Ballakumet e Ditës së Verës - Recetë Elbasani - Shqiptari i Italisë

Lifestyle
Në Elbasan, Dita e Verës nuk mund të imagjinohet pa ballakumet. Nëse doni edhe ju t’i bëni vetë në shtëpinë tuaj, kudo që jeni, më poshtë receta e dërguar nga Sytki Çerekja:

 

Përbërësit për përgatitjen e 15-20 ballakumeve:

1 kg sheqer i imët,
400 g. gjalp (ose dhe 450 g.), mundësisht prej qumështit të dhive, ose dhe lopëve,
1 kg miell misri i situr imët,
7 kokrra vezë (ose dhe 8) të freskëta,
1 filxhan qumësht,
1 filxhan miell gruri.

Përgatitja:

Merret një enë e madhe, prej bakri do të ishte e mira, por në mungesë edhe plastike nuk prish shumë punë. Tëlyni (gjalpi) një sasi prej 0, 4 kg, mundësisht nga qumështi i dhisë, ose dhe i lopës, vihet në zjarr jo të fortë derisa të tretet i gjithi dhe hidhet tek ena e madhe ku hidhet dhe 1 kg sheqer i imët dhe përzihet gjatë, papushim (me lugë druri, ose dhe me dorë) derisa të bëhet një masë homogjene.
Në një enë përziejmë vezët e thyera me qumështin dhe e trazojmë. Mbi masën në tenxhere hedhim një filxhan me lëngun e vezëve një e nga një çdo 5 minuta, duke mos pushuar rrahjen e masës së përgatitur, deri kur e mbarojmë të gjithë masën e vezëve.
Pastaj fillojmë të hedhim dalëngadalë nga pak miell misri, derisa të mbarojë e gjithë masa prej 1 kg miell misri (i situr imët) dhe pa pushuar së rrahuri me lugën e drurit. Këtë masë e lëmë rreth 15 -20 minuta që të pihet (grimcat e miellit thithin lagështinë e tepërt), që të mos mbesë e qullët. Po të ketë nevojë mund të hidhet dhe një dorë miell, por kujdes se po të hidhet shumë miell ballakumet bëhen të forta.
Marrim tepsitë, i pudrosim me një dorë mielli gruri e vendosim topat (gati sa një grusht) me masën e përgatitur. Këto dërgohen në furrë ku i pjek mjeshtri, ose futen në stufën elektrike në temperaturën 170º C, ku i lëmë afërsisht deri në 30 minuta, duke e parë shpesh me kujdes derisa të formojnë një kore, jo të skuqen. Nxjerrim tepsinë jashtë dhe e lëmë pak të ftohet, që kur t'i vëmë thikën poshtë të shkëputen lehtë nga tepsia.  

Ju bëfshin mirë dhe Gëzuar Ditën e Verës!

Advertisement