lun 24 novembre 2014

Ultimi aggiornamenti09:05:35 PM GMT

Tragjedi familjare në Lecco. Nëna vret me thikë tre vajzat e saj

Edlira Dobrushi, 37 vjeçe, ka pranuar krimin: “I vrava unë. Isha e dëshpëruar”

Romë, 9 mars 2014 – Një tragjedi e mirëfilltë ka goditur një familje shqiptare në Lecco e ka tronditur të gjithë komunitetin. E lënë nga i shoqi, që të premten ish nisur për në Shqipëri, një nënë 37-vjeçe, Edlira Dobrushi, ka vrarë me thikë tre vajzat e veta, Simonën 13 vjeçe, Keisin 10 dhe Sidnin 4 vjeçe. Gruaja është gjetur nga karabinierët në gjendje konfuzionale para derës së apartamentit të saj e mbuluar në gjak. Ka pranuar menjëherë vrasjen e tre vajzave: “E bëra unë. Isha e dëshpëruar”.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e të dielës, në katin e dytë të një pallati në rrugën Bergamo në periferi të Leccos. Rreth orës 6.30, një nga fqinjët është zgjuar nga të bërtiturat që vinin nga apartamenti i familjes shqiptare. Fqinji ka dalë nga apartamenti i tij dhe është gjendur përballë Edlira Bodrushit e mbuluar në gjak. Ka dhënë menjëherë alarmin duke telefonuar Karabinierët dhe Ndihmën e Shpejtë.

Kur karabinierët u futën në shtëpinë e Dobrushit, u gjetën përballë një skene të tmerrshme: tre vajzat ishin shtrirë njëra krah tjetrës në krevatin e madh, por nga shenjat e gjakut nëpër shtëpi, kuptohej se ishin vrarë në dhoma të ndryshme e më pas ishin sistemuar aty. Gjithnjë në apartamentin e kasaphanës kanë gjetur edhe dy thikat e përdorura nga nëna për krimin e trefishtë.

37-vjeçarja është çuar menjëherë në spitalin Manzoni të Leccos ku i janë verifikuar të prera me thikë në duar, krahë dhe bark por që nuk i vënë në rrezik jetën. “Jam vetëm. Nuk më ndihmon njeri. Nuk ia dilja dot më” ka pohuar gruaja në prani të mjekëve. Në bazë të aktit të tmerrshëm duket se ka qenë frika nga e ardhmja e pasigurt që e priste atë dhe të bijat pas ndarjes kohët e fundit nga i shoqi. Një frikë e kthyer tashmë në depresion të thellë. I shoqi, 45-vjeçari Bashkim Dobrushi, prej 15 vjetësh në Itali, mekanik në një ndërmarrje të zonës, prej disa muajsh ishte larguar nga shtëpia e kishte shkuar të jetonte te i vëllai, gjithnjë në Lecco, dhe nga e premtja ishte nisur për në Kukës, pikërisht për t’u shpjeguar familjarëve arsyet e ndarjes. Kështu u ka shpjeguar karabinierëve që e kanë arritur ta kontaktojnë në mesditë për t’i dhënë lajmin e zi.

Edlira Dobrushi është arrestuar me akuzën e vrasjes së tre personave me rrethanat rënduese të lidhjes familjare.