Telenovela “Nishani pret Kerry-n ... te shkallët e avionit” - Shqiptari i Italisë

Shqipëri
Ardhja të dielën e Sekretarit të Shtetit të ShBA-ve John Kerry-t në Shqipëri (këtu lexoni çfarë tha në konferencën për shty të mbajtur në Kryeministri) do të mbahet mend edhe për pritjen që  i bëri Presidenti ynë Bujar Nishani. Në aeroport, te shkallët e avionit. Po, po, tamam te shkallët e avionit, jo në Presidencë apo në Pallatin e Brigadave ku Kerry do të nderohej apo do ta nderonte (sipas këndvështrimeve) me një vizitë.
Jo u takuan pesë minuta te shkallët e avionit. Arsyet? Shumëkush e pa të pavend këtë dalje të Presidentit, këtë përulje të tepruar para mikut, sado i rëndësishëm qoftë ai, që nuk parashikohet nga protokolli. Shumë të tjerë nisën të bëjnë shaka. Do t’i ketë dalë përpara për t’i qarë hallet e veta e për t’iu ankuar: “Nuk më lënë të bëj pushimet në vilat qeveritare”, “Nuk më japin para të shkoj jashtë shtetit”, “Nuk më pyesin fare kur zgjedhin ambasadorët”, “Nuk më marrin mendim as për reformat” etj.
Fakt është që e bëri: Kerry zbriti nga avionic, qëndroi pesë minuta me Nishanin aty në pistë e pastaj u larguan. Secili në punë të tij.
Zëri i Amerikës e konsideroi këtë pritje “një gjest të pazakontë nga pikëpamja protokollare”.
Kryeministri Rama ironizoi daljen e Presidentit në aeroport e në një intervistë dhënë gazetares Xhunga të hënën tha: “Për hir të së vërtetës, nuk do kisha dashur që presidentin e vendit tim ta shikoj si shefin e protokollit. Besoj se mbi normën elementare ka prevaluar dashuria për Shtetet e Bashkuara. Kur sekretari i Shtetit erdhi në Kryeministri, ishte shefi i protokollit që e priti te shkallët”.
Sot ka reaguar që në mëngjes Presidenti që nuk e ka kapërdirë komentin e kryeministrit. Nishani me një deklaratë për shtyp, thotë se Kerry ka kërkuar vetë që ta takonte atë, dhe kjo ishte “një nder i veçantë dhe respekt ndaj Institucionit dhe vetë Presidentit Nishani”. Ndaj, vazhdon deklarata, “i kërkojmë Kryeministrit të vendit të tërheqë menjëherë deklaratën fyese dhe spekulative ndaj Presidentit të Republikës dhe Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, pasi një qëndrim i tillë nuk përfaqëson nderimin dhe mirënjohjen që shqiptarët anembanë botës kanë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit amerikan”.
Edhe Kryeministri i është kundërpërgjigjur në Facebook, gjithnjë me thumb: “Presidenca më ka keqkuptuar. Thjesht isha dhe jam i keqardhur që Presidenti i Shqipërisë i doli përpara avionit. Si e pse, kjo nuk ka pikë rëndësie”.
A do t’i kundërpërgjigjet prapë Nishani? Të shohim. Por ndërkaq, njerëzit qeshin e bëjnë humor në rrjetet sociale, kafenetë virtuale, ku harrohen problemet e kalohet koha me diskutime pa bereqet ky mbi pritjen.