Profile studentësh shqiptarë në Itali/2 - Shqiptari i Italisë

Studentët

Një rubrikë kushtuar studentëve shqiptarë në Itali, për t'i njohur përtej numrave të ftohtë të statistikave të përvitshme. Për të zbuluar nëpërmjet vetë eksperiencës së gjithsecilit jetën e studentëve shqiptarë në Itali, qëllimet e tyre, marrëdhëniet me Shqipërinë e me Italinë, vështirësitë objektive e subjektive, botën e punës dhe përfytyrimin e të ardhmes. Për të pasur një panoramë të segmentuar përtej retorikës përshkruese të klisheve që mbulojnë fenomenin e studentëve në Itali


Gentian Gaba
Më  quajnë Gentian Gaba. Vij nga Vlora por prej 8 vjetësh jetoj  në Prato me familjen time dhe studioj në Firence.
Vazhdoj studimet e larta për shkenca politike, më saktësisht për 'Studi Internazionali' (marrëdhënie ndërkombëtare)
Meqenëse kam ardhur së bashku me familjarët e mi të cilët punojnë këtu, kam kryer studimet deri në gjimnaz në Prato e  më pas zgjodha të studioj në Firence sepse isha informuar se universiteti i Firences për shkenca politike është një nga universitetet më të përgatitura e të specializuara në Evropë.
Pa dyshim jam shumë i kënaqur për zgjedhjen që kam bërë sepse i përgjigjet plotësisht ëndrrave e dëshirave të mia. Nëse dikush do të më kërkonte një sugjerim për shkollën e lartë e sidomos për jashtë shtetit do t'i këshilloja Firencen jo vetëm për sistemin shkollor që funksionon shumë mirë por edhe për mundësitë që u ofron studentëve për të pasur eksperienca jashtëshkollore instruktive.
Edhe pse mund të duket e vështirë e parë nga një këndvështrim tjetër, është shumë më e thjeshtë ta përjetosh.
Ambienti studentor është i përshtatshëm dhe stimulues. 
Për shkak të largimit tim nga Shqipëria në moshë më të vogël nuk kam pasur mundësi të njoh ambientin e studentit ne Shqipëri gjithsesi në Itali kam gjetur të gjitha kushtet e duhura për të zhvilluar pasionet e mia.
Vitin  e fundit kam marrë pjesë në një iniciativë ndërkombëtare, që më dha rastin të isha pjesë e asamblesë së të  rinjve të OKB-së. NMUN  ishte një mundësi shumë e rëndësishme dhe realiste  për të pasur kontakt me jetën e organizatave ndërkombëtare. Ishte shumë domethënëse të merrje pjesë hap pas hapi në punimet e Organizatës, duke filluar nga kurset përgatitore deri tek simulimet e zhvillimet e negociatave ndërkombëtare ndërmjet përfaqësuesve të shteteve. Realizimi më domethënës ishte fitimi i çmimeve duke i dhënë universitetit të Firences një prestigj të paarritur në konkurset e mëparshme, sidomos për kontekstin ku zhvillohej konkursi, jo vetëm për përgatitjen që duhet të kishim por dhe për lehtësitë e shumë konkurruesve që i përkisnin universiteteve amerikane.
Shpresoj që në te ardhmen të vazhdoj pasionin tim duke u marrë me marrëdhënie ndërkombëtare. Dëshira më e madhe është të përfaqësoj vendin tonë në skenën ndërkombëtare.
Është shumë e thjeshtë të kesh një ekuilibër ndërmjet dy ambienteve përderisa komuniteti i shqiptarëve nuk ka probleme integrimi. Nuk është e mundur të them se frekuentoj më shumë shqiptarë apo italianë, çdo gjë varet nga marrëdhëniet që ke me një person. Tani nuk më bën më përshtypje dhe nuk perceptoj ndryshim nëse një person është shqiptar apo italian.
Kohën e lirë e ndaj mes shoqërisë, palestrës dhe leximit të gazetave ndërkombëtare, etj.
Gjithnjë kam menduar se sfera reale e njeriut është ajo ndërkombëtarja, kufijtë veç bllokojnë lirinë e njerëzve, dhe krijimtarinë e tyre. Por jo vetëm kjo, zgjedhja ime është një pasojë e jetës sime. Si një person kozmopolit, kjo degë më lejon të njoh dhe të interpretoj më mirë botën në të cilën jetojmë, dhe në një të ardhme shpresoj që njohuritë e fituara të më lejojnë, të na lejojnë, ta ndryshojmë atë brenda mundësive tona.

Afërdita Shani
Jam nga Shkodra (Velipoja), dhe ndihem pas-ardhësja e një kulture te përzjerë, të plotë, dhe sidomos të veçantë siç është kultura shqiptare. E them këtë sepse duke jetuar jashtë vendlindjes shumë here duhet t'i përgjigjemi pyetjes "a quale cultura assomoglia quella albanese?". Përgjigja është asaj shqiptare. 
Jetoj ne Pistoia, Toscana që nga viti 1998, me familjen time (Babain, Mamanë, Gjyshen dhe Vëllain). Kam përfunduar Shkollën e mesme të gjuhëve të huaja F. Pacini, dhe pastaj jam regjistruar tek fakulteti i Shkencave Politike, dega Studi Intenazionali në vitin 2005,  dhe ne shkurt te 2009-es jam diplomuar. Ndërkohe kam frekuentuar vitin e parë te Magistrales (Master 1) në degën Relazioni Internazionali po tek i njëjti universitet, ku po vazhdoj dhe sot studimet.
Kam zgjedhur universitetin e Firences për një arsye afërsie nga ku jetoj unë, dhe sepse duke qenë e pasionuar pas çdo teme që i përket botës ndërkombëtare, mendoj se është Universiteti më i mirë në Itali. Jo vetëm për cilësinë dhe bagazhin e studime që domosdoshmërish te jep por edhe për mundësitë për eksperienca direkte në fushën tonë. Kështu kam marrë pjesë në një iniciativë simulimi pranë Kombeve të Bashkuara. Përveç kësaj, në vitin 2006-2007 isha me studime ne Francë, ne programin Erasmus per një vit, ne Universitetin IEP(Istitut d'Etudes Politique, Grandes Ecoles) ne Aix-en-Provence, në jug te Francës. Dhe në mars të këtij viti unë dhe 5 shqiptare te tjerë ishim ne Bruksel për një vizitë pranë institucionet evropiane. Të gjitha këto eksperienca na janë dhënë duke përmbushur disa kushte universitare.
Personalisht jam shumë e kënaqur nga zgjedhja ime, dhe do t'ja sugjeroja me shumë bindje studenteve nga Shqipëria që duan të studiojnë për të njëjtën fushë. Kjo është e provuar dhe nga fakti se shumë studentë të tjerë që vijnë direkt nga Shqipëria, studiojnë me mua dhe po përfundojnë te njëjtën degë te kënaqur me zgjedhjen e tyre, madje shumica e tyre kanë vendosur te vazhdojnë dhe specializimet në të njëjtin vend.
Nuk mund te flas personalisht për ato që mund të më ofrojë Italia më shumë se Shqipëria duke qenë se zgjedhja ime për studime ishte vendi ku jetoja. Mbase ajo që të ofron më shumë Italia në degën tonë është të jesh gjithnjë e më shume i përditësuar me çështjet botërore, të bësh kërkime të pafundme, dhe të marrësh pjesë direkt në aktivitetet në shkallë botërore që organizohen vazhdimisht, me një fjale te ecësh  "me  kohën".
Te jesh student shqiptar në Itali nuk është më keq ose më mirë se të jesh student shqiptar në Shqipëri. Ajo që mund të krijojë probleme në fillim është gjuha, por pasi e kalon këtë vështirësi, cilësia dhe niveli është njësoj si  për studentët italianë, mbase angazhimi është më i madh por vullneti i shqiptareve në këtë anë nuk ka munguar asnjëherë.
Siç thashë më parë të jesh në të njëjtin hap me botën, do të thotë mos t'ju ndash kontaktit te aktiviteteve dhe çështjeve që ndodhin në botë. Eksperienca jonë ishte një shembull i kësaj mënyre studimi. Të simulosh një proces diplomatik do  të thotë t'i kuptosh personalisht të gjitha anët dhe domethëniet e teatrit ndërkombëtar, të luash rolin tënd dhe të plotësosh kuadrin e përgjithshëm duke i dhënë, mundësisht, një ngjyrë të dukshme shtetit tënd, por dhe që të mos jetë në kontrast me të tjerët.
Normalisht me studimet e mia, çdo aspekt që ka të bëjë me jetën ndërkombëtare do ishte një mundësi pune që unë do ta merrja pa ngurrim. Realizimi më i vlefshëm për mua do të ishte që të punoja për shtetin shqiptar, gjithmonë në degët dhe institucionet e jashtme. Për momentin ajo që dua është të vazhdoj studimet dhe të përpiqem sa më shumë në punën time duke i dhënë një "valore aggiunto".
Në universitetin tim nuk ka një ndarje "neto" midis italianëve dhe shqiptareve. Por normalisht kur mblidhemi të gjithë shqiptarët bashke duke preferuar të flasim shqip, parapëlqejmë më shumë shoqërinë shqiptare. Mes shqiptareve dialogu është më direkt dhe më i veçantë, mbase ndihemi me shumë si në shtëpi, nuk e kemi atë ndjesinë e konkurrencës së vazhdueshme që mund ta ndjesh më shumë me të huajt. Pra me të huajt normalisht muhabeti vjen tek studimet dhe tek arritjet ndërsa, me shqiptarët është më i larmishëm dhe personal në përgjithësi. Por gjithçka varet nga afrimiteti që krijohet mes njerëzve. Megjithatë marrëdhëniet e sotshme midis shqiptarëve dhe italianëve është përmirësuar shumë krahasuar me të kaluarën, dhe italianët kanë të njëjtat vlerësime mbi shqiptarët siç kanë ndaj studentëve me kombësi të tjera. Mbase ndonjëherë habiten për arritjet e mëdha të studentëve shqiptarë. 
Në kohën e lirë punoj, siç bëjnë dhe pjesa më e madhe e studentëve shqiptarë, personalisht punoj tek një Shkollë "Recuperi anni Scolastici, Benedetto Croce", ku jam mësuese e gjuhëve franceze, angleze, spanjolle dhe e drejtësisë, për studentët që punojnë dhe duan te rikuperojnë vitet e humbura të gjimnazit.
Siç mund të kuptohet nuk kam shumë kohe të lirë, në rast se më tepron dhe pak kohë e lirë preferoj ta kaloj me familjen, me shoqërinë, ose duke lexuar gazeta te ndryshme ndërkombëtare.

Drilona Bramo
Jam nga Tirana. Kam zgjedhur të studioj në universitetin e Firences pasi banoj në këtë qytet prej shumë vitesh, së bashku me familjen time. Ndërsa degën e Marrëdhënieve ndërkombëtare e kam zgjedhur sepse më pëlqen politika dhe veçanërisht sfera ndërkombëtare.
Në ambientin e shkollës dhe të universitetit studentet që angazhohen duke studiuar nuk kanë shumë probleme, ndërsa në përgjithësi, studenti i huaj mund të gjejë ndonjë pengesë. 
Besoj se Italia në krahasim me Shqipërinë, mund të ofrojë më shumë mundësi për studiuar e më tej edhe për të punuar. 
Vitin e fundit kam marrë pjesë në një iniciativë simulimi të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Bëhet fjalë për një nismë për cilën pjesëmarrësit përzgjidhen ndërmjet studentëve më të mirë të fakultetit të Shkencave Politike. Këtë herë ishim jo vetëm unë por edhe disa shqiptarë të tjerë. Kështu mu dha mundësia për të bërë një eksperiencë të rëndësishme profesionale dhe personale.  Në të ardhmen do të më pëlqente të përdor aftësitë e mia profesionale për zhvillimin e Shqipërisë.
Në ambientin tim universitar, frekuento më shumë italianë, se sa shqiptarë. Sidoqoftë, nga sa di unë, marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy komuniteteve janë shumë të mira.
Kohën e lirë e kaloj duke zhvilluar interesat e mia. Kryesisht më pëlqen të dëgjoj muzikë, shikoj filma të ndryshëm, ndjek lajmet e aktualitetit, dhe natyrisht takohem me miqtë e mi.

Intervista të Marjola Rukajt

Lexo edhe: Profile studentësh shqiptarë në Itali/1