Studentët dhe dilema e kthimit në atdhe - Shqiptari i Italisë

Studentët

Të vazhdosh të jetosh në Itali, apo të nisesh për kismet në Shqipëri - kjo është çështja. Dhe nuk është një fjalë goje të vendosësh nëse do të vazhdosh të provosh fatin në Italinë e botës së punës, apo të kthehesh në Shqipërinë që nuk është më ajo e dikurshmja

Pas diplomës së përjetësuar brenda kopertinës së trashë, kurorës së dafinës, kostumit gjysëm-shik e shampanjës së derdhur mes shokësh, për gjithë studentët shqiptarë vjen dita e dilemës së madhe, nga e cila do të varet gjithë ç'do të rrjedhë më pas në jetën e tyre. Të vazhdosh të jetosh në Itali, apo të nisesh për kismet në Shqipëri - kjo është çështja. Dhe nuk është një fjalë goje të vendosësh nëse do të vazhdosh të provosh fatin në Italinë e botës së punës, apo të kthehesh në Shqipërinë që nuk është më ajo e dikurshmja, sepse në përgjithësi kalon shumë kohë para se një studenti t'i vijë dita kur i duhet t'i shtrojë këtë pyetje vetes, por edhe sepse si një vend në zhvillim edhe Shqipëria ka atë aftësinë mahnitëse transformimi të pandalshëm, e të shpejtë, që edhe pse nuk po e shpie direkt e në Evropë, po e bën dita-ditës të paparishikueshme e vështirë të interpretueshme.

Dita kur studentët shqiptarë pushojnë së qeni studentë dhe u duhet të rendin për të rrokur një status të ri, është edhe më e vështirë se sa fundi i adoleshencësh kur mes një mijë këshillash të rinjtë vendosin çfarë do të studiojnë, ku, si e nga. Një pjesë e mirë e studnentëve shqiptarë largohen nga Shqipëria me mendimin se pas studimeve herët apo vonë do të kthehen në Shqipëri. Por me kalimin e kohës, e viteve të gjatë siç ndodh rëndom të jetë studimi në Itali, i stërzgjatur e i shndërruar në një vrapim me pengesa për arsye objektive e subjektive, Shqipëria tëhuajtet dhe është vështirë ta imagjinosh përtej asaj Shqipërie të përzhitur nga vapa e gushtit dhe ngeshmëria e miqve të vjetër gjatë kotjeve të përbashkëta kafeneve të atdheut. Ndërsa urat lidhëse që duhej të orientonin studentët në prag diplomimi e të mblidhnin trurin e shpërndarë për ta shpënë në Shqipëri, janë tog-fjalësha gjenialë që ngjishen letrave nëpër zyrat më brilante të Tiranës, ndërsa në Romë e rrethina përtej detiti Shqipërisë nuk i dëgjohet as zëri. Kështu një studenti të sapodiplomuar shqiptar i takon të gjendet përballë dy botëve, të dyja të huaja.

Por në kohë krizash ekonomike, e dekadencash ekonomike, shoqërore e kulturore si kjo që ka pllakosur Italinë kohëve të fundit, shpesh kthimi në Shqipëri është i detyruar, dhe nuk janë të papërfillshëm studentët që kthehen. Në kërkim të një të ardhmeje më të lehtë, më të suksesshme sepse guri peshon më rëndë në vend të vet, apo thjesht për të rekuperuar ca nga jeta private që është shpesh herë më cilësore në Shqipërinë e ngadaltë e tradicionaliste të urbanizimit te vonë e post-industrializmit të pambërritur.

Dhe aty fillon emigrimi i dytë edhe pse me kah të kundërt, ku studentëve u takon të përballen me realitetin e hidhur që nuk përputhet me dëshirat dhe objektivat tru-mbledhëse të qeveritarëve oratorë të Tiranës. Sepse asgjë nuk është automatike dhe, gjithçka nis atje ku mbaroi, me diplomën, konvertimin dhe kopsitjen me vulat dy-krenore. Njohja e diplomës, për ironi të gjithë proceseve të Bolonjës, e konventave të tjera ngazëllyese që Shqipëria ka nënshkruar pa ua rrokur dot kuptimin, mund të zgjasë me muaj e madje edhe me vite. Pastaj fillon zhytja në botën e punës shqiptare, mes brrylave, miqve, meritokratëve, çudive, dhe banaliteteve.

E ndërsa studentët edhe kthehen, tru-mbledhësit zyrtarë nuk janë kujtuar t'i monitorojnë, e të trajtojnë pse-të dhe çne-të e fenomenit, për tu treguar më pas edhe të sapodiplomuarve të tjerë që përpëliten mes dy zjarresh se ç'e ardhme i pret nëse rastësisht vendosin të kthehen. Për të eksploruar copëza nga bota e të diplomuarve të kthyer në faqet e gazetës do të sillen eksperienca të ndryshme të disa ish studentëve të integruar tashmë në botën e punës në Shqipëri.

Marjola Rukaj, Bota Shqiptare