“Muri i Madh” digjital kinez censuroi Eugent Bushpepën për shkak të tatuazheve - Shqiptari i Italisë

Lifestyle

“Kulturë dekandente!” ishte komenti i censuruesve kinezë të Mango Tv për Eugent Bushpepën e O’Shaughnessy, këngëtarin e Irlandës.
E mua m’u kujtua një rast tatuazhi i fshehur në Shqipërinë e diktaturës dhe të censurës: Gëzimi me tatuazhin në parakrah…
Nga Adela Kolea

Gjatë  Eurovision Song Contest 2018 pati dy raste censure nga Kina.
I vetmi kanal televiziv kinez, i cili gëzonte të drejtën e transmetimit të Eurovizionit, Mango TV, pjesë e platformës Hunan Tv, censuroi dy shfaqje këngëtarësh gjatë gjysmëfinales së parë.
Ata ishin: Eugent Bushpepa, përfaqësuesi i Shqipërisë, me motivacionin:  “Ka tatuazhe!” dhe Ryan O’Shaughnessy, përfaqësuesi i Irlandës, me motivacionin: “Balet gay!”

Televizioni kinez pati hapur një fushatë kundër tatuazheve, duke kufizuar shfaqjet   në ekran të aktorëve, artistëve, sportistëve që i mbartin ato në trup. Shumë sportistëve, në Kinë u është kërkuar që në fushë  tatuazhet t’i mbulojnë me ngjitëse.
Njëkohësisht kanë ndaluar shfaqjen në ekranet kineze të çdo episodi homoseksual.
Madje nga ana ime, duke u afruar finalja, pas asaj që ndodhi me censurën e Bushpepës që natën e parë nga Kina, sapo isha përgatitur që të drejtoja një “apel” edhe ndaj këngëtarit Fabrizio Moro, i cili do të këndonte me Ermal Metën në finale, e që në duet përfaqësonin Italinë, pasi edhe Moro ka tatuazhe nëpër krahë e duar e do ta paralajmëroja, unë - sikur askush tjetër të mos e kishte lajmëruar, si të themi - që t’i mbulonte mundësisht ato tatuazhe, vetëm e vetëm që të mos kusht
ëzonte edhe Ermal Metën që këndonte me të e që Kina do t’i censuronte që të dy! E në këtë mënyrë, Kina e publiku i shumtë kinez nuk do të na njihnin as aftësitë si këngëtar të Ermalit tonë të talentuar shqiptar! 
Largpamëse e parashikuese unë me pak fjalë! Por, nuk qe nevoja e asnjë “apeli” të këtij tipi.

Prej këtu, në mënyrë politikisht korrekte, i mbërriti Kinës reagimi i Shoqatës Evropiane  European Broadcasting Union (Ebu), që organizon Festivalin dhe e shpërndan atë nëpër botë, i cili i komunikonte se Kinës pra, nuk i lejohej të transmetonte fare as pjesën që mbetej nga Festivali, për shkak të kësaj censure që ajo i aplikoi Shqipërisë dhe Irlandës. Ndaj Kina nuk transmetoi më gjysmëfinalen e dytë e as finalen.
Kjo shoqatë i parashtroi Kinës shpjegimet e reagimit të saj mospajtues  ndaj censurës së “Murit të Madh Digjital Kinez”, me motivacionin:
”Qendrimi juaj nuk është në linjë me vlerat e universalitetit dhe ato të gjithëpërfshirjes, me traditën tonë krenare të kremtimit  të ndryshueshmërisë  njerëzore  nëpërmjet muzikës.”

Censura kineze ndaj këngëtarit shqiptar Bushpepa prej tatuazheve, më kujtoi një histori të çuditshme shqiptare “me tatuazh” në Shqipërinë e diktaturësMë kujtoi jo vetëm censurën ekzistuese ndaj programeve televizive dhe mënyrat që gjenim duke krijuar  instrumente që instaloheshin pas televizorëve për të përfituar stacionet e huaja, Jugosllavinë p.sh, por edhe im atë që kthente antenën në mënyrë strategjike në tarracë të pallatit fshehtas për të zënë valët e Italisë, aq sa ndonjëherë ka marrë edhe ndonjë kritikë për këtë nga kryetari i Frontit të Lagjes. 

Por, kryesisht, më solli në mend raportin me “shfaqjet e huaja” në Shqipëri, me ato që në këtë rast lidheshin me pamjen e jashtme, estetikën: modele flokësh si për femra, edhe për meshkuj, ndalimi i mjekrës për meshkujt  apo ai i flokëve të gjatë, ndalimi i makijazhit në femrat e pamartuara, veshja, që po të dilte pak nga cliché-ja e kufizuar e stilit të veshjes që diktatura impononte, përfundoje nëpër kënde fletë rrufeje etj.
Jo më, të bëhej fjalë për tatuazhe apo piercing!

Xhaxhi Gëzimi dhe misteri i mëngëve të gjata të këmishave në zheg të verës

Atëherë, unë mbaj mend që  në kohën e diktaturës në Shqipëri, në vitet ’80 në Tiranë kishim një fqinj. Ai sot është rreth të 80-ve, d.m.th pak a shumë, mosha  e babait tim. E quanim xhaxhi Gëzimi.

Por ne, atëherë adoleshentë, të rinj në moshë, nuk e kuptonim arsyen pse xhaxhi Gëzimi, edhe në verë, në mes të zhegut, dilte në xhiro i veshur gjithnjë me këmisha me mëngë të gjata e asnjëherë me mëngë të shkurtra! Ai nuk i zbulonte kurrë parakrahët! Nuk ishte as polic që mund të vishej si me uniformë apo si civil e as ushtarak.
Aq sa qe kthyer edhe në një farë objekti loje apo talljeje nën zë nga ana jonë, që sa e shihnim të kalonte para pallateve tona në mes të korrikut apo gushtit, me mëngë të gjata, fillonim dhe e merrnim nëpër gojë:
“Plasi vape i shkreti! Nuk e ka një bluzë me mëngë të shkurtra, ky po vdes nga vapa!?”   

Një ditë, ngaqë ai e kishte vënë re që ne fëmijët e shihnim të habitur në mënyrën e veshjes  së tij, pak si rrjedhim i asaj që, kuriozitetit të fëmijëve nuk i shpëton asgjë -dhe  kurioziteti në atë moshë bëhet madje i paskrupullt - pati vënë re reagimet tona e siç duket, kishte biseduar me ndonjërin nga prindërit tanë.
Kjo mjaftoi që neve, prindërit të na merrnin mënjanë e të na flisnin, duke na urdhëruar që të mos talleshim më me mëngët e gjata të këmishës përgjatë  zhegut  të verës të xhaxhi Gëzimit!
Na patën shpjeguar edhe arsyen “e sikletshme”! Aq sa, nga ajo gjendje ankthi që na patën krijuar prindërit me atë tregim, unë fillimisht pata krijuar një sens keqardhjeje, pasi pata menduar se xhaxhi Gëzimi ka ndonjë patologji të rrallë, ndonjë problem dermatologjik shëndeti apo mos ishte i gjymtuar në krahë, ndaj i mbante të mbuluar. Por, asnjë prej këtyre hipotezave të mia nuk qendronte!

Xhaxhi Gëzimi, kur kishte qenë i ri, gjatë kohës kur kryente shërbimin ushtarak, kishte pas bërë në parakrah një tatuazh!
Ne atë kohë, kur ai kishte kryer ushtrinë, d.m.th, rreth viteve ’60 në Shqipëri, këto tatuazhe i bënin - me ç’më tregonin - me nismën e fantazinë e tyre djemtë e rinj të asaj kohe, me mjete rrethanore, gjilpëra të nxehta e me bojë të zezë! Por, me kohët që rridhnin në Shqipëri, pasi vrulli i moshës së re i kishte kaluar natyrisht, ai ishte martuar e ishte bërë me tre fëmijë, me një pozicion social të denjë, i vinte zor që të qarkullonte me atë tatuazh në parakrah, gjë kundër etikës në një periudhë kur në Shqiperi, këto gjëra nuk shiheshin me sy të mirë e ai nuk mund të bënte trasgresivin në një kafaz censure si ai i asokohe atje e vetvetiu i lindnin komplekse. Natyrisht, ai që i mbarte në trup që nga rinia  këto “njolla të përhershme” estetike, që ktheheshin automatikisht edhe në shenja morale, nëse  nuk mund t’i eliminonte më ato “gabime rinore”, të paktën duhej të mos i ekspozonte e t’i administronte me kriter!
Ndryshe nga sot, që ato bëhen kryesisht për t’u ekspozuar!
Dhe fati i keq i xhaxhi Gëzimit, kishte qenë pikërisht vendi jo “strategjik”, në të cilin kishte bërë tatuazhin e tij të famshëm: një anije në parakrah! Mesa duket e kishte kryer shërbimin ushtarak në marinë.  E kishte bërë pra, jo në një vend të padukshëm apo që, gjithsesi, nga rrobat të mbulohej pa i krijuar problem! Por, në parakrah dhe aty, ai mund të mos vuante prej persekutimit e ankthit të atij tatuazhi, vetëm në dimër kur visheshin mëngët e gjata, ndërsa në verë kjo gjë bënte që t’i fillonte tortura! E për një anije, jo më, për ndonjë figurë tjetër…!  Ishte imazhi i njeriut të ri socialist që duhej të figuronte  i pastër, qelibar!

Që nga ajo ditë, ne nuk qeshëm më me xhaxhi Gëzimin i cili, ca për karakterin e tij të rezervuar dhe ca për kohën e diktaturës e censurës që kalonte Shqipëria, dilte dhe në zheg të verës me mëngë të gjata, duke maskuar tatuazhin në parakrah, këtë “mëkat apo nxitim të rinisë”!
Madje, më qe krijuar ideja, si tip që shkoja gjithnjë larg me fantazi që e vogël, se ajo anije, që xhaxhi Gëzimi mbante si tatuazh në parakrah, dalëngadalë, nga djersët që atij të gjori i kullonin nga vapa nën mëngët e gjata të këmishave edhe mes të zhegut të verës, po fillonte të merrte lundrimin kushedi se drejt cilit port…

Një tatuazh, një fat i parapërcaktuar

Me eksodin e ’91-shit, ndonëse tashmë në gjysmë moshë, bashkë me familjen,  zoti Gëzim u gjend mbi anijen që do t’i sillte drejt brigjeve italiane.
Ishte hera e parë që mbi atë anije, Gëzimi kishte veshur një këmishë me mëngë të shkurtra, parakrahët zhveshur më në fund nga komplekset, në parakrahun e tij të djathtë dallohej qartë anija e bërë tatuazh në rini dhe, atyre të rinjve, moshatarëve të djalit të tij, bashkëudhëtarë të atij rrugëtimi drejt lirisë, ai u mburrej duke u thënë:
“Unë kam një lidhje të vjetër shpirtërore me detin, unë detin dhe anijet i kam pasur gjithnjë në shpirt, ndonëse për kaq vite kam jetuar në Tiranë. Unë ushtrinë e kam bërë në marinë dhe shihni se ç’tatuazh të bukur me anije që mbaj në parakrah! Gjë që ju të rinjte nuk e keni…!”
“Unë një tatuazh do ta bëj sapo të gjendem në Itali!”-
iu përgjigj një zë nga bordi i anijes…
Ishte një i ri që i lumtur po shijonte lirinë, ndonëse i mbështjellë nga pasiguria për çka e priste në bregun tjetër.
Tatuazhi në atë periudhë për dikë nga të rinjtë shqiptarë ishte i barasvlefshëm  pse jo, me trasgresionin që përkonte me rebelimin e drejtpërdrejtë ndaj diktaturës e censurës prej nga vinin.

In italiano: La Grande Muraglia Digitale Cinese censura Eugent Bushpepa per i tatuaggi!

 

Advertisement