Studentët që u kthyen në atdhe /2 - Shqiptari i Italisë

Studentët

Të vazhdosh të jetosh në Itali, apo të nisesh për kismet në Shqipëri - kjo është çështja. Dhe nuk është një fjalë goje të vendosësh nëse do të vazhdosh të provosh fatin në Italinë e botës së punës, apo të kthehesh në Shqipërinë që nuk është më ajo e dikurshmja. “Bota shqiptare” e sjell këtë realitet nëpërmjet një cikli intervistash me ata që janë kthyer.

Griselda Rushanaj

Nuk jam penduar që jam kthyer sepse mendoj se kam arritur një pozicion shumë më të mirë se sa mund të kisha arritur po të kisha qëndruar në Itali, … por më mungon Roma

Kam studiuar Lettere e filosofia tek Sapienza në Romë. Fillova të studioja në të vërtetë në Tiranë, në '97 por trazirat e tmerrshme të atij viti bënë që praktikisht të mos bënim shkollë e madje situata ishte aq e vështirë sa që të gjithë studentët kërkonin një mënyrë për tu larguar e për të studiuar jashtë shtetit. Ishin vitet '90 dhe nuk kisha zgjedhje tjetër. Kam qenë mund të them ndër brezat e parë të studentëve shqiptarë që kanë studiuar në Itali.

Esperienca italiane ishte e mbushur me momente negative, me vështirësi të mëdha. Në disa momente ndihesha keq në disa të tjera ndihesha mirë. Por duke e parë më vonë ishte një eksperiencë që më dha shumë, sepse Roma është një qytet i madh që ofron shumë, dhe në këtë pikëpamje vërtetë mund të them se jam rritur, dhe kam përfituar gjëra që kurrsesi nuk do të kisha përfituar në Shqipëri.

Po të kthehesha pas do të veproja kështu, po sepse siç thashë kam përfituar shumë nga pikëpamja profesionale dhe kulturore. Por do të thoja jo sepse kam humbur shumë nga pikëpamja sociale, e private, ndërsa gjithmonë kam pasur bindjen se moshatërët e mi në Tiranë nga kjo pikëpamje janë shumë më të realizuar se sa studentët që jetojnë e studiojnë në Itali.

Sidoqoftë eksperienca italiane është shumë e nevojshme për të pasur një shkollim të një cilësie shumë të lartë që jam e bindur në bazë të disa eksperiencave që kam pasur pasi jam kthyer, se është e pamundur të gjendet në Shqipëri. Për këtë arsye kujtdo që është i interesuar të marrë një formim të mirëfilltë do t'i këshilloja me bindje që të shkojë të studiojë në Itali e ndoshta edhe diku tjetër më larg.

Në Shqipëri u ktheva sepse sapo mbarova shkollën u përpoqa të gjeja punë në Itali. Mirëpo ishte tejet e vështirë dhe punët që më ofroheshin ishin të një profili të ulët. Kjo natyrishr nuk mendoj se vinte për shkak të të qenët shqiptare por thjesht sepse kur diplomohesh për shkenca humanistike në Itali ke më pak mundësi punësimi se të tjerët dhe tek e fundit vetë Italia është e përfshirë nga një krizë ekonomike që po thelllohet gjithmonë e më tepër. Kështu vendosa të provoja fatin në Shqipëri. Dhe erdha. Sot punoj në zyrën e marrëdhënieve ndërkombëtare të Bashkisë së Fierit.

Nuk është puna e parë që bëj. Në të gjitha punët që më ka rënë rasti të bëj në Shqipëri kanë qenë në profesionin tim dhe jam e kënaqur nga puna që bëj sepse më takon të zbatoj shumë nga njohuritë e mia.

Nuk kam pasur vështirësi të jashtëzakonshme për konvertimin e diplomës.

Nuk jam penduar që jam kthyer sepse mendoj se kam arritur një pozicion shumë më të mirë se sa mund të kisha arritur po të kisha qëndruar në Itali. Por më mungojnë shumë gjëra të Romës, si për shembull jeta kulturore, mundësitë për tu argëtuar që Shqipëria nuk të ofron kurrë. Nuk më pëlqen as mënyra se si shihen këtu njerëzit që vijnë nga jashtë. Mundohen të gjithë të vënë gurë nën rrota.

Një të riu që do të kishte dyshime për tu kthyer në Shqipëri apo jo do t'i thoja të menodohej mirë. Shumë gjëra në Shqipëri funksionojnë nëpërmjet shtigjeve familjare, miqësive dhe privilegjeve nepotiste. Unë vete kam arritur në pozicionin ku jam në sajë të ndërhyrjeve të familjarëve të mij të rëndësishëm. Përndryshe nuk besoj se do të kisha pasur këtë mundësi. Në Shqipëri nuk ka vend për të gjithë, sepse është një vend shumë i vogël. E vetmja sferë ku mund të kesh një farë konkurrence të lirë e të pakushtëzuar mund të jetë në sferën e OJQ-ve ndërkombëtare, por edhe aty rrjetet e marrëdhënieve shqiptare kanë ndryshuar situatën për keq. Në Shqipëri funksionon kështu është e kotë të shtiremi.

ma.ru., Bota Shqiptare

Lexo edhe: Studentët dhe dilema e kthimit në atdhe