Shqipërisë do t’i mohohet sërish statusi i vendit kandidat i BE-së - Shqiptari i Italisë

Shqipëri
Sipas agjencisë EurActiv, ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së nuk do t’i njohin javën e ardhshme statusin Shqipërisë. Do të presin edhe zhvillimin e zgjedhjeve politike. Lajme inkurajuese për Serbinë

“Ministrat e BE nuk do t’i njohin Shqipërisë statusin e vendit kandidat në BE në takimin e javës së ardhshme” Kështu shkruan  sot EurActiv, duke iu referuar burimeve diplomatike.

 “Të paktën një vend, Hollanda, ka kundërshtuar me forcë dhënien e statusit të kandidatit për Shqipërinë”, shkruan EurActiv që sqaron se ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së do të diskutojnë më 10 dhjetor në Bruksel mbi çështjet e zgjerimit.

Komisioni rekomandoi në tetor që Këshilli Evropian të fusë edhe Shqipërinë në klubin e vendeve kandidate që tani për tani përbëhet nga Turqia (që ka marrë statusin e kandidatit që në vitin 1999), Maqedonia (2005), Mali i Zi (2008) Islanda (2010) dhe Serbia (mars 2012). Kosovës dhe Bosnjës i është premtuar perspektiva europiane por ende nuk kanë nisur rrugën drejt saj, ndërsa Kroacia do të bëhet anëtare e BE-së vitin e ardhshëm (1 korrik 2013).

Sipas EurActiv, vendet anëtare të BE-së do të mbajnë nën kontroll zgjedhje të ardhshme politike në Shqipëri e do të marrin në konsideratë faktin nëse këto do të zhvillohen me standarde europiane e pa tensionet që kanë shoqëruar zgjedhjet e mëparshme.

Sipas të njëjtave burime, agjencia EurActiv shprehet se do të hapet drita e gjelbër fillimit të  bisedimeve për pranimin e Serbisë, nëqoftëse ka respektuar një numër kriteresh, mes të cilave edhe përmirësimi i marrëdhënieve me Kosovën.

Lexo në origjinal: EU ministers to send mixed messages to Albania, Serbia