Studentët e Brescias të mbledhur në SAB - Shqiptari i Italisë

Studentët

Intervistë me Klodjan Kolaj, president i shoqatës studentore të Brescias, SAB

Unë quhem Klodjan Kolaj, i lindur në Pukë por i rritur në Greqi. Tani jam student i Fakultetit të Juridikut në Brescia në vitin e dytë. Në datën 12 tetor nëpërmjet një procesi zgjedhor më kanë zgjedhur President i shoqatës. Që në moshë të vogël jam marrë me organizimin e nxënësve në Greqi për aktivitete të ndryshme dhe kam qenë gjithmonë aktiv në qeverinë studentore të krijuar nga studentët e gjimnazeve për të mbështetur të drejtat e tyre, prandaj mendoj që kjo ishte një mundësi e mirë për t'ju krijuar mbështetje dhe ndihmë të gjithë studentëve shqiptarë që vijnë për herë të parë në një shtet të ri dhe nuk dinë as nga duhet të fillojnë organizimin e jetës studentore këtu në Brescia.

Si quhet shoqata juaj dhe kur është krijuar?

Shoqata jonë quhet "SAB", Studenti Albanesi di Brescia, e krijuar në datën 15 mars 2005 nga katër studentë shqiptarë. Me dëshirën për tu bërë pjesë e një organizmi më të madh sic është shoqata Albstudent dhe për tu dhënë një ndihmë sado të vogël studentëve të sapoardhur, u mendua të krijohej një grup që do merrej më pas me organizimin e gjithë shoqatës. Ndihma e tyre ka qenë dhe është shumë e rëndësishme për në sepse kanë qenë themeluesit e parë, ata të cilët kanë patur guximin që të marrin përsipër organizimin e shoqatës. Jo vetëm kaq. Disa prej tyre si Edvin Mandija vazhdojnë të jenë mbështetje dhe eksperiencë për ne.

Cili ka qenë qëllimi i krijimit të kësaj shoqate?

Ashtu siç u theksua dhe më sipër, objektivi kryesor i shoqatës tonë ka qenë dhe vazhdon të jetë integrimi i studentëve shqiptarë në jetën studentore dhe jemi munduar gjithmonë t'ju ofrojmë ndihmë morale dhe informacione të vazhdueshme se si duhet ta përballojnë universitetin, mënyrën e organizimit të leksioneve, komunikimin me profesorët, dokumentet që duhet të përgatisin për t'i paraqitur në sekretari etj. Roli i shoqatës tonë ka qenë i dyfishtë. Nga njëra anë jemi munduar të jemi ndërmjetësi i studentit me universitetin dhe institucionet që e përfaqësojnë atë. Nga ana tjetër jemi munduar të përfaqësojmë në mënyrë sa më dinjitozë kulturën dhe traditën shqiptare.

Sa anëtarë ka shoqata juaj?

Në universitetin e Brescias, i përbërë nga 4 fakultete, në këto momente janë të regjistruar mbi 250 studentë shqiptarë nga e gjithë Shqipëria. Mesatarisht në vit regjistrohen rreth 30-40 studentë në vit shumica e të cilëve vjen direkt nga Shqipëria dhe pjesa tjetër janë studentë që jetojnë në Itali. Në këshillin e shoqatës aktualisht që marrin pjesë në mënyrë aktive jemi 12 studentë, të cilët janë zgjedhur në mënyrë të tillë që të përfaqësojnë cdo fakultet. Në shoqatën tonë marrin pjesë edhe anëtarë që përfaqësojnë studentë të regjistruar në universitetin privat të Brescias.

Në çfarë konsiston kryesisht aktiviteti i shoqatës suaj?

Mbi të gjitha shoqata jonë ka mbështetjen e plotë të Komunës së Brescias. Kemi qenë pjesë aktive e saj në çdo iniciativë në mbështetje të emigrantëve si për shembull: "Si të njohim Brescian" e organizuar me date 5 e 6 prill apo "Villaggio Globale 08" e organizuar më 10 korrik të 2008.

Çdo vit, me rastin e festës së çlirimit dhe të pavarësisë së Shqipërisë, shoqata ka organizuar një festë ku kanë marrë pjesë jo vetëm studentë shqiptarë të Brescias por edhe nga qytetet e tjera afër saj si psh Padova, Bergamo, Verona, Milano etj. Kjo festë, e cila mezi pritet të organizohet çdo vit, është bërë një traditë e kulturës studentore me vallet tradicionale dhe me muzikën e përzgjedhur popullore.

Një tjetër organizim kulturor është festa e Assagiamondo, një festë e organizuar nga Instituti për të drejtat e studentëve në Brescia, CEDISU. Në këtë festë kemi marrë pjesë në mënyrë aktive çdo vit me programin tonë tipik shqiptar siç janë: vallet e krijuara nga grupi ynë i valltarëve; gjellët tradicionale shqiptare të gatuara nga vetë studentët; iniciativa të ndryshme; prezantime të veshjeve tona popullore etj. Këtë vit është krijuar një bashkëpunim i rëndësishëm me universitetin e Brescias. Në brendësi të strukturave institucionale të universitetit është krijuar një Ufficio Tutor me përfaqësues nga çdo kombësi për të ndihmuar studentët e sapoardhur. Që në momentin e para-regjistrimit në universitet studentët e huaj drejtoheshin për më shumë informacione në këtë zyrë të krijuar posaçërisht për ta. Akoma më e rëndësishme ka qenë bashkëpunimi me kuesturën për përshpejtimin e praktikave të lejeve të qëndrimit. Ne si shoqatë shpresojmë që të kemi më shumë iniciativa të tilla në vitet që do të vijojnë.

Jeni të kënaqur me realizimin e objektivave të shoqatës?

Në shumë drejtime jemi të kënaqur për punën që kemi bërë, por jemi akoma në fillimet tonë, jemi shumë kërkues ndaj vetes dhe kemi akoma shumë gjëra për të bërë. Bashkimi bën fuqinë dhe e dimë që kemi bërë një punë të mirë por ndihma nga institucionet tona shqiptare deri në këtë pikë është thuajse e papërfillshme. Mendojmë se duhet të jetë e pranishme dhe e pazëvendësueshme në të ardhmen e afërt.

Cilat janë problemet që shqetësojnë më së shumti komunitetin tuaj?

Problemi ynë më i rëndësishëm është mos-informimi i studentëve që vijnë për herë të parë në Itali rreth dokumentacionit të nevojshëm për tu regjistruar apo për të kërkuar bursën e studimit, aq më tepër për tu orientuar në ambientet universitare. Një tjetër problem që shqetëson komunitetin është leja e qëndrimit, koha e gjatë për ta marrë atë dhe të gjitha problemet që vijnë si rrjedhojë e mospasjes së një leje qëndrimi të vlefshme. Jeta studentore është e vështirë sepse duhet të përballojë shumë shpenzime siç janë qiraja e shtëpisë, taksat universitare, taksa në përgjithësi të rënda përcaktuara nga ligji italian për marrjen e lejes së qëndrimit dhe për këtë është i detyruar të punojë. Kjo gjë e bën të vështirë suksesin e tij në përgatitjen e suksesshme të provimeve. Akoma më e rëndë bëhet situata për të diplomuarit të cilët e kanë gjithmonë e më të vështirë për të gjetur një punë të profesionit të tyre dhe detyrohen të bëjnë diçka tjetër.

Si financohet shoqata juaj?

Shoqata jonë mbahet kryesisht nga oferta e lirë e studentëve. Çdo festë apo iniciativë deri tani ka qenë e autofinancuar nga studentët. Po mundohemi të gjejmë rrugë të reja financimesh. Mirëpresim çdo ndihmë nga institucionet përkatëse shqiptare.

Sa vend zë në veprimtarinë tuaj kthimi i trurit në Shqipëri? Në përgjithësi cilat janë sipas jush prirjet e studentëve shqiptarë?

Në çdo moment në mendjen e studentit shqiptar ekziston Shqipëria. Dëshira për t'u kthyer është shumë e madhe por dhe rreziku që duhet të marrë përsipër është akoma më i madh. Shoqëria dhe vatra e ngrohtë familjare të mungon e të tundon për një kthim sa më të shpejtë por shteti shqiptar, me gjithë hapat e zhvillimit që ka bërë këto vitet e fundit, nuk të ofron siguri për një të ardhme të suksesshme. Sipas meje këto janë dyshimet që mundojnë çdo student dhe janë arsyet për të cilat disa prej tyre e shohin kthimin si një ëndërr të parealizueshme e disa të tjerë si një mundësi të jetës. Ndërsa për sa i përket prirjeve të studentëve duke u bazuar tek statistikat e universitetit të Brescias, prirja e shumicës së studentëve shqiptarë është Fakulteti i Ekonomikut. Kjo zgjedhje, në përgjithësi është shumë e kufizuar se jo të gjithë kanë mundësitë ekonomike apo shoqërore për të përballuar një tjetër fakultet apo një tjetër prirje që nuk ta ofron dot qyteti i Brescias. Shumë prej studentëve detyrohen të heqin dorë nga ëndrrat e tyre vetëm nga fakti se nuk i përballojnë dot shpenzimet e qerasë së shtëpisë pa punuar dhe problemi bëhet akoma më i madh kur shumë prej kurseve janë me detyrim frekuentimi. Gjithsesi mendoj që shqiptarët që vijnë në Itali për të studiuar kanë mjaft kapacitet për të përparuar në jetë dhe japin maksimumin për të arritur objektivat që i kanë vënë vetes. Kjo vihet re nga numri i shumtë i studentëve shqiptarë që frekuentojnë sallat e studimit e bibliotekat edhe në orët e vona duke u munduar të organizojnë jetën e tyre midis shkollës, punës dhe studimit.

Njihni studentë që janë kthyer dhe çfarë eksperiencash kanë?

Po, njoh disa studentë që janë kthyer. Problemi i parë me të cilin përballen është integrimi në Shqipëri sepse duhet të nisin çdo gjë nga fillimi. Gjërat për ta nuk janë aq të lehta. Disa prej tyre kanë pasur ndihmë si të thuash ekstra-konkurruese dhe gjetja e një pune në profesionin e tyre nuk ka qenë shumë tragjike, disa të tjerë kanë pasur probleme edhe me përballimin e një shoqërie që ndryshon dita ditës, një mentaliteti që gjykon çdo person që vjen nga jashtë. Një student që ka mbaruar universitetin jashtë Shqipërisë shihet me një sy tjetër, shihet si një konkurrent për të marrë vendin e punës e gjërat nuk janë aq miqësore dhe aq të lehta siç mund të jetë dëshira për tu kthyer nga Italia. Mendimi im personal që na bën të ndjehemi edhe keq është se një student shqiptar që del jashtë kufijve shqiptarë, do të mbetet gjithmonë i huaj si jashtë shtetit, si në Shqipëri.

Çfarë duhet bërë në këtë drejtim?

Për mendimin tim një ndër gjërat që mund të bëjë shteti shqiptar për studentët është t'u ofrojë më shumë mundësi studimi në territorin shqiptar, t'u ofrojë një jetë studentore me më pak mundim. Jeta jashtë Shqipërisë është e vështirë. Çdo 4 në 5 studentë duhet të punojnë dhe shumë prej tyre edhe 8 orë në ditë. por nga ana ekonomike ju ofrohet shumë më tepër në Itali se në Shqipëri. Në Shqipëri je gjithmonë ekonomikisht i varur nga prindërit pa pasur as mundësinë më të vogël për t'i ndihmuar qoftë edhe me një bursë për rezultate të larta në universitet apo një punë part-time që të paktën të përballosh shpenzimet e tua. Bashkëpunimi me strukturat shtetërore është gjithmonë i mirëpritur dhe ne si shoqatë mundohemi në maksimum për të zvogëluar këtë hendek të madh të krijuar midis shtetit dhe studentëve jashtë Shqipërisë. Studenti mund të mbajë gjallë dashurinë për tokën mëmë, i takon shtetit të ofrojë më shumë bashkëpunim për ne që kemi zgjedhur të largohemi nga vendi ynë dhe të jeni të sigurt se në këtë mënyrë të gjithë kthehen.

Bisedoi Marjola Rukaj, Bota Shqiptare

Lexo edhe: Shoqatat e studentëve