Studentët e Pavias të mbledhur rreth një shoqate - Shqiptari i Italisë

Studentët

Intervistë me Fatjon Hoxhallin, një ndër themelueist dhe drejtuesit e shoqatës ASAUP të Pavias

Kur ka lindur shoqata juaj?

Shoqata jonë ka lindur në 2006. Ishim një grup studentësh që menduam se kishte ardhur momenti të themelonim një shoqatë. Jo vetëm për nevojat tona shoqërore dhe kulturore por sepse ishte një moment i vështirë, kur e gjenim veten në një lloj lufte të ftohtë, me burokracitë e panumërta e të vështira, dhe në një periudhë kur politikat e Lega Nord bëheshin gjithmonë e më të rënda për emigrantët këtu në Lombardi. Por ishte natyrisht edhe dëshira e përbashkët për të krijuar një pikë referimi për gjithë komunitetin e studentëve shqiptarë në universitetin tonë, sepse ishim të bindur se ndihej nevoja për të pasur një pikë referimi të tillë. Duke qenë natyrisht se të gjithë këta shqiptarë që studiojnë këtu ndajnë pak a shumë të njëjtat probleme e shqetësime, dhe duke qenë, kuptohet, të gjithë të rinj e të gjithë me origjinë të njëjtë, kemi shumë të përbashkëta që duhet të na bashkojnë për t'i lehtësuar, të themi, jetën njëri-tjetrit këtu larg Shqipërisë. Qëllimi kryesor ishte natyrisht bashkimi për t'i bërë ballë të gjithë të bashkuar këtyre problemeve.


Sa mendoni se i keni realizuar këto objektiva?

Objektivat e natyrës kulturore mendoj se janë ato që kemi realizuar më shumë. Kemi organizuar shumë shpesh aktivitete kulturore, ekspozita. Nga kjo pikëpamje jemi të kënaqur sepse kemi zhvilluar disa ekspozita ku synimi kryesor ka qenë prezantimi i Shqipërisë për italianët dhe gjithashtu aktivizimi në veprimtari kulturore të vetë studentëve shqiptarë. Kemi zhvilluar disa ekspozita për të paraqitur sadopak artin shqiptar dhe për të luftuar punën tejet negative që kanë bërë kundër shqiptarëve mediat e këtueshme. Ndërsa natyrisht nuk kanë qenë vetëm objektivat kulturore që kemi pasur tejet për zemër, por edhe për disa beteja burokratike që kemi ndërmarrë veçanërisht në lidhje me rritjen e pagës së bursës së studimit dhe me shpërndarjen e dhomave në konvikt për studentët. Jam i bindur se kemi arritur rezultate të mira në këtë drejtim dhe kemi kontribuar vërtetë.

Sa anëtarësim ka nga ana e studentëve shqiptarë në shoqatën tuaj?

Sipas stastikve të 2008, në universitetin e Paivas ishin rreht 160 të regjistruar shqiptarë. Ndër këta shumë të kaluar fuori-corso prej një periudhe të gjatë. Deri më sot kemi rreth 120 të regjistruar që kanë aderuar edhe formalisth në shoqatë. Ndërsa pjesa tjetër mendoj thjeshtë pa ndonjë arsye, ndoshta për neglizhencë nuk janë anëtarësuar formalisht, por duhet thënë se sa herë që ka takime apo ekspozitë ka një pjesëmarrje të konsiderueshme.

Nga se vjen kjo neglizhencë? Varet edhe këtë herë nga fakti se shqiptarët nuk krijojnë komunitet?

Shqiptarët vuajnë disi nga ky aspekt. Të gjitha shoqatat shqiptare në Shqipëri karakterizohen nga ky fneomen. Kam vënë re se në të gjitha krijohet blloku opozitar, ose blloku destruktiv, krijohet një farë rivaliteti që ka të bëjë edhe me drejtimin e shoqatës. Kjo nuk vjen për shkak të mosnevojës për shoqatë, sepse nuk mendoj se studentët shqiptarë këtu janë të integruar. Bëhet fjalë për lëvizje opozitare dhe rivalitete, prej të cilave lindin keqkuptime. Edhe pse bëhet fjalë kryesisht për grupe të vogla dhe minoritare. Jo pa qëllim një vit pas formimit të shoqatës kemi ndryshuar statutin duke hequr figurën e kryetarit të shoqatës dhe kemi lënë vetëm një përfaqësues ligjor ashtu siç e kërkon kodi civil italian. Këtë e kemi menduar vetëm për shmangjen e këtyre lloj rivaliteteve.

Si i përzgjidhni aktivitetet?

Qëllimi i aktitiviteteve përputhet me qëllimet përse kemi krijuar këtë shoqatë. Gjithmonë synimi është të krijojmë një ambient krijues të rinjsh, argëtues dhe duke shfrytëzuar këto raste edhe për promovimin e kulturës shqiptare përpara italianëve. Kemi zhvilluar në këtë drejtim edhe bashkëpunime me shoqata të tjera simotra. Për shembull para pak kohësh kemi organizuar një ekspozitë fotografike me mesazhe shumë kuptimplotë qoftë për shqitparët qoftë për italianët. Sepse ishte një fotografi e frymëzuar nga paradokset që gjenden në Shqipëri, përtej panoramave turistike, me det të bukur e diell veror. Kjo ishte për t'i shtyrë në reflektim shqiptarët dhe për tu prezantuar copëza interesante italianëve.

Çfarë marrëdhëniesh keni me shoqata të tjera studentore si e juaja?

Kemi marrëdhënie shumë të mira me disa shoqata, dhe madje mund të them se kemi tashmë një traditë në këtë drejtim dhe ndërmjet njerëzve të shoqatave janë krijuar prej kohësh marrëdhënie shumë të ngrohta e premtuese. Me shumë prej tyre përveç interesave kulturore na bashkojnë edhe shumë beteja të përbashkëta në lidhje me praktikat e ndërlikuara të dokumentave, marrja e bursave nga ana e studentëve shqiptarë dhe të tjera probleme që karakterizojnë emigrantët shqiptarë.

Sa vend zë në veprimtarinë e shoqatës suaj, Shqipëria, si perspektivë e këtyre studentëve për tu kthyer pas studimeve?

Kjo është patjetër një temë qendrore për shoqatën tonë. Mundohemi të lidhim ura me Tiranën. Kemi organizuar për shembull një workshop mbi temën e Brain Gain në Tiranë. Ngelet si pjesë e statutit tonë, por praktikisht është e vështirë që në përmasat tona të zhvillojmë gjëra të mëdha. Për shembull kemi bërë edhe disa marrëveshje me Tiranën, dhe sektorët specifikë që merren me këtë çështje por janë gjëra që fatkeqësisht kanë mbetur në letër.

Por janë bërë të paktën përpjekje vrojtuese në këtë drejtim?

Po për këtë janë bërë disa tentativa, sondazhe dhe takime. Nga ato që kemi vërejtur kemi arritur në përfundimin se për pjesën më të madhe të studentëve, në planin afatgjatë parashikojnë të kthehen në Shqipëri, por ata që janë duke u diplomuar për fat të keq mbeten konfuzë, sepse nuk ka ende asgjë që t'i motivojë vërtetë e t’i shtyjë të marrin kurajon të provojnë fatin, e çfarë u ofron Shqipëria. Nga njohjet e mia mendoj se ka disa të diplomuar që janë kthyer por në të vërtetë bëhet fjalë për raste jashtëzakonisht sporadike. Qeveria shqiptare në përgjithësi fton të gjithë të kthehen, por nuk më duket se ekzistojnë forma mbështetëse afatgjata që të të stimulojnë. Studentët e kthyer mbeten shumë të paktë. Në përgjithësi studentët kanë shumë vështirësi në kthimin e tyre në Shqipëri.

Si financohet shoqata ASAUP?

Eshtë një shoqatë vullnetare dhe për veprimtaritë artistike të shoqatës janë shfrytëzuar kryesisht fondet e marra nga kuotat e anëtarësimit. Fondet janë natyrisht shumë të pakta. Herë pas here kemi përfituar fonde nga universiteti.

Nga eksperienca juaj shoqatat janë të dobishme?

Patjetër. Nuk ka rëndësi nëse janë të formalizuara apo jo, ajo që është më e rëndësishme është krijimi i grupeve, shoqërimi. Sepse në këtë mënyrë krijohen premisat për shkëmbime, bashkëpunime, shkëmbim idesh dhe eksperiencash.

Cilat janë problemet e studentëve shqiptarë?

Studentët shqiptarë kanë probleme nga më të ndryshmet. Për shembull një aspekt ku ne kemi qenë shumë aktivë ka të bëjë me integrimin e studentëve të sapoardhur, të cilët e gjejnë veten plotësisht të çorientuar në Itali, në tema si konkurset, kodi fiskal, tesera sanitare etj. Për këtë shoqata është shumë e dobishme. Eshtë për më tepër një eksperiencë shumë pozitive për ata që angazhohen në të.

Bisedoi Marjola Rukaj, Bota Shqiptare

Lexo edhe: Shoqatat e studentëve