit të 8 majit.

Kreu i KQZ-së, Arben Ristani ka konfirmuar mbrëmë se tashmë këtij institucioni nuk i mbetet gjë tjetër veçse të shpallë rezultatin përfundimtar për Bashkinë e Tiranës. Sot “do të miratojmë në tërësi vendimin pasi ishte miratuar vetëm nen për nen. Më pas do të kalojmë në miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultateve për KZAZ-në nr. 49, që i përket njësisë bashkiake nr. 5 dhe veprimi i tretë që do të ndërmarrë KQZ-ja do të jetë miratimi i rezultatit përfundimtar, pra miratimin e tabelave për 11 KZAZ-të e Tiranës. Këto nuk janë akte normative por vendime të KQZ. Janë vendime që sipas ligjit kërkojnë shumicën e thjeshtë që është 7 ose 4", - u shpreh ai. Sa për opozitën, Ristani ka sqaruar se ajo është e lirë që të ankimojë vendimin e KQZ në institucionet përkatëse. "Procesi ankimor fillon menjëherë pasi marrim vendimmarrjen tonë, miratimi i tabelës përkatëse kalon në Komision Qendror më pas në Kolegjin Zgjedhor", - ka thënë kreu i KQZ-së.

Në mbledhjen e pasdites së djeshme KQZ shqyrtoi dhe më pas rrëzoi me shumicë votash 2 ankimeme të Partisë Socialiste. Seanca e KQZ  vijoi me numërimin e kutive të kontestuara për njësinë numër 5 ku sipas mazhorancës rezultojnë fletë votimi të hedhura gabimisht në kutinë e votimit gjatë zgjedhjeve të 8 maj. KQZ i shtoi dje 22 kuti nga 8 që kishin mbetur një ditë më parë, pasi komisionerët e PD-së kishin vërejtur fletë të pavlefshme në këto 22 kuti. Së bashku me numërimin e kutive numri i përgjithshëm i kutive të numëruara këto ditë nga KQZ është 125 kuti votimi të numëruara nga të cilat Basha ka marrë 173 vota kurse Rama 83 vota.

22 maj 2011

DY JAVË PAS ZGJEDHJEVE, TIRANA MBETET PA KRYETAR

10.00 Plot dy javë nga dita e zgjedhjeve, vazhdon numërimi i votave për kryebashkiakun e Tiranës. Deri pak orë më parë, me 14 kutitë që u hapën në KQZ mbrëmë nga ora 21.00 deri pas mesnate, numri i përgjithshëm i kutive për fletë të kontestuara në Tiranë arriti në 104 kuti. Me hapjen e tyre, Basha ka marrë 164 vota, ndërsa Rama 74 vota. Nga ora 10.00, kur pritet të rifillojë mbledhja e sotme e KQZ-së, do të numërohen dhe 8 kutitë e mbetura nga njësia bashkiake nr. 5 e Tiranës. KQZ mbylli mbledhjen ndërsa përfaqësues ligjorë të PS-së kontestuan gjatë gjithë kohës hapjen dhe numërimin e çdo flete të kontestuar, të pavlefshme dhe të panumëruar dhe ndryshimet e tabelave përmbledhëse të KZAZ-ve.

Ndërkaq, jashtë zyrave të KQZ-së nis sërish protesta e socialistëve. Dje janë organizuar dy protesta, pa asnjë incident. Deputetë të ndryshëm të PS-së kanë mbajtur nga një fjalim të shkurtër përpara mbështetësve të tyre kundër qeverisë Berisha, kundër aktivitetit të këtyre ditëve të katër anëtarëve të mazhorancës në KQZ.

Veç thirrjeve për normalizim të situatës politike postzgjedhore nga presidenti i Republikës, dita e djeshme është karakterizuar nga korrespondenca publike mes shkrimtarit të madh Ismail Kadare dhe kandidatit të djathtë për kryetarin e Tiranës Lulzim Basha. Me një letër të hapur, shkrimtari i kërkonte Bashës që në të mirë të vendit të tërhiqej nga kjo garë, ndërsa rreth mesnatës Basha iu përgjigj Kadaresë duke i argumentuar arsyet e tij pse e ka të pamundur të heqë dorë.

21 maj 2011

KQZ DO TË NUMËROJË EDHE KUTITË E NJËSISË 5

15.00 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vijojë pasdite vlerësimin e fletëvotimeve të kontestuara për bashkinë Tiranë, me hapjen e kutive të KZAZ-së nr. 49, njësia 5, e cila përmbylli e fundit procesin e numërimit të votave në kryeqytet.

Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, në përfundim të mbledhjes së paradites, njoftoi më në fund përfundimin e numërimit tek njësia bashkiake nr. 5, ndërsa lajmëroi fillimin pasdite të numërimit nga KQZ të kutive me fletë të panumëruara, të hedhura në kutitë e gabuara.

"Rreth orës 19:00 do të fillojmë me KZAZ-në nr. 49, me të cilën do të përmbyllim procesin e numërimit të votave të pavlerësuara në Tiranë", tha Ristani.   

Sot është dita e katërt që KQZ vijon me numërimin e fletëve të votimit të gjetura në kutitë e gabuara, praktike kjo e kritikuar per mungese te bazes ligjore edhe nga Raporti i djeshem i vezhvuesve te OSBE/ODIHR-it. 

Pas numërimit deri dje të 89 kutive me fletë të kontestuara apo të panumëruara, siç i do terminologjia e ditëve të fundit, kandidati i koalicionit "Aleanca për Qytetarin", Lulzim Basha ka siguruar 150 vota, kundrejt 63 votave të marra nga kandidati i koalicionit "Aleanca për të Ardhmen", Edi Rama. Me gjithë kundërshtimet e opozitës për veprimtari të paligjshme nga ana e KQZ-s, kjo e fundit do të vijojë  procedurën e nisur për të përmbyllur nxjerrjen e një rezultati zyrtar për bashkinë e kryeqytetit.

KQZ, në mbledhjen e paradites, procedoi me ankesat e subjekteve politike. KQZ hodhi poshtë ankesën e PS-së, për rinumërim të votave në QV 43 37, komuna qendër Libohovë, si të pabazuar në prova. Ajo pranoi ankesën e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, për dy qendra votimi në KZAZ-në 62 në komunën Brataj të Vlorës, për hapjen e kutive me vota të kontestuara.

20 maj 2011

KQZ E MBYLL EDHE PËR SOT: 150 V0TA BASHËS 63 RAMËS

22.50 Përfundon edhe për sot numërimi në KQZ: këto tri ditë janë numëruar gjithsej 89 zarfe nga po aq kuti që përmbanin vota të kontestuara apo të pavlefshme sepse të futura në kuti të gabuara. Nga këto 89 zarfe i janë shtuar kandidatit Basha 150 vota dhe Ramës 63. Gjatë ditës, ashtu si edhe dy ditët e shkuara, në sallë debatet kanë qenë të ashpra. Ndërsa jashtë, qindra protestues janë mbledhur paradite dhe pasdite. Ndryshe nga ditët e shkuara sot deputetë apo eksponentë të PS-së kanë mbajtur nga një fjalim të shkurtër me të cilët akuzuan KQZ-në për shkelje ligjore. Ndërsa në rrethe, protestat ishin të ngjashme me ato të ditëve  të shkuara, kryesisht me bllokime rrugësh.

Një tjetër e risi e ditës së sotme është edhe kërkesë padia që PS ka çuar në Kolegjin Zgjedhor kundër KQZ-së. 

KQZ VAZHDON NUMËRIMIN: 138 VOTA PËR BASHËN DHE 59 PËR RAMËN

20.45 Në KQZ vazhdon numërimi i kutive mes kontestimeve të vazhdueshme të anëtarëve të komisionit që janë përfaqësues të PS-së. Gjithsesi, asnjë vërejtje e tyre nuk merret parasysh, siç ndodh tashmë prej tre ditësh dhe me 4 vota nga 7, KQZ vazhdon të ndryshojë tabelat përmbledhëse të KZAZ-ve. Deri në këtë çast KQZ vazhdon të shtojë vota “të panumëruara” siç i quan Ristani: 138 për Bashën dhe 59 për Ramën.

PS, PROTESTË PARA KQZ

19:10 Përfundojnë protestat e mbështetësve të opozitës në rrethe, një tjetër protestë ka filluar nga mbështetësit para KQZ-së. Deputetët e PS-së marrin fjalën me megafon për të akuzuar vendimin e padrejtë të KQZ. Petro Koçi : “Komisioni i vjedhjeve do të na thotë se në Shqipëri nuk fiton vota që hidhet në kutinë e saktë po në atë të gabuarën. Ndërkombëtarët kanë thënë zbatoni ligjin, por kjo seli është kthyer në seli të PD”.

ARVIZU, SEQUI E WOLLFARTH TAKIM ME RAMËN

18:30 Teksa KQZ ka rinisur me numërimin e votave, në selinë e PS shihet të mbërrijnë ambasadorët e ShBA-ve Alexander Arvizu, ai i BE-së Ettore Sequi, dhe Eugen Wollfarth i OSBE-së, të cilët kanë nisur një takim me kreun e opozitës Edi Rama.

KQZ NUMËRON, SOCIALISTËT PROTESTOJNË

17.30 Ndërsa pritet që KQZ të rifillojë pas pak procesin e numërimit, ja një pasqyrë e protestave të sotme të socialistëve.

Në Tiranë, protesta e socialistëve para KQZ ka qenë ndryshe nga ditët paraardhëse. Gjatë paradites  ka pasur fjalime të  deputetëve të cilët para militantëve të partisë së tyre kanë dënuar përpjekjet e qeverisë dhe të KQZ për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve përmes procesit të paligjshëm të numërimit të votave. Sot nuk ka pasur përleshje me forcat e rendit, si gjithnjë të rreshtuara para dyerve të KQZ-së.

Pasdite protestat kanë nisur edhe në rrethe. Në jug të vendit, protestuesit kanë bllokuar me goma automjetesh aksin kombëtar Gjirokastër-Tepelenë. Protestuesit shoqërohen nga deputetët e PS-së, Ethem Ruka e Arta Dade. Protesta e opozitës ka nisur edhe në qytetin e Elbasanit. Janë bllokuar edhe aty rrugët që lidhin qytetin me Tiranën e Librazhdin. Në Fier, protestuesit  janë mbledhur fillimisht në sheshin Fitorja, dhe më pas kanë nisur marshimin drejt aksit nacional Fier-Lushnjë. Protesta e socialistëve ka nisur edhe në Sarandë, ku ata kanë bllokuar urën e Hajdarit. Protesta e militantëve të PS edhe në qytetin e Vlorës. Ashtu si edhe në qytetet e tjera edhe këtu është ndjekur forma e bllokimit të rrugëve. Protestuesit kanë bllokuar Urën e Mifolit. Në Berat protestuesit kanë bllokuar kryqëzimin e Urës Vajgurore. Mbështetësit e PS, protestojnë në Pogradec, ku kanë bllokuar aksin Pogradec-Përrenjas, me gurë e goma makinash. Atje nuk ka munguar as sot djegia e gomave. Në protestë janë ngritur edhe simpatizantët e Fushë-Krujës të cilët kanë bllokuar autostradën Fushëkrujë-Shkodër, duke i bllokuar kështu Tiranës lidhjet me zonat veriore. 

PS PADIT KQZ NË KOLEGJIN ZGJEDHOR

16:10 PS paraqet kërkesë padi në Kolegjin Zgjedhor, për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve me të clën ndër të tjera kërkohet: “Gjykimi i çështjes në themel, Detyrimin e KQZ të marrë vendim për miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve për KZAZ Nr.49, Detyrimin e KQZ të marrë vendim për nxjerrjen e rezultatit dhe miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Zonës Zgjedhore Bashkia Tiranë dhe shpalljen e kandidatit fitues”.

“Në përfundim të procesit të numërimit të votave për kandidatët për kryetar të Bashkisë Tiranë dhe Këshillin Bashkiak të Bashkisë Tiranë, nga dhjetë KZAZ të kësaj Zone Zgjedhore janë miratuar tabelat përmbledhëse të rezultateve të qendrave të votimit, ndërsa KZAZ Nr.49 nuk e ka miratuar këtë tabelë duke marrë Vendimin Nr.37 datë 16/05/2011 për mos miratimin e saj. Në këto kushte, në zbatim të parashikimeve të nenit 122 e 35 të Kodit Zgjedhor, Partia Socialiste, si subjekt zgjedhor ka paraqitur ankim në KQZ, thuhet në ankesën e përpiluar deputeti Fatmir Xhafaj.
“Për sa më lart, është ligjërisht e detyrueshme të urdhërohet KQZ që së bashku me miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve për KZAZ Nr.49, të marrë vendim edhe për nxjerrjen e rezultatit dhe miratimin e Tabelës Përmbledhëse të Zonës Zgjedhore Bashkia Tiranë dhe shpalljen e kandidatit fitues për këtë Bashki në bazë të rezultateve të miratuara”, thuhet në kërkesë padinë e PS.

ARRIN NË 75 NUMRI I KUTIVE TË HAPURA: 125 VOTA PËR BASHËN, 83 PËR RAMA

15.50 Ka vazhduar deri pak çaste më parë mbledhja e KQZ-së gjatë të cilës, mes debatit të vazhdueshëm, janë hapur, numëruar  e ndryshuar tabelat përmbledhëse të KZAZ-ve duke i shtuar  rezultatit dalë nga numërimi normal i votave i mbaruar më 15 maj, 125 vota për Bashën dhe 83 për Ramën. Punimet e KQZ-së do të rinisin në orën 18.00.

RAMA: “NDËRKOMBËTARË, NDIHMË!”

15.00 “Miq ndërkombëtarë ndërhyni për të ndalur masakrën zgjedhore të KQZ-së” ka qenë thirrja e kreut socialist drejtuar ndërkombëtare për situatën e krijuar në vend këto ditët e fundit.

“Ne do të njohim vetëm Kushtetutën e Shqipërisë dhe do ta mbrojmë atë. Falënderoj ambasadorët e huaj dhe bashkohemi me deklaratat e tyre. I sigurojmë ShBA se dhuna nuk është rruga jonë, por i kërkojmë që të mos e lënë Shqipërinë vetëm ku po e shtyn kryeministri mes dhunës së KQZ. Populli shqiptar meriton në demokraci të qëndrueshme. Ajo që po ndodh sot KQZ ajo që ndodhi mbrëmë më protestuesit shkon në drejtim të kundërt me të drejtat e shqiptarëve. Miq ndërkombëtarë ndërhyni sa më parë për të ndalur masakrën zgjedhore” - deklaroi Rama.

KE: KQZ TE GARANTOJE RESPEKTIMIN E KUADRIT LIGJOR

14.10 "KQZ-ja të garantojë respektimin e kuadrit zgjedhor. Nuk mund të ketë dy rezultate të ndryshme për zgjedhjet", deklaroi zëdhënësja e Komisionerit Europian pwr Zgjerimin. Sipas saj, Komisioneri Barroso dhe komisioneri i BE-së, Stefan Fule, po monitorojnë situatën në Shqipëri, duke ndjekur orë pas ore zhvillimet e saj.

“Nuk mund të ketë dy rezultate të ndryshme dhe rezultatet duhet të bëhën në mnëyrë të shpejtë” – nënvizoi sot zëdhënësja e Komisionerit Europian për Zgjerimin Sfetan Fyle, Natasha Butler duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari bërë në konferencën e zakonshme për shtyp në Bruksel. Zëdhënësja e KE-së, Natasha Butler, i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të veprojë pa ndërhyrje politike.

AMBASADORI OSBE WOLLFARTH: KQZ TË JETË E PAVARUR

13.00 Ambasadori i OSBE-së Eugen Wollfarth është takuar sot me Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama.

Takimi u zhvillua në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme ndërsa mendohet se në qendër të diskutimeve do të jetë situata pas zgjedhjeve lokale të 8 majit në Tiranë.

Në lidhje me situatën postzgjedhore, ai ka thënë se KQZ duhet të jetë e pavarur dhe duhet të mbështetet në ligj për punën e saj.

“E rëndësishme është që të respektohet Kushtetuta, ligji. Po ashtu e rëndësishme është që të ketë transparencë nga media, sidomos në lidhje me procesin post-zgjedhor e atë që po ndodh në KQZ. Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve puna duhet të jetë e pavarur dhe e mbështetur në ligj”, tha Wollfarth.

TOPI-MCWLLHAM: SITUATA E TENSIONUAR NW DWM TW INTEGRIMIT TW SHQIPWRISW

13.00Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi sot paradite një takim pune me Ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Fiona Mcwllham, me të cilën diskutoi rreth situatës paszgjedhore në vend.
Presidenti Topi ndau me Ambasadoren britanike Mcwllhamshqetësimin lidhur me situatën aktuale, të cilën po e ndjek me shumë vëmendje. Ai nënvizoi se "duhet ruajtur qetësia, vetëpërmbajtja, rendi publik si dhe se duhet gjetur ekuilibri i nevojshëm që vendi të mos rrëshqasë në tensione të panevojshme politike. Këto do të ishin të mundura vetëm nëpërmjet zbatimit me rreptësi të ligjeve dhe respektimit të pavarësisë së institucioneve kushtetuese nga kushdo".
Kreu i Shtetit shqiptar dhe Ambasadorja britanike ndanë të njëjtin mendim se situata e tensionuar në vend po dëmton jo vetëm aspiratën integruese evropiane të Shqipërisë, por edhe imazhin e saj në botë, duke e ilustruar këtë edhe me shtyrjen e vizitës së planifikuar e të mirëpritur të Presidentit të Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso në Tiranë.
Ambasadorja Fiona Mcwllhami shprehu Kryetarit të Shtetit shqiptar gjithë mbështetjen e saj si përfaqësuese diplomatike e Mbretërisë së Bashkuar për rolin konstruktiv që po vazhdon të luajë si dhe për mesazhet dhe apelet pozitive te bëra deri më tani nga Presidenti Topi në funksion të qetësimit të situatës dhe gjetjes së një zgjidhje institucionale e ligjore.

DITA E TRETË E NUMËRIMIT NË KQZ

10.20 Ka nisur sot dita e tretë e numërimit të votave nga KQZ. Mes kontestimeve të vazhdueshme të përfaqësuesve të PS-së, katër anëtarët e këtij komisioni po shkojnë përpara me numërim votash edhe për KZAZ për të cilat nuk ka vota të kontestuara të mirëfillta por vota të  konsideruara të pavlefshme. Sipas përfaqësuesve të PS-së po del në dritë që KQZ po numëron vota të cilat janë “kontestuar” në njëfarë mënyre disa ditë pasi KZAZ ka mbyllur numërimin, pra vetëm pasi kishte dalë rezultati paraprak për kryebashkiakun e Tiranës. Sipas nënkryetares Subashi, që kundërshton ndryshimin e tabelave të rezultateve të KZAZ-ve “Në asnjë rast nuk thuhet që KQZ mund të bëjë numërimin e votave të panumëruar. KQZ nuk e ka këtë të drejtë. Kodi në asnjë rast nuk thotë që KQZ të kthehet në KZAZ. Gjithashtu në asnjë rast nuk del që votat nuk janë numëruar”.

Por asgjë nuk ndal më KQZ-në në numërimin e saj. Tashmë janë hapur 53 me vota të kontestuara-të panumëruara: Lulzim Basha ka arritur të sigurojë 89 vota kundrejt 32 të akorduara për Edi Ramën.

Ndërkohë, jashtë KQZ-së militantët PS janë mbledhur para godinës dhe kanë nisur protestën. Policia ka forcuar kordonin policor si para oborrit të KQZ ashtu dhe tek dera e hyrjes së godinës. 

Së fundi ka ardhur nga ShBA, një thirrje e fundit drejtuar udhëheqësve dhe të gjithë anëtarëve të partive politike në Shqipëri për të respektuar procesin zgjedhor dhe të ruajnë qetësinë. Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Filip Gordon thekson se dhuna dhe retorika që kërcënon ose nënkupton akte dhune nuk është me vend dhe përbën kërcënim për të ardhmen e Shqipërisë.

19 maj 2011

KQZ E MBYLL PËR SOT: I JEP 80 VOTA BASHËS DHE 31 RAMËS

22.00 Pas ditës së dytë të numërimit drejtpërdrejt nga KQZ të votave të panumëruara, iu dhanë 80 vota Bashës dhe 31 Ramës. Tashmë, mbeten për nesër vetëm 11 kuti dhe fitorja  e Lulzim Bashës, “në tavolinë” siç e quajti rivali i tij Rama, duket e sigurt.

Jashtë ambienteve të selisë së KQZ-së dhe në qytete të ndryshme gjatë gjithë ditës kanë vazhduar protesta që herë herë kanë shkuar deri në përleshje apo në bllokime të akseve rrugore. Situata e nderë ka sjellë edhe shtyrjen e vizitës së kryetarit të Komisionit evropian Barroso dhe e komisarit për Zgjerimin Fule. Siç shpjegoi Pia Ahrenkilde, zëdhënëse e Komisionit BE “faktikisht mungojnë kushtet politike për mbarëvajtjen e misionit, sepse numërimi i votave pas zgjedhjeve të 8 majit ende nuk ka përfunduar, sepse ka pasur përleshje dhe opozita thërret shqiptarët në revoltë popullore.  Në këto kushte, do të ishte e vështirë të arrihej objektivi, pra të diskutohej e ardhmja evropiane e vendit. Kjo është arsyeja kryesore e anulimit të vizitës, që nuk mund të bëhet në kushtet e nevojshme për mbledhje të frytshme”.

PS: KQZ PO NXJERR MË SHUMË FLETA NGA Ç’ISHIN ATA QË VOTUAN MË 8 MAJ

20.15 Berisha tha se rinumërimi i votave bëhet për ata 300 vetë, të cilët kanë probleme me njohjen e ngjyrave, sepse një përqindje e madhe e meshkujve dhe 0,5% e femrave nuk i dallojnë ngjyrat. Për PS-në i kundërpërgjigjet Braçe “Nëse ka një njeri që nuk dallon të bardhën nga e zeza, ai është Sali Berisha”. Sipas Braçes, në kutitë e votimit po gjenden më shumë fleta nga ç-ishin votuesit ndaj në kundërpërgjigjen e tij, ai u shpreh që “KQZ po kryen vepër penale” dhe “4 anëtarët e KQZ-së që po bëjnë këtë akt të paligjshëm do të përballen me ligjin”.

BERISHA: NUMËRIMI I TANISHËM ËSHTË AKT I DETYRUESHËM

18.40 Vazhdon hapja e kutive nga KQZ dhe shtimi i votave për kandidatët: 65 për Bashën dhe 24 për Ramën. Tani, në konferencë për shtyp, Berisha justifikon veprimin e KQZ-së të këtyre dy ditëve të fundit. “300 votat e hedhura në kutinë e gabuar, nuk mund të mos merren parasysh” thotë kryeministri që shpjegon “KQZ po funksionon si komision zonal për Tiranën, po kryen detyrën e saj ligjore për të numëruar çdo votë të panumëruar”. Ai akuzon PS-në se po përpiqet të asgjësojë komisionin qendror zgjedhor. Sipas tij opozita me kërcënime, me akte brutale, kërkon të ndalojnë zemrekun e procesit elektoral.

KQZ VAZHDON NUMËRIMIN, SOCIALISTËT VAZHDOJNË PROTESTËN

16.30 Ndërsa KQZ vazhdon numërimin e kutive nga i cili thellohet “fitorja në tavolinë” e Bashës ndaj Ramës në 57 me 22, me fletët e kontestuara të 33 kutive, protesta e socialistëve po ndihet gjithnjë e më shumë veçanërisht në qarkullimin në disa akse rrugore. Është bllokuar aksi Gjirokastër-Tepelenë, në hyrje të qytetit të Tepelenës. Protestuesit kanë vendosur goma makinash të cilat më pas i kanë djegur. Situata është tensionuar dhe ka pasur edhe përleshje kur një automjet ka tentuar të kalojë por nuk është lejuar nga militantët PS. Në protestë është dhe deputeti PS Ethem Ruka. Në Fier, aksi Fier- Lushnjë është i bllokuar prej disa orësh. Në Vlorë, te Ura e Mifolit aksi Vlorë- Fier është i bllokuar. Protestuesit  kanë djegur gomat në mes të rrugës. Policia nuk ka ndërhyrë, dhe nuk ka pasur përleshje. Në Durrës protestuesit i janë drejtuar Tiranës. Pasi kanë protestuar dhe bllokuar për gati një orë autostradën Tiranë- Durrës, protestuesit janë larguar dhe të hipur në makina e autobusë dhe janë nisur në drejtim të Tiranës.

KQZ I NJEH 53 VOTA BASHËS DHE 19 RAMËS

14.50 KQZ vijon procesin e pazakontë të numërimit të zarfeve me votat e kontestuara apo “të panumëruara” siç po quhen tani, duke thelluar avantazhin e Bashës ndaj Ramës në 53 me 19 (janë hapur 31 kuti). Ndërsa përfaqësuesi ligjor i PS-së dhe nënkryetarja e KQZ-së kontestojnë çdo vendim madje kjo e fundit ka kërkuar që, në këtë pikë ku ka arritur procesi, është më mirë të rinumërohen të gjitha kutitë e Tiranës, pasi kështu si po zhvillohet “procesi është selektiv dhe i njëanshëm dhe ka për qëllim vetëm t’i japë fitoren Bashës”.

Në sitin zyrtar të saj KQZ ka ende të publikuar rezultatin e para disa ditëve pas përfundimit të numërimit normal nga KZAZ-të 484 kutive, dhe nuk ka futur aty asnjëherë shifrat e kutisë së fundit, për të dhënë një rezultat paraprak për kryebashkiakun e Tiranës, siç duhej të ndodhte. 

RAMA THIRRJE NDËRKOMBËTARËVE: “MOS LINI VETEM SHQIPERINE”

13.45 Kryetari i Partisë Socialiste i bëri apel përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe presidentit Topi të ndërhyjnë për të ndaluar atë që ai e quan “maskaradë” të votës së lirë. Në konferencën për shtyp të orës  13. 30 minuta nga selia rozë, ai shprehu keqardhjen për anulimin e vizitës së presidentit të KE-së, duke e cilësuar si një “sinjal aspak ogurmirë për Shqipërinë por dhe një reagim në një moment kur vendi ynë po përjeton dhunën e procesit zgjedhor”.

"Komisioni Qendror i Vjedhjeve, nën dhunën e patolerueshme të Saliut, po vazhdon krimin e patolerueshëm ndaj votës së lirë. Opozita nuk do të pushojë së kërkuari rrugëdaljen demokratike dhe ligjore nga ky qorrsokak ku e ka futur vendin Berisha, me përmbysjen e rezultatit në tavolinën e Komisionit Qendror të Vjedhjeve, deri edhe me fletë të sajuara e të zhytura në kuti", tha Rama.

"Asnjëherë në një konflikt mes forcave politike në Shqipëri, nuk ka qenë më e qartë se kush është dhunuesi dhe kush i dhunuari", tha Rama.

Kreu socialist i bëri thirrje presidentit të vendit, që në cilësinë e tij si garant i Kushtetutës, të veprojë në emër të mbrojtjes së votës së lirë si thelb i stabilitetit dhe u kërkoi “Ndihmë ndërkombëtarëve, ShBA-së, BE-së, OSBE-së dhe çdo miku e partneri ndërkombëtar  të mos lënë vetëm Shqipërinë e shqiptarët në këtë orë dramatike”.

BARROSO ANULON VIZITËN E TIJ NË SHQIPËRI

13.00 Zëdhënësja e KE-së jep lajmin që Kryetari i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso nuk do të vijë në  Tiranë. Vizita e tij parashikohej për të premten, më 20 maj, por situata e rënduar e dy ditëve të fundit duket se e ka shtyrë atë të heqë dorë, të paktën për tani.

KQZ VAZHDON NUMËRON VOTA NË FAVOR TË BASHËS, PLAS PROTESTA NË TIRANË, LEZHË, VLORË, FIER, KAVAJË

12.30 Në Shqipëri po ndodh diçka sa e pazakontë aq edhe e rëndë. KQZ prej ditës së djeshme vazhdon të numërojë dhe të shtojë në tabelat përmbledhëse të KZAZ-ve vota në favor të Bashës e ndonjë në favor të Ramës  të gjetura jo në kutitë ku ishin hedhur votat për kandidatët për kryetar bashkie të Tiranës por në të tjerat, duke marrë vendime vetëm me 4 ndër 7 anëtarët e saj. Tashmë kur janë hapur27 kuti i janë dhënë Bashës 49 vota dhe Ramës 15.

Ndërsa jashtë militantë dhe deputetë të PA-së kanë nisur protestat. Nga dyert e ambienteve të brendshme të KQZ-së turma mbahet larg nga forca të ndryshme e të shumta të thirrura për ruajtjen e rendit. Nga pamjet e drejtpërdrejta televizive  të Neës24 vihen re dhe përplasje fizike mes protestuesve dhe forcave të policisë të cilët janë të veshur me veshje speciale dhe me skafandra.

Protesta, e nxitur edhe nga thirrjet e eksponentëve të partisë socialiste, po shtrihet edhe përtej Tiranës.  Tashmë kanë shpërthyer edhe në Fier, Kavajë, Lezhë, Vlorë e Durrës. Protestuesit bllokojnë akset kryesore. Djegin goma makinash.

Protestuesit në Lezhë kanë bllokuar aksin rrugor Lezhë-Tiranë. Në Fier protestuesit kanë marshuar nga sheshi Fitorja për 5 km në këmbë duke u vendosur te Ura e Mbrostarit, pjesë e aksit Fier-Lushnjë, kanë vendosur goma makinash në mes të rrugës dhe i kanë vënë flakën. Në krye të protestuesve PS janë vënë re deputetë socialistë, si Gramoz Ruci. Protestuesit kanë deklaruar se do të bllokojnë aksin nacional deri në një afat të papërcaktuar. Në Kavajë qindra protestues kanë bllokuar aksin rrugor Rrogozhinë-Kavajë. Ata kanë djegur gomat e makinave në mes të rrugës dhe kanë deklaruar se do t-i drejtohen me vonë Tiranës. Në Durrës qindra militantë PS protestojnë duke ecur në këmbë nga Muzeu i Dëshmorëve deri në hyrje të autostradës Durrës-Tiranë. Kanë hyrë në autostradë e po i drejtohen Tiranës duke bllokuar lëvizjen e trafikut në autostradë. Në krye të protestuesve janë deputetë socialistë, si Blendi Klosi.

KQZ RINIS NUMËRIMIN E VOTAVE TË KONTESTUARA

10.20 Ka rinisur mbledhja e KQZ-së për numërimin e votave të kontestuara. Dje deri në orët e vona të mbrëmjes, janë numëruar 20 kuti votimi tek të cilat kanë rezultuar 60 fletë votimi të njohura më pas si të vlefshme. Rezultuan 46 në favor të kandidatit demokrat, Lulzim Basha dhe 14 vota për Edi Ramën. Nëse këto vota do t’i shtohen rezultatit paraprak për kryeqytetit, siç po vepron KQZ duke ndryshuar tabelat përmbledhëse të ardhura nga KZAZ-të, atëherë Basha figuron fitues me 22 vota më shumë se rivali i tij socialist i Aleancës për të Ardhmen.

KQZ I NJEH 29 VOTA BASHËS DHE 10 RAMËS

22.00 Deri tani KQZ ka hapur 17 zarfe të po aq kutive  me vota të kontestuara sepse të futura në kuti të gabuara. I kanë shkuar Bashës 29 vota dhe Ramës 10.

Për të njëqindtën herë në këtë proces zgjedhor ndërhyn sot në darkë edhe ambasadori amerikan Arvizu sipas të cilit KQZ duhet të nxirrte rezultatin paraprak, atë që doli nga kutitë për zgjedhjen e kryetarit të bashkisë dhe që të gjithë e dinë.

KQZ HAP 13 KUTI: 20 VOTA PËR BASHËN, 8 PËR RAMËN

20.30 Vazhdon numërimi i atyre votave të hedhura në kutitë e gabuara që sot po quhen “të panumëruara”. Përfundoi numërimi për njësinë 3 dhe tani po hapen ato kutitë e njësisë 4. Paralelisht me numërimin e këtyre fletëve po ndryshohen edhe tabelat përmbledhëse të KZAZ-ve. Deri tani janë numëruar ky lloj votash në 13 kuti dhe i janë shtuar 20 vota Bashës dhe 8 Ramës.

HAPEN 7 KUTI TË NJËSISË 3: 10 VOTA PËR BASHËN 6 PËR RAMËN

19.15 Tashmë duket që Lulzim Basha duhet të fitojë. Në të gjitha zarfet e veçanta me fletët e futura në kutitë e gabuara po gjenden me shume vota për kandidatin Basha të cilat po merren në konsideratë e me to po ndryshohen tabelat e KZAZ-ve. Edhe pse këto fletë nuk kanë asnjë shënim nga pas siç parashikon kodi zgjedhor në nenin 118 pika 5 “Për secilën fletë të kontestuar, në pjesën e prapme të saj numëruesi i parë i Grupit të Numërimit shënon qartë arsyet e kontestimit”. Për më tepër edhe kur në këto zarfe gjenden më pak fletë nga ç’deklarohet në procesverbalin shoqërues (edhe në këtë pikë neni 118 në pikën 5 flet qartë: “për votat e kontestuara mbahet një procesverbal i veçantë, sipas modelit të përcaktuar me vendim të KQZ-së, në të cilin pasqyrohet numri i përgjithshëm i fletëve të votimit të kontestuara për QV-në përkatëse”) vazhdohet të merren në konsideratë fletët të gjetura, me gjithë kundërshtimet e përfaqësuesit të PS-së sipas të cilit fletët që mungojnë mund të jenë pikërisht të kandidatit tjetër. Por kryetari Ristani shkon përpara duke i këshilluar socialistët të ankimohen pas përfundimit të procesit.

RAMA: “KRYEMINISTRI PO REALIZON REVANSH ANTILIGJORE

19.00 Kryetari i PS, Edi Rama shpreh shqetësimin për procesin e numërimit të votave të kontestuara që po ndodh në KQZ, i paligjshëm sipas tij

 “Shpreh shqetësimin për çka po ndodh sot dhe për çka mund të ndodhë nesër, pas këtij numërimi të paligjshëm të votës së popullit në KQZ. E panë dhe e dëgjuan të gjithë përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar se ne fituam zgjedhjet. Fitore e qartë, edhe pse me 10 vota”, ka deklaruar Rama sot pasdite.
Sipas tij, manipulimi i procesit, që ka si autor kryeministrin, ka filluar që më 8 maj kur Berisha ka kërkuar sipas tij që PS të pranojë rezultatin.
“Në kryeqytet ekziston një diferencë e madhe votash mes nesh dhe rivalit tonë. Saliu kërkoi që në fillim të numërimit që unë të pranoja rezultatin. Kohë të tëra, para 8 majit dhe ditën e votimit, të gjithë e dinin që unë isha i gatshëm ta pranoja rezultatin. Por vota e popullit na ndan dhe më 8 maj doli fitorja jonë dhe humbja e Saliut”, ka pohuar Rama.
Lideri i opozitës ka akuzuar kryeministrin, se përmes KQZ-së po realizon një “revansh antiligjor” për të sunduar vendin me regjimin e tij. “Saliu zgjodhi mospranimin e rezultatit dhe një revansh antiligjor. S’ka më keq për një vend që meriton më shumë. Vendi sundohet nga një politikë e pafytyrë që është kthyer në një regjim. Me drejtimin e Saliut, KQZ është kthyer nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Komisionin Qendror të vjedhjeve”, ka theksuar Rama.
“KQZ, në shkelje të ligjit, vodhi rezultatin dhe hapi ferrin për të drejtat e njeriut dhe qytetarit. Kanë qenë vota të pavlefshme dhe pikë. Kutitë nuk mund të hapeshin. Kjo përmbysje e dhunshme cenon stabilitetin e shoqërisë, që nuk do t’i përkasë oborrit të kësaj qeverie. Demokracia shqiptare po përpëlitet. Qytetarët ndodhen përpara një sistemi të tërë dhune, padrejtësie dhe korrupsioni”, ka shtuar Rama.

HAPET NJË TJETËR KUTI. BASHËS I SHTOHET NJË TJETËR VOTË

18.00 Rinisin punimet e KQZ-së. Pas kontestimeve të përfaqësuesit të PS-së, kryetari i KQZ-së vendos hapjen e një tjetër kutie të njësisë 3. Fletët e futura në zarfin e veçantë që konsiderohen të kontestuara nuk përmbajnë asnjë shënim të KZAZ-së nga pas siç parashikon ligji zgjedhor. Edhe pse në shënimin që shoqëronte zarfin, flitej për dy fletë për kryetar bashkie të futura gabimisht në kuti tjetër, u gjet vetëm një fletë, në favor të Bashës. Një tjetër votë në favor të tij.

SITUATË E NDERË NË KQZ – PËRMBLEDHJE E DITËS

16.30 Që orët e para të mëngjesit, jashtë KQZ- së ka pasur dyndje të deputetëve socialistë. Forca të ndryshme të policisë kanë mbajtur larg sallës së punimeve të mbledhjes së KQZ-së deputetët e PS-së. Këta të fundit vazhdojnë të kërkojnë të jenë të pranishëm në sallë kur të ketë vendimmarrje.

Gjatë paradites, ka pasur edhe përleshje me grushte mes dikujt që ndodhej në oborrin e KQZ dhe një simpatizanti të PS-së jashtë oborrit.

Brenda KQZ-së, pak pas mesdite, pas një debati të ashpër mes kreut të KQZ-së dhe nënkryetares së këtij komisioni, u vendos hapja e kutive, edhe pse nga KZAZ-të ka tabelë përfundimtare. “Tabelat e KZAZ-ve janë të mbyllura e nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë në hapjen e kutive të votimit. Po degradohet procesi. Nëse ju hapni kutitë e votimit nuk ka më proces votimi. Ju po bëni një akt të paligjshëm, sepse akti normativ do 5 vota. Po bëni shkelje të kodit zgjedhor me pasojë të rëndë” tha nënkryetarja e KQZ Subashi që u bëri thirrje punonjësve të KQZ-së “Mos ndërhyni në kutitë e votimit urdhrat janë të paligjshme. Do përballeni me ligjin”. Por debati nuk ndryshoi rendin e ditës dhe u vijua me hapjen e kutive të votimit.

Nga çasti kur u vendos hapja, brenda të cilave janë vënë zarfet me votat e futura në kutitë e gabuara, çdo vendim, i marrë me vetëm 4 votat e mazhorancës, është pasuar nga debate të ashpra mes përfaqësuesve të PS-së dhe pjesës tjetër. Përfundimi i punimeve të KQZ-së deri në orën 16.00, është shtimi me tre vota i rezultatit për Lulzim Bashën dhe një për Edi Ramën. Pritet që mbledhja të rifillojë në orën 18.00.

KQZ I SHTON 3 VOTA BASHËS DHE 1 RAMËS

16.00 Me diskutimin e kontestimeve të vetëm dy kutive, deri tani KQZ i shtoi 3 vota Bashës dhe 1 Ramës. Të gjitha vendimet e tanishme po marrin vetëm 4 votat e mazhorancës. Mbledhja e KQZ-se eshte ndaluar per te vazhduar ne oren 18.00 me diskutimin e te tjera kutive te kontestuara te njesise 3.

Jashtë ambienteve të KQZ-së ka shumë forca policie që ndalojnë hyrjen e socialistëve në sallën e KQZ-së.

KQZ NDRYSHON TABELEN PËRMBLEDHËSE TË KZAZ-SE DUKE SHTUAR VOTAT PËR BASHËN TË FUTURA NË KUTI TË GABUARA

15.30 KQZ, sapo vendosi të quajë të vlefshme dy fletë votimi për Bashën të gjetura në kuti të gabuara dhe të ndryshojë tabelën e KZAZ-së 47. Sipas përfaqësuesve të PS-së, KQZ nuk ka të drejtë të ndryshojë tabelat e sjella nga KZAZ-të, ndërsa Ristani, kryetari i KQZ-së pohon që shtimi i këtyre votave në favor të Bashës mund të kontestohet nga pala tjetër më vonë në Kolegjin Zgjedhor. Ndërsa jashtë KQZ-së janë mbledhur deputetë socialistë dhe mbështetës të tyre, të mbajtur në distancë nga dy kordonë policie.

17 maj 2011

BASHA I KËRKON KQZ-SË TË NUMËROJË EDHE VOTAT E HEDHURA NË KUTITË E GABUARA

22.00 Kandidati demokrat për Kryetar të Bashkisë në Tiranë, Lulzim Basha i kërkon KQZ-së në cilësinë e KZAZ-së për Tiranën, që të numërojë çdo votë të vendosur aksidentalisht në kutitë e tjera për funksionet e tjera, ndërsa akuzoi kreun e PS-së se po bën presion mbi këtë institucion. "Këto janë vota plotësisht të vlefshme dhe askush nuk ka të drejtë t'ua mohojë qytetarëve që ushtruan të drejtën për të votuar", tha Basha gjatë një konference për shtyp nga selia e Partisë Demokratike.

Basha u shpreh se disa bashkëpunëtorë të z. Rama po mundohen të bllokojnë aktualisht me një përpjekje të dëshpëruar procesin e numërimit të cdo vote të hedhur nga qytetarët.

Basha vlerësoi se, "numërimi i votave për kreun e bashkisë së Tiranës të vendosura në kutitë për funksione të tjera ka të bëjë me respektimin e zërit të çdo qytetari". "Unë i kërkoj KQZ-së të numërojë çdo votë, që aktualisht nuk është numëruar dhe ta bëjë këtë në mënyrë objektive, të ndershme, transparente dhe apolitike".

DEPUTETËT E PS-SË LËNË SALLËN E KQZ-SË PAS GJASHTESH ORESH

21.20 Deputetët e Partisë Socialiste (PS) u larguan të martën në mbrëmje nga salla e mbledhjeve të KQZ-së, ku qëndronin prej disa orësh, duke paralajmëruar rikthimin sërisht nesër për të mos lejuar miratimin e pr/aktit për rivlerësimin e fletëve të kontestuara për bashkinë e Tiranës.
Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe, i shoqëruar nga deputetë të tjerë të opozitës, kërkoi që të respektohet vullneti i qytetarëve në përputhje me rregullat dhe ligjet në një vend demokratik dhe e quajti pr/aktin që do të miratonte sot KQZ, si "thelbësisht i paligjshëm, që synon të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë". 
Ai i bëri thirrje gjithë qytetarëve që të mblidhen nesër në orën 09:00 para selisë së KQZ-së për të marrë pjesë në këtë mbledhje të KQZ-së. “Përsa kohë KQZ-ja nuk po mblidhet dhe do të mblidhet nesër, ne do të jemi këtu për të asistuar në një mbledhje të rregullt të KQZ-së, ku do të marrim pjesë në atë mbledhje ku duhet të dalë ajo që shqiptarët kanë parë, fitorja e Edi Ramës", tha ai. 
Braçe bëri thirrje që "bashkë me ne, nesër do të jetë çdo shqiptar, që do të vijë këtu duke filluar nga ora 09.00 e mëngjesit, që të ndjekin këtë mbledhje të hapur të KQZ-së”.

PS: KQZ TË NXJERRË REZULTATIN, NË TË KUNDËRT DO TË PËRBALLET ME REVOLTËN POPULLORE     

21.00 Partia Socialiste ripërsërit kërkesën e saj, që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të nxjerrë sa më shpejt rezultatin për bashkinë e Tiranës, në të kundërtën, do të përballet me një revoltë popullore. 
"KQZ-ja duhet thjesht të nxjerrë rezultatin e Tiranës si shumë aritmetike e 11 tabelave përmbledhëse të rezultateve për çdo njësi bashkiake në kryeqytet. Çdo rezultat tjetër është një dhunim i patolerueshëm, të cilit populli do detyrohet t’i përgjigjet me të gjithë fuqinë e vet", tha deputetja e PS-së dhe zëdhënëse e kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli. Ajo njoftoi se, nëse KQZ nuk tërhiqet nga synimi i saj, atëherë do të përballet me revoltën popullore. 
"Berisha të ndalë aventurën me pasoja për stabilitetin e vendit me skenën e përgatitur për një krim të pashembullt nga KQZ-ja. Qytetarët janë të thirrur në frymën e revoltës popullore që të mos lejojnë vjedhjen e votës", deklaroi Kodheli.

SUBASHI: KQZ TË VIJOJË PUNËN ME SHQYRTIMIN E ÇËSHTJEVE ZGJEDHORE

18.00 Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi u bën thirrje kolegëve të saj që të vijojnë gjatë pasdites së sotme mbledhjen e parashikuar për shqyrtimin e tabelës përmbledhëse të KZAZ-së Nr. 49, për kryeqytetin. 
Në një deklaratë për shtyp, ajo tha se " shtyrja e mbledhjeve të KQZ-së në këtë çast, kur priten rezultatet pas votimit, është në kundërshtim me kodin zgjedhor".
“Ne kemi detyrimin të merremi me çështje zgjedhore dhe jo të pezullojmë punën. I bëj thirrje kolegëve që këtë mbledhje ta mbajmë në orët e pasdites dhe të bëjmë vendimarrjen e duhur edhe për çështjet e tjera zgjedhore”, theksoi Subashi.

ANULLOHET MBLEDHJA E SOTME E KQZ-së

18.00 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve anulon mbledhjen e sotme ku pritej të diskutohej projekt-akti për fletët e votimit të kontestuara në Tiranë, të hedhura në kutitë e gabuara dhe që parashikohen të jenë pjesë e rezultatit për bashkinë e Tiranës.
Sipas burimeve zyrtare nga KQZ, anulimi i kësaj mbledhje bëhet për të qetësuar situatën në mjediset e Komisionit Zgjedhor, ku që nga mesdita vijojnë të jenë prezentë deputetë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, të cilët kundërshtojnë pr/aktin e KQZ-së si dhe kërkojnë  certifikimin sa më parë nga ky institucion të rezultatit për kryetar bashkie në Tiranë.

RAMA: NXJERRJA E REZULTATIT SIPAS PROCESVERBALEVE ËSHTË KËRKESË E LIGJIT DHE E NDËRKOMBËTARËVE

16.00 Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se "KQZ ka detyrim ligjor që thjeshtë të shpallë rezultatin, mbështetur mbi 485 procesverbalet", të cilat sipas tij, disponohen nga opozita, për çdo votë të numëruar në çdo kuti të kryeqytetit.
Gjatë një deklarate për shtyp, kryesocialisti u shpreh se "kjo që po ndodh sot, kalon çdo cak të arsyes dhe kërcënon kufirin e fundit të durimit të popullit, që votoi rezultatin e njohur botërisht".
Më tej kreu i selisë rozë vuri në dukje se, tentativa për ndryshim të rezultatit në Tiranë, nëpërmjet një vendimi të paligjshëm, është një akt dhune që kërcënon vetë stabilitetin e vendit.
“Apeli im për Berishën është që të ndalet këtu dhe të mos imponojë një shkelje ligjore, që nxjerr nga kontrolli procesin dhe minon themelet e bashkëjetesës demokratike në këtë vend", theksoi Rama.
Sipas tij, "Shqipëria sot ka nevojë për ekulibër, qetësi dhe siguri në rrugën e saj dhe shqiptarëve politika u detyrohet respekt për votën e tyre, punë për zgjidhjen e problemeve të tyre, vizon për të ardhmen e tyre" dhe shprehu gatishmërinë e opozitës për të ofruar kontributin e saj me respekt, punë dhe vizion për Shqipërinë e të gjithëve.
"Kemi qenë të qartë këto ditë, duke shprehur vullnetit tonë për të parë përpara dhe duke ofruar kontributin tonë për një klimë të re politike. Por nëse vihemi sot nga KQZ përpara mbrapshtisë së një fakti të kryer në shkelje të ligjit, s'ka pikë dyshimi që do të reagojmë me të gjitha fuqinë e të drejtës që ka sot me vete populli mbarë", deklaroi Rama.      
Ai shtoi se nxjerrja e rezutatin mbi bazën e 485 procesverbaleve të 485 qëndrave të votimit në Tiranë, është kërkesë e ligjit, e qytetarëve dhe komunitetit ndërkombëtar.
"Ne presim me durim që kjo të ndodhë dhe i siguroj qytetarët se nuk ka forcë që të vjedhë forcërisht rezultatin tonë fitues në Tiranë", përfundoi kreu i PS-së, Edi Rama.

PEZULLOHET MBLEDHJA E KQZ-SË. DEPUTETËVE SOCIALISTË KANË ZAPTUAR SALLËN

15.00 Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani pezulloi mbledhjen e këtij komisioni të martën në mesdite ku ishte parashikuar të shqyrtohej projekt-akti për fletët e kontestuara, për shkak të pranisë së shumë deputetëve socialistë në sallën e mbledhjeve të këtij komisioni.
Në mbledhjen që ishte parashikuar të niste rreth orës 14:00, KQZ do të shqyrtonte një projekt-akt, i cili autorizon këtë komision të vlerësojë fletët e votimit që janë hedhur në kutinë e gabuar dhe që janë konsideruar të kontestueshme nga komisionerët e KZAZ-ve përkatëse në Tiranë.  
Deputetët socialistë mbërritën në ambientet e KQZ-së pas një vendimi të menjëhershëm të grupit parlamentar të PS-së, për të kundërshtuar miratimin e këtij projekt-akti.
Në një prononcim për mediat, Ristani e cilësoi një presion të pastër politik praninë e deputetëve socialistë në sallën e mbledhjeve të KQZ-së dhe një pengesë për punën e KQZ-së.
"KQZ është e vendosur të numëroj çdo votë që shqiptarët kanë hedhur në kutitë e votimit. Nga vetë mënyra se si u sollën deputetët socialistë unë e përkthej si një presion të pastër politik. Për më tepër, burra që përplasnin këmbët në dysheme mu duk shumë kërcënuese dhe aspak e sjellshme", tha Ristani.
Sipas tij "do të merren të gjitha masat që institucioni të funksionojë në rregull, pasi Shqipëria është një shtet institucional dhe ligji sigurisht që do të verë rregull".
I pyetur nëse ky projekt-akt do të shqyrtohet gjatë ditës së sotme, Ristani tha se "në rast se situata do qetësohet ne jemi të gatshëm të bëjmë punën tonë".
Ndërkohë, deputetët socialistë vijojnë të qëndrojnë në sallën e mbledhjeve të KQZ-së edhe pse mbledhja është pezulluar prej disa minutash nga Kreu i KQZ-së dhe asnjë prej anëtarëve të këtij komisioni nuk ndodhet në sallë.

AMBASADORËT E SHBA, BE, OSBE: “KQZ TË SHPALLË SA MË SHPEJT REZULTATIN E ZGJEDHJEVE NË TIRANË”

10.50 Kryetari i pranisë së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, Ambasadori i SHBA-së, Aleksander Arvizu dhe Kreu i Delegacionit të BE-së, Ettore Sequi, pasi ndoqën edhe netëve numërimin ne votave në Tiranë, pasi u takuan dje edhe me kreun e KQZ-së, Ristani, dhe nënkryetaren Subashi, bëjnë thirrje për shpalljen me shpejtësi të rezultatit të zgjedhjeve vendore të 8 majit në Tiranë nga KQZ. 
Zyra e shtypit e OSBE-së bëri të ditur se në deklaratën e tyre të përbashkët, tre ambasadorët theksojnë se "është thelbësore që rezultatet zyrtare paraprake të hidhen në tabelë me kujdes nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe të shpallen me shpejtësi".
Duke vënë në dukje se ka kaluar më shumë se një javë që kur një numër i madh zgjedhësish në Tiranë votuan për postin e kryetarit të bashkisë, më 8 maj, ambasadorët e SHBA-së, BE-së dhe OSBE-së nënvizojnë se "qytetarët duan dhe meritojnë qartësi rreth rezultatit të zgjedhjeve".
Në deklaratën e përbashkët ata e cilësojnë të rëndësishëm edhe faktin që procedurat për zgjidhjen e ankesave të jenë të qarta dhe në përputhje të plotë me dispozitat ligjore të Shqipërisë, përfshirë Kodin Zgjedhor. "Ne presim që të dyja palët të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe të respektojnë plotësisht procesin demokratik", përfundon deklarata e Ambasadorëve të OSBE-së, SHBA-së dhe BE-së në Shqipëri.

16 maj 2011

KQZ: DO TË VERIFIKOHEN PROCESVERBALET E 485 QENDRAVE TË VOTIMIT TË TIRANËS

21.00 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar sot në mbrëmje një vendim sipas të cilit do të verifikojë  të gjitha të dhënat e procesverbaleve për të gjitha 485 qendrat e votimit në Tiranë, përpara se të shpallë rezultati përfundimtar për kryetarin e Bashkisë.

Në aktin që iu shpërnda anëtarëve të Komisionit, ky proces parashikohet të bëhet me dy etapa. Fillimisht, do të krahasohen rezultatet në tabelën përmbledhëse origjinale të rezultateve të miratuara nga KZAZ-ja me tabelat origjinale të rezultateve për çdo qendër votimi. Më pas, këto të dhëna do të krahasohen me rezultatet për subjektet përkatëse që ndodhen në bazën e të dhënave.

Etapa e dytë parashikon rastin kur nga të dhënat që krahasohen, rezulton se ka mospërputhje të shifrave. Nëse vërehen mospërputhje të shifrave të mësipërme, vendimi parashikon që krahasimi me shifrat në bazën e të dhënave të bëhet duke u bazuar në origjinalet e tabelave të rezultateve të qendrave të votimit. Mospërputhjet e vërejtura do të mbahen shënim dhe t’i raportohen KQZ-së.

"Pas dhënies së pëlqimit nga KQZ-ja do të bëhen rregullimet përkatëse në bazën e të dhënave dhe do të printohet prej saj tabela përmbledhëse e rezultateve për Bashkinë Tiranë", thuhet në vendimin e KQZ-së.

"Do të bëhet një verifikim i tyre për mënyrën se si është pasqyruar rezultati dhe brenda 48 orësh nga momenti që do t’i mbledhë, do të ketë një tabelë përmbledhëse për rezultatin e Tiranës", ka thënë Ristani, por ende nuk kuptohet kur do të nisë numërimi i këtyre 48 orëve, pasi tashmë kanë kaluar më shumë se kaq nga numërimi i kutisë së fundit të vlefshme për kryebashkiakun e Tiranës.

AMBASADORËT ARVIZU, SEQUI, WOLLFARTH NË KQZ ME RISTANIN E SUBASHIN

17:30 Ambasadori i BE-së, Etore Sequi , i SHBA-ve Aleksandër Arvizu, dhe i OSBE-së Eugen Wollfarth, janë në ambientet e KQZ-së për një takim me kreun e KQZ-së Arben Ristani dhe nënkryetaren Dëshira Subashi për të diskutuar mbi situatën e nderë të krijuar nga mos certifikimi i rezultatit për kryebashkiakun e Tiranës. Pasi ndoqën personalisht mbylljet e kutive të fundit, deri orët e vona pas mesnate, tre ambasadorët më me peshë në Shqipëri e kanë parë të udhës “të ndërhyjnë” drejtpërdrejt pranë KQZ-së për të gjetur një rrugëzgjidhje.

KRYETARI I RI I TIRANËS NË PRITJE TË CERTIFIKIMIT NGA KQZ

14.00 Për shkak të fitores me vetëm 10 vota të kandidatit socialist Edi Rama mbi kandidatin demokrat Lulzim Basha, KQZ ka nisur verifikimin e dokumentacionit dhe  të të gjitha tabelave të rezultateve në 11 qendrat e numërimit, me qëllim shmangien e ndonjë gabimi të mundshëm njerëzor në pasqyrimin e të dhënave. 
Sipas kodit zgjedhor KQZ duhet të shpallë rezultatin brenda 48 orëve nga marrja në dorëzim e materialeve të votimit dhe tabelave të rezultateve nga komisionet zonale. Kryetari i KQZ Arben Ristani ka bërë të ditur se 48-orëshi fillon pas marrjes së tabelës së fundit nga KZAZ-të. 
Por, duket se fituesi për Tiranën do të mbetet peng i një procesi të gjatë që nuk do të mbyllet vetëm me shpalljen e rezultatit nga KQZ, kur tashmë ka nisur një debat lidhur me disa fletë votimi për kryetarin e bashkisë që janë gjetur në kutitë e tjera të votimit për kryetar minibashkie apo për këshillat bashkiakë dhe që nga përfaqësuesit e komisioneve zonale janë përfshirë në zarfin me fletët e kontenstuara. 
Në një dalje për mediat Kryeministri Sali Berisha deklaroi se do të kërkohet vlerësimi i të gjithë votave të konsideruara të kontestuara, ndërsa përsëriti se nga të dhënat në dispozicion kandidati demokrat Lulzim Basha ka marrë më shumë vota. 
Edhe kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të lexohet çdo votë e kontestuar dhe të degjohet zëri i çdo qytetari në mënyrë të barabartë kur dihet se kjo garë ishte shumë e ngushtë. Basha përsëriti edhe një herë qëndrimin se do të presë rezultatin final nga KQZ për fituesin e zgjedhjeve në Tiranë. 
Nga ana e tij kryesocialisti Edi Rama dhe kandidat i opozitës për një mandat të katërt në krye të bashkisë së Tiranës, menjëherë pas përfundimit të procesit të numërimit shpalli fitoren me 10 vota më shumë ndaj rivalit të tij Basha. Në këto kushte Partia Socialiste i ka bërë thirrje KQZ-së që të shpallë sa më shpejt rezultatin për bashkinë e Tiranës. Në një komunikim me mediat, përfaqësues të kësaj partie thanë se zotërojnë procesverbalin e firmosur nga komisionerët demokratë dhe socialistë në përfundim të numërimit të votave në njësinë bashkiake numër 5, sikurse dhe dokumentacionin e plotë të firmosur nga të gjitha palet në njësitë e tjera, të cilat flasin se Edi Rama është kandidati fitues për kreun e bashkisë së Tiranës. 
Numërimi i votave në kryeqytetin e Shqipërisë përfundoi gjashtë ditë pas procesit zgjedhor të 8 majit kur u votua për 383 drejtuesit e rinj të njësive vendore. Ndryshe nga bashkitë dhe komunat e tjera, numërimi i votave në Tiranë shkoi me ritme të ngadalta, sidomos në njësinë bashkiake numër 5, një nga 11 minibashkitë e kryeqytetit.

KQZ: ALEANCA PËR QYTETARIN, KOALICIONI ME MË SHUMË VOTA

14.00 Ndërsa të gjithë presin rezultatin për kryebashkiakun e Tiranës, kryetari i KQZ-së kërkon akoma kohë. Njazi Kosovrasti dhe kryetari i KQZ Arben Ristani kanë kërkuar shtyrjen e afatit për shpalljen e vendimit dhe në orën 18 KQZ do të dalë me një vendim të ri për këtë çështje. Ndërkaq KQZ jep rezultatet e  fundit për koalicionet zgjedhore në vend në procesin zgjedhor të 8 majit vijojnë të nxjerrin kryesues koalicionin "Aleanca për Qytetarin".  Sipas këtyre të dhënave, në rang vendi për këshillat bashkiakë koalicioni Aleanca për Qytetarin ka marrë 803.182 vota, kurse koalicioni Aleanca për të Ardhmen 663.408 vota, me një diferencë prej 139.774 vota,  ndërsa për partitë jashtë koalicioneve janë dhënë 75.247 vota.  Gjithashtu, sipas të dhënave të KQZ-së kandidatët e pavarur për këshillat bashkiakë kanë fituar 10.353 vota. Rezultatet paraprake të zgjedhjeve lokale të 8 majit, tregojnë se opozita ka fituar shumicën e bashkive të mëdha në Shqipëri, kurse demokratët kanë fituar shumicën e komunave.

KQZ DISKUTON PËR KRYEBASHKIAKUN E TIRANËS

10.30 Tetë ditë pas votimeve, dy ditë pas numërimit të kutisë së fundit për kryebashkiakun e Tiranës, ende nuk ka një rezultat zyrtar mbi fituesin. Nga votat e zyrtarizuara në 484 kutitë e Tiranës, plus ato të kutisë së fundit (ende të pazyrtarizuara, edhe pse janë numëruar 48 orë më parë) del fitues Edi Rama me 10 vota më shumë se rivali i tij Lulzim Basha.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sapo ka nisur mbledhjen ku po diskutohet rreth vendimit për tabelat përmbledhëse të zgjedhjeve për kryetar bashkie në Tiranë. Në fillim të mbledhjes, përfaqësuesi ligjor i PS-së, Genci Gjonçaj kërkoi përmbylljen e procesit zgjedhor për kryetarin e bashkisë së kryeqytetit dhe këshillit bashkiak. "I kërkoj KQZ-së të ndërhyjë për ta mbyllur procesin ose në të kundërt të shkarkojë komisionerët e PD-së, të cilët po e zvarrisin atë në kufijtë e paligjshmërisë", tha ai. Pas këtij propozimi, KQZ vendosi për shkarkimin nga detyra të kreut të KZAZ-së numër 49 ku akoma nuk ka një tabelë përmbyllëse të rezultateve, pavarësisht se kanë kaluar 48 orë nga përfundimi i procesit të numërimit (kutia e fundit e njësisë 5). Një ditë më parë, KQZ-ja vendosi që kërkesën e Partisë Socialiste për tabelat përmbledhëse ta shqyrtojë në mbledhjen e sotme.  Dje, kryetari i KQZ-së, Arben Ristani deklaroi se për këtë çështje, ky institucion do të ndërmarrë një vendim, 48 orë pasi të mbërrijë dhe tabela e fundit nga KZAZ-të.

15 maj 2011

PS: KQZ TË SHPALLË SA MË SHPEJT REZULTATIN PËR KREUN E TIRANËS

14.30 Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko kërkoi  nga selia e Partisë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shpallë sa më shpejt rezultatin për kandidatin fitues për Bashkinë e Tiranës. 
Majko tha për mediat që "Partia Socialiste disponon procesverbalin e fundit, që i jep Edi Ramës fitoren për postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës".
"Këtu kam të gjitha statistikat, të gjitha tabelat dhe shpresoj që në respekt të ligjit, KQZ të marrë një vendim sa më shpejt. Koha nuk pret. Ka ardhur koha t'u jepet fund fjalëve. Tanimë fjalën e ka ligji dhe dokumentet e firmosura, që do të thotë se Partia Demokratike, së bashku me kryetarin aktual të saj dhe kandidatin e saj për kreun e bashkisë së Tiranës, duhet të respektojnë firmat dhe numrat e komisionerëve të tyre", tha Majko.

PËR KRYEMINISTRIN, ZGJEDHJET JANË SHUMË TË MIRA

12.30 Ndërsa KQZ, një javë pas zgjedhjeve, ende nuk është i aftë të thotë kush është fituesi i Tiranës në bazë të procesverbaleve të KZAZ-ve, kryeministri Sali Berisha një konferencë për shtyp nga selia e Partisë Demokratike vlerësoi si "shumë të mira zgjedhjet lokale të 8 majit",  dhe deklaroi  fitoren e koalicionit të mazhorancës  kundrejt atij opozitar në shkallë republike. 

 Por edhe shtoi që nuk i takon atij të gjykojë këto zgjedhje pasi ka qenë lojtar në to: “Kjo u takon vëzhguesve ndërkombëtarë dhe kombëtarë, por në vlerësimin tim,  zgjedhjet kanë qenë shumë të mira". 
Duke u ndalur te zgjedhjet për kreun e Bashkisë së Tiranes, Kryeministri Berisha tha "Disponojmë të dhëna të pakundërshtueshme se janë disa herë më tepër se 10-ta e zotit Rama, votat e hedhura për zotin Basha. Dhe me gjithë këtë, ju garantoj se ne do të pranojmë çdo rezultat të vendosur nga institucionet demokratike të vendit”. 
Edhe pse numërimi i votave duket se është pika më e dobët e këtyre zgjedhjeve Berisha nuk ngurroi të deklarojë: "Ne kemi arritur një nivel transparence të paprecedent,  të pashembullt të numërimit të votave dhe kjo bën krenar secilin prej nesh ".

Kryeministri Sali Berisha deklaroi edhe mbajtjen e një analize transparente për zgjedhjet pas certifikimit te rezultatit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

KQZ SHTYN ME 48 ORË REZULTATIN PËR TIRANËN

11.30 KQZ në mbledhjen e sotme vendos të shtyjë me 48 orë dhënien e rezultatit për kryebashkiakun e Tiranës. Kryetari i i KQZ-së, Arben Ristani, deklaroi se “procedurat ligjore të nenit 123 të Kodit Zgjedhor parashikojnë që do të ketë tabelë përmbledhëse për Tiranën brenda 48 orëve nga çasti kur vjen tabela e fundit e KZAZ-ve”. Ai informoi se deri tani kanë ardhur më shumë se gjysma e tabelave përmbledhëse nga 11 KZAZ-të e Tiranës.

ZGJEDHJET. TË SHTATAT

10.05 Ndërsa pritej që KQZ të jepte sot një vendim përfundimtar për garën e shumëpritur për Tiranën, ajo ka nisur pak minuta më parë një mbledhje të zakonshme duke shqyrtuar ankimimet e partive lidhur me numërimet e votave në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Ende nuk ka zyrtarizuar procesverbalin e KQAZ-së për kutinë e fundit për kryetarin e bashkisë së Tiranës, rezultat që po t’u mblidhet rezultateve të tjera të zyrtarizuara nga KQZ jep fitues për Tiranën Ramën me 10 vota mbi Bashën.

14 maj 2011

BASHA: DO TA PRANOJ CILIDO QOFTË VENDIMI VERDIKTI

20.30 "Zgjedhjet vendore të 8 majit ishin të ndershme dhe të lira, por gara në kryeqytet ishte shumë e ngushtë", deklaroi Lulzim Basha, ndërsa siguroi se cilido që të jetë rezultati përfundimtar, ai do ta pranojë atë. "Cilido që të jetë verdikti final i votuesve unë do ta pranoj atë. Shpresoj që edhe zoti Rama të bëjë të njëjtën gjë. Pavarësisht nëse marrim për bazë burimet tona apo të palës tjetër, të dy kandidatët ndahemi me fare pak vota. Asnjë nga kandidatët nuk ka marrë më shumë se 50 për qind të votave. Çdo votë duhet të numërohet në mënyrë të ndershme dhe të saktë", tha Basha.
"Në respekt të vullnetit të qytetarëve, unë mbetem i vendosur që çdo votë të lexohet saktësisht dhe zëri i çdo qytetari të dëgjohet. Nëse në fund të këtij procesi, Rama është fitues unë do ta uroj atë dhe nëse fitues jam unë shpresoj që ai të më urojë mua", tha ai.
Basha kërkoi që kur fituesi i kësaj gare të jetë i sigurt, të gjithë kemi nevojë të ecim përpara dhe jo mbrapa, sepse kemi nevojë të ecim përtej luftës politike dhe të punojmë për zgjidhjen e problemeve.
"Qytetarët e Tiranës sot kanë dhënë një mesazh të fortë dhe të qartë. Ata duan që kryebashkiaku të luftojë betejat e tyre të përditshme dhe jo betejat politike. Ata duan një Tiranë moderne dhe europiane dhe jo grindje shterpë dhe beteja e fajësim të të tjerëve", tha Basha.    
"Falënderoj të gjithë komisionerët, numëruesit, vëzhguesit e PD-së dhe partive të tjera dhe vëzhguesit e vendeve mike që ndihmuan për ta bërë këtë procesin më të ndershëm, të lirë, të saktë dhe transparent, me të cilin mund të krenohet Tirana dhe gjithë Shqipëria", tha Basha, duke falënderuar të gjithë ata që dhanë votën dhe zemrën në këtë fushatë elektorale.

RAMA: ËNDRRA VAZHDON

18.50 "Kjo nuk është fitorja ime e parë, por më shumë se asnjëherë më parë fitorja është reflektim për mua, që sot ndiej peshën e borxhit ndaj çdo shqiptari që besoi duke votuar tek kandidatët e aleancës sonë dhe ndaj çdo qytetari në Tiranë që nuk më votoi, duke më sprovuar", tha Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, pas përfundimit të procesit të numërimit. "U them pa dallim të gjithëve, duke filluar nga Tirana, se edhe ata zgjedhës që nuk na kanë votuar, nuk kanë humbur", tha Rama, duke shtuar se "sot është dita për të festuar duke e ndarë gëzimin me çdo qytetar të këtij vendi që ka votuar apo jo për ne". "Ëndrra vazhdon", tha Rama, duke falënderuar të gjithë mbështetësit e tij në këtë garë, por edhe përfaqësuesit e trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, të cilët, sipas tij, "qëndruan në mbrojtje të votës së çdo qytetari, pa dallim".

KQZ MBAN PENG REZULTATIN

18.00 KQZ shtyn për nesër në orën 10.00 mbledhjen e saj për shpalljen e rezultatit zyrtar për Tiranën. Duket se komisioni qendror i zgjedhjeve do të përllogarisë edhe një herë shumën e votave të marra nga secili kandidat në të 11-ta njësitë e kryeqytetit. Ky vendim vjen i befasishëm pasi të dhënat e KQZ-së deri para numërimit të kutisë së fundit ishin zyrtare e të certifikuara.

ZGJEDHJET: BERISHA PRET REZULTATIN NGA KQZ

16.35 Berisha ka dale ne konference shtypi. Ai ka deklaruar se pret rezultatin perfundimtar te zgjedhjeve dhe se nuk u beson te dhenave te databazes se selise roze. Madje shton qe "sipas databazes se selise se PD-se, fitimtari eshte Lulzim Basha".

EDI RAMA SERISH KRYETAR I TIRANES PER 10 VOTA

16.19 Edi Rama mbetet kryetar i bashkisë së Tiranës, me avantazh votash sa gishtat e duarve. Ka dale tashme edhe procesverbali i KZAZ-se. Ne kutine e fundit Edi Rama mori 66 vota me shume se Lulzim Basha, duke e kapercyer me 10 vota ne shumen perfundimtare te votave per kryetarin e bashkise se Tiranes. Ne 485 kutite e kryeqytetit, Edi Rama i Aleances per te Ardhmen ka marre 124.597 vota kundrejt 124.587 te Lulzim Bashes se Aleances per Qytetarin.

RAMA +9?

15.52 Betejën duket se e fiton Rama me 9 vota më shumë se Lulzim Basha. Rezultati ende nuk eshte zyrtar. Pritet procesverbali i KZAZ-se, por simpatizantet e te dyja partive jane duke festuar.

KUTIA E FUNDIT

14.25 Si do të përfundojë ndeshja Basha-Rama? Janë numëruar 484 kuti dhe, sipas të dhënave jo zyrtare, diferenca mes Bashës dhe Ramës është ngushtuar në vetëm 56 vota. 

PESË KUTTITË E FUNDIT

13.00 Mbeten vetëm 5 kuti për t’u hapur, dhe sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, Basha mbetet në avantazh me 477 vota. Në 480 kuti votimi, janë 123.947 vota për Bashën  dhe 123.470 për Ramën, për të cilin fitorja duket tashmë e pamundur. Vazhdon relativisht me shpejtësi numërimi i këtyre kutive të fundit.

NJESIA (APO PAVIJONI) 5: TETE KUTITE E FUNDIT

11.15 Ndersa vijon mbledhja e KQZ-se per te sqaruar situaten ne njesine 5, ka rinisur me ne fund numerimi ne dy tavolina. Kane mbetur edhe 8 kuti. Numerimi pritej te fillonte ne oren 8.00 por te vetmit qe u paraqiten te perpikte ne orar ishin  ambasadori amerikan Arvizu dhe ambasadori i BE-së Ettore Sequi. Numerimi rifillon me nje avantazh te Lulzim Bashes, i cili deri tani, me 477 kuti te numeruara ka 571 vota me shume se Rama. Revanshi i Rames duket teper i veshtire dhe ndonese dita e sotme pritet te sjelle perfundimin e numerimit, shpallja e fituesit veshtire se nuk do te kaloje neper nje proces ankimimesh. 

KRYESON BASHA ME 708 VOTA, KUR MUNGOJNE VETEM 10 KUTI

01.00 Kush i fiton zgjedhjet? Pas pesë ditëve nga data e votimit, klasa politike nuk arrin të administrojë fazën e pas-votës, atë të numërimit që varet vetëm e vetëm prej saj. As prania e vetë ambasadorëve më të rëndësishëm në Shqipëri duket se nuk po ia del të detyrojë përfaqësuesit e klasës politike të bëjnë detyrën, thjesht të numërojnë me saktësi ato pak mijëra vota që kanë mbetur.

Në darkë KQZ-ja ia doli mbanë të përditësojë të dhënat e saj me 10 kutitë e numëruara një natë më parë. Tani sipas saj ka 475 kuti të numëruara dhe Lulzim Basha kryeson me 122.929 vota kundrejt Edi Ramës që ka vetëm 122.221.

Duke parë situatën e nderë të dy ditëve të fundit, rezultati përfundimtar po bëhet gjithnjë e më i largët.

SHTOHET NJË TJETËR KUTI NË REZULTATIN E KQZ-SË PËR TIRANËN

15.45 KQZ shton shifrat e një tjetër kutie që vjen nga njësia vendore 5 në rezultatin zyrtar për kryebashkiakun e Tiranë. Me numërimin e kësaj kutie, epërsia e Bashës ndaj Ramës ulet me 40 vota dhe është tashmë 837. Më saktësisht, nga 465 kutitë e deritanishme Lulzim Basha ka 120.423 vota ndërsa Edi Rama 119.586. Ende nuk janë regjistruar nga KQZ, rezultatet e disa kutive të numëruara që natën e shkuar të njësisë vendore 9. Pritet gjithashtu edhe numërimi i kutive të mbetura të njësisë 5 për të pasur rezultatin përfundimtar.

KQZ: ME 464 KUTI TË NUMËRUARA, BASHA KRYESON MBI RAMËN ME 876 VOTA

12.40 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po shton në rezultatin zyrtar të Tiranës, shifrat nga kutitë e numëruar gjatë natës. Sipas KQZ-së, Basha ka 120.162 vota ndërsa Rama 119.286. Mungojnë ende shifrat e 21 kutive, por në të vërtetë nuk janë numëruar vetëm 13 të njësisë 5, 8 të tjera janë të numëruara dhe rezultati i tyre pritet të zyrtarizohet nga KQZ.

KQZ:  34 BASHKI PËR ALEANCËN PËR TË ARDHMEN, 31 PËR ALEANCËN PËR QYTETARIN

12.00 Pesë ditë pas votimeve për zgjedhjet vendore të 8 majit, procesi tashmë po shkon drejt  përmbylljes së numërimit të votave dhe nxjerrjes së rezultatit përfundimtar. Sipas KQZ për 65 bashki të vendit, ku ka përfunduar numërimi i votave, koalicioni opozitar Aleanca për të Ardhmen ka fituar në 34 prej tyre, ndërsa Aleanca për Qytetarin ka fituar në 31 bashki të tjera. Ky është rezultati përfundimtar për të gjitha bashkitë e vendit, pa llogaritur Tiranën, ku numërimi ka mbetur në kutitë e fundit të njësisë bashkiake 5 (KZAZ nr.49), për të nxjerrë rezultatin për kryebashkiakun e ri. Mazhoranca ka fituar disa bashki që kanë qenë bastion i së majtës në Jug të vendit, si bashkia e Përrenjasit, Librazhdit, Roskovecit, etj. Ndërsa, PS ka arritur rezultate në disa bashki të njohura si të djathta si në Kavajë, Shijak, Laç, etj.

KQZ: 133 KOMUNA TË DJATHTËS, 57 TË MAJTËS

12.00 Sipas KQZ-së, Partia Demokratike ka fituar 133 komuna në mbarë vendin, ndërsa Partia Socialiste ka konfirmuar deri tani fitoren e saj vetëm në 57 komuna. Në shkallë vendi mbeten mbi 100 komuna në garë ku ende nuk janë numëruar votat, por referuar shifrave zyrtare, opozita ka fituar 32% të komunave, ndërsa maxhorana 68% të tyre.

KQZ: ALEANCA PËR QYTETARIN, KOALICIONI ME MË SHUMË VOTA. PS, PARTIA ME MË SHUMË VOTA

12.00 Sipas të dhënave zyrtare nga KQZ dy koalicionet deri tani kanë këto rezultate: Aleanca për Qytetarin i drejtuar nga PD ka fituar 726.471 vota, ndërsa Aleanca për të Ardhmen, i drejtuar nga PS, ka marrë 641.215 vota. Aktualisht, diferenca mes dy koalicioneve është rreth 85 mijë vota. Tetë partitë politike jashtë dy koalicioneve të mëdha kanë marrë 32 mijë vota për Këshillat bashkiakë dhe komunalë në shkallë vendi.Votat që dy partitë e mëdha kanë marrë në shkallë vendi ndahen: PS ka marrë 389.690 vota, ndërsa PD 297.706 vota, me një diferencë prej 92 mijë votash. Pas tyre renditet LSI që në shkallë kombëtare ka marrë 104.367 vota, e ndjekur nga PR me 65.562 vota, e më pas PDIU me 58.127 vota etj.

RINIS NUMËRIMI NË NJËSINË  5. GJITHNJË NËN VËZHGIMIN E AMBASADORËVE

11.10 Nis numërimi i kutive të fundit të njësisë 5 në Tiranë që do të jenë vendimtare për qeverisjen e Tiranës për  vitet e ardhshme. Gjatë natës, numërimi në këtë zonë u ndoq nga ambasadori i SHBA-së, Alexander Arvizu, ai i OSBE-së, Eugen Wollfarth dhe ai i BE-së, Ettore Sequi. Ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth është paraqitur edhe sot në qendrën e numërimit, që para orës 9 të mëngjesit, por iu desh të presë deri në 10.15 për nisjen e procesit të numërimit, që ishte paralajmëruar për në orën 08.30.

TIRANË, NUMËROHET VETËM NË NJËSINË 5. KUSH DO TË FITOJË KRYEQYTETIN?

08.00 Në Tiranë mbet vetëm një njësi për t’u numëruar, ajo numër 5, që mbulon një zonë të Tiranës në favor të Ramës. Kanë mbetur ende 16 kuti për t’u hapur, por sipas rezultateve të dhëna nga KQZ ende nuk ka shifra zyrtare për 23 kuti: me 462 të numëruara, Edi Rama ka 118.711 vota ndërsa Lulzim Basha ka 119.632. A do të arrijë kryebashkiaku i tanishëm Rama të marrë të paktën 921 vota më shumë se Basha në kutitë e mbetura për ta kapërcyer atë? Me këtë pikëpyetje nis kështu dita e pestë e numërimit të votave. Loja është akoma e hapur.

Ecuria e numërimit më 12 maj

NUMËRIMI I VOTAVE NËN VËZHGIMIN E AMBASADORËVE

23.15 Vijon akoma numërimi në 2 nga 11 njësitë e Tiranës: në atë numër 5 dhe në atë me numër 9. Tek të dyja këto qendra, për të siguruar mbarëvajtjen e procesit janë përqendruar të gjithë vëzhguesit e huaj, përfshirë edhe  Ambasadori i ShBA-së Arvizu, ambasadori i BE, Etore Sequi,

Ndërkaq, KQZ jep rezultatin e 454 kutive të numëruara: Basha ka 117.300 vota ndërsa Rama 116.216. Diferenca mes dy kandidatëve mbetet 1.184.

BASHA RUAN AVANTAZHIN PREJ 1.182 VOTASH MBI RAMËN, KUR MUNGOJNË AKOMA 33 KUTI

21.00 Në Tiranë janë numëruar deri tani 452 dhe në krye mbetet gjithnjë kandidati i Aleancës për Qytetarin Lulzim Basha, me 116.917 vota, ndërsa kandidati i Aleancës për të Ardhmen ka 115.735 vota. Procesi tashmë vazhdon ngadalë, me bllokime të vazhdueshme dhe akuza mes palëve, në një atmosferë gjithnjë e më të nderë. Nga mesnata deri tani, KQZ ka regjistruar dhe ka komunikuar numërimin e vetëm 26 kutive në Tiranë, dhe me këto ritme duket se nuk do të jetë e mundur  të mësohet një  rezultat as nesër në mbrëmje.

TIRANË, NUMËRIMI VAZHDON

19.00 Arrin në 449 numri i kutive të numëruara në Tiranë. Vazhdon të mbetet në avantazh, me 954 vota, kandidati i Aleancës për Qytetarin. Basha ka tashmë 116.054 vota në favor të tij, ndërsa Rama 115.100. Tirana është e vetmja bashki ku vazhdon numërimi i votave për kryetarin.

TIRANË, VETËM 447 KUTI TË HAPURA, KRYESON GJITHNJË LULZIM BASHA

18.00 Gjithnjë e më të ngadalta ritmet e numërimit të votave në Tiranë, ngadalësi që nuk bën tjetër veçse nervozon palët dhe mbi të gjitha ul çdo orë e më shumë standardin e shumëpërfolur të këtyre  zgjedhjeve.  Me numërimin e 447 kutive, janë  115.436 votat në favor të Lulzim Bashës dhe 114.402 ato në favor të Edi Ramës. Plot 1.034 vota ndajnë dy rivalët.

TIRANË, 445 KUTI TË NUMËRUARA, KRYESON BASHA ME 929 VOTA MBI RAMËN

16.45 Vazhdon numërimi i votave në Tiranë, i ngadaltë e me nerva të ndera. Vazhdon të kryesojë Basha me 114.880 vota kundrejt 113.951 të Edi Ramës.  Duhen numëruar akoma 40 kuti dhe duke parë ritmet e deritanishme, vështirë se mbarohet deri në darkë.

HAPET NJË TJETËR KUTI, BASHA RUAN NJË AVANTAZH PREJ 1.153 VOTASH MBI RAMËN

15.35 KQZ përditëson të dhënat mbi Tiranën: janë numëruar 442 kuti dhe kandidati i djathtë Basha ka 114.164 vota ndërsa kandidati i majtë Rama 113.011.

TIRANË, NË  441 KUTI TË NUMËRUARA 18.408 VOTAT E PAVLEFSHME

15.10 Kur kutitë e numëruara arrijnë në 440, Basha ruan epërsinë e tij mbi Ramën me 1.525 vota avantazh. I pari ka marrë deri tani 113.931 vota ndërsa tjetri 112.406. Një vlerë të veçantë në këtë garë “kokë më kokë” mes dy pretendentëve për bashkinë e Tiranës marrin edhe votat e pavlefshme që deri tani, sipas KQZ-së janë 18.408.

TIRANË, ME  435 KUTI TË NUMËRUARA BASHA KA MBI 1.000 VOTA MË SHUMË SE RAMA

14.00 Vazhdon ngadalë numërimi i kutive dhe nga 435 të numëruarat deri tani thellohet me 1.045 rezultati mes Bashës dhe Ramës navor të të parit. Të dhënat e KQZ-së flasin për 112.209 vota për Lulzim Bashën, 111.164 për Edi Ramën dhe 1.247 për komunistin Hysni Milloshin. Mungojnë ende 50 kuti për të parë se kush do të drejtojë kryeqytetin vitet e ardhshme.

NË ELBASAN, SEJDINI SHKON I SIGURT DREJT FITORES.

12.45 Me rritjen e numrit të kutive të numëruara rritet epërsia e kryebashkiakut të Elbasanit ndaj kundërshtarit të tij të LSI-së të mbështetur nga Aleanca për Qytetarin, Durim Hushi. Me 82 kuti të numëruara nga 96, Qazim Sejdini i Aleancës për të Ardhmen ka marrë 22.111 vota ndërsa Hushi 15.052. Ndryshe nga ç’po ndodh në Tiranë, këtu nuk ekzistojnë “ethet” e votave pasi duket se gjithçka është vendosur në favor të kryebashkiakut të tanishëm.

DURRËS, FITON VANGJUSH DAKO

12.40 Përfundon procesi i numërimit të votave për kryebashkiakun e Durrësit. Fiton Dako mandatin e dytë me 33.369 vota kundrejt ish ministrit të qeverisë Berisha, kandidatit Ferdinand Xhaferraj, që arriti të marrë vetë 29.785. Diferenca e votave mes dy kandidatëve arriti në 3.584.

TIRANË, THELLOHET NË 701 DIFERENCA E VOTAVE NË FAVOR TË BASHËS

12.35 Ka arritur në 432 numri i kutive të numëruara dhe Lulzim Basha vazhdon të jetë përpara kandidatit Edi Rama. Kandidati i Aleancës për Qytetarin ka 111.419 vota ndërsa kandidati i Aleancës për të Ardhmen 110.718. Mbetet  gjithnjë e pamundur të kuptohet se ç’kah do të marrin zgjedhjet në Tiranë pasi kutitë e hapura nuk vijnë njëkohësisht nga të gjitha zonat e Tiranës, në mënyrë që të vlejnë si kampion i vlefshëm për një projeksion të mundshëm të votës së banorëve të Tiranës.

NË DURRËS MUNGOJNË VETËM 7 KUTI PËR TË KONFIRMUAR ZYRTARISHT SOCIALISTIN  DAKO

12.00 Në Durrës po bëhet gjithnjë e më e sigurt fitorja e kandidatit të Aleancës për të Ardhmen, Vangjush Dako. Janë numëruar 158 kuti dhe kryebashkiaku i tanishëm Dako kryeson me 32.072 vota, kundrejt 28.592 votave të marra nga kandidati i Aleancës për Qytetarin, Ferdinand Xhaferraj.

ELBASAN, SEJDINI DREJT RIKONFIRMIMIT TË MANDATIT 

09.00 Në Elbasan ka arritur në 76 numri i kutive të numëruara (nga 96). Edhe në Elbasan duket e sigurt fitorja e kryebashkiakut të tanishëm, kandidatit të koalicionit të majtë Aleanca për të Ardhmen, Qazim Sejdini me 20.469 vota kundrejt kandidatit të koalicionit Aleanca për Qytetarin, Durim Hushi që ka 14.026 vota. Diferenca mes dy kandidatëve është thelluar gjithnjë e më shumë me shtimin e kutive të numëruara dhe tashmë ka arritur në 6.443.

VAZHDON NUMËRIMI NË DURRËS

09.00 Në Durrës duket kandidati i Aleancës për të Ardhmen, Vangjush Dako do të konfirmohet kryetar bashkie. Kur janë numëruar 150 kuti ai kryeson me 30.297 vota, kundrejt 27.004 votave të marra nga kandidati i Aleancës për Qytetarin, ish ministri i Kulturës Ferdinand Xhaferraj.

SHKODËR, FITON DEMOKRATI LUKA

09.00 Pa asnjë të papritur përfundon procesi zgjedhor në Shkodër. Fiton thellë demokrati Lorenc Luka me 9.571 vota më shumë se kundërshtari i tij Genc Uruçi. Lorenc Luka merr kështu mandatin e tij të dytë si kryetar bashkie me 20.798 vota.

TIRANA NGRYSET E KUQE DHE GDHIHET BLU

08.35 Gjatë natës nëTiranë janë numëruar vetëm 4 kuti që kanë përmbysur rezultatin e mesnatës. Tani, me 430 kuti të numëruara,  Lulzim Basha kryeson mbi Ramën me 110.868 vota kundrejt 110.361. Sot jemi në ditën e katërt të numërimit të votave, proces që duhet të kish mbaruar në orën 17.00 të së hënës së shkuar, dhe ende nuk mund të thuhet kush është fituesi i kryeqytetit.

TIRANË, MBETEN PËR T’U NUMËRUAR 59 KUTI

00.55 KQZ njofton rezultatin e dalë nga numërimi i 426 kutive të Tiranës nga 485 që janë gjithsej. Edi Rama ka vetëm 202 vota më shumë se kundërshtari i tij politik Lulzim Basha: 109.823 kundrejt 109.621. Numërimi bëhet nën mbikëqyrjen e vëzhguesve të huaj e vendas, madje në Njësinë 11 tashmë po ndjek procesin edhe vetë kreu i misionit të vëzhguesve të ODIHR, Jonathan Stonestreet.

Ecuria e numërimit më 11 maj

11 maj 2011 – Kanë kaluar tashmë tre dita nga procesi zgjedhor dhe vazhdon të numërohen votat. Ky proces, që ashtu si në vitin 2009 mbetet pika më e dobët e zgjedhjeve në Shqipëri, ecën me shumë ngadalësi. Veçanërisht në Tiranë, ku qendra të ndryshme herë pas here ngadalësojnë apo bllokojnë procesin, ku akuzohet KQZ-ja se jep qëllimisht rezultate të pjesshme, ku dy partitë e mëdha shprehen vazhdimisht të bindura për fitoren duke tensionuar situatën.

TIRANË, REVANZHI I LULZIM BASHËS

23.15 Shkon në vetëm 96 diferenca mes votave të Ramës e Bashës por akoma në favor të të parit. Kutitë e numëruara deri tani japin 105.868 vota në favor të Edi Ramës dhe 105.772 për kandidatin Lulzim Basha.

REZULTATET KQZ PËR 4 BASHKITË MË TË MËDHA KU ENDE NUMËROHEN VOTA

22.00Tiranë janë numëruar 405 kuti nga 485. Kandidati i "Aleancës për Qytetarin", Lulzim Basha numëron 103.093 vota, ndërsa kryebashkiaku aktual, kandidati i  "Aleancës për të Ardhmen",  Edi Rama 103.872 vota.

Shkodër janë numëruar 88 nga 95 kutitë dhe kandidati i koalicionit "Aleanca për Qytetarin", Lorenc Luka  ka 18.967 vota kundrejt 10.602 të kandidatit të koalicionit "Aleanca për të Ardhmen",  Genc Uruçi.

Durrës janë numëruar 106 kuti nga 165 dhe kandidati i "Aleancës për Qytetarin", Ferdinand Xhaferraj  numëron 19.944 vota ndërsa kandidati i "Aleancës për të Ardhmen", Vangjush Dako  21.773 .

Elbasan ku janë numëruar 74 nga 96 kutitë, vazhdon të kryesojë kryebashkiaku i tanishëm, kandidati i koalicionit "Aleanca për të Ardhmen", Qazim Sejdini me 19.624 vota kundrejt kandidatit të koalicionit "Aleanca për Qytetarin", Durim Hushi që ka 13.522.

ALEANCA PËR QYTETARIN KRYESON NË VOTAT PËR KËSHILLAT BASHKIAKË

19.00 Për herë të parë, KQZ jep të dhënat e mbledhura nga qendrat e numërimit për votat për këshilltarët bashkiakë. Deri tani, në rang vendi, për këshillat bashkiakë numrin më të lartë të votave e ka marrë Aleanca për Qytetarin: 539.076. Aleanca për të Ardhmen ka marrë 492.221 vota dhe partitë e tjera jashtë dy koalicioneve të mëdha kanë marrë 61.662 vota.

NË DURRËS THELLOHET REZULTATI NË FAVOR TË DAKOS

18.40 Në Bashkinë e Durrësit, kur janë numëruar 102 kuti nga 165 që ka gjithsej ky qytet, Vangjush Dako është në avantazh ndaj Ferdinand Xhaferrit me 1.965 vota. Kandidati i PS-së ka marrë 21.027 vota ndërsa ai i PD-së 19.062.

TIRANË, RAMA 1.000 VOTA PËRPARA BASHËS

18.30 Kur janë numëruar 379 kuti, epërsia e Ramës mbi Bashën është rritur. Ai ka 96.447 vota ndërsa Basha 95.447. Plot 1.000 vota ndajnë kryebashkiakun e deritanishëm Rama nga ish ministri i qeverisë Berisha, Lulzim Basha, por gjithsesi ende nuk është i mundur parashikimi i rezultatit përfundimtar.

SHKON NË 889 DIFERENCA MES RAMËS DHE BASHËS

17.15 Në Tiranë mbërrin në 371 numri i kutive të numëruara. Sipas KQZ-së, në favor të Edi Ramës janë 94.638 vota ndërsa ën favor të Lulzim Bashës 93.749. Duke parë ritmet e ngadalta të numërimit duket se do të jetë e pamundur që rezultati i kryeqytetit të mësohet sot.

TIRANË, RAMA VAZHDON TË MBETET NË AVANTAZH

16.30 Vazhdon më shumë ngadalësi procesi i numërimit në Tiranë. Tashmë janë hapur 365 kuti dhe vërehet se Rama ruan epërsinë mbi Bashën me 92.928 vota, kundrejt 92.305.

PS KRYESON NË DURRËS DHE ELBASAN, PD NË SHKODËR

16.30 Numërimi i votave nuk ka përfunduar në bashkitë më të mëdha. Përveç kryeqytetit, vazhdon edhe në   Durrës, Elbasan e Shkodra. Në Elbasan e Durrës kandidatët e PS Sejdini dhe Dako kryesojnë ndjeshëm, ndërsa në Shkodër Luka i PD.

Shkodër janë numëruar 74 kuti nga 95. PD është në avantazh me 15.576 vota, kundrejt PS me 9.158 vota.
Durrës janë numëruar vetëm 97 kuti nga 165. PS ka 19.855 vota, ndërsa PD 18.161 vota.
Elbasan janë numëruar 64 nga 96 kuti dhe kryeson PS me 17.144 vota, PD-LSI ka 11.698 vota.

TIRANË, NUMËROHEN 8 KUTI TË TJERA DHE VAZHDON EPËRSIA E RAMËS

14.30 KQZ përditëson me të dhënat e 8 kutive të tjera rezultatin e Tiranës. Edi Rama vazhdon të kryesojë me 90.466 vota kundrejt 89.924 votave të Lulzim Bashës.

VAZHDON EPËRSIA E RAMËS MBI BASHËN

14.10 KQZ-ja bën të ditur se deri tani numri i kutive të numëruara ka arritur në 347 dhe vazhdon të kryesojë Edi Rama me 87.911 vota. Lulzim Basha ka 87.485 vota. Diferenca mes dy kandidatëve mbetet gjithnjë e ngushtë.

SHKODRA MBETET BLU

13.05 Edhe pse në Shkodër janë numëruar vetëm 68 kuti votimi nga 95 duket e sigurt fitorja e Aleancës për Qytetarin. Demokrati  Lorenc Luka  ka marrë 14.497 vota, kundrejt 8.546 votave të marra nga Genc Uruçi të koalicionit Aleanca për të Ardhmen.

ELBASANI PO I JEP BESIMIN E TIJ KRYEBASHKIAKUT TË FUNDIT SEJDINI

13.05 Në Elbasan janë numëruar vetëm 54 nga 96 kuti, por fitorja e kryebashkiakut socialist është thuajse e sigurt. Ai ka marrë 14.831 vota kundrejt 10.019 votave në favor të Durim Hushit të mbështetur nga Aleanca për Qytetarin.

NË TIRANË E DURRËS NUK MUND TË PARASHIKOHET ENDE FITUESI

13.00 Tri ditë pas procesit zgjedhor është ende i pamundur parashikimi i një rezultati në kryeqytet dhe Durrës. KQZ njofton që në Tiranë rezultati i deritanishëm është 86.800 vota në favor të Ramës dhe 86.304 në favor të Bashës. Procesi i numërimit vazhdon shumë ngadalë e shpeshherë bllokohet. Edhe në Durrës rezultati është në favor të socialistëve me 16.547 vota kundrejt 15.472 të demokratëve.

PËRFUNDON NUMËRIMI NË KORÇË. FITON PS

12.00 Niko Peleshi i PS-së shpallet fitues në Korçë. Me 16.515 kundrejt Manos së PS-së 14.083 Peleshi do të drejtojë këtë bashki për të dytën herë.

JEPEN TË DHËNAT PËRFUNDIMTARE NË SHUMË BASHKI DHE KOMUNA

11.50 Numërimi i votave ka përfunduar tashmë në një numër të madh bashkish dhe komunash të vendit. Një informacion i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve jep rezultatet në përfundim të këtij procesi. Kështu Peqin, Libohovë, Leskovik, Voskopojë janë fituar nga koalicioni i djathtë ndërsa Berat, Fier, Ballsh, Lushnjë, Patos, Tepelenë, Pogradec janë fituar nga i majti. Këtu gjeni listën e plotë ku ka përfunduar numërimi.

TIRANË, KANDIDATËT VAZHDOJNË KOKË MË KOKË, ME RAMËN PAK PËRPARA

11.35 Sipas të dhënave të kqz-së, Edi Rama vazhdon të kryesojë në Tiranë me 86.463 vota kundrejt 85.982 votave të Lulzim Bashës. Numërimi vazhdon  në njësinë nr 2, në njësinë 3, në njësinë 5, 6 , 7, 8, 9 dhe 11. Ka përfunduar në njësitë me numër 1, 4 dhe 10.

ELBASAN, RINIS NUMËRIMI

09.20 Rinis sot në mëngjes numërimi i votave pasi ishte ndërprerë pas mesnate. Kur janë hapur 49 ndër 96 kutitë, Sejdini i PS është në avantazh me 13562 vota, kundrejt  9.113 votave të kundërshtarit të tij të LSI-së të mbështetur nga Aleanca për Qytetarin

DURRËS, PS NË AVANTAZH ME MBI 1.000 VOTA

09.10 Në Durrës kur janë numëruar 79 nga 165 kutitë, PS thellon avantazhin e saj me mbi 1.000 vota. Dako ka marrë 16.547 vota ndërsa Xhaferaj 15.472.

PD PO FITON NË SHKODËR ME DIFERENCË TË LARTË VOTASH

09.00 Ndërsa janë numëruar 62 ndër 95 kuti, në Shkodër, një nga bastionet demokrate, PD kryeson me 13.400 vota kundrejt 7.917 të PS-së.

TIRANE, RAMA NË AVANTAZH EDHE GJATË NATËS

08:30 Me kutitë e numëruara edhe gjatë natës, në Tiranë janë hapur tashmë 324 kuti nga 485. KQZ deklaron se kandidati Edi Rama ka marrë 85.403 vota, kundrejt  85.180 votave që ka Lulzim Basha. Aleanca mbi të Ardhmen ruan një diferencë prej 223 mbi Aleancën për Qytetarin.

Ecuria e numërimit më 10 dhe 9 maj

Në Shqipëri vazhdon të numërohen votat e 8 majit. Koalicioni i majtë, Aleanca për të Ardhmen ka marrë apo kryeson në shumë nga bashkitë kryesore të vendit. Aleanca për Qytetarin kryeson apo ka fituar tashmë në Shkodër, Kukës, Lezhë. Surprizat e këtyre zgjedhjeve janë kryesimi i PS-së në Kavajë, humbja e Bollanos në Himarë, fitorja e kandidatit të PDIU-së në Rrogozhinë dhe zgjedhja e gruas së parë kryebashkiake, Adelina Fariçi kandidate e PS-së. Numërimi i votave, që mbetet pika më e dobët e zgjedhjeve, është i ngadalë dhe vazhdon në shumë komuna e bashki. Sot pritet edhe raporti paraprak i vëzhguesve të huaj.

TIRANË, KRYESON RAMA. POR MBETEN ENDE 199 KUTI PËR T’U NUMËRUAR

23.20 KQZ jep të dhënat pas numërimit të 286 kutive të votimit në Tiranë. Rama vazhdon të kryesojë me 72.497 vota kundrejt 72.138 të Bashës. Diferenca e ngushtë mes kandidatëve dhe numri i lartë i kutive të panumëruara akoma e bën të pamundur një parashikim të rezultatit për kryeqytetin.

DURRËS, PAS HAPJES SË 72 KUTIVE RRITET EPËRSIA E DAKOS MBI XHAFERAJN

22.30 Në Durrës, një tjetër nga bashkitë më të mëdha në vend, PS kryeson mbi PD.  Dako vazhdon të kryesojë mbi Xhaferajn, madje e ka thelluar rezultatin. Janë numëruar 72 kuti nga 165 dhe kryebashkiaku aktual Vangjel Dako kryeson me 15.295 vota ndaj ish-ministrit të kulturës Ferdinad Xhaferaj të PD-së që ka marrë 14.564.

TIRANË, RAMA 500 VOTA NË AVANTAZH

22:00 Në Tiranë janë numëruar 267 kuti votimi nga 485 kuti votimi: Komisioni Qendror Zgjedhor deklaron se kandidati i PS-së Edi Rama është në avantazh me 500 vota mbi kandidatin e PD-se, Lulzim Basha: 67.927 vota, kundrejt 67.427.

EDI RAMA PREZANTON NJË TJETËR GRUA FITUESE TË PS

21:30 Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama në një komunikim me mediat të martën në mbrëmje falenderoi qytetarët në të gjithë vendin që mbështetën dhe u besuan kandidatëve të koalicionit opozitar "Aleanca për të Ardhmen".
Kreu i PS-së, prezantoi përfaqësuesen e opozitës, Rajmonda Balilaj, e cila u shpall fituese për postin e kryetares së bashkisë Patos, theksoi fitoren e PS-së në Tiranë.   
"Më vjen mirë që kemi marrë besimin e qytetarëve deri në jug. Jemi në rrugën e zgjatjes së gjerdanit të fitoreve, në Berat, Fier, Lushnjë etj", nënvizoi Rama.

TIRANË, RAMA KALON NE AVANTAZH

19:55 Me llogaritjet e fundit te te dhenave pas mbylljes se 256 kutive te votimit nder 485, Edi Rama ka kaluar serish ne avantazh me 312 vota ndaj Bashes.  Komisioni Qendror Zgjedhor deklaron se kandidati i PS-së Edi Rama ka marre deri tani 64.795 vota, kundrejt 64.483 votave të Lulzim Bashes. Gjate tere dites Basha kryesonte me disa qindra vota me shume por me perfshirjen e disa kutive ne njesine 10 qe mbaheshin peng i konfliktit mes numeruesve, Edi Rama filloi dalengadale revanshin ne vota duke arritur edhe kapercimin. 48 ore nga mbyllja e votimeve Tirana ka te numeruara dicka me shume se gjysmen e kutive te votimit.

VLORË, FITON KANDIDATI SOCIALIST ME NJË DIFERENCË PREJ 5.036 VOTASH

18.55 Përfundon me fitoren e Shpëtim Gjikës, kandidat i Aleancës për të Ardhmen procesi zgjedhor në Vlorë. Ai konfirmohet për të tretën herë kryebashkiak i qytetit me 23.086 vota kundrejt 18.055 të kundërshtarit të tij.

TIRANË, RAMA NIS REVANZHIN: VETËM 157 VOTA LARG BASHËS  

18.00 Në Tiranë janë numëruar tashmë 233 kuti ndër 485. Basha ka 58.137 vota kundrejt 57.980 të Edi Ramës. Diferenca mes tyre është vetëm 157 vota.

KAMËZ, FITON KANDIDATI MZIU, I AKUZUAR PËR NGACMIME SEKSUALE NDAJ NJË PUNONJËSEJE TË BASHKISË

17.25 – Pas numërimit të të gjitha kutive të votimit në Kamëz fiton kandidati i koalicionit "Aleanca për Qytetarin", Xhelal Mziu, kryebashkiak i Kamzës në katër vitet e fundit,  i akuzuar para disa ditesh publikisht nga një punonjëse e bashkisë për ngacmime seksuale. Ka marrë 15.952 vota ndaj 13.099 votave të kandidatit të koalicionit "Aleanca për të Ardhmen", Rakip Suli.

BERATI MBETET ROZË

17.25 Në Berat  përfundon procesi i numërimit të 74 kutive. Fiton socialisti Fadil Nasufi  që do të vazhdojë të jetë kryetari i bashkisë.

TIRANË, 224 KUTI NDER 485  RAMA 390 VOTA POSHTE BASHES

17.05 Sipas KQZ-së, në Tiranë janë numëruar 224 kuti. Lulzim Basha ka marrë 55.994 vota, Edi Rama 55.604

ELBASAN, THELLOHET REZULTATI NË FAVOR TË SOCIALISTIT SEJDINI

17.00 Në Elbasan thellohet rezultati në favor të kryetarit të tanishëm të bashkisë, Qazim Sejdini, të PS-së. Kur janë hapur 40 nga 96 kutitë,  kandidati rozë ka marrë 11.039 kundrejt 7.276 të Durim Hushit, kandidat i LSI-së.

TIRANË, 214 KUTI NDER 485, NGUSHTOHET DIFERENCA POR BASHA ENDE PARA ME 469 VOTA

16.20 Kur janë hapur 214 kuti, Basha kryeson me 53.822 vota, kundrejt 53.353 të Ramës. Ngushtohet në 469 diferenca mes tyre. Nje ore e 7 kuti me pare, diferenca ishte 607 vota.

KAVAJA PER HERE TE PARE SOCIALISTE, RAMA PREZANTON ROSHIN

16.00  “Fitore historike për PS në mbarë Shqipërinë” ka deklaruar Rama ndersa ka prezantuar triumfalisht kryetarin e pare socialist te Bashkise se Kavajes pas 20 vjeteve pluralizem. Elis Roshin, perfaqesues i Aleances per te Ardhmen fitoi me 6008 vota fitoi kunder 5128 votave që mori kandidati demokrat Refik Rrugeja, per here te trete radhazi kandidat per kryetar bashkie ne Kavaje. Qe prej vitit 1991 dhe zgjedhjeve te para pluraliste lokale, Kavaja eshte qeverisur ekzkluzivisht nga përfaqësues të Partisë Demokratike.

DURRËS, 52 KUTI NDER 165, DAKO NIS SHKEPUTJEN ME 263 VOTA, DY ORE ME PARE E NDANTE NJE VOTE

15.30 Dako kapercen Xhaferajn me 263 vota. Janë numëruar 52 kuti dhe kryebashkiaku aktual Vangjel Dako i PS-se kryeson me 11.254 vota ndaj ish-ministrit të kulturës Ferdinad Xhaferaj të PD-së që ka marrë 10.991. Dy orë më parë, kur ishin numëruar 43 kuti, dy kandidatët i ndante vetëm një votë.

TIRANË, 207 KUTI NDER 485, BASHA PERPARA ME 607 VOTA

15.25 Në 207 kuti të numëruara janë 52.240 votat në favor të Bashës dhe 51.633 ato në favor të Ramës.

TIRANE, 202 KUTI NDER 485, BASHA THELLON DIFERENCEN ME 534 VOTA

15:00 Vazhdon thellohet epërsia e Bashes ndaj Ramës me kutitë e numëruara deri tani. Pas 202 kutive të hapura ndër 485,  Komisioni Qendror Zgjedhor deklaron se kandidati i PD-së Lulzim Basha kryeson me 50.798 kundrejt  Ramës që ka 50.264 vota me një diferencë pra prej 534 votash. Një orë më parë me 196 kuti të numëruara, Basha ishte përpara me 420 vota, ndërsa në orën 12.00, me 183 kuti printe me 312 vota. Procesi i numërimit vazhdon të mbetet i bllokuar në shumicën e KZAZ-ve për shkak te konflikteve mes komisonerëve dhe ndërhyrjeve te partive.

PS: PD PO BLLOKON NUMËRIMIN NË NJËSINË 5 KU FITUES ËSHTË RAMA

14.15 Partia Socialiste akuzon Partinë Demokratike se po bllokon numërimin në KZAZ nr 49, në njësinë nr 5 dhe i kërkon KQZ të marrë vendim për shkarkimin e komisionerëve të PD, sic i shkarkoi në njësinë nr 10. Zëdhënësja elektorale e PS, Mimi Kodheli tha se ndëprerja e numërimit në këtë njësi është e qëllimshme.

TIRANE, NUMERIMI PEZULL NE SHUMICEN E KZAZ-VE, PS AKUZON PERGATITJE PER MANIPULIM

14.05 Ndersa thellohet diferenca mes Rames dhe Bashes ne favor te ketij te fundit, numerimi eshet ndalur ne 7 nga 11 KZAZ-te e Tiranes.  Sipas Partise Socialiste shifrat e paraqitura nga KZAZ jane selektive dhe se epersia e Bashes vjen si pasoje e perzgjedhejs se kutive nga zona ku votohen blu. Partia socialiste eshet shprehur se kjo strategji perzgjedhjeje dhe zvarritjeje eshte e qellimshme per te krijuar iluzionin e nje beteje te forte te Bashes veç per te lejuar manipulimin e votave pas dites se neserme kur parashikohet te largohen vezhguesit e huaj.

TIRANE, 196 KUTI NDER 485, BASHA EDHE ME PERPARA, ME 420 VOTA

13.55 Trembedhjete kutite e numeruar ne dy oret e fundit e kane thelluar epersine e Lulzim Bashes ndaj Edi Rames. Te dhenat e fundit te KQZ-se qe i referohen rezultatit te 196 kutive, japin  49377 vota per Bashen kundrejt  Ramës me 48907 vota. Ritmet e numerimit priten te ngadalesohen edhe me pas perplasjeve mes komisonereve qe nje dy KZAZ kane cuar deri ne shkarkimin e disave prej tyre, perfaqesues te Partise socialiste.

DURRES, DY KANDIDATET 'KOKE ME KOKE', I NDAN VETEM NJE VOTE

13.15 - Prej oresh vec nje grusht votash i ndan i bashkon e i rindan dy kandidatet per Bashkine e Durresit, kryebashkiakun aktual Vangjel Dako i PS-se dhe ish-ministrin e kultures Ferdinad Xhaferaj i PD-se. Pas numërimit të 43 kutive nga 165, mes tyre e ben ndryshimin vetëm një votë: Dako ka 9499 vota ndërsa Xhaferri 9498 vota.

PD FITON SERISH NE GERDEC, VORA RIKONFIRMON KRYEBASHKIAKUN E SHPERTHIMIT

13.05 - PD fiton serish edhe në Gërdec, ku Fiqiri Ismaili i “Aleanca për Qytetarin” del fitues i procesit zgjedhor për Bashkinë e Vorës me 4349 vota, kundrejt PS me 3425. Fiqiri Ismaili ka qene kryetar i Bashkise se Vores , qe perfshin edhe territorin e Gerdecit, edhe gjate kater viteve te shkuara. Pas shperthimit te 16 marsit 2008 ku humben jeten 27 persona e u plagosen dhjetra te tjere, Ismaili u mor ne pyetje gjate procesit nje vit me pare ku deklaroi se nuk ishte ne dijeni te asaj çka ndodhte ne territorin nen administraten e tij.  "Shihnim makinat në Gërdec, por unë nuk kisha asnjë kompetencë për të marrë informacione se cfarë bëhej aty.” pat deklaruar Kryetari i Bashkise se Vores i konfirmuar sot edhe per mandatin e ri.

LSI FITON COROVODEN

12. 20 - Kandidati i LSI-së per Bashkinë e Corovodës ka fituar me 1710 vota kundrejt atij te PS qe merr 1200. Pas Lezhes, ky eshte kandidati i dyte i LSI-se qe ka fituar ne keto zgjedhje ku per here te pare LSI paraqitet si aleate e PD-se kunder kandidateve te majte.

TIRANE, 183 KUTI NDER 485, BASHA PERPARA ME 312 VOTA

12.00 - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sapo publikoi rezultatet e fundit: deri tani kryeson kandidati i koalicionit "Aleanca për qytetarin", Lulzim Basha me 312 vota para kandidatit të koalicionit "Aleanca për të Ardhmen", Edi Rama. Nga rezultatet paraprake rezulton se Edi Rama ka 46 270 vota, ndërsa Lulzim Basha ka marrë 46582 vota. Deri në këto momente në Bashkinë e Tiranës janë numëruar 183 qendra votimi nga 485 qendra votimi që janë në gjithë kryeqytetin

TIRANE, TENSION MES NUMERUESVE, KQZ SHKARKON KOMISONERET E PS-SE

11.50 - KQZ sapo ka vendosur shkarkimin e grupeve të numëruesve PS në KZAZ 54 në njësinë 8 te Tiranes. PS duhet të zevendesoje numëruesit e shkarkuar brenda nje ore. Grupet e numërimit braktisën vendin e punës duke lënë fletët e votimit të shpërndara jashtë kutive. Tension edhe ne  KZAZ--në e njësisë 9 ku numërimi ka mbetur pezull. Të dyja palë fajësojnë njëra tjetrën për obstruksionizëm.

PDIU FITUESE EDHE NE LIBRAZHD, KAPERCEN LSI-NE NE PERFAQESIMIN VENDOR

11.30 - Në bashkinë Librazhd ka fituar me 400 vota në avantazh kandidati  i PDIU-se, Shefki Cota, i cili kandidonte per “Aleanca për qytetarin” përballë kandidatit të PS, Enver Koçi. Cota eshte kandidati i dyte i partise çame qe arrin te fitoje nje bashki pas fitores se djeshme ne Rrogozhine. MEs aleateve et PD-se, PDIU kapercen keshtu LSI-ne ne perfaqesimin vendor pasi vec kandidati i Lezhes nga gjashte kandidatet e partise se Ilir Metes, ka fituar.

VLORE, SHKEPUTET KANDIDATI I PS-se

10:50 - Me 10732 vota kundrejt 8689 te kundershtarit te tij, Shpetim Gjika i PS-se duket se po shkon drejt fitores pas numerimit te 35 nga 86 kutite e votimit.

ELBASAN, PS 2500 VOTA EPERSI

10:45 - Në Elbasan kandidati roze Qazim Sejsini, aktualisht kryetar i bashkise, ka 7461 perballe 4685 votave te kundershtarit te tij Durim Hushi ndersa jane numeruar 27 nga 96 kutite e votimit. Hushi, ish aneta i PS-se i perjashtuar prej saj pasi votoi zgjedhjen e presidentit Topi, paraqitet nen ngjyrat e LSI-se.- 

NUMERIMI NE NGERC, BASHA NE KRYE

10:30 - Në Tiranë janë numëruar 181 kuti nga 485. Lulzim Basha kryeson me 46110 vota kundrejt  Ramës qe ka 45879 vota. Ne disa KZAZ e njësi  numerimi eshte ndalur.

KUTITE E FUNDIT I SJELLIN VOTA BASHES QE THELLON SHKEPUTJEN

08:50 – Janë hapur 180 kuti, dhe Lulzim Basha thellon rezultatin me 45.891 vota kapërcen Edi Ramën që ka marrë 45.697.

8 VOTA, BASHA KAPERCEN RAMEN

08:00 – KQZ jep shifrat më të fundit për Tiranën: kur janë hapur 179 kuti, për herë të parë Lulzim Basha me 45.609 vota kapërcen Edi Ramën që ka marrë 45.601 vota.

REZULTATI PERFUNDIMTAR NE 29 BASHKI: PS 18 -  PD 11

06:00 – Janë 29 komunat ku numërimi i votave ka mbaruar që më 9 maj. I kanë shkuar Aleancës për Qytetarin: Kukës, Lezhë, Peshkopi, Rrogozhinë (PDIU), Pukë, Bajram Curri, Peqin, Cërrik, Leskovik, Bilisht, Delvinë. Ka fituar Aleanca për të Ardhmen në Gjirokastër, Sarandë, Himarë, Përmet, Tepelenë, Ballsh, Burrrel, Kuçovë, Krumë, Gramsh, Memaliaj, Maliq, Rubik, Rrëshen, Ersekë, Polician, Urë Vajgurore, Divjakë.

RAMA NE AVANTAZH

05:00 - Gjatë natës, numri i kutive të numëruara në Tiranë arrin në 162 nga 485. Edi Rama vazhdon të kryesojë me 41.131 vota kundrejt 40.886 të Lulzim Bashës.

KAVAJA BEHET ROZE

04:00- Në Kavajë ku janë numëruar 28 kuti nga 30 gjithsej, vazhdon të kryesojë Aleanca për të Ardhmen me 5.403 kundrejt 4.632 votave të Aleancës për Qytetarin.

Lexo edhe: SHQIPËRIA VOTOI – Rezultatet në kohë reale

Kronologjia zgjedhore deri më 16 maj