Universiteti Kristal e politika shqiptare - Shqiptari i Italisë

Shqipëri
Mes mijëra studentëve, Universiteti Kristal ka diplomuar në këta gjashtë vjet e ca jetë edhe politikanë shqiptarë. Dy prej tyre brenda një viti. Ndërsa zëvendësministrja e Arsimit është aktualisht shefe e departamentit të Psikologji-Sociologjisë pranë këtij Universiteti

Tiranë, 14 maj 2012 – Të reja gjithnjë e më interesante dalin në dritë mbi lidhjet e universitetit Kristal – i famshëm për arritjet akademike të Renzo Bossit – me ligjvënës apo qeveritarë që duhet të disiplinojnë ligjërisht këtë sektor apo duhet ta kontrollojnë atë. E ndërsa nga ministria e arsimit pritet të zbardhet hetimi mbi diplomën e blerë të Renzo Bossit, nga shtypi shqiptar mësohet që zv.ministrja Nora Malaj, aktualisht është drejtuese e departamentit të Psikologjisë - Sociologjisë në këtë universitet. Mjafton t’i hedhësh një sy kurrikulumit që  ajo ka të botuar në faqen zyrtare të ministrisë, ku mes eksperiencave të tjera të punës që ajo ka kryer apo vazhdon të bëjë, lexon tekstualisht edhe: “2008-në vazhdim: Shefe e departamentit të psikologjisë-sociologjisë, universiteti jo publik “Kristal”, Tiranë”.

Nga një kontroll i Shqiptarja.com në faqet internet të Kuvendit shqiptar bie në sy që 43 deputetë, pavarësisht moshës, e pa dallim grupimi politik, janë pajisur vitet e fundit me gradën shkencore “Doktor”, apo tituj të tjerë shkencorë. Veçanërisht dy prej tyre, të diplomuar në universitetin 'Kristal', janë të nivelit të Renzo Bossit sepse e kanë marrë diplomën po aq shpejt sa ai. Deputeti i PS, Skënder Hasa, i qarkut të Elbasanit, rezulton të jetë diplomuar në vitin 2005-2007 (në moshën 39-vjeçare) në universitetin Kristal, në degën Juridik. Ndërsa ai i PD-së, Rrahim Çota, po i qarkut të Elbasanit, sipas CV-së zyrtare në faqen online të Parlamentit, rezulton të jetë diplomuar në vitin 2006 po tek Kristal, në moshën 46 vjeçare.

Po të mbahet parasysh se universiteti Kristal i ka hapur dyert për herë të parë në dhjetor të vitit 2005, duket qartë se dy deputetët nuk kanë kryer ciklin normal të studimeve. Nuk janë të vetmit e nuk duhet të ndihen keq: kryeparlamentarja Topalli ka marrë gradën shkencore "Doktor" në vitin 2010, në moshën 47-vjeçare.

 

Speciale - Diploma shqiptare e Renzo Bossit