Poetja Shqiptare Irma Kurti në Amerikë - Shqiptari i Italisë

Kulturë
Nën siglën e Shtëpisë Botuese Transcedent Zero Press boton librin me poezi: “Without a homeland” 

 

Poetja dhe shkrimtarja shqiptare Irma Kurti boton “Without a homeland” (Pa atdhe) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën siglën e Shtëpisë Botuese Transcedent Zero Press. Ky libër është botuar në gjuhën italiane në vitin 2016 si dhe në gjuhën shqipe, në 2017, nga botimet Ada. Është libri i katërt i Kurtit në gjuhën angleze.  

Në parathënien e shkruar nga gazetarja italiane Grazia Pia Licheri veçojmë: “Irma Kurti arrin drejt e në zemrën e lexuesit, duke hedhur poshtë si gjithmonë idenë se poezia është një mjet i zgjedhur për disa, sepse format narrative të mbushura me zbukurime dhe stërhollime letrare nuk i përkasin aspak stilit të saj. Atëherë është emocioni vetë që e merr fjalën përmes një kujtimi, një imazhi, një mendimi, të përshkruara në mënyrë kaq të saktë saqë ta lejojë lexuesin të hyjë në majë të gishtave në jetën e autores, duke ruajtur ndërkohë identitetin e tij. Është pikërisht poezia që i jep titullin pjesës së parë të vëllimit që shpjegon funksionin poetik: ‘Po mundohem të transformoj kujtimet në vargje, që të mos humbin në mendjen time plot shqetësime, të mos i shoh kur si flluska sapuni plasin’. Atëherë poezia bëhet një formë arti e aftë për të ndalur kohën dhe kujtesën si një përcjellje e menjëhershme fjalësh që çdo lexues mund ta pasurojë me universe pafund kuptimesh.” 


Shënime biografike

Irma Kurti është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ka filluar të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël. Në vitin 1980 u nderua me çmimin e parë në konkursin kombëtar me rastin e 35-vjetorit të revistës “Pionieri”. Më 1989 fitoi çmimin e dytë në konkursin e organizuar nga Radio - Tirana, me rastin e 45-vjetorit të çlirimit të Atdheut.

Në publikun e gjerë njihet si krijuese e talentuar dhe e suksesshme e teksteve të këngëve të lehta në anketa muzikore, festivale kombëtare në RTSH e në koncerte pranvere. Ka shkruar rreth njëqind tekste këngësh. 

Ka botuar shtatëmbëdhjetë libra në gjuhën shqipe, njëmbëdhjetë në gjuhën italiane dhe katër në anglisht. Për poezinë dhe prozën i janë akorduar 45 çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali, Zvicër, në Shqipëri dhe SHBA. 

Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër. Bashkëpunon me gazeta të ndryshme në gjuhën shqipe. 

Irma Kurti jeton në Bergamo të Italisë.