Universitetet italiane{br}Mbyllen pararegjistrimet. Në fund të gushtit vizat e hyrjes - Shqiptari i Italisë

Studentët

Konsullatat do t’u përcjellin kërkesat universiteteve, më pas do të thonë kush mund të vijë në Itali. Nikaj e ASUF-it: “Ka shumë pak kohë, pak informacione dhe kur mbërrijmë në Itali ndihemi të braktisur

Romë, 6 korrik 2011 – Mbyllen pararegjistrimet në universitetet italiane për studentët jokomunitarë që jetojnë jashtë Italisë.  Në shumë konsullata nuk pranohen më kërkesa, të tjera do të vazhdojnë ta bëjnë edhe për pak ditë. Në Tiranë, Ambasada italiane ka pranuar kërkesat deri më 20 qershor.

Të gjitha përfaqësitë diplomatike duhet të kenë një kuadër të qartë të situatës deri në mes të korrikut, për t’ia përcjellë kërkesat universiteteve. Studentëve të ardhshëm nuk u mbetet veçse të presin, vetëm në gusht do të mësojnë nëse do të mund të vijnë në Itali e të kalojnë provimin e parë, atë të gjuhës apo edhe ndonjë tjetër për fakultetet me numër të mbyllur.

Kalendari i përgatitur nga ministria e Universitetit, në bashkëpunim me ministrinë e brendshme dhe të Jashtme, parashikon që vizat e hyrjes të lëshohen brenda 24 gushtit. Kjo gjë, sipas atyre që kanë përcaktuar afatin, duhet t’u lejojë të gjithë studentëve të jenë në Itali brenda 1 shtatorit, datë kur parashikohet të mbahet provimi i gjuhës italiane.

“Koha është e paktë, praktikisht sot të japin vizën, nesër duhet të nisesh. Nuk ke kohë as të organizohesh e shpesh arrihet vonë, kur provimi është dhënë apo kur kanë skaduar afatet për të kërkuar bursën e studimit” thotë Arta Nikaj, kryetare e shoqatës së studentëve shqiptarë të Firencës, ASUF.

Nikaj ka ardhur në Itali në vitin 2003, pikërisht duke ndjekur rrugën e pararegjistrimit. “Në krahasim me vitet e shkuara – tregon – situata është përmirësuar disi, por ende ka mangësi informacioni për çdo hap të procedurës. U besojmë fjalëve të njëri-tjetrit, të bazuara në ato pak lajme që dalin nga konsullata italiane. Shpesh çojmë në konsullatë vetëm një pjesë të dokumenteve e zbulojmë që nevojiten të tjerë. Është një vajtje-ardhje e vazhdueshme”.

E kur mbërrihet në Itali, gjendja nuk përmirësohet. “Studentët e huaj braktisen, mbeten si peshku pa ujë, nuk dinë kujt t’i drejtohen e si të veprojnë. Mbështeten tek miqtë e të afërmit, deri sa gjejnë një dhomë me qira. Zakonisht ia dalin të marrin një dhomë në konvikt vetëm nga viti i dytë” vazhdon të shpjegojë Nikaj.

Ndoshta edhe për shkak të vështirësive të tilla, Italia tërheq shumë më pak studentë të huaj se vendet e tjera të industrializuara. Përbëjnë vetëm 3% të të regjistruarve, ndërsa mesatarja e vendeve të OSBE-së është rreth 8,5%.

Elvio Pasca