1989, kur Nënë Tereza vinte për herë të parë në Tiranë - Shqiptari i Italisë

Shqipëri-Itali
Në gusht 1989, Nënë Tereza arrinte më në fund të hynte në Shqipëri pas shumë përpjekjesh të mohuara më parë nga regjimi komunist.
Marrim dhe me kënaqësi botojmë kujtimet e mjekut shqiptar  me nobelisten e paqes në takimet me të gjatë vizitave në Shqipëri.
Nga Prof. Lutfi Alia, Siena

Pas shumë vite kërkesash insistuese personale dhe zyrtare, më së fundi, në gusht të viti 1989 Agnes Gonxhe Bojaxhiu - Nënë Tereza, e realizoi deshirën e madhe, si u shpreh para largimit: "vizitova vendin tim të dashur Shqipërinë dhe takova popullin tim". Nobelistja me famë botërore Nënë Tereza, është personaliteti i parë shqiptar, që i parapriu dhe i hapi rrugën integrimit të vlerave kulturore të shumë personaliteteve të tjera shqiptare, që do t'i rikthe-heshin publikut tonë disa vite më vonë si Martin Camaj, Isuf Luzaj, Xhim Belushi, Sten Dragoti etj.

Për opinionin shqiptar dhe të huaj, vizita e Nënë Terezës - misionare katolike dhe humanitare e shquar ishte befasuese, duke menduar se regjimi komunist, të dyja këto i kishte të ndaluara,  por nga ana tjetër ardhja e Nënë Terezës ishte mirësia dhe sinjali i parë i ndryshimeve pozitive, që do të përfshinin jetën shqiptare, madje kjo vizitë i parapriu lirisë të besimeve fetare, që u shpallën një vit më pas dhe ndryshimeve të medha politike e sociale, që e çuan Shqipërinë në rrugën e demokracisë.

Opinioni zyrtar i kohës e konsideroi "vizitë private", apo "vizitë jozyrtare", por për mendimin tim, pavarësisht nga motivimi burokratik, ardhja e Nënë Terezës ishte rikthimi në vendin e vet, ardhje në "gjini" dhe pse për shumë vite kjo e drejtë i ishte mohuar me justifikime absurde politike dhe pa asnjë bazë morale e njerëzor.

Duke pranuar ardhjen e Nënë Terezës, regjimi konservator i kohës bëri një hapje të ndrojtur, për t'i treguar opinionit të brendshëm dhe atij të jashtëm se po ndryshonte. Vizita e Nënë Terezës u prezantua me lajme të kontrolluara, duke i ofruar popullit vetëm takimet me zyrtarët e regjimit, vizitën në varrezat e dëshmoreve dhe  për "të shpëtuar shpirtin e tyre mëkatar", njoftuan shkurt vizitën në varret e nënës Drane dhe motrës Age, në varrezat e Tiranës, ku e shoqëroi Marie Kraja dhe vizitën ne spitalin onkologjik, e shoqëruar nga Dr Adelina Mazreku.  Kuptohet se gjithçka ishte organizuar brenda kornizave të burokracisë komuniste, një vizitë protokollare, me pak publik të zgjedhur, por kjo hapësirë zyrtare ishte tepër e ngushtë për dimensionet gjigante të Nënë Terezës.

Ndryshe nga pala pritëse, Nënë Tereza mbante qëndrim të thjeshtë, pa asnjë lloj formalizmi, pa sjellje artificiale dhe e shpenguar nga zyrtarizmi, çka e rriste edhe më shumë madhështinë e shpirtit të saj fisnik. Në takimin me presidentin Ramiz Alia, gjatë gjithë kohës, Nënë Tereza i a mbajti duart shtrënguar, i foli hapur me dashuri nëne, duke e quajtur "biri im", ndërsa presidenti u mundua të tregohej miqësor, por nuk harroi dhe ta gënjente, duke i thënë se në Shqipëri nuk kishte të varfër e as të braktisur dhe kësisoj i mohoi kërkesën, për të hapur në atdhe, shtëpinë e misionit të bamirësisë, ndërkohë, që ajo i kishte hapur në 96 vende të botës, madje dhe në vendet më të zhvilluara si USA, Anglia, Kanada, Itali, Franca etj. Propaganda e kohës e mbajti të fshehur këtë rrethanë, ndërsa në takimin e R. Alisë me intelektualet e kryeqytetit, Ismail Kadare, protestoi ashpër duke thënë: "i thatë gënjeshtra një plake të shkretë".

Nënë Tereza pothuajse nuk njihej në Shqipëri, ndërsa figura e saj kishte pushtuar mbarë botën, jo vetëm si misionare katolike, por dhe si bamirëse e Mission of Charity, si personalitet i shquar i veprimtarive humanitare. Qendra e aktivitetit të saj është Kalkuta, ku ndodhet "Shtëpia e Nënës", ku në krah të portës është vendosur një tabelë druri me shkrimin "Mother Theresa - IN/OUT". Në këtë shtëpi, që dikur ishte një nga tempujt më të lashtë hindu, kishin shkuar ta takonin Mbretëresha e Anglisë, Presidenti e kryeministri i Indisë, dy presidentë të ShBA-së, (George Bush, Jimmy Karter), princesha Diana, Yaser Arafat e shumë e shumë personalitet të tjera botërore. Me veprën dhe shpirtin e saj humanitar, Ajo e kishte rrokur tërë botën, ishte bërë qytetarja më e nderuar. Nëse do ta përmbledhim në pak fjalë veprën e Nënë Terezës, do të përkufizohej përkushtim në besimin katolik, në dashurinë për njeriun dhe shpresë për të varfrit e të vuajturit e kësaj bote të pamëshirshme.

Dante Alighieri ka thënë: "... e para e intelektit të njeriut është dashuria, të gjitha të tjerat vijnë pas". Pikërisht dashuria për njeriun dhe në veçanti për njeriun që vuan, ishte e mishëruar në mënyrë të përsosur te Nënë Tereza, duke iu përkushtuar me pasion sublim njeriut të varfër, të semurë, të vuajtur, të braktisur, jetimëve, të gjithë nevojtarëve pa dallime etnike dhe feje. Ajo u shërbeu me pasion të gjithë atyre, që jeta dhe shoqëria i kishte braktisur, u shërbeu me përkushtim, u kujdes me devotshmëri për t'i shëruar e u dha dashuri, gëzim e shpresa. Këtë misionare të dashurisë, bota e nderoi duke e quajtur Nëna e dashurisë.

Gjatë ditëve të qëndrimit në Shqipëri, mediat shqiptare shpërndanin lajme të shkurtra, të thata, pa komente. Aktiviteti i parë publik ishte takimi në një nga sallat e Piramidës, ku merrnin pjesë të gjitha përfaqësitë diplomatike të akredituara në Tiranë, intelektualë dhe funksionarë shteti. Në këtë "vizitë", Nënë Tereza shoqërohej nga gazetarja Janette Petriè, autorja e shumë dokumentarëve për jetën dhe veprën humanitare të Nënë Terezës, madje një nga këto dokumentarë u shfaq atë ditë, çka ndihmoi të njihej madhështia e figurës të shqiptares më të madhe të planetit. Si ndodhte në atë kohë, gazetaren amerikane Janette Petriè nuk e përfilli askush, madje e "harruan" e ajo, bashkë me dy motra të Nënë Terezës, me vështirësi gjetën vende në radhën e fundit të sallës.

Pas përfundimit të ceremonisë, Nënë Tereza u rrethua nga trupat diplomatike, madje shtyheshin e nuk i linin radhë njëri-tjetrit, për ta takuar e për ta përshëndetur. Shumica e pjesëmarrësve u larguan, ndërsa unë dhe Prof. Ylli Popa pritëm ta takonim e ta përshëndesnim.

Më së fundi u afruam dhe Prof Ahmet Kamberi (Ministri i Shëndetësisë, që e shoqëronte) na prezantoi. Prof Ylli i tha: "... ky gjoks i vogël, mban brenda një zemër të madhe, ku merr dashuri e ngrohtësi e gjithë bota".  Unë isha tepër i emocionuar e kur ma dha dorën ia mora e ia putha e më pas e përqafova e i thashë: "Jam i lumtur, se kam përqafuar Nënën e mbarë botes".

Gjatë qëndrimit në Tiranë, Nënë Tereza i respektoi rregullat që kishte përcaktuar protokolli zyrtar, por shteti nuk e respektoi e nuk i plotesoi asnjë nga kërkesat e saj. Ajo nuk kërkoi favore, as privilegje, as dhurata, thjesht propozoi të hapte dhe në vendin vet, shtëpinë e Misionit Bamirës, shtu si i kishte hapur në 96 vende të botës. Në asnjë vend tjetër nuk e kishin refuzuar, askush nuk ia kishte mohuar kërkesën modeste për hapjen e shtëpive të bamirësisë, ishte hera e parë, që ballafaqohej me një qëndrim të tillë mospërfillës dhe fyes, por ajo nuk shprehu zemërim e pakënaqësi, madje as nuk u dekurajua, përkundrazi kjo ngjarje i dha forca e kurajë, për t'i zgjidhur vetë të gjitha punët, si veproi në udhëtimet e mëpasme.

Do të theksoj një fakt me rëndësi të veçantë, që shpreh madhështinë e figurës të Nënë Terezës, tolerancën e saj,  shpirtin mëshirëmadh e pajtues, duke i falur shtetarët shqiptarë për padrejtësitë që i kishin bërë, duke i mohuar takimin me nënën dhe motrën, i fali e i ftoi që të shikonin përpara, drejt një të ardhme të re. Kësisoj pranoi ftesën të hante darkë me Nexhmie Hoxhën, e cila e gënjeu se në Shqipëri nuk ka të varfër, ndërsa kur Komiteti i çmimit Nobel e ftoi në darkën zyrtare, të organizuar për nder të saj, e refuzoi duke u thënë: "Nuk mund të pranoj një darkë të tillë, përderisa njerëzit vuajnë dhe vdesin nga uria...dua të jem e varfër si janë ata".

Më 8 gusht Nënë Tereza u largua nga Shqipëria duke marrë me vete nderimin, respektin dhe dashurinë e popullit të saj dhe një qilim të vogël me motive shqiptare (dhuratë e punëtorëve të Artistikes - Migjeni), që e përdori përherë në dhomën e lutjeve, deri në ditët e fundit të jetës.

Në dhjetor të 1990 Nënë Tereza u rikthye në mëmëdhe. Të nesërmen e mbërritjes, në pasdite, një trokitje e butë në portën e zyrës (në katin e gjashtë të ndertesës pa ashensor), më nxiti të ngrihem e ta hap derën. Mbeta i befasuar. Para meje ndodhej Nënë Tereza me gjithë madhështinë e saj dhe me 80 vitet e një jete impenjative mbi supe. Me dy pëllëmbët e duarve të bashkuara para gjoksit, me një vështrim të butë e një buzëqeshje të ëmbël, me përshëndeti në shqip: "Mirëdita, a pranon miq?" E përqafova dhe duke i thënë Welcome (një gabimi i im padashje) e ftova bashkë me Janette Petriè, Motrën Agnes (kosovare) dhe pesë Motrat e tjera. Porosita të na sillnin kafe dhe ujë, por Nënë Tereza pranoi vetëm ujë.

Nuk mund ta imagjinoni sa gëzim ndieja për këtë vizitë të papritur, nderuese e të mirëpritur. Biseda u zhvillua në një atmosferë tepër miqësore, sikur njiheshim prej vitesh. Nënë Tereza ishte mjeshtrja e komunikimit. Me lehtësinë më të madhe bisedonte me një kryetar shteti, me një mbret, me intelektualin, me punëtorin, me fshatarin, por në veçanti me të sëmurët dhe ata që vuanin. Ajo është mishërim i figurës të dashuruar me njerëzimin. Tërë jetën iu  përkushtua mbrojtjes të jetës dhe të dinjitetit njerëzor, që i konsideronte të shenjtë. Kjo është thelbësore në jetën e aktivitetin e Nënë Terezës, e cila gjeti në humanizmin e shenjtëruar të Krishtit një provë të padiskutueshme, dashurinë për njeriun e varfër apo të pasur, të aftë apo me kufizime shëndetësore, të çdo lloj etnie apo feje.
Më kishte sjellë disa nga poezitë e saj të famshme, që këndoheshin si lutje në kishat e gjithë botës. Në veçanti kujtoj poezinë "Jetoje jetën".

Jeta është mundësi, përfito nga ajo.
Jeta është e bukur,adhuroje.
Jeta është ëndërr, jetoje.
Jeta është sfide, përballu me të.
Jeta është loje, luaje.
Jeta është detyrë, plotësoje.
Jeta është e shtrenjtë, vlerësoje.
Jeta është pasuri, ruaje.
Jeta është dashuri, shijoje.
Jeta është mister, zbuloje.
Jeta është dhimbje, sfidoje.
Jeta është këngë, këndoje.
Jeta është tragjedi, shmangiu.
Jeta është fat, përfito.
Jeta është aventurë, kujdes.
Jeta është shumë e çmuar, duaje.
Jeta është luftë, mësohu dhe me të.
Jeta është jetë, lufto për të..."

Me një vështrim të butë e magjepsës, filloi të më tregonte planet për hapjen e shtëpive të bamirësisë në Shqipëri. Nënë Tereza shquhej për inciativë dhe aftësi organizuese, si e kishte treguar me misionet, që kishte ngritur në të gjithë botën. Gjithçka e zgjidhte vetë, me urtësi e me guxim. Kështu veproi dhe në Tiranë. Kësisoj, kur erdhi herën tjetër, mori një shtepi përdhese me oborr të vogël, në një kthinë të rrugës "Siri Kodra". Aty u sistemuan motrat dhe misioni i parë i Nënë Terezës. Një nga dhomat ishte kapela ku kryheshin ritet fetare. Kudo mbretëronte thjeshtësia, pastërtia dhe rregulli deri në perfeksion. Në oborrin e ngushtë, një djalë tiranas, kishte ndërtuar një guvë të vogël, ku ishte vendosur shtatorja e Shën Mërisë, e rrethuar me vazo lulesh të freskëta. Në sheshin para misionit, për ditë kishte njerëz, popull i thjeshtë dhe intelektuale, plot njerëz, të krishterë, muhamedanë, bektashinj e ortodoks, por dhe të huaj. Të gjithë kërkonin të takonin Nënë Terezën, por njëkohësisht kërkonin dhe materiale fetare, që në ato vite mungonin. Këtë qendër bamirësie e vizitova shumë herë.

Gjatë bisedës, Nënë Tereza më tregoi se kishte sjellë disa pako me medikamente dhe kërkoj nga unë ta ndihmoja t'i shpërndante, aty ku ndihesh më shumë nevoja. Në këtë kohë, kishim mungesa serioze për ilaçe, por në çast mendova t'i dërgoja në disa spitale rurale, ku gjendja ishte kritike dhe kësisoj i sugjerova t'i dërgonim në spitalet e Krastës të Martaneshit, të Kurbneshit, të Tropojës e në Has të Kukësit. Ndërkohë i thashë se do të vija në dispozicion mjetet e transportit, por Nënë Tereza më tha se kishin makinat e tyre dhe ilaçet do t'i dërgonin në destinacion me motrat e misionit. Një tjetër surprizë, nga ato që bënte vetëm një si Nënë Tereza Bojaxhiu.

Vijon me:
Kur Nënë Tereza vinte në Tiranë/2
Kur Nënë Tereza vinte në Tiranë/3