Zgjedhja e Presidentit të Shqipërisë. Dështon edhe raundi i dytë - Shqiptari i Italisë

Shqipëri
Kuvendi konsumon në pak minuta edhe raundin e dytë. As sot nuk ka asnjë kandidat zyrtar për postin e Nishanit

Tiranë, 20 prill 2017 – Edhe sot “tym i zi” nga Kuvendi për raundin e dytë të votimit për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës.

Sipas rregullores, kryetarja e komisionit të Ligjeve, Vasilika Hysi, i njohu deputetët me relacionin përkatës, ku konstatohet se në Kuvend nuk është depozituar emri i asnjë kandidati zyrtar për postin e Kreut të ri të shtetit dhe në këto kushte, sipas ligjit, edhe raundi i dytë i votimit quhet i kryer.

Më pas, kryetari i Kuvendit Ilir Meta tha se edhe raundi i dytë i votimit për Kreun e ri të shtetit konsiderohet i përfunduar, ndaj ai ftoi të mblidhet Konferenca e Kretarëve që të caktojë datën dhe orën e zhvillimit të raundit të tretë për votimin e presidentit të Republikës. Sipas rregullores, raundi i tretë do të zhvillohet jo më vonë se 7 ditë nga kryerja e votimit të dytë.

Kuvendi konsumoi dje raundin e parë pa votim, gjithnjë për mungesë kandidati zyrtar për garën presidenciale.

Presidenti i Republikës, sipas nenit 87 të Kushtetutës, zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi. Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime. Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit.

Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e parë, të dytë dhe të tretë, Presidenti zgjidhet me jo më pak se 3/5 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, ndërsa në raundin e katërt dhe të pestë të votimit në parlament, presidenti mund të zgjidhet edhe me një shumicë prej 71 votash.

Lexo edhe:
Afatet e procedurat për zgjedhjen e Presidentit

Presidentët e Shqipërisë demokratike, nga Alia te Nishani
Zgjedhja e Presidentit të Shqipërisë. Dështon raundi i parë, sot mbahet i dyti