Studentët shqiptarë: "Blejmë provimet" - Shqiptari i Italisë

Studentët

Më 9 dhjetor, ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, Këshilli Kombëtar Studentor boton një raport mbi korrupsionin në arsimin e lartë në Shqipëri. Përgjigjet janë alarmuese: 68% e të intervistuarve thonë se kanë paguar ryshfet për provimet

Tiranë, 10 dhjetor 2010 – Këshilli Kombëtar Studentor (KKS) publikoi dje një raport për korrupsionin në arsimin e lartë, ku rezulton se studentët paguajnë për provimet, si për një notë më të mirë, ashtu dhe për të marrë provimet.

Ky punim paraqet rezultatet e sondazhit të dhjetorit 2010, të kryer me studentët e universiteteve publike në një kampion prej 1.500 studentësh që i përkasin grupmoshës 18-26 vjeç.
Sipas anketimit, ka rezultuar se dy ndër tre studentë,rreth 68%, pohojnë se kanë paguar të paktën një herë ryshfet gjatë kohës së studimeve, për të marrë provimet, apo një notë më të mirë. Akoma dhe më i lartë është numri i studentëve që pohojnë se kanë zgjidhur problemet në fakultete nëpërmjet ryshfetit. Ky numër është rreth 78 %. Por ka edhe një pjesë të studentëve që pohojnë se nuk janë përballur asnjë herë me këtë fenomen, rreth 32 % e të anketuarve thonë se s'kanë paguar asnjëherë ryshfet apo janë vënë nën presion nga pedagogët.

Duke iu referuar përgjigjeve të studentëve të anketuar, kryetari i KKS, Qamil Dika, tha se "tarifa që ata paguajnë për provimet varjon nga 10 -30 mijë lekë". Perceptimi mbi korrupsionin në universitet publike, sipas këtij raporti, është i lartë. Nga të 1.500 studentët e Universiteteve Publike të anketuar në fazën e parë të sondazhit, 17 % prej tyre e konsiderojnë arsimin e lartë publik si shumë të korruptuar.

Në këtë anketim, studentët janë pyetur edhe për besimin që kanë tek transparenca e intitucioneve të arsmit të lartë, ku shumica e tyre janë përgjigjur se besojnë vetëm tek institucioni i Rektorit. 26.4 % të studentëve të përfshirë në anketë kanë "denoncuar" këtë fenomen pranë drejtuesve të institucioneve të arsimit të lartë, ndërsa 60.6 % nuk kanë "denoncuar" asnjëherë ryshfetin e paguar duke mos pasur besimin në stafet drejtuese apo në ndëshkimin që duhet dhënë. Studentët i perceptojnë institucionet si jotransparente.
Asnjë nga institucionet e vlerësuara nuk ka marrë më shumë se 7 pikë në shkallën nga 0-10, ku 0 do të thotë "Aspak transparent" dhe 10 do të thotë "Shumë transparent". Sipas studentëve, institucioni më transparent është Rektorati me 7 pikë, me 4 pikë renditet stafi akademik dhe me 0 pikë renditet administrata, e cila drejton universitetet.

Anketimi, i mbështetur nga Qeveria u publikua më 9 dhjetor, Dita Botërore Kundër Korrupsionit.