Shkarkimi i konsulles së përgjithshme në Milano. Reagon shoqata Sconfinando - Shqiptari i Italisë

Shoqata
“Me Konsullatën e Milanos e konsullen e përgjithshme Çobanaj, bashkëpunim korrekt dhe transparent” shkruajnë nga shoqata

Romë, 2 mars 2016 – Shkarkimi i menjëhershëm nga detyra e konsulles së Përgjithshme në Milano ka sjellë mes të tjerash edhe reagimin e shoqatës Sconfinando të Bergamos që është ngritur në vitin 2007. Në një komunikatë  nisur redaksisë së shqiptariiitalise.com, stafi drejtues i shoqatës shkruan se e ndien “obligim professional” që të vënë në dukje “bashkëpunimin korrekt” me  “konsullatën shqiptare në Milano, me në krye zonjën Luljeta Çobanaj, për t’i shërbyer më së miri komunitetit shqiptar në rajonin e Lombardisë”.

Në shpjegim të këtij bashkëpunimi stafi jep në vijim të letrës një sërë rastesh konkrete kur kanë pasur mbështetjen dhe ndihmën e menjëhershme e transparente të konsullatës, që në të vërtetë tregojnë se përfaqësia konsullore ka bërë punën e saj në mënyrë korrekte.

Ata tregojnë se kanë pasur informacionin e sqarimet e nevojshme nga konsullata në raste problematike pensionesh sociale, informacione e verifikime në raste azilkërkuesish për motive hakmarrjeje, për nulla-osta në raste vdekjesh (“është lëshuar në kohë rekord nga ana e konsullatës, duke lehtësuar kështu situatën e vështirë të familjarëve” shkruajnë), kur kanë çuar për aplikim për pasaportë të burgosur e konsullata u ka përshpejtuar procedurat, kanë mundur të verifikojnë e certifikojnë identitetin e shtetasve të regjistruar me gabime në Komunat italiane.

“Kjo është një përmbledhje e bashkëpunimit transparent dhe korrekt mes shoqatës sonë dhe konsullatës shqiptare në milano, një urë lidhëse në shërbim të qytetarëve shqiptarë” e mbyllin ata letrën e tyre që mund të lexoni të plotë në vijim: