Profile studentësh shqiptarë në Itali - Shqiptari i Italisë

Studentët

Një rubrikë kushtuar studentëve shqiptarë në Itali, për t'i njohur përtej numrave të ftohtë të statistikave të përvitshme. Për të zbuluar nëpërmjet vetë eksperiencës së gjithsecilit jetën e studentëve shqiptarë në Itali, qëllimet e tyre, marrëdhëniet me Shqipërinë e me Italinë, vështirësitë objektive e subjektive, botën e punës dhe përfytyrimin e të ardhmes. Për të pasur një panoramë të segmentuar përtej retorikës përshkruese të klisheve që mbulojnë fenomenin e studentëve në Itali

Quhem Gjergji Kajana, jam nga Berati dhe jetoj në Romë prej 7 vitesh e gjysmë.
Studioj Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin "La Sapienza"(me ç’thonë edhe akademikë të kualifikuar, një ndër më të mirët e Evropës).
Zgjodha Shkencat Politike sepse gjithmonë më kanë pëlqyer degët shoqërore e aspektet politiko-historike të realitetit ndërkombëtar.
Kam zgjedhur Italinë për shkak të njohjes së mirë të gjuhës italiane qysh në Shqipëri dhe njohjes gjithashtu të aspekteve të gjera të jetës e kulturës italiane përmes medias televizive.
Aktualisht jam i regjistruar në vitin e parë të diplomës së nivelit të dytë në Shkenca Politike e Marrëdhënie Ndërkombëtare: mendoj se studimet do t’i përfundoj brenda dy vitesh.
Jam i kënaqur prej zgjedhjes sime sepse arrita të diplomohem të paktën në nivelin e parë, nëntorin e kaluar me notën 95/110); dikujt tjetër në atdhe do t'ia këshilloja Italinë në krahasim me vende si Greqia e Rumania, por kush ka mundësinë të studiojë në SHBA, Angli, Francë e Gjermani le të vrapojë atje: Italia vjen pas tyre për nga cilësia!
Aktualisht shpenzimet e mia i përballoj gati të gjitha vetë duke punuar, i ndihmuar edhe nga kësti i pare i bursës 2008/2009. Bursa ndihmon shumë por nuk i mbulon dot krejt nevojat ekonomike të kujtdo të riu student.
Te jesh student shqiptar ne Itali është një përvojë formuese jete e studimi në një vend padyshim të zhvilluar- megjithëse me pabarazi shoqërore të theksuara - e kulturalisht perëndimor. Me sa i shoh unë, italianët kanë konceptualisht probleme në pranimin e diversitetit kulturor: i pandehuri "racizëm" i tyre qëndron këtu. Unë personalisht nuk kam hasur probleme racizmi ndaj vetvetes për shkak te origjinës sime etnike; madje ndaj nesh italianet janë kureshtarë. Unë nuk perceptoj racizëm ne Itali.
Më tepër se Shqipëria Italia me ka ofruar mundësinë e një konkurrimi akademik të vërtet: diploma italiane vlen vërtet sepse duhet djersitur deri në fund, titujt akademike të Shqipërisë janë të vërtetë vetëm në kopertinë.
Te ardhmen time e shoh në një vend evropian.
Kur erdha mendoja se një dite do të kthehesha, sot nuk e di nëse do te kthehem apo jo së shpejti në atdhe.
Ndonjëherë mendoj se një vend i tretë evropian (ndoshta Franca apo Anglia) është më mirë se Italia. Por "kontrata" ime me Italinë ka ende disa vite vlefshmëri e unë do ta respektoj.
Në mjedisin universitar frekuentoj më shumë shqiptarë se italianë; por kam marrëdhënie korrekte me studentet vendas ose "globale" gjithashtu.
Marrëdhëniet mes dy komuniteteve më ngjajnë formalisht korrekte; fatkeqësisht, ka pak bashkëpunim.
Në kohën e lirë shoh TV, frekuentoj Internetin e lexoj-shumë botime italiane jashtëshkollore gjithashtu pasi më tërheq njohja e botës së vendit ku jetoj prej vitesh.

J.B.
Jam nga Tirana. Jetoj në Romë. Jam në Itali prej 7 vjetësh, kam mbaruar fakultetin e mjekësisë.
Zgjodha këtë sepse mendoj se jam i prerë për këtë punë. Pres të specializohem në urologji.
Pse kam ardhur në Itali nuk e mbaj mend. Sot, nuk do ia sugjeroja askujt të vinte të studionte në Itali.
Shpenzimet e mia i përballoj, pak me punë, pak me ndihmën e familjes, por dhe bursa mjafton po te shtrëngosh rripin.
Perceptoj goxha racizëm.
Italia nuk di të them çfarë më ka dhënë më shumë se Shqipëria, mbase pak më shumë eksperiencë dhe nga vetë jeta.
Jam thjesht kureshtar të di sa shqiptarë jemi që studiojmë këtu.
Veten e shoh patjetër dhe vetëm në Shqipëri, dhe nuk e kam menduar ndonjëherë të qëndroj në Itali. Ndoshta në një vend të tretë po, mbase diku tjetër në Evropë.
Marrëdhëniet mes nesh dhe italianëve janë të mira, normale dhe unë nuk bëj dallime mes njerëzve që frekuentoj për nga kombësia.
Kohën e lirë e kaloj duke lexuar libra, më shumë shqiptarë sepse jam i interesuar të mos harroj të flas dhe të shkruaj mirë shqipen ndryshe nga qeveritarët tanë.

Më quajnë Enriketa Ismaili. Jam nga Berati me studime në Ancona.
Kam 4 vjet në Itali. Studioj në degën ekonomi financë në universitetin e Anconës. Jam në vit të fundit e shpresoj të diplomohem brenda vitit 2009.
Zgjodha këtë degë se e ndieja veten mirë në matematikë.
Në Itali jam me familjen ndaj edhe nuk e ndiej personalisht përballimin e shpenzimeve, por si ekonomiste që jam, kuptoj që llogaritë dalin gjithnjë mangët kur vjen puna për të paguar qiranë, për shembull.
Në ambientet e universitetit nuk ndihet racizëm. Qoftë studentët, qoftë profesorët italianë, korrektesën ta shpërblejnë me të njëjtën monedhë, pavarësisht nga kombësia që mund të kesh. Ndërsa jashtë universitetit, në jetën e përditshme, racizmi ndihet ethshëm. Askush nuk mund të mbajë qëndrim ndaj klasës politike italiane për ligjet që nxjerrin për emigrantët, ligje që nuk bëjnë tjetër veçse thellojnë pabarazinë, largojnë respektin reciprok, për të mos thënë që rrisin urrejtjen e ksenofobinë.
Italia padyshim më jep më shumë se Shqipëria. Këtu jetesa është më e mirë, kultura europiane preket me dorë kudo, nuk ka thashetheme politike. Këtu nuk vihet në diskutim uji, dritat, gazi e rrugët.  Pas mbarimit të studimeve e shoh veten vërtet në udhëkryq. Nuk e di nëse ëndrra ime e çoroditur përfundon në atdhe, apo atdheu im i çoroditur (nga politika) do të më detyrojë të rri në Itali.
Marrëdhëniet e mia me italianët janë të mira e korrekte. Kam shoqe italiane që i kam zili për talentin e mbarëvajtjen në mësime dhe korrektësinë e tyre në jetë. Janë të çiltra dhe kurrë nuk ta kanë me hile. Shpresoj që ky brez i ri është më mendjehapur se politikanët e këtij vendi e do të vijë një ditë që do të zhdukë ligjet dhe hendekët ndarës të njerëzimit.
Kohën e lirë e kam shumë të kufizuar. Ditën e kaloj me studim, libra, kompjuter, në bibliotekë e televizor. E të nesërmen prapë të njëjtat gjëra nga e para. Fundjavën e kaloj me të fejuarin, Besmirin që punon në Milano. Martesën me të huaj e kam parë gjithmonë si një shaka me kripë si ato të Duçes.
Studentëve që vijnë me studime këtu në Itali do t'u këshilloja të mendohen mirë, ta peshojnë mirë me mend nëse duan vërtet të mbarojnë shkollën. Nëse duan vetëm të kalojnë kohën, më duket vend më i përshtatshëm Shqipëria, për më tepër ka edhe aq shumë universitete...
Për gazetën Bota shqiptare më lejoni që të them që bën shumë mirë me këtë rubrikë për studentët që ka hapur së fundi. Do të mund të shohim një kuadër studentëve shqiptarë në Itali gjatë këtyre viteve, si për shembull, sa regjistrohen, sa mbarojnë shkollën e për sa kohë e mbarojnë e sa të tjerë humbasin rrugës. Shpresoj që të bëhet një studim i mirë që të na shërbejë nëve që jemi këtu por edhe atyre që do të vijnë.

(vijon me Profile studentësh shqiptarë/2)

Lexo edhe: Studentët, emigrantët e ardhshëm?