New Albanian Generation Era e studentëve të Milanos - Shqiptari i Italisë

Studentët

Intervistë me Sokol Dhanën, koordinator i përgjithshëm i shoqatës studentore New A.G.E.

Quhem Sokol Dhana, jam nga Tirana, student për Laureas Magjistrale në Informatikë, Università degli Studi di Milano-Bicocca.

Si quhet shoqata juaj, dhe kur është krijuar?

Shoqata jonë quhet New Albanian Generation Era, ose njihet më mirë me akronimin New A.G.E.. U krijua në shtator të vitit 2004 nga studentë që përfaqësonin komunitete të ndryshme shqiptarësh në të gjitha universitetet e Milanos. Ndërkohë ishte një nga shoqatat themeluese të rrjetit Albstudent (Rrjeti i Shoqatava Studentore në të gjithë botën www.albstudent.net).

Cili ka qenë qëllimi i krijimit të kësaj shoqate? Cilat janë problemet kryesore që shqetësojnë komunitetin e studentëve shqiptarë në ambientin ku vepron shoqata juaj?

Ne ishim një grup studentësh që studionim në Universitetin e Milanos dhe në realitetin e shumë padrejtësive, diskriminimeve dhe pamundësive për të ngritur zërin si studentë të huaj në Milano, u organizuam për të krijuar New A.G.E.. Emri i shoqatës nënkupton dhe më shumë misionin tonë: Italia dhe italianët duhet ta kuptonin shumë shpejt që kishte ardhur koha e një epoke të re shqiptare. Epoka, jo më e atyre shqiptareve që vinin të lidhur nëpër litaret e anijes Vlora për të siguruar në Itali një kafshatë buke, apo atyre shqiptarëve që dilnin shpesh në edicionin e lajmeve si hajdutë vilash ose për ndonjë tjetër fakt të turpshëm. Faktikisht, shumë projekte që kemi realizuar kanë në bazë qëllimin parësor të një vizioni të ri të shqiptarëve në sytë e italianëve. Për ne kjo është mënyra më e mirë për të lehtësuar qëndrimin e studentëve shqiptarë në Itali. Problemet më të mëdha që ato hasnin ishin të lidhura pikërisht me këtë diskriminim dhe një mungesë absolute e një përfaqësie Shqiptare.

Studentët nuk arrinin dot të gjenin shtëpi me qera, sepse pronarët e shtëpive i largonin menjëherë sapo merrnin vesh shtetësinë e tyre. Të gjeje një punë ishte i njëjti problem. Leja e qëndrimit (Permesso di soggiorno) u jepej me shumë vonesë dhe studentët nuk kishin mundësi as të ktheheshin për festat në Shqipëri. Mes të tjerash ndodheshin mes një kaosi të informacioneve dhe burokracive që dhuron realiteti italian.

Sa anëtarë ka shoqata juaj?

Numri i anëtareve ndryshon nga viti ne vit. Aktualisht numri luhatet nga 600 në 700 studentë, në varësi të atyre që janë kthyer në Shqipëri ose nuk kanë vazhduar më studimet.

Në çfarë konsiston kryesisht aktiviteti i shoqatës suaj? Cfarë keni bërë konkretisht deri tani?

Në vitn 2005, nëpërmjet një kërkese që hartuam në bashkë punim me disa shoqata të huaja të tjera, me ndihmën edhe të konsullatës Shqiptare nëMilano, arritëm të shkurtonim kohën e dhënies së lejes së qëndrimit për studentët e huaj. Rregull i cili, pas 2 vjetesh, ndryshoi përsëri në disavantash të studentëve me ndryshimin edhe të procedurave të reja për dhënien e lejes së qëndrimit.

Aktivitete si "Dita e Filmit Shqiptar", mbrëmje me muzikë shqiptare, transmetime të kombëtares tonënëndeshje të rëndësishme futbolli, mbrëmje me kuzhinë shqiptare, ekpozita dhe shumë e shumë aktivete të tjera që kemi organizuar për studentët kanë krijuar një ambient të ngrohtë shqiptar për të gjithë ata që do kishin dëshirë ta shkurtonin sa më shumë largesën me Shqipërinë.

Per sa i përket shpërndarjes së informacioneve të nevojshme për studentët kemi qenë përherë të pranishëm nëpërmjet shumëmjeteve të informatizuara si Portali ynë www .new agera.org ose në site të ndryshme e Social Network si Hi5 dhe Facebook. Prania jonë në çdo universitet bën akoma më të thjesht kontaktin me studentët. Në3 vitet e fundit, universiteti Bicocca na ka financuar për t'i dhënë asistencë studentëve të huaj dhe veçanërisht atyre shqiptarë në problemet që mund të hasin në hapat e para të studimit. Në 2 vjetët e fundit kemi mundur të përfaqësohemi në këshillin e studentëve të Universitetit Shtetëror dhe atë Bicocca me 2 anëtarë të Bordit Drejtues së shoqatës. Bashkëpunojmë me shumë shoqata të tjera studentore italiane dhe internacionale në projekte që integrojnë shqiptarët me ambiente studentësh nga e gjithë bota.

Dy nga projektet tona të fundit janë: Java e Kulturës Internacionale: 26 - 30 tetor 2009 dheMediolamun (Model United Nations) www .mediolamun.org: 4 - 8 nëntor 2009.

Dhe natyrisht si çdo vit do të festojmë në një ambient 100% shqiptar të shoqëruar me muzikë eksluzivisht shqiptare Festat Kombëtare të Pavarësisë dhe të Çlirimit.

Jeni të kënaqur me realizimin e objektivave të shoqatës?

Kemi mundur të bëjmë maksimumin e mundësive tona për të organizuar projekte të nevojshme për studentët dhe për këtë jemi shumë të kënaqur. Në këtë periudhë problemi jonë parësor është prania e studentëve vullnetarë që janë të gatshëm të na ndihmojnë. Sa mëpak veta ndihmojnë shoqatën aq më shumë puna përqëndrohet tek pak veta. Ne jemi të gjithë studentë, dhe shumë prej nesh punojnë part-time ose full-time dhe organizimi i një projekti ndonjëherë kthehet në një torturë të vërtetë.

Si financohet shoqata juaj?

Shoqata financohet nga universitet e Milanos ose nga fondacione që na mbështesin në projekte të ndryshme. Jemi të gjithë vullnetarë, dhe përvec websitit, teserave dhe materialeve të ndryshme, nuk kemi shumë shpenzime. Megjithatë këto pak shpenzime deri tani kemi arritur t'i mbulojmë.

Sa vend zë në veprimtarinë tuaj i ashtuquajturi kthimi i trurit në Shqipëri? Në përgjithësi, cilat janë sipas jush prirjet e studentëve shqiptarë?

Me rrjetin Albstudent kemi bashkëpunar në shumë projekte që kanë si qëllim kthimin e trurit në Shqipëri. Projekte si Praktika Online, që i jepte mundësinë studentëve shqiptarë që studionin jashtë shtetit për të kryer një periudhë praktike në kompanitë shqiptare pati një sukses të madh.

Sukses të madh ka patur dhe projekti workshop, që sillte në një takim me perfaqësues të kompanive dhe personaliteteve shtetërore shqiptare një ajkë studentësh të ardhur nga e gjithë bota. Gjysma e bordit themelues së shoqatës është kthyer në Shqipëri dhe 90 % e gjysmës tjetër mendon të kthehet. Kriza Ekonomike e viteve të fundit po rrit numrin e shqiptarëve që kthehen në Shqipëri në pamundësi të njëpune pasuniversitare në Itali.

Njihni studentë që janë kthyer, dhe çfarë eskperiencash kanë pas kthimit në Shqipëri?

Njohim një numër të madh studentësh që janë kthyer përfundimisht në Shqipëri. Sic e përmenda edhe më lart, shumica e Bordit themelues së New A.G.E. është kthyer në Shqipëri, kanë filluar punë, janë shumë të kënaqur nga ambienti dhe kushtet e punës e mbi tëgjitha janë shumë të kënaqur nga niveli i pagesës. Një avantazh aktual i ambientit të punës në Shqipëri është edhe mundësia e lartë e karrierës, meqënëse jemi një ndër të paktat vende në zhvillim e me një kërkesë të lartëpunësimi për ne që përfundojmë studimet universitare.

Çfarë duhet bërë për të nxitur më shumë kthimin e trurit? Bashkëpunoni me strukturat e shtetit shqiptar?

Kemi bashkëpunuar me shumë institucione shtetërore në zhvillimin e projekteve në Shqipëri, sidomos me ministritë, që na kanë ofruar vende për praktika e kanë marrë pjesë në workshop-et e përvitshme që organizojmë në Tiranë gjatë periudhës së verës. Gjithashtu edhe Konsullata Shqiptare nëMilano ka kontribuar me ndihmesën e saj për aq mundësi sa ka patur. Por doja të theksoja që këto bashkëpunime me institucionet shtetërore kanë nisur nga iniciativa jonë. Për nxitjen e kthimit të trurit, shteti shqiptar duhet të ndërmarrë vetë iniciativën, duhet të ketë rolin e protagonistit në këtë aspekt.

Bisedoi Marjola Rukaj, Bota Shqiptare

Lexo edhe: Shoqatat e studentëve