“Ushqimi ynë, historia jonë, misteri ynë”. Shqipëria në Expo Milano 2015 - Shqiptari i Italisë

Shqipëri
Me filozofinë “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”, fton të gjithë vizitorët jo vetëm të shijojnë ushqime tradicionale të shoqëruara nga një gotë verë e mirë, por edhe të njohin nga afër historinë e bukuritë natyrore, artin e kulturën shqiptare.

Romë, 1 maj 2015 -  “Ushqimi ynë, historia jonë, misteri ynë”. Me këtë temë, Shqipëria merr pjesë në Milano Expo 2015 me pavijonin e saj në brendësi të Cluster Bio-Mediterraneo.

Me pjesëmarrjen e saj në panairin më të rëndësishëm ndërkombëtar të këtij viti, Shqipëria në radhë të parë dëshiron t’i përgjigjet temës kryesore të panairit “Ne ushqejmë planetin, energji për jetën”, me debate mbi çështje të përdorimit të gjerë shkencës dhe teknologjisë në bujqësi, të sigurisë ushqimore apo mbi dieta të shëndetshme. Por sigurisht që Expo Milano 2015 është dhe rasti e vendi i përkryer për të krijuar partneritete me investitorët ndërkombëtarë me shkëmbime idesh dhe njohurish, që kanë për qëllim, zhvillimin e bujqësisë tradicionale dhe bio, dhe, më në përgjithësi, promovimin e identitetit kulturor shqiptar.

Pikërisht dhe për këtë arsye konceptimi i pavijonit shqiptar është menduar që të prekë disa fusha: Ekspozimi i një ushqimi të mirë, të cilin mund ta shoqëron me një gote vere të mirë, ndërsa shijon një pjesë nga historia e bukuritë natyrore, arti e kultura shqiptare.

Ushqim, kulturë por dhe bisedime

Në Expo Milano 2015, Shqipëria ka në fokus prezantimin e disa prej produkteve të saj më përfaqësuese; si vaji i ullirit, një shumëllojshmëri djathrash nga i gjithë vendi, dhe padyshim degustimi i verës sonë më të mirë. Shefat shqiptarë gjithashtu do të prezantojnë disa gatime karakteristike, receta e të cilave për momentin mbetet sekret, por një gjë është e sigurtë se gatimi ynë do të habisë të ftuarit me shijen e veçantë dhe teknikat e ndryshme të gatimit.

Kultura dhe arti janë një tjetër pikë e fortë e prezantimin të Shqipërisë në Expo. Pasi sigurisht që dhe syri do pjesën e tij. Është çekur sot një ekspozitë shumë interesante me kostume tradicionale më shumë se 100 vjeçare dhe ekspozita fotografike me vendet më të bukura të vendit.

Deri më 30 tetor, nuk të mungojnë forumet akademike, tavolina të rrumbullakëta të nivelit politik dhe të biznesit, të cilat do të shërbejnë edhe si një pikë kontakti shumë e rëndësishme për investitorë të mundshëm, që do të dëshirojnë të dinë më shumë rreth mundësive që vendi ynë ofron në aspektin e investimit dhe të zhvillimit në një sektor kaq të rëndësishëm për ekonominë.

Datat që nuk duhet t’i humbisni

Pas hapjes zyrtare të pavijonit të premten, do të ketë një sërë veprimtarish të tjera që do të vazhdojnë deri më 30 tetor, kalendarin e plotë të të cilave e gjeni në sitin e AIDA-s, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, të cilës i është besuar pjesëmarrja e Shqipërisë në Expo.

Por dy nga datat që nuk duhen humbur janë padyshim:
2 qershor: Dita Kombëtare e Italisë do ta gjejë pavijonin shqiptar në një festë të vërtetë. Ka qenë ftesa e kryeministrit Italian Mateo Renzi për Shqipërinë që të ketë një prezantim të saj në këtë ditë, duke u nisur dhe nga marrëdhëniet e ngushta mes të dy vendeve. Shqipëria do të prezantohet me produktet e saj më të mira, si e ftuar speciale e Italisë ku shefat më të mirë shqiptarë, të kryesuar nga Fundim Gjepali, shef ekzekutiv i restorantit Antico Arco në Romë, do të gatuajnë pjata tradicionale të kombinuara me teknikat më të reja të kuzhinës moderne.
19 tetor: Për të gjithë shqiptarët kjo ditë është një festë kombëtare, e që jo rastësisht korrespondon me ditën e Lumnimit të Nënë Terezës. Dhe për këtë arsye kjo ditë e veçantë është zgjedhur të jetë “Dita e Shqipërisë” në Expo Milano 2015. Pikërisht atë ditë do të çelet edhe ekspozita “Harmonia Fetare” që do të qëndrojë e hapur deri më 27 tetor.