Java e kulturës shqiptare në Parma. Scanderbeg në festë - Shqiptari i Italisë

Shoqata

Për të dhjetin vit rresht, edhe këtë nëntor Scanderbeg e Parmës organizon Javën e Kulturës shqiptare. Veprimtari mbi historinë e letërsinë, sport dhe mbrëmje për të festuar ditën e Pavarësisë dhe atë të Çlirimit.

Java ka nisur të shtunën e shkuar me konferencën “Gjurmë të Shqipërisë në Italinë e Veriut 1479-1552” në të cilën morën fjalën profesoresha Lucia Nadin, historiane që ka nxjerrë në dritë dokumente të jashtëzakonshme për nga vlera që dëshmojnë lidhjet mes Venedikut dhe Shqipërisë në shekujt XV-XVI, dhe Angela Valenti Durazzo, gazetare dhe shkrimtare, autore e volumeve mbi historinë e familjes me origjinë shqiptare, Durazzo, një ndër më të njohurat në Genova. Një përmbledhje të asaj konference, bashkë me një album fotografik e gjeni në këtë nyjë.

Të dielën ishte radha e koncertit "PIANO RECITAL" të artistit shqiptar Red Radoja, profesor pianoforte në Lunéville të Francës. Salla është e veshur me galerinë fotografike të piktorit parmixhan Claudio Cesari. Gjatë takimit, student shqiptarë kanë recituar poezi epike të letërsisë shqiptare e italiane.

Sot pasdite është prezantohet libri “Sguardi incrociati – Contesti postcoloniali e soggettività feminili in transizione”. Takimi në orën 17.00 pranë librarisë UBIK (via Oberdan, 4 – Parma).

Të enjten më 26 nëntor, në orën 17.30, “TRID C’ME L’ALBANIA”. Ky i këtij viti është edicioni i tetë i takimit, gjatë të cilit qytetarë të Parmës tregojnë si e kanë njohur Shqipërinë.

Të premten më 27 nëntor, në orën 16.30, "Laboratorio narrativo: storie e riflessioni sulla feminilità in contesti migratori". Do të jetë një takim mes grave të shoqatës dhe tryezës “Sguardi incrociati” të Qendrës Ndërkulturore në bashkëpunim me universitetin e Parmës.

Gjithnjë të premten, por në orën 17.30, do të prezantohet libri “La felicità dell’Attesa” i shkrimtarit arbëresh Carmine Abate.

Të shtunën, “La felicità dell’Attesa” dita e sportit. Për të dytin vit do të mbahet “Tolerancë dhe bashkëbisedim – Sporti bashkon”, turneu i futbollit i organizuar nga ASD Scanderbeg në të cilin marrin pjesë disa skuadra të komuniteteve të huaja të pranishme në Parma. Risia e këtij viti, pjesëmarrja edhe e një skuadre të formuar nga kërkuesit e azilit politik.

Java do të mbyllet më 29 nëntor me darkën tashmë tradicionale të anëtarëve të shoqatës dhe miqve të saj. Gjatë mbrëmjes do të jepet edhe çmimi i parë i konkursit të poezisë “Zanafilla”.

Bashkë me urimet më të ngrohta të redaksisë drejtuar shqiptarëve të Parmës dhe kudo qofshin, ju ftojmë të shtypni mbi foton e mëposhtme për të lexuar çdo detaj mbi veprimtaritë e javës së kulturës shqiptare të Scanderbegut: