ASUF – studentët shqiptarë të Firenzes - Shqiptari i Italisë

Studentët

Janë të panumërta shoqatat studentore shqiptare, në të gjithë cepat e Italisë, që synojnë të grupojnë në emër të bashkësisë së interesave, e të origjinës komunitetin e dendur të studentëve shqiptarë. Prania e konsiderueshme e tyre është edhe një rrjedhojë logjike e numrit të madh të studentëve shqiptarë në Itali, ndërsa denduria e tyre edhe brenda një ambienti të vetëm, bën që shoqërizimi i studentëve t'i ngjajë pak a shumë mënyrës së të grupuarit nëpër shoqata edhe të emigrantëve të stabilizuar: shumë shoqata, dhe komunitete të copëzuara e grupuara nëpër disa prej tyre.

Bisedë me Arta Nikaj


Si quhet shoqata juaj, dhe kur është krijuar?  Dhe pse u krijuat?
Arta Nikaj: Shoqata jonë u krijua në Firence nga disa studentë universitarë. Quhet ASUF (Albanian Students of the University of Florence), domethënë "Studentët Shqiptarë të Universitetit të Firences".
Kjo shoqatë lindi nga dëshira e mirë e një grupi studentësh të cilët ndjenë nevojën e krijimit të një pike referimi për të gjithë studentët shqiptarë. Qëllimi i saj ishte pikërisht bashkimi. Duke pasur parasysh që komuniteti i studentëve shqiptarë të regjistruar në universitetin e Firence-s është i ndjeshëm nevoja e një përfaqësimi ishte e menjëhershme. Ndër strukturat dhe zyrat e ndryshme të Universitetit tonë mund të gjendeshin referime dhe informacione të ndryshme por informacione specifike mbi nevojat e një studenti të huaj dhe veçanërisht shqiptar mungonin. Ndaj një zëri ASUF u krijua për të mbushur boshllëqet dhe mangësitë e strukturave universitare, për tu ardhur në ndihmë studentëve të sapombërritur në Firence, për të ofruar informacione, për tu bërë një urë lidhëse midis studentëve dhe institucioneve si komuna, universiteti etj, për të argëtuar studentet me aktivitete të ndryshme dhe mbi të gjitha për një integrim sa më të natyrshëm. Sipas nenit 2 te statutit tonë qëllimet janë: mbrojtja dhe nxitja e interesave të studentëve shqiptarë që studiojnë dhe banojnë në Firence, organizimi i aktiviteteve për integrimin e kulturës shqiptare në ndërthurje me kulturat e tjera me qëllim forcimin e miqësisë e midis studentëve shqiptarë dhe studentëve të tjerë, organizimi i aktiviteteve sportive e ambientale, mbështetja dhe orientimi i studentëve shqiptarë në Firence, në bashkëpunim me agjenci të ndryshme imobiliare, nxitja dhe ndihma e studentëve shqiptarë për një reintegrim sa më te natyrshëm në atdhe pas përfundimit të studimeve.

Sa anëtarë ka?
Sipas statutit ka 11 anëtarë në Këshillin Drejtues. Ndër këta është presidenti (Arta Nikaj), zëvendëspresidenti (Ermenita Zyka)dhe sekretari (Mikel Kamami).Ka dhe  shumë të tjerë bashkëpunëtorë  të jashtëm (studentë që vazhdojnë studimet apo edhe studentë që kanë mbaruar Universitetin në Firence dhe që tashmë punojnë) që ndihmojnë për organizimin dhe realizimin e projekteve të ndryshme. Numri i anëtarëve është i pakufizuar. Mund të jenë anëtarë të kësaj Shoqate të gjithë studentët mendimet dhe veprimet e të cilëve përputhen me parimet e Statutit.

Në çfarë konsiston kryesisht aktiviteti i saj
Aktivitet e ASUF këtë vit kane qenë mjaft të pasura. Duke u nisur nga vetë qëllimet e kësaj shoqate si : mbrojtja dhe nxitja e interesave të studentëve shqiptarë që studiojnë dhe banojnë në Firence, organizimi i aktiviteteve për integrimin e kulturës shqiptare në ndërthurje me kulturat e tjera me qëllim forcimin e miqësisë midis studentëve shqiptarë dhe studentëve të tjerë, organizimi i aktiviteteve sportive e ambientale, mbështetja dhe orientimi i studentëve shqiptarë në Firence, në bashkëpunim me agjenci të ndryshme imobiliare , nxitja dhe ndihma e studentëve shqiptarë për një reintegrim sa më te natyrshëm në atdhe pas përfundimit të studimeve.
Mendojmë se kemi realizuar shumë prej këtyre qëllimeve me aktivitete konkrete. Për shembull rregullisht organizojmë aktivitete me rastin e festes se 28 nëntorit. Kjo festë tashmë ka marrë ngjyrimin e festës më të madhe në vit për studentët. E organizuar në ambientet e Auditorium "Flog" ngjalli një interes të madhe tek studentët shfaqur qartë edhe në pjesëmarrjen e tyre.
Grupi organizator u përpoq të sillte pranë studentëve jo vetëm dëfrimin nën tingujt e muzikës por edhe elemente historike me anën e një videoje të realizuar nga vetë studentet,vallet tradicionale realizuar nga ansambli i valleve të kësaj shoqate i përbërë po nga studentet, nën hijeshinë e kostumeve popullore. Gjatë festës jemi përpjekur të nxjerrim në pah talentet e studentëve shqiptarë dhe kjo ide erdhi shumë vrullshëm nga performanca e dy grupeve muzikore përbërë nga studentë që kënduan dhe luajtën në instrumente.
Kjo festë pra na bëri të njohim njëri- tjetrin dhe të paraqesim në sytë e komuniteteve të tjera të ftuara jo vetëm historinë të kaluarën por edhe te tashmen talentet në muzikë, vallëzim, poezi dhe krijimtari të vetë studentëve.
Nëntorin e vitit të kaluar organizuam ekspozitën "Imazhe përtej detit" në Bolonjë. Kjo ekspozitë kishte si kryefjale foto të realizuara nga vetë studentët shqiptarë të Akademisë së Arteve të bukura në Bolonja dhe paraqet një këndvështrim me dy fytyra të Shqipërisë së sotme dhe të asaj ndër  vite.  Një fragment i gjurmëve të lëna nga e kaluara dhe ëndrrat që e ardhmja,  asaj i dhuron.
Fotot e paraqitura lënë hapësirë si për interpretimin personal edhe per faktin objektiv qe ato përcjellin. Bie ne sy dëshira e studenteve për te vënë në dukje  kontradiktat  e këtij vendi sa të vogël aq edhe të pasur me përplasje. Ndër imazhet më prekëse ka qenë një kolazh fotosh që paraqesin jetën e çdo studenti. Kolazh ky që ka personifikuar rrugën e tyre që në momentet e fëmijërisë deri në arritjen e qëllimit të tyre: Diplomimin. Kjo ekspozitë mund të konsiderohet edhe si një dritare nga e cila shihet një Shqipëri në lëvizje, një vend që ndryshon. 

Jeni te kënaqur me realizimin e objektivave te shoqatës?
Le te kujtojmë që kjo shoqatë ka një organizim të mbështetur totalisht tek puna vullnetarë e studentëve dhe ka karakter apolitik, pra çdo gjë bazohet në atë që një grup studentësh arrin të bëjë krahas jetës së përditshme dhe problemeve që ajo mbart. Me këtë dua të them që aktivitetet tona kanë arritur të quhen një sukses, një alternativë e re për të cilën studentët kanë nevojë dhe pse jo të zgjojnë shpirtin kritik tek çdo student në kërkimin e më të mirës. Sigurisht që eksperienca ka bërë që çdo aktivitet të ketë rezultate të përmirësuara ndaj një zëri jemi të kënaqur nga objektivat e realizueshme brenda mundësive. Patjetër që nëse do të kishim më tepër mbështetje nga struktura të tjera objektivat tona do të ishin të përmbushura më denjësisht.

Si financohet shoqata juaj?
Mënyrat e financimit të shoqatës sonë janë të drejtuara në disa kanale së pari janë kuotat e anëtarësimit ( të parashikuara edhe ne statutin e shoqatës). Më pas janë sponsorizimet private dhe bashkëpunimit mes shoqatave të tjera. Kanale këto që deri më sot na kanë dhënë mundësinë e realizimit te disa aktiviteteve por rikujtoj se kjo shoqate bazon mbarëvajtjen e saj ekskluzivisht ne punën vullnetare të studentëve.

Cilat janë problemet e komunitetit të studentëve shqiptarë në universitetin tuaj?
Ka disa probleme dhe të ndryshme sipas rasteve. Për shembull, shumë fakultete vonojnë në kohë për të regjistruar provimet në internet (ndërkohë që në shumë qytete të tjera kjo procedurë kryhet direkt pas provimit në mënyrë dixhitale).Si pasojë studentët shqiptarë që kanë nevojë për një regjistrim të tillë (për të përmbushur numrin e provimeve apo te krediteve për bursë apo për rinovim permesoje) duhet të humbasin shumë kohë nëpër sekretari të fakulteteve . Bursa që marrin ata që e fitojnë s'është e mjaftueshme (janë 1240.00 euro për 1 vit) plus shtëpisë së studentit dhe mensës. Një problem janë taksat për ata qe s'e kanë bursën. Shpesh herë studentët shqiptarë nga mungesa e informacionit nuk sjellin dokumentet në kohë për të vërtetuar të ardhurat dhe pastaj përfundojnë të paguajnë shifra të papërballueshme nga studentët. Mos informim i studentëve të sapoardhur për të gjitha të rejat që gjen në një shtet të ri duke filluar nga procedurat, rregullat, datat, oraret etj.

A jeni të lidhur me shoqata të tjera të studentëve shqiptarë?
Jemi të lidhur me shoqata të tjera të studentëve shqiptarë! Bashkëpunojmë me AlbStudent (Rrjeti Internacional i Shoqatave Studentore Shqiptare), USAB (Unione Studenti Albanesi di Bologna), New Age (Studentet Shqiptare te Milanos), ASAUP (Studentet Shqiptare ne Pavia), SAB (Studentet Shqiptare ne Brescia), Rinia (Studentet Shqiptare ne Austri) etj. Bashkëpunojm edhe me shoqata të tjera shqiptare (jo studentësh).

Jeni të interesuar për procesin e rikthimit të trurit në Shqipëri? Kryeni aktivitete në këtë drejtim? Si po ecën ky proces sipas mendimit tuaj?
Jemi te interesuar sepse edhe ne si anëtarë të Këshillit Drejtues kemi  një ëndërr, që një ditë të rikthehemi për të jetuar e punuar në atdheun tonë! Duke mos pasur lidhje dhe bashkëpunime (të paktën për momentin) me shoqata, organizata në Shqipëri apo edhe me vetë Shtetin Shqiptar nuk kemi bërë deri tani asgjë në këtë drejtim. Do të kishim dëshirë të jepnim kontributin tonë edhe ne në këtë projekt kaq të rëndësishëm…ndoshta në të ardhmen!

Marjola Rukaj, Bota Shqiptare

Lexo edhe: Shoqatat e studentëve