ven 28 novembre 2014

Ultimi aggiornamenti02:04:07 PM GMT

Kartolina nga Shqipëria – Udhëtim mes të harruarve

Nga shtypi italian

“Dy hapa nga Universiteti i ri dhe 15 minuta me makinë nga Parlamenti, në një geto gjenden të mbyllur të harruarit e Shqipërisë: mijëra persona të padukshëm. Këta në fakt (shqiptarët), mendojnë vetëm të hyjnë në Bashkimin Europian, duke mbytur të vërtetat e pakëndshme në një det përrallash”. Kështu shkruhet në të përditshme italiane Repubblica me të cilin denoncohet një situatë e rëndë ku jetojnë nga 3.000 deri në 5.000 vetë “të padukshëm për institucionet dhe të panjohur nga bota që i rrethon”. Por nga ana tjetër “ekziston një pjesë e Vendit që kërkon të dalë në dritë. Ka nga ata si Dritan Hoxha, 29 vjeç, që është kthyer në vendin e tij për të ndihmuar të harruarit”.

Ja shkrimi i plotë:

Udhëtim mes të harruarve

“Është si një Scampia shqiptare, ku as nuk hyn dhe as nuk del”. Kështu flet Stefano Morelli, autor i këtyre fotove të tmerrshme, të mbledhura bashkë me të tjera në librin “La struttura strappata”, 96 faqe, shtepia botuese Bonanno, 10 euro). Jemi në Institut, një geto në zonën e shkatërruar të Kodrës së Kamzës, në periferi të Tiranës. 200 metra larg Universitetit të ri, ku vajtje-ardhjet e studentëve dhe profesorëve flasin për normalitet të rikthyer, gjenden tetë ndërtesa të mëdha, gati të shkatërruara, të ngritura në vitet ‘50 dhe ‘70, ish-konvikte për studentët e agronomisë.

Në këtë lëmsh korridoresh – në errësirë në çdo orë të ditës – jetojnë si fantazma 600 familje. Nga 3.000 deri në 5.000 persona, pjesa më e madhe analfabetë dhe të papunë, që prej vitesh kanë zënë ndërtesat, pa pasur as ujë e as kanalizime. Të padukshëm për institucionet dhe të panjohur nga bota që i rrethon (përfshirë edhe shkollat dhe spitalet). Nuk dihet numri i fëmijëve.

Mes banorëve të Institutit, ka persona që kanë emigruar nga Kosova dhe nga fshatrat gjatë viteve viteve ‘90, kur Tirana, e menduar për 300 mijë banorë, u trefishua pa asnjë plan rregullues urban. Më të shumtit, megjithatë, janë të arratisurit nga varfëria e veriut. Dhe nga gjakmarrja, trashëgimia tragjike e Kanunit.

“Në Institut ka edhe familje që janë arratisur nga Kanuni. Aty fshehin identitetin e vet, sepse mund të gjenden kudo dhe të vriten”, shpjegon Stefano Morelli. “Problemi i hakmarrjes ekziston dhe është i përhapur. Institucionet shqiptare e mohojnë, sepse përbën një pengesë për hyrjen në Bashkimin Europian”, shpjegon Stefano Gaddini, zëvendëskryetar i kooperativës lukeze Impronta, që prej vitit 2008 viziton rregullisht Institutin, ku përveçse përpiqet të bëjë një regjistrim të popullsisë, ka ngritur edhe një qendër sociale. Këtë e konfirmon edhe Simore Mori, anëtar i Komunitetit Papa Giovanni XXIII, që prej 10 vjetësh punon në veriun e Shqipërisë për të pajtuar familjet në gjak: “Lufta ndaj Kanunit është një prej kushteve për të hyrë ne BE”. Por që duket se nuk merr në konsideratë Institutin dhe të mallkuarit e tij.

Rruga George W. Bush, rruga e Parlamentit, e quajtur kështu në nder të ish-presidentit amerikan, ndodhet vetëm 15 minuta me makinë nga turpi, sipas Google Maps. Aty, në fillim të majit, komisioneri për zgjerim, Stefan Fyle, takoi kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, për të diskutuar mbi hapat për hyrjen e mundshme të Shqipërisë në BE.

Nga ana tjetër ekziston një pjesë e Vendit që kërkon të dalë në dritë. Në jug, për shembull, ku deti nuk ka çfarë t’u ketë zili ishujve të Greqisë, në bregdetin e mbjellë me bunkerë, lindin përditë struktura të reja turistike. “Nga Vlora e poshtë ka zona të mrekullueshme” tregon Stefano.

E janë gjithnjë e më të shumtë të rinjtë shqiptarë që kthehen në Atdhe pas vitesh të kaluara në Itali duke vënë mënjanë paratë e kursyera dhe duke mbledhur një bagazh njohurish që moshatarët italianë duhet t’ua kenë zili. “Janë shumë të ndërgjegjësuar: nga ana tjetër e dinë që kur mbushin 18 vjeç dhe nuk kanë punë riatdhesohen” shprehet Paolo Gaddini për të miturit shqiptarë që mbahen në shtëpinë-komunitet Carlo Del Prete të Luccas.

Ka nga ata si Altin Prenga, 26 vjeç që ka importuar në atdhe restorantin e parë Slow Food, por edhe si Dritan Hoxha, 29 vjeç, që është kthyer në vendin e tij për të ndihmuar të harruarit. Së fundi ka themeluar shoqatën Tartan jo fitimprurëse dhe bashkë me operatorë të tjerë socialë shqiptarë të formuar në Itali, është kthyer në pikë referimi të kooperativës Impronta në zonën e Institutit. Tartan dëshiron të nxjerrë nga frika e dhuna këta mijëra persona, që as nuk njohin yjet e BE-së dhe as detin e kristaltë të vendit të tyre.

Ilaria Lonigro, La Repubblica

Shiko galerinë fotografike “Udhëtim mes të harruarve” të Stefano Morellit të realizuar në Kamëz