ASAT. Udhërrëfyes për shqiptarët që vendosin të studiojnë në Trieste - Shqiptari i Italisë

Studentët

Nga dokumentet që duhen paraqitur në universitetin e Triestes për regjistrimin deri te marrja e lejes së qëndrimit

Romë, 25 korrik 2011 – ASAT, Shoqata e studentëve shqiptarë të Triestes, ka botuar në faqet e saj internet një udhërrëfyes me të cilin përpiqet t’u vijë në ndihmë studentëve të rinj që vijnë në vit të parë nga Shqipëria.

Kush studion në Itali prej vitesh, e di mirë që të gjithë të rinjtë që vijnë për herë të parë në Itali ditët e para të shtatorit, duhet të përballen përveçse me provimin e gjuhës italiane, edhe me një sërë gjërash burokratike për të cilat kanë pak kohë në dispozicion e akoma më pak informacion. Në udhërrëfyes tregohet si veprohet e ç’dokumente paraqiten për të kërkuar lejen e qëndrimit, për të përfituar bursën apo konviktin.

ASAT është themeluar në vitin 2009 nga një grup studentësh shqiptarë të Universitetit të Triestes dhe ka për qëllim të vetin mbështetjen dhe orientimin e studentëve shqiptarë lidhur me çështje që kanë të bëjnë me regjistrimin në universitet, strehimin, të drejtën e bursës. Në këtë kuadër ka lindur  edhe ideja e këtij udhërrëfyesi që vitin e shkuar, i përditësuar dhe i plotësuar këtë vit me të dhëna të reja. “Kur kam hyrë në universitet unë as nuk e dija për bursën, për shembull. – thotë për shqiptariiitalisë.com Arlind Dobërdolani, kryetar i shoqatës, student në vit të fundit për inxhinieri informatike. – Kemi përpiluar këtë udhërrëfyes duke pasur parasysh ato që kemi dashur të dimë kur kemi ardhur vetë për herë të parë në Itali, duke mbledhur në vite të gjitha problematikat e hasura nga studentët shqiptarë”.

Duke qenë se praktikat burokratike janë të ngjashme për universitete të ndryshme, Dobërdolani tregon se shpesh u vijnë kërkesa për ndihmë e informacione edhe nga shqiptarë që regjistrohen në universitete të tjera të Italisë. “Do të ishte mirë të kishim një shoqatë për të gjithë studentët shqiptarë në Itali me komitete lokale pranë universiteteve të ndryshme – thotë Dobërlani – Koordinimi i punës do të ishte më efikas, shoqata do të kishte më shumë peshë dhe nga ana tjetër shqiptarët që dëshirojnë të studiojnë në Itali do të kishin një pikë referimi”.

Deri tani ASAT bashkëpunon mirë me shoqatat e tjera të studentëve të Triestes por edhe me IPSIA (e sindikatës ACLI), apo me ndonjë shoqatë shqiptare. Si me shoqatën e studentëve shqiptarë të Bolonjës, USAB, për organizimin e ekspozitës fotografike “Scoprire l’Albania”.

Veç ndihmës e mbështetjes së studentëve, shoqata përpiqet edhe për promovimin e kulturës shqiptare organizimin e festimeve për festën e Pavarësisë së Shqipërisë apo Kosovës. Kështu, vitin e shkuar ajo ka organizuar festën e Flamurit me ekspozitën fotografike “Të zbulosh Shqipërinë”,  shfaqjen e filmit dokumentar Shqipëria – vendi përballë, Festën e Pavarësisë së Kosovës etj.

Keti Biçoku