Nga 12 shkurti Ibrahim Kodra do të prehet në Memorialin në Kodrat e Liqenit - Shqiptari i Italisë

Kulturë

Behgjet Pacolli: “U përmbush amaneti i piktorit, poetit dhe humanistit të shquar Ibrahim Kodra për t’u varrosur në Tiranë, diku në kodrat e Liqenit artificial”

Tiranë, 9 shkurt 2016 - Fondacioni “Ibrahim Kodra”, Ministria e Kulturës, Bashkia e Tiranës plotësojnë vullnetin e fundit të Mjeshtrit,  Ibrahim Kodra, “Nder i Kombit” i cili do të prehet në Memorialin në Kodrat e Liqenit, pranë figurave të nderuara të kombit, Faik Konica, vëllezërit  Frashëri.

Sipas Ministrisë së Kulturës, pranë saj është depozituar kërkesa e Behgjet Pacollit dhe Fatos Faslliut, kryetarë të Fondacionit “Ibrahim Kodra” në Lugano dhe në Durrës, lidhur me plotësimin e vullnetit të fundit të vetë piktorit të madh me titull “Nder i Kombit”, Ibrahim Kodra që të prehej në Tiranë, në një vend ku të vizitohej nga bashkëatdhetarë të shumtë të tij. Ky vullnet i artistit Kodra, si pasojë e një moskoordinimi, nuk u plotësua vite më parë dhe eshtrat e tij sot prehen në Ishëm të Durrësit.

Amaneti i Mjeshtrit përmbushet me rastin e 10-vjetorit të ndarjes nga jeta. Në koordinim me Bashkitë Tiranë dhe Durrës janë marrë të gjitha masat për të realizuar më 12 shkurt ceremoninë e nderit, që do të mbahet në Kodrat e Liqenit Artificial, me pjesëmarrjen e personaliteteve më të larta të vendit.

Ministria bën të ditur se Memoriali i vendosur në Ishëm në varrezën aktuale të Maestro Kodrës do të qëndrojnë në Ishëm dhe do të plotësohet me një pllakë përkujtimore ku do të shkruhet: “ISHMI ËSHTE KRENAR PËR BIRIN E VET, PIKTORIN E MADH, NDERIN E KOMBIT IBRAHIM KODRA (1918-2006), QË TANI PREHET SIPAS VULLNETIT TË TIJ TË MBRAMË NË TIRANË, PRANË FIGURAVE TË SHQUARA TË KULTURËS KOMBËTARE”. Edhe vënia e kësaj pllake përkujtimore do të shoqërohet me një ceremoni zyrtare nderimi.

Ministria e Kulturës, në mbështetje të vullnetit të fundit të Mjeshtrit  Ibrahim Kodra, piktorit me famë botërore , është e mendimit se memoriali i tij i vendosur në krah të figurave të mëdha të kombit shqiptar si  Faik Konica dhe vëllezërit Frashëri  nderon  figurën e madhe të Kodrës si dhe do të nderonte shtetin shqiptar në plotësimin e këtij vullnet. Ky Memorial në nder të tij është respekt i emrit, kontributit, dashurisë për figurat e vyera të kulturës shqiptare të cilët kanë lartësuar emrin e kombit në nivele ndërkombëtare.

“Mësuam me kënaqësi të madhe njoftimin për vendimin e qeverisë shqiptare për të përmbushur amanetin e piktorit, poetit dhe humanistit të shquar Ibrahim Kodra për t’u varrosur në Tiranë, diku në kodrat e Liqenit artificial” përshëndet vendimin Behgjet Pacolli në profilin e tij Facebook.

“Me shqetësim, por dhe mirëkuptim për banorët e Ishmit, ne mësuam për rezistencën e një grupi banorësh të fshatit Ishëm për të mos lejuar zhvendosjen e eshtrave të Mjeshtrit të madh drejt Tiranës”, shkruan më tej Pacolli duke shpjeguar: “Ibrahim Kodra e ka përcjellë ligjërisht dhe me zë vullnetin e tij të fundit për t’u prehur pas vdekjes në Tiranë. 10 vjet më parë, një mungesë koordinimi, mosinformimi në kohë, bëri që Mjeshtri të varrosej në Ishëm”.

Sipas tij, ai dhe Fatos Faslliu, bartësit e amanetit të Kodrës, “nuk kanë dashur të krijonin polemika publike me këtë fakt, por kanë kërkuar zyrtarisht që më në fund Maestroja të prehej në Tiranë. Ata kanë zhvilluar korrespondenca me autoritetet shqiptare dhe kanë marrë premtime të vazhdueshme në favor të këtij amaneti nga dy krahët e politikës”.

“Sot që ky amanet po plotësohet, Fondacioni shpreh bindjen se Ishmi, do të vazhdojë të jetë një pikë pelegrinazhi për turistët e huaj nëpërmjet monumentit, apo objekteve të tjera përkujtimore në nder të Mjeshtrit Kodra. – përfundon Pacolli – Vendosja e Ibrahim Kodrës, birit të shquar të Ishmit pranë Panteonit të Rilindasve në kodrat e Liqenit, është nder për Ishmin, për mbarë kombin tonë”.