Udhëkryqi i studentëve shqiptarë në Itali - Shqiptari i Italisë

Studentët

Janë mëse 11.000, dhe përbëjnë numrin më të lartë të studentëve të huaj në  Itali. Dhe përveç studimeve u duhet të përballen me të njëjat probleme të emiugrantëve, për lejeqëndrimi, punë e strehim E nuk mbaron me kaq. Pas përfundimit të studimeve gjenden në dilemën e kthimit. Me këto çështje merret studimi i Rando Devoles  nga ku botojmë një pjesë

Studentët shqiptarë në Itali, që në vitet 1980 numëroheshin me gishtat e dorës, ua lanë vendin dhjetëra mijërave kolegëve të tyre, që në vitet 1990 dhe 2000 filluan t'u nxirrnin punë instituteve statistikore. Hapja e kufijve pas kalimit nga një sistem në tjetrin, u dha mundësinë shumë të rinjve t'i ndiqnin studimet jashtë shtetit. Italia ka qenë pa dyshim një nga vendet më të parapëlqyera nga shqiptarët për studimet universitare.

Gjatë vitit shkollor 2002-2003, në Itali studionin gjithsej 6.531 shqiptarë. Zinin vendin e dytë pas studentëve grekë (7.745). Këto dy grupe përbënin 45% të të gjithë studentëve të huaj që kishin zgjedhur universitetet italiane. Të tjerat paraqiteshin të copëzuara dhe, veç e veç, nuk arrinin as 4%-shin e numrit të përgjithshëm. Për t'u shënuar fakti që atë vit shkollor rezultonin më shumë vajza se sa djem. Këta të fundit ishin vetëm 2.721 vetë. Studentët grekë, përkundrazi, kishin më shumë djem se sa vajza (vetëm 3.676).

Tre vjet më vonë, situata paraqitet krejtësisht ndryshe. Gjatë vitit shkollor 2005-2006, studentët shqiptarë të regjistruar në universitet italiane, me shifrën 10.543, jo vetëm janë në vend të parë, por përbëjnë më shumë se dyfishin e studentëve grekë. Këto dy shtetësi, për nga sasia, krijojnë një hendek statistikor me të tjerat. Në fakt, studentët rumunë, gjermanë, polakë, etj. nuk arrijnë tek 4%-shi i numrit të përgjithshëm. Lidhur me përbërjen gjinore të grupit shqiptar nuk duken shumë ndryshime. Femrat përbëjnë shumicën: pothuajse 59%; pa lëvizje të mëdha në këtë pikë paraqiten edhe grekët (rreth 46% femra).

Të dhënat për regjistrimet e reja, pra të vitit të parë, janë gjithnjë domethënëse, sepse tregojnë pulsin e ecurisë së ardhshme. Po gjatë viteve 2005-2006, rezultojnë regjistruar rishtas 2.284 shqiptarë, 56% e të cilëve kanë qenë vajza. Me këto shifra, grupi shqiptar formon 25,1% të të gjitha regjistrimeve të reja mes studentëve të huaj. Grekët, në këtë kategori, kalojnë në vend të shtatë, me 262 studentë (2,9%).

Në vitin 2006 në Itali marrin diplomën universitare 4.438 studentë. Prej këtyre 14,9% janë shqiptarë, të cilët rreshtohen të dytët pas grekëve me 17% të të diplomuarve.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Universitetit dhe të Kërkimit shkencor të Italisë, viti shkollor 2007-2008, i gjen shqiptarët në krye të listës të studentëve të huaj, me 11.415 studentë, prej të cilëve 4.659 djem dhe 6.756 vajza. Rritja nga viti i mëparshëm duket e vogël në vlera absolute, porse me përqindje rezulton pothuajse 8,3%. Degët më të parapëlqyera nga shqiptarët vijojnë si më poshtë: Ekonomia, Jurisprudenca, Mjekësia, Shkencat politike, Letërsi-Filozofia, Inxhinieria e kështu me radhë.

Me pak fjalë, studentët shqiptarë përbëjnë një kategori të rëndësishme dhe jo vetëm nga pikëpamja statistikore. (...)

Numri i madh i studentëve shqiptarë në Itali, përveçse me afërsinë gjeografike dhe familjaritetin me gjuhën, mund të shpjegohet edhe nëpërmjet kulturës shqiptare, e cila e ka konsideruar gjithnjë arsimin e lartë me një përnderim të veçantë. Aureola e shndritshme që e ka rrethuar përherë diplomën universitare ndoshta i ka rrënjët në statusin social, ndoshta në vetë përfitimet ekonomike, ndoshta ndriçon vetvetiu në kontekstin shqiptar dijedashës; sidoqoftë është fakt se ëndrra e të gjithë prindërve ka qenë gjithnjë t'i shikojnë fëmijët me diplomë në duar. Që këtej edhe lumi i studentëve që vërshon nëpër universitetet e huaja dhe të vendit.

Realitetin e fragmentarizuar të studentëve e bashkon një nivel i lartë aktivizmi. Një nga risitë absolute të emigracionit shqiptar në Itali është pikërisht veprimtaria e shoqatave studentore. Disa syresh kanë krijuar mjedise të shkëlqyera kulturore ku zien dhe ballafaqohet mendimi, duke iu mbivendosur dendur detyrave që zakonisht duhen kryer nga institucionet shqiptare. Ato luajnë gjithashtu, një rol udhëzues për studentët e rinj, duke u kthyer në pika referimi edhe për vetë institucionet universitare. Nga një anë, nismat e shoqatave përfitojnë nga niveli intelektual i promovuesve të tyre, nga ana tjetër, vuajnë nga përkohshmëria e gjendjes studentore, çka shpie në ndërrimin e shpejtë të "klasës drejtuese" dhe të aktivistëve më pasionantë. Kjo nuk ka se si të ndikojë në favor të kategorisë studentore.

Shkolla e lartë mbetet pazgjidhshmërisht e lidhur me formimin e elitave. Në bankat e saj ulen sot ata që do të na udhëheqin nesër. Nëse jemi dakord me këtë, duhet ta pranojmë se në statistikat e mësipërme bëjnë pjesë ata që do ta drejtojnë Shqipërinë nesër. Mirëpo, kjo nuk është aq e sigurt për arsyen e thjeshtë se studentët e ndjejnë veten në udhëkryq. Dilema e tyre ka të bëjë me kthimin. Zgjedhja e shumë prej tyre për të qëndruar (përgjithnjë ose përkohësisht) në vendet ku kanë kryer studimet, duhet lidhur jo vetëm me mundësitë që u krijohen atje - pa harruar lidhjet e mundshme sentimentale -, por edhe me faktin se e ndjejnë kontekstin e huaj më të interpretueshëm, pikërisht falë hartave me të cilat i kanë pajisur universitetet atje. Edhe vetë burokratizimi i njohjes së diplomave të marra jashtë vendit, jo vetëm tingëllon absurd, por ua ftoh disi dëshirën e kthimit studentëve. Nga ana tjetër, tregu shqiptar i punës shpeshherë nuk ka ç't'u ofrojë në fushat ku ata kanë studiuar. Pritjet dhe shpresat e shumta, herë reale dhe herë të pabaza, herë të kërkuara dhe herë të pretenduara, shkojnë e ndeshen me një kontekst që nuk u jep as rrugëdalje, as perspektivë. Si rrjedhim, studentët e shikojnë të ardhmen në vende të tjera.

Pavarësisht se për studentët shqiptarë jashtë shtetit janë njoftuar dhe filluar programe dhe nisma të shumta, të shtetit apo të organizmave të tjera, posaçërisht lidhur me kthimin dhe integrimin e tyre në tregun e punës në Shqipëri, duhet thënë se ata e ndjejnë veten ende pezull nga pikëpamja e perspektivës dhe jetimë nga pikëpamja e përkrahjes institucionale. Këtu duhet dalluar pesha specifike e trajtimit burokratik dhe dritëshkurtër të një çështje komplekse, nga kushtet objektive që i bishtnojnë vullnetit të planeve disavjeçare. Ndërkohë, lulëzimi i pakontrolluar i universiteteve private në Shqipëri vetëm sa e ka rënduar ndjenjën e pezullisë, meqë ofertat e diplomave janë shtuar aq shumë, saqë po shkojnë drejt inflacionit të plotë.

Historia e shumë vendeve ka dëftuar se suksesi ekonomik dhe shoqëror ndërtohet duke investuar kryesisht për trurin.

Lënia në harresë ose pas dore e studentëve, si brenda ashtu edhe jashtë shtetit, është një luks që Shqipëria nuk mund t'ia lejojë kurrsesi vetes, sepse në raport me nevojat e saj dëmtohet më shumë se bashkësitë e tjera nga ikja e trurit.

Megjithatë, është fare e qartë se kategoria e tyre përbën pasuri të dyanshme, si për vendlindjen ashtu edhe për vendin që i arsimon. Në këtë kuadër, lipset që energjitë intelektuale studentore të bashkërendohen e të kanalizohen në të mirë të të gjithëve, sepse vetë qëndrimi i tyre mes dy kulturash dhe sistemesh arsimore, përbën një urë lidhëse dhe integruese për të dyja vendet.

Ngado ta shohësh çështjen e studentëve shqiptarë, del se ajo është e lidhur me të ardhmen. Nevoja e perspektivës imponohet me ngulm deri sa kalon kufijtë e domosdoshmërisë. Nga kjo pikëpamje, studentët simbolizojnë të gjithë shoqërinë shqiptare.

Megjithë përparimet e dukshme, fijet e së kaluarës dhe së tashmes, vazhdojnë ta mbajnë pezull në udhëkryq, nga ku duhet të gjejë sa më shpejt rrugën më të mirë: atë që e projekton drejt së ardhmes.

Shkëputur nga libri “Ura mbi det - Emigracioni shqiptar në Itali” i Rando Devoles botuar nga “Ora”, Tiranë.

Botuar në Bota shqiptare 211