mer 26 novembre 2014

Ultimi aggiornamenti01:28:47 PM GMT

Festohet në Vlorë 150-vjetori i Unitetit të Italisë

Vlorë, 17 mars 2011 – Me rastin e 150 vjetorit të Bashkimit të Italisë, Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, në bashkëpunim me "Apulia Film Commission", Institutin Italian të Kulturës në Tiranë, Bashkinë e Vlorës dhe Drejtorinë Arsimore Vlorë, organizoi sot aktivitetin me titull "Bashkimi i Italisë në kinematografi", me praninë e nxënësve të shkollave të mesme të qytetit e studentë të Universitetit "Ismail Qemali", intelektualëve e qytetarëve të shumtë.

Veprimtaria nisi me ekzekutimin e himneve të Italisë dhe Shqipërisë, duke vijuar me përshëndetjen e Konsullit të Përgjithshëm të Italisë në Vlorë, Serggio Strozi, i cili e vlerësoi këtë event si një ndër më të rëndësishmit për Italinë. Më pas vazhdoi me disa projektime kinematografike dhe me ndërhyrjen e Dr. Luigi De Luca, zv/President i "Apulia Film Commission" dhe të Prof. Bardhosh Gaçe, të cilët folën rreth rëndësisë së 150 vjetorit të Bashkimit të Italisë dhe vendin që zë kjo ngjarje në historinë e vendit fqinj.
Aktiviteti kishte si qëllim, veç të tjerash, të stimulojë një reflektim mbi aktualitetin e temave të Rilindjes, Pavarësisë dhe Bashkimit të Italisë dhe mbi ngjashmëritë dhe ndryshimet respektive me Pavarësinë e Shqipërisë.

Në sallë janë sjellë emocione që datojnë nga viti 1821, e përgjatë viteve të mëvonshme. Nëpërmjet imazheve të filmave të shfaqur u përcollën momente të ndryshme që pasqyrojnë luftën dhe përpjekjet për bashkimin e Italisë. Po kështu është folur për figurat e Garibaldit, Massinit, Viktor Emanuelit II, shoqëruar edhe me kontributin e tyre në historinë e Italisë. Prefekti i Vlorës, Eduart Velçani, tha se "personalisht për brezin tim, Italia ka qenë vendi i realizimit të ëndrrave tona dhe pritja që u bëri Italia në '90-ën shqiptarëve, është një tjetër gjest i veçantë për ne".