Rëndësia e dialekteve - Shqiptari i Italisë

Kulturë
Rëndësia e dialektit qëndron në faktin se është shumë afër me jetën e përditshme e të vërtetë të njerëzve dhe paraqet një larmi rrënjësh historike, kulturash dhe përvojash të njeriut që nuk duhen humbur. Është e rëndësishme të njohim gjuhën kombëtare si mjet komunikimi me njëri-tjetrin, por diversiteti social dhe kulturor në mes të komuniteteve të ndryshme shqiptare është një pasuri që duhet të ruhet, mbrohet, të vlerësohet dhe të shpërndahet
Nga Gino LUKA

Gino LukaPak histori

Dialektet e shqipes janë dëmtuar rëndë gjatë periudhës së pushtimit otoman. Gjatë sundimit të saj prej pesë shekujsh Perandoria Osmane nuk e ka lejuar mësimin e gjuhës shqipe. Megjithatë u shkrua në shqip, në dy dialektet kryesore (gegnisht e toskërisht) deri në vitin 1972, kur u krijua gjuha letrare kombëtare me bazë toskërishten.

Pas 1972-shit, periudha e diktaturës në Shqipëri ka qenë një kasaphanë për dialektet, sipas paragjykimit të rremë të një konflikti ndërmjet gjuhëve lokale dhe gjuhës kombëtare, sipas të cilit, dialektet duhen sakrifikuar në altarin e gjuhës standard, përndryshe shqiptarët do të ktheheshin në dialektet vendase, në kurriz të unitetit...

Ndërsa gjatë viteve të tranzicionit, gjuhëtarët patën “probleme të tjera”... e vitet e fundit politika shkollore nuk i ka kushtuar shumë hapësirë kulturave rajonale, e aq më pak i ka kushtuar vëmendje dialekteve.

Disa gjuhëtarë supozonin se me shpikjen e televizionit e më vonë të internetit (i cili është një nga mjetet e rëndësishme që mund të përdoret për të “mbjellë” farën e një gjuhe standard), dialektet do të homogjenizoheshin dhe njerëzit do të flisnin dialektin e përgjithshëm prestigjioz, të ashtuquajturën gjuhë standard. Por ajo që zbulohet sot është se dialektet nuk janë zhdukur, ata vetëm kanë ndryshuar si rezultat i homogjenizimit të mediave. Dialektet kanë mbetur por duke huazuar fjalë nga gjuha standard.

Çështja trajtohet tani në një perspektivë që mund të quhet ambivalente. Një osmozë konstante dhe pasurim  reciprok midis dialekteve dhe gjuhës së përbashkët.

Gjuha është identitet

Sot njerëzit kërkojnë gjithnjë e më shumë mënyra për ta dalluar veten. Për komunitetet e ndryshme, që flasin një dialekt të veçantë kjo do të thotë "Unë ekzistoj". Pra, gjuha është identitet, është "kulturë". Mënyra se si flasim transmeton një sasi të madhe informacionesh rreth asaj se kush jemi. Për shkak se kemi identitete të veçanta, kemi edhe gjuhë të veçanta.

Dialektet janë shumë të rëndësishëm sepse ata pasqyrojnë, së paku, shumë shekuj histori, duke rrëfyer, me shumëllojshmërinë e tingujve dhe thekseve, ngjarjet, vuajtjet dhe fitoret e arritura.

Në rastin e Shqipërisë, dy dialektet kryesore nuk janë gjuhë në vete (megjithëse ku përfundon dialekti dhe ku fillon gjuha zyrtare është një debat i diskutueshëm në komunitetin e gjuhëtarëve). Sipas profesorit Ugo Vignuzzi, docent i dialektologjisë në Universitetin La Sapienza di Roma: “Nuk ka asnjë ndryshim”, përcaktimi im është se “një gjuhë është një dialekt që ka bërë karrierë”.

Dallimi ndërmjet gjuhës dhe dialektit është thjesht i një natyre politike: çdo dialekt mund të bëhet një gjuhë, me kusht që ajo nuk duhet të jetë vetëm një zgjedhje kulturore, por edhe ekonomike. Dialekti është identiteti, gjuha primare e komunikimit të grupit që shërben për të komunikuar në lidhje me gjërat e përditshme, në qoftë se duam ta kthejmë atë në një gjuhë duhet të ndërtojmë një leksik shkencor, e pastaj burokratik, administrativ dhe teknik, e kjo gjë kushton një thes me para.

Danishtja dhe norvegjishtja janë të kuptueshme reciprokisht, siç është norvegjishtja dhe suedishtja, siç është serbishtja dhe kroatishtja, por, për arsye politike dhe identiteti, të gjitha konsiderohen si gjuhë të veçanta. Kur një norvegjez flet norvegjisht, ai thotë: "Unë jam norvegjez dhe jam krenar që jam norvegjez"...

Shtetet kanë interesa të veçanta ekonomike dhe politike në ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e gjuhës së tyre. Një hap i rëndësishëm në evoluimin e çdo gjuhe është kur një regjistër teknik evoluon në atë gjuhë, që do të thotë se është formalizuar deri në atë pikë sa mund të themelohen universitete që mësojnë vetëm në atë gjuhë, artikujt shkencorë dhe ligjet mund të shkruhen në atë gjuhë etj.

Por, dialekti është pjesë e bagazhit tonë kulturor, që secili prej nesh mbart me vete, dhe është diçka e pashmangshme: na bën të themi se i përkasim një vendi të caktuar në një kohë të caktuar dhe na identifikon e na jep vendin e saktë në historinë tonë personale. Dialekti është si një etiketë që tregon rrënjët tona, është letërnjoftimi ynë. Dialekti i kuptuar si gjuhë është mjet identifikues: llagapet, lokalitetet, bile edhe zona të ndryshme të një qyteti, përcaktohen nga variantet e një dialekti. Dialekti i jep formë të re të fjalëve, herë duke i harmonizuar e herë herë duke i ngurtësuar ato.

Një shembull i zakonshëm është fenomeni i të rinjve të ardhur vitet e fundit në Tiranë p.sh. që dëgjojnë muzikë rap e që zgjedhin me vetëdije ose pa vetëdije një dialekt urban të gjuhës shqipe i cili nuk është folur më përpara e ndaj të cilit nuk kanë qenë të ekspozuar asnjëherë.

Përzierja që rezulton midis dy dialekteve, pra i dialektit amtar dhe i “gjuhës standard” që mësohet në qytet (në fakt është përzierja e dy dialekteve), i komunikon pjesës tjetër të botës diçka rreth personit që e ka përvetësuar atë.

Dialekti është shprehja e një populli, është si një kostum i bërë me porosi, është si një sfungjer që thith fakte, ngjarje, vende, njerëz dhe na i kthen këto fakte, ngjarje, vende e njerëz, me një profil dhe një identitet të saktë, e ajo që është kryesorja na jep njerëz me shpirt.

Me dashtë nji dialekt e me e perdorë në jeten tonë të përditshme, don me thanë me ia mësue fëmijëve, e asht si me dashtë vedin, don me thanë se kena nji pasuni të madhe e kjo asht trashigimija e historisë sonë.

Tullio de Mauro thotë: La lingua italiana era una lingua seconda, da insegnare come tale, a partire dalla prima, cioè dal dialetto. “Gjuha italiane ishte një gjuhë e dytë, e duhej mësuar si e tillë, duke filluar nga gjuha e parë, pra nga dialekti.” (nga libri: La lingua batte dove il dente duole) “Ku dhemb dhëmbi, vete gjuha” / Shkon gjuha ku dhemb dhambi)”.

Vlera e dialektit

Rëndësia e dialektit qëndron në faktin se është shumë afër me jetën e përditshme e të vërtetë të njerëzve dhe paraqet një larmi rrënjësh historike, kulturash dhe përvojash të njeriut që nuk duhen humbur.

Është e rëndësishme të njohim gjuhën kombëtare si mjet komunikimi me njëri-tjetrin, por diversiteti social dhe kulturor në mes të komuniteteve të ndryshme shqiptare është një pasuri që duhet të ruhet, mbrohet, të vlerësohet dhe të shpërndahet.

Është fakt se dialekti ka një forcë shprehëse dhe përshkruese të mirëfilltë që rrjedh nga verizmi i tij; është mjeti që shpreh më mirë ndjenjat, vlerat, kulturën, shpresat, me të cilat përshkojmë shtigjet e kujtesës së ndotur keqas nga jeta e ethshme moderne.

Nga veriu në jug, gjatë historisë sonë kemi pasur shkrimtarë e poetë, e këta autorë e kanë shprehur veten e tyre me anën e dialekteve përkatëse, me rezultate të shkëlqyera: Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Faik Konica, Ernest Koliqi, Ndre Mjeda, Fan Noli, Ndoc Nikaj, vetëm për të përmendur disa. Pa përmendur veprat e shumta të shkrimtarëve lokalë, disa prej tyre kanë shkruar me të vërtetë mirë, por janë kufizuar nga shpërndarja e pasuksesshme e veprave të tyre. Emrat janë të shumtë, por këta duhet të mjaftojnë. Qëllimi i këtij shkrimi nuk është të ofrojë një histori të gjuhës e letërsisë shqipe, por të nxjerrë në pah se dialektet nuk janë një zvetënim i gjuhës shqipe, por gjuhë që si përrenjtë që furnizojnë me ujë lumin ashtu edhe ata furnizojnë me fjalë e shprehje gjuhën kombëtare.

Prandaj, është e nevojshme, brenda një projekti më të gjerë të letërsisë kombëtare ta fitojmë edhe një herë këtë trashëgimi gjuhësore dialektore, me të gjithë pasurinë e saj, shumëllojshmërinë, bukurinë dhe domethënien e saj.

"Nji katundar qi flet dialektin e vet asht zot i tanë realitetit të vet." Kështu ka pasë shkrue Pier Paolo Pasolini.

Pasolini ka parë te dialekti mbijetesën e asaj që është ende e pastër dhe e “pandotur”. Si i tillë dialekti duhet të ruhet dhe të mbrohet.

Sa dialekte ka që fliten akoma në Shqipëri e në rajone të tjera jashtë Shqipërisë? Sipas vlerësimeve nga shumë gjuhëtarë ata janë shumë. Por mbijetesa e tyre, thonë ata, "rrezikohet seriozisht". Zhargonet e të rinjve, frazeologjitë që lidhen me modën e me diktaturën e televizionit, janë duke rrezikuar të folurat e çmueshme dhe shumëngjyrëshe lokale.

Më shiko në sy kur flet me mua!

Tashmë në epokën e globalizimit, ku mbretëron sovran interneti, ku komunikimet bëhen me chat, që nga njëra anë është rezultat i progresit të pashmangshëm, nga ana tjetër kënaqësia e komunikimit duke shikuar njëri tjetrin në sy nuk ekziston më. Ata persona që sot flasin në dialekt duken anakronikë.

Nënvlerësimet apo më keq, harresa e të folurave lokale është një gabim që ka lidhje me paragjykimet e vjetra sipas të cilave dialektet janë thjesht degjenerimi i  një gjuhe amtare standard.

Gjuha jonë amtare, e kjo duhet të jetë e qartë, nuk është shqipja standard! Gjuha jonë, nuk është ajo gjuhë që u ngrit kryesisht nga dialekti toskë e në sajë të disa gjuhëtarëve dhe shkrimtarëve i ka dhënë jetë më pas gjuhës kombëtare. Prandaj, larg nga të qenit forma të dekadencës së shqipes, dialektet të gjithë kanë dinjitetin e tyre.

Humbja e të folurave lokale, ajo reale, duhet të luftohet, sepse ato përfaqësojnë praninë e vazhdueshme në kohë të një tradite të gjallë kulturore. Vitaliteti i jashtëzakonshëm i dialektit, nga ana tjetër, është një dëshmi e huazimeve që i jep gjuhës kombëtare; huazime me anë të të cilave e ndihmon që të bëhet më e gjallë dhe shprehëse.

Vetëm një përqindje e vogël e shqiptarëve flasin vetëm gjuhën zyrtare kombëtare. Të tjerët mbështeten në të, vetëm kur rrethanat e veçanta shoqërore e kërkojnë. Për shembull, në qoftë se shkojmë në një qytet verior, e atje dëgjojmë, me habi e kënaqësi se papritmas dikush flet dialektin tonë, menjëherë i flasim në dialekt. Pra, është e natyrshme që ta përdorim, edhe pse zakonisht mund të flasim gjuhën standard. Duket sikur përdorimi i dialektit amtar të përvijonte një linjë bashkimi mes nesh dhe të tjerëve, dhe të shënonte përkatësinë tonë në një hapësirë traditash dhe vlerash të përbashkëta. Por, përdorimi i saktë i gjuhës shqipe është i domosdoshëm për të gjithë.

Për rëndësinë e të folurave lokale dhe rajonale janë patjetër të bindur në qytete të ndryshme të Italisë veriore, ku është planifikuar të futen në shkolla kurse të mirëfillta zyrtare për të mësuar kulturën e dialektit të rajonit të tyre. Një propozim, jo vetëm i partisë Lidhja Veriore, e cila ka për qëllim të ndihmojë të rinjtë të hyjnë në kontakt me shprehje më pak të njohura kulturore, si shprehje të trashëguara gojarisht, anekdota historike të gjalla, fjalë të urta akoma aktuale, përralla dhe legjenda, nëpërmjet të cilave një popull ka shprehur dhe treguar veten gjatë historisë së tij.

Në këtë kuadër dhe të drejtuara me frymën e duhur, këto iniciativa janë pozitive. Sigurisht, ata nuk janë të tilla në qoftë se shndërrohen në një instrument politik, në qoftë se nevojiten për të ushqyer separatistë shpirtvegjël. Në thelb: lokalizmi është i dobishëm në qoftë se përkthehet në një ringjallje dhe rivlerësim të veçorive, jo vetëm gjuhësore, të rajoneve të ndryshme. Por krijon efektin e kundërt dhe bëhet i dëmshëm atëherë kur lidhja me atë që ne njohim si të tonën bëhet mungesë konsiderate ose, më keq akoma, përbuzje për atë që ne e perceptojnë si të huaj.

Gjuha shqipe, dialektet nuk janë zvetënimi i saj

Me pak fjalë, shtetasit duhet të dinë të përdorin gjuhën kombëtare në mënyrë korrekte që të kuptohen të gjithë me njëri-tjetrin. Megjithatë, ajo që është shumë e rëndësishme: ata duhet të jenë të vetëdijshëm në lidhje me dialektin e tyre, për të ruajtur zakonet dhe traditat që janë të shtrenjta dhe që na përfaqësojnë. Deri tani, ata që e mbajnë gjallë dialektin janë kryesisht të moshuarit...

Kur flasim për gjuhën shqipe nënkuptojmë të gjithë dialektet shqip, por në fakt nuk janë dialektet e gjuhës shqipe: janë dialektet që kanë krijuar gjuhën shqipe. Pra, ekzistojnë dialekte që përmblidhen si dialekte të vendeve shqipfolëse, sigurisht, por jo dialektet e shqipes (shqipja standard u krijua pas vitit 1972). Kjo është një çështje e rëndësishme, kur shumica jonë është rritur  me idenë se gjuha “prishet” nga dialekti, dhe se pikërisht dialekti nuk është gjë tjetër veçse një shtrembërim, si të themi, i standardit (ai i koduar nga gramatikat). Faktet nuk e dëshmojnë absolutisht këtë gjë, sepse vetë shqipja është kryesisht zhvillimi i një dialekti.

Shqipja, pra, është rezultat i evolucionit të një dialekti (toskërishtes) i cili i është nënshtruar një procesi kodues dhe standardizues, për të cilën gjë është diskutuar shumë... Me fjalë të tjera, me anë të gramatikave (kode, pra) shqiptarët kanë mësuar të njohin tiparet e një gjuhe të cilës të gjithë ne sot i referohemi (një gjuhë standarde, për të qenë më të saktë).

Kjo mund të jetë e mjaftueshme për të kuptuar se, nëse shqipja e sotme rrjedh nga një dialekt, dialekti nuk mund të jetë zvetënimi i saj, përkundrazi. 

Kur themi se gjuha është në evoluim të vazhdueshëm, këtë ne nuk e bëjmë më tepër për të justifikuar studimet në lidhje me fjalët sesa për të njohur faktet. Ne e dimë se të gjitha gjuhët e tanishme janë rezultat i evolucionit të gjuhëve të vjetra dhe gjuhët e së ardhmes do të jenë rezultat i ndryshimeve të cilave u nënshtrohen gjuhët e sotme. Ndryshimet që po ndodhin, me pak fjalë, janë reale.

Dikush mendon se dialektet nuk kanë një gramatikë. Pikërisht këtë dikushin duhet ta bindim për të kundërtën: mendoj se secilit nga ne i ka takuar të dëgjojë ndonjëherë dikë që flet në një dialekt që na ka bërë të qeshim... Arsyeja mund të varet jo vetëm nga një emër i gabuar apo një shqiptim i gabuar, por edhe nga frazat e ndërtuara në mënyrë jo të saktë; pra nga një sërë gabimesh të cilat e largojnë folësin nga rregullat e dialektit.

Në qoftë se dialekti ka një gramatikë dhe shqipja rrjedh nga dialekti, çfarë, atëherë, është dallimi në mes njërës dhe tjetrit? Cila është arsyeja për të cilën ne nuk e përdorim dialektin me shkrim, në dokumentet zyrtarë dhe në shkresat burokratike? Përgjigja qëndron në vetë pyetjen: sepse dialekti i vjetër është koduar dhe është zgjedhur si gjuhë standarde, gjuhën, që ne të gjithë e pranojmë.

Dallimi, pra, nuk qëndron në praninë apo në mungesën e një gramatike (edhe pse dialektet kanë një fjalor më të varfër se gjuha kombëtare), njëri dialekt nuk është zvetënimi i tjetrit, por duhet të kemi parasysh rolin social dhe politik që këto dy realitete gjuhësore do të marrin me kalimin e kohës. Fakti se, ironikisht, shqipja standard mund të shndërrohet në një dialekt dhe një nga dialektet ekzistuese mund të bëhet gjuhë standarde në të ardhmen, nuk duhet të na frikësojë...

Gjithmonë duhet të jemi të kujdesshëm ndaj atyre që nuk e njohin dialektin e tyre dhe kërkojnë të na flasim vetëm gjuhën standard: dialekti është forma jonë “e parë”, ajo që më shumë se çdo gjë tjetër na lidh me origjinën tonë dhe komunitetin tonë. Disa nga dialektet e Shqipërisë kanë histori shumë të bukura (dialekti arbëresh p.sh.); histori që nuk duhen harruar, absolutisht. Mjafton të mendojmë se ata që kanë jetuar përpara nesh kanë folur në dialekt, e ne sot flasim ndryshe: secili dialekt, me pak fjalë, është një dëshmi. Pse duhet të punojmë për t’i eliminuar ato, (edhe pse është e pamundur) siç pohojnë disa persona të ngacmuar nga errësira e injorancës së tyre?