Studentët, emigrantët e ardhshëm? - Shqiptari i Italisë

Studentët

Studentët janë emigrantë, sa efektivë aq edhe potencialë për t'u shndërruar në mënyrë të qëndrueshme në pjesë të emigracionit shqiptar. Ndajnë shpesh të njëjtat probleme me emigrantët, por edhe me moshatarët e tyre të vendit ku studiojnë duke u bërë kështu një urë e ndërmjetme midis tyre. Por janë edhe tregues të situatës dhe pritmërive të vendit të origjinës e të vendit pritës ku jetojnë, në bazë të mënyrës se si e projektojnë të ardhmen e tyre. Janë po ashtu pasqyrë e integrimit apo e marrëdhënieve të çala ndërmjet dy komuniteteve.

Janë me mijëra studentët shqiptarë në Itali. Një realitet i prekshëm, i ndjeshëm nëpër gjithë ateniumet kryesore italiane. Ashtu si edhe emigrantët shqiptarë studentët janë të shpërndarë në gjithë territorin italian e madje edhe në skutat universitare më periferike e më të paimagjinueshme. Paraqesin një sërë karakteristikash të ngjashme me pjesën tjetër të emigrantëve e janë në të vërtetë një nga aspektet më të rëndësishme të emigracionit shqiptar veçanërisht në Itali. Por edhe pse për shumë arsye rëndësia e studentëve në këtë pjesë të shoqërisë shqiptare që ka emigruar, është e padiskutueshme, rrallë herë ndodh që studentët të jenë objekt studimesh apo hulumtimesh serioze për t'i njohur nga afër. Ajo që deri tani është bërë për ta nuk ka shkuar përtej retorikës së brain drainit e brain-gain-it simpoziumeve e konferencave të mbajtura solemnisht Rognerave e Sheratonëve të Tiranës. Lumi i fjalëve të derdhura për nevojën e ndërtimit të strategjive të veçanta për rimbledhjen e trurit, nuk ka prodhuar deri tani asnjë strategji të strukturuar për të realizuar të shumëdëshiruarin brain gain, dhe duket se qëllimi i vetëm që është realizuar ka qenë publicizimi i problemit, e i faktit se mijëra studentë shqiptarë studiojnë jashtë Shqipërisë, dhe se ata janë pjesë e vyer e trurit që do t'i nevojitej elitës shqiptare nesër, në të ardhmen e afërt, e madje në të tashmen. Në gjithë esetë, e sprovat që penat më të shqetësuara kanë hedhur në letër për këtë temë përpikmërisht është theksuar se për studentët nuk ekzistojnë as statistika të mirëfillta, nuk dihet konkretisht sa janë, çfarë studiojnë, e ç'prirje kanë për të ardhmen e tyre. Kjo për të treguar se sa pak vëmendje i është kushtuar këtij fenomeni edhe pse prej të paktën 15 vjetësh ka përmasa masive në shoqërinë shqiptare. Studentëve përtej rilevimit të tyre numerik nuk u dihet pothuaj asgjë. Ata përbëjnë një kontingjent, një pjesë të emigracionit shqiptar që nuk njihet, dhe madje shpesh herë nuk merret në konsideratë si e tillë, nisur përgjithësisht nga fakti se bëhet fjalë për një largim të përkohshëm nga atdheu që përputhet me kohën e studimit.

Në të vërtetë studentët janë emigrantë, sa efektiv aq edhe potencialë për tu shndërruar në mënyrë të qëndrueshme në pjesë të emigracionit shqiptar. Ndajnë shpesh të njëjtat probleme me emigrantët, por edhe me moshatarët e tyre të vendit ku studiojnë duke u bërë kështu një urë e ndërmjetme midis tyre. Por janë edhe tregues të situatës dhe pritmërive të vendit të origjinës e të vendit pritës ku jetojnë, në bazë të mënyrës se si e projektojnë të ardhmen e tyre. Janë po ashtu pasqyrë e integrimit apo e marrëdhënieve të çala ndërmjet dy komuniteteve.

Të gjitha këto janë të dhëna që do të ishin radhitur padyshim në një pyetësor të strukturuar nga çfarëdolloj enti që do të donte më së fundi të kalonte në sitë situatën e studentëve shqiptarë. Pikësëpari për t'i njohur e më pas për të ndërtuar strategjitë ambicioze të brain-gainit apo për tu dhënë fjalën atyre vetë për të kuptuar nevojat e tyre.

Marjola Rukaj, Bota Shqiptare

Lexo edhe: Profile studentësh shqiptarë në Itali