Çmimi Strega 2016. Edhe Shqipëria në juri - Shqiptari i Italisë

Kulturë
Nga ky vit, një grup lexuesish shqiptarë, të koordinuar nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, do të gjykojnë veprat e letërsisë italiane

Romë, 22 prill 2016 - Shqipëria do të bëjë pjesë në jurinë e Çmimit Strega. Nga ky vit, ajo do të ketë Grupin e saj të leximit, të koordinuar nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, që do të përbëhet nga përkthyes, botues, italianistë dhe dashamirës së kulturës italiane, do t’u kërkohet të gjykojnë romane italiane.

Fitimi i Çmimit Strega përbën prestigj të madh për veprën dhe natyrisht për autorin. Llogaritet që libri i cili ka fituar Çmimin Strega të pesë fishojë shitjet.

Grupi i lexuesve shqiptarë që do të jenë pjesë e jurisë së Çmimit Strega 2016, do të prezantohet sot, në Ditën Botërore të Librit, nga Instituti Italian i Kulturës, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare, në prani të ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro.

Çmimi Strega, çmimi letrar më prestigjioz italian, u themelua në vitin 1947 në Romë nga Maria dhe Goffredo Bellonci, me kontributin e Guido Alberti, pronar i fabrikës së pijeve Strega Alberti Benevento. Çmimi i jepet çdo vit një vepre të zhanrit të prozës, të shkruar në gjuhën italiane dhe botuar në edicion të parë në periudhën nga 1 prilli i vitit pararendës dhe 31 marsit të vitit në vijim. Ndër shkrimtarët më të njohur që kanë fituar këtë çmim në vite mund të përmendim Cesare Pavese (me “La bella estate”, 1950), Alberto Moravia (“I racconti”, 1952), Giorgio Bassani (“Cinque storie ferraresi”, 1956), Giuseppe Tomasi di Lampedusa (“Il Gattopardo”, 1959), Primo Levi (“La chiave a stella”, 1979), Umberto Eco “Il nome della rosa”, 1980), Claudio Magris (“Microcosmi”, 1997), Paolo Giordano (“La solitudine dei numeri primi”, 2008).

Votuesit e Çmimit Strega janë Miqtë e së dielës, një grup eksponentësh të botës kulturore. Votimi zhvillohet në dy faza. Votimi i parë, për përcaktimin e pesë finalistëve, mbahet më 15 qershor. I dyti dhe shpallja e fituesit, më 8 korrik.