Kur Nënë Tereza vinte në Tiranë/2 - Shqiptari i Italisë

Shqipëri-Itali
Në gusht 1989, Nënë Tereza arrinte më në fund të hynte në Shqipëri pas shumë përpjekjesh të mohuara më parë nga regjimi komunist. U kthye edhe disa herë të tjera. Marrim dhe me kënaqësi botojmë kujtimet e mjekut shqiptar  me nobelisten e paqes në takimet me të gjatë vizitave në Shqipëri. (vijim)
Nga Prof. Lutfi Alia, Siena

Në mars të vitit 1991, Nënë Tereza erdhi përsëri në Shqipëri. Ky vit shënoi zhvillime të mëdha dhe ngjarje të rëndësishme për misionin e saj bamirës. Kësaj rradhe, Nënë Tereza nuk qëndroj vetëm në Tiranë, por vizitojë dhe qytetet e tjera, fillimisht Shkodrën e më pas Durrësin, Elbasanin, Korçën etj. Udhëtonte bashkë me motrat e misionit. Nuk takoj e nuk kërkoj ndihmë në asnjë nga pushtetarët, as ato lokale dhe as të qendrës, por kontaktoj direkt me popullin. Kur u kthye nga Durrësi, me shumë gëzim më tregoi se kish takuar një person, i cili ishte bërë udhërrëfyes gjatë gjithë kohës që kishin lëvizur nëpër qytet. Kështu ndodhi dhe kur shkoi në qytetet e tjera. Të gjithë ata njerëz të thjeshtë, që i janë ndodhur pranë dhe e kanë ndihmuar në misionin e saj, Nënë Tereza i kujtonte me shumë respekt e u dërgonte letra mirënjohjeje e falënderimi, si ato dërguar familjeve Naska, Shpati, Vorfi, Zajmi, Kraja etj.

Një ditë erdhi më takoi në zyrë, si gjithmonë bashkë me Janette Petriè, Motrën Agnes e motrat e tjera dhe me Atë Zef Pellumbin. Pas përshëndetjeve të zakonshme, Nënë Tereza më tregoi për shumë "actions-aksione", si thoshte shpesh me shaka. Tregoi për hapjen e shtëpisë në Shkodër, për rihapjen e Kishës së Shën Ndout dhe të Katedrales "Zemra e Krishtit". Motra Agnes më tregoi, se Nënë Tereza i kishte sistemuar me dorën e vet 17 fëmijët e parë, që i morën nga Spitali i Shkodrës. Ndërsa më tregonte mendoja me vete: sa mirë do të ishte, që kësisoj t'i dedikoheshin kujdesit për fëmijët dhe infermieret tona, që paguheshin e nuk e kryenin shërbimin si duhet.

Në këtë kohë, Ministria e Shëndetësisë kishte një problem, që nuk po zgjidhej. Kishim një azil pleqsh në ndërtesën e Kryegjyshatës në Tiranë e pas vendimit për rihapjen e institucioneve të kultit, ishim të detyruar ta dorëzonim, pasi ishte pronë e komunitetit bektashi, por nuk kishim vende për t'i sistemuar ata pleq të mjerë. Nënë Tereza e kishte vizituar azilin dhe ishte informuar se i kishim transferuar një pjesë të pleqve në Azilin e Kavajës dhe se na kishin mbetur disa gra të pasistemuara. Më kërkoi t'i merrte në Shtëpinë e Misionit të saj në Tiranë. E falënderova për këtë ndihmë të madhe në moment shumë të vështirë. Dy vjet më vonë kur shkova në shtëpinë e Nënë Terezës në rrugën e Elbasanit, m'i prezantoi ato katër gra, që zyrtarisht trajtoheshin për demencë senile, por që ishin tjetërsuar e gëzonin shëndet të mirë, madje ishin bërë bashkëpunëtoret më të shkathëta te motrave te misionit.

Dy ditë më pas, më ftoi për vizitë në qendrën e misionit në Tiranë. Shkova me shumë dëshirë edhe pse e dija se do të rrija gjatë e nuk do të mund të pija duhan, pasi e kishte ndaluar rreptësisht. E vlente ta bëja këtë sakrificë.
Bisedat mes nesh kanë qenë gjithmonë të hapura e shumë të sinqerta, madje dhe me shaka të lezetshme. Më tha se kishte vendosur të ngrinte një mensë për banorët e varfër që jetonin në Bregun e Lumit, pra për arixhinjtë dhe kërkoi nga unë ta shoqëroja për të ndarë ushqimet. Ishte një propozim i papritur, e që nuk ishte praktikuar ndonjëherë e nuk dita si t'i përgjigjem e fillova të bëja shaka: "Do të vij, por me një kusht, të mos i tregosh Dritës (gruas time) se kam vënë përparëse, se pastaj do të më detyrojë ta vë dhe në shtëpi e madje do të më detyrojë dhe të gatuaj". Qeshën të gjithë, por Nënë Tereza jo, madje ma ktheu me seriozitet: "Nuk është gabim ta bësh dhe në shtëpi këtë punë, por ne do ta fillojmë te Bregu i Lumit. Kështu ka punuar me mua Regani, Gorbaçovi" dhe vazhdoi të më rendisë një radhë burrash shteti, që ishin angazhuar në veprimtari bamirësie me njerëzit e thjeshtë e të vuajtur, që nuk mungonin dhe në Shqiperi, madje ishin shumë.

U tha dhe u bë siç kërkoi Nënë Tereza. Më thënë të drejtën ndihesha në siklet, por e kapërceva gjithçka me shaka. Herë pas here e ngacmoja "pse asaj plakës ia mbushe tasin më shumë e atij tjetrit i dhe më pak?" dhe ajo me atë mirësinë e saj të veçantë, më detyronte të shkoja t'i çoja dhe një garuzhde më tepër.

Pasdite u kthyem në shtëpinë e misionit. Ishte mrekullisht e kënaqur dhe e qeshur. Ishim bashkë me Janette Petriè, motrën Agnes dhe Natasha Hiton, që ishte angazhuar si përkthyese zyrtare. Atë ditë bëmë disa biseda të rëndësishme. I thashë Nënë Terezës:

"Ti je shqiptare, je gjaku ynë dhe këtë e ke deklaruar botërisht, por nuk ke asnjë lloj dokumenti, që të identifikosh kombësinë tënde shqiptare, pse nuk i japim një zgjidhje këtij problemi?"

Nënë Tereza m'i kapi të dyja duart dhe me përzemërsi më tha:
"Çfarë më propozon ti, cilat janë ligjet dhe rregullat e shtetit shqiptar, cila është rrugëzgjidhja?"

Kaq desha sa të më kërkonte përgjigje e menjëherë i thashë:
"U bënë tre vjet, që hyn në Shqipëri, banon në shtëpinë tënde, ke motrat, ke të afërm e miq plot, ke një popull që të admiron e të do me përkushtim, pse nuk regjistrohesh banore e Tiranës"?
"Atëherë çfarë duhet të bëjmë?", më pyeti.
"Shkojmë në zyrën e gjendjes civile të Lagjes Nr. 1 dhe flasim", iu përgjigja menjëherë.

U ngritëm e shkuam në zyrën e gjendjes civile. Një pritje si kudo për Nënë Terezën. U mblodhën të gjithë në atë zyrë të vogël e të gjithë e takuan. Pasi u qetësua situata pyetëm nëpunësen, se çfarë duhet të bënim, që Nënë Tereza të regjistrohej si rezidente në Tiranë. Ajo na i shpjegoi të gjitha procedurat e rregullat. Bëmë lutjen, plotësuam formularin, dorëzuam fotografitë. Pas disa ditësh e njoftuan e i dorëzuan Nënë Terezës letërnjoftimin shqiptar. U gëzua si një fëmijë, e shtrëngonte në gjoks dhe ua tregonte të gjithëve. Kjo ishte dhurata më e bukur, që i është bërë Nënë Terezës në përvjetorin e lindjes, që e festonte e tërë bota.

Janette Petriè, më tregoi se disa shtete kishin aprovuar dekorata me emrin e Nënë Terezës. Kjo më nxiti një ide, që ta bënim dhe në Shqipëri, çka do të ishte dekorata e tretë e dedikuar një figure të shquar të kombit (krahas urdhrit të Skënderbeut e të Naim Frashërit). Bisedova me Xhenin, që të merrte aprovimin e saj, për të krijuar një dekoratë për merita humanitare me emrin e Nënë Terezës, që do t'i akordohej të gjithë atyre, që kontribuonin për të ndihmuar popullin tonë. Më kërkoi ta takoja e pas një bisedë pak a shumë të gjatë, pranoi e ma konfirmoi personalisht, duke u shprehur: "uroj që kjo medalje t'i shërbejë popullit tim".

Krijimi i dekoratave të reja ishte kompetencë e presidentit. Përgatita letrën argumentuese me propozimin për krijimin e "Urdhrit Nënë Tereza - për merita të shquara humanitare", thirra piktorin e Shtëpisë së Edukimit Shëndetësor (një djalë i talentuar, por nuk ia kujtoj emrin), i cili më paraqiti disa variante dekorate, natyrisht me portretin e Nënë Terezës e pasi zgjodha më të mirin, së bashku me propozimin ia dërgova Presidentit Ramiz Alia. Pas disa javëve, më kërkuan në Presidencë, në drejtorinë e dekoratave, ku më priti një nëpunës shumë i edukuar e shumë i sjellshëm, më komunikoi se propozimi ishte aprovuar e njëkohësisht më tha se dekorata do të bëhej me ar, por pak më e vogël në përmasa se projekti që kisha prezantuar.

Me këtë humor të mirë u ngjita lart të takoja mikun tim Shaban Sinanin. E gjeta në zyrën e tij të vogël (pak më e gjerë se skrivania). Po shkruante me penë, që e ngjyente në një shishe të vogël boje. Shkruante në fletore me kuadrate. Po përfundonte pjesën e dytë të studimit rreth veprave të Ismail Kadaresë. Më ftoi të pinim kafè. Kur po bëheshim gati të dilnim erdhi presidenti Ramiz Alia e sapo më pa më tha: "hë more Lutfi, po na bën dy ministri shëndetësie?" U befasova nga kjo vërejtje ironike e ndërsa ai po largohej nuk ndenja pa u përgjigjur. "nuk do të ishte gabim".

Rreth kësaj dekorate është shkruar me shumë fantazi, por asnjë nuk ka treguar të vërtetën. Në një artikull të mëvonshëm Naim Zoto shkruan se gjatë kohës që ishte president R. Alia, ai nuk ia akordoi askujt, pasi sipas tij, kotributi i tyre nuk ishte në lartësinë e titullit të krijuar. Ndofta kishte të drejtë. Më pas Presidenti Sali Berisha e modifikoi, duke krijuar dy dekorata, njërën të artë dhe tjetrën të argjendtë. Kjo dekoratë ishte e dëshiruar nga të gjithë të huajt, të krishterë e muhamedanë, nga shoqata të ndihmave humanitare dhe nga organizma shtetërorë, por shumë pak prej tyre patën fatin ta gëzojnë këtë nder.

Në maj të vitit 1991 isha me shërbim në Itali. Një ditë u ndala në Ambasadën tonë në Romë dhe aty gjeta Nënë Terezën me motrat misionare të Romës. Pasi u përshëndetëm, Nënë Tereza, me një sinqeritet mahnitës e me shumë dashamirësi më bëri një pyetje:
"A e di ti kush është Shenjti mbrojtës i shqiptarëve?".  
"Po e di, është Shën Gjergji", u përgjigja unë menjëherë.

Nënë Tereza buzëqeshi me dashamirësi e më tha: 
"Shenjtorja e ne shqipëtarëve është Zonja e Këshillit të Mirë, e quajtur dhe Zonja e Shkodrës, pajtuesja e mbarë shqiptarëve. Ikona e saj, që i përkiste Kishës së Shën Stefanit në Shkodër, nga 26 Prilli 1467 ndodhet në Santuarin e Genazzano-s të Romës dhe mua më kanë dhuruar një kopje, që do ta vendos në Kapelën e Misionit tonë në Tiranë. Të ftoj të vish ta shohësh".

Shqipëria e asaj kohe kishte nevojë për një mbrojtëse të shenjtë dhe për këshilla të mira. Më 26 maj 1991, Nënë Tereza shkoi në Santuarin e Genazzano të Romës, ku e përfundoi lutjen para ikonës së Zonjës së Këshillit të mirë me fjalët: "Dhe tani kthehu përsëri në Shqipëri". Kushdo që sheh këtë ikonë, admiron Shën Mërinë me një buzëqeshje të rrallë, që nuk e sheh në asnjë nga ikonat e Italisë. Këtë ikonë e vendosi në dhomën e lutjeve në shtëpinë e Misionit.
Më 23 korrik 1991, Nënë Tereza shkoi në Irak e pasi vizitoi Bagdadin e shkatërruar nga lufta, ngriti aty shtëpinë e bamirësisë për të ndihmuar popullin iraken. Gjatë takimit me komandantin e forcave aleate, i kërkoi atij, që një pjesë e prodhimeve ushqimore (ushqime të liofilizuara) e shumë materiale të tjera, të grumbulluara në bazat ushtarake, t'ia dërgonte popullit shqiptar, sepse kishte nevojë. Ai pranoi dhe kur Nënë Tereza u kthye në Shqipëri, arriti një avion "Herkules" me ndihmat, që i shkarkoi në aeroportin e Tiranës. Së bashku me Nënë Terezen, shkuam në aeroport, ku takoi pilotët dhe ushtarakët që sollën ndihmat: "Zoti ju bekoftë e faleminderit për kontributin tuaj në ndihmë të popullit tim" u tha Nënë Tereza. Këto ndihma nuk ishin për misionin, por për popullin shqiptar, por unë ende nuk e di ku përfunduan dhe si u administruan.

Një ditë, Nënë Tereza erdhi në zyrë e më kërkoi t'i organizoja një takim me kryeministrin Ylli Bufi. I telefonova shefit të kabinetit Shpëtim Arbana, të cilit i kërkova të bisedonte me kryeministrin, për ta pritur Nënë Terezën. Nuk kërkoi informacion për motivet e vizitës e pas një gjysmë ore më konfirmoi takimin brenda ditës. Shkuam menjëherë në kryeministri. Kur hymë në hollin e katit të dytë, u ndeshëm me një delegacion të madh tregtarësh nga SHBA, që kur e panë, e braktisën ministrin tonë që i shoqëronte dhe u ndalën të përshëndesnin Nënë Terezën. U ndamë me vështirësi prej tyre, vetëm duke këmbëngulur se po vonoheshim për takimin me kryeministrin.

Takimi me Ylli Bufin ishte i shkurtër. Nuk u dha asnjë lajm as në televizion as në shtyp, madje kryeministri nuk kërkoi as të bënte fotografi, si kërkonin të tjerët. Nënë Tereza i bëri një përshkrim të shkurtër aktivitetit të misionit e me shumë modesti e mirësjellje i kërkoi të ndërmjetësonte në pushtetin lokal të disa rretheve, që ende nuk i kishin liruar mjediset e caktuara për misionin e bamirësisë. Natyrisht, në këtë kohë ishte e vështirë të zgjidhje probleme të këtij karakteri, megjithatë Ylli Bufi i premtoi se do të interesohej, ndonëse në fakt nuk ndërhyri anjëherë.

Për këtë problem më pas fola me Gramoz Pashkon, ishte zv-kryeministër, i cili një ditë më telefonoi e kërkoi ta takonte personalisht Nënë Terezën, takim që u zhvillua në atmosferë shumë miqësore. Gramozi bëri disa telefonata dhe i zgjidhi problemet me Elbasanin, Durrësin e Korçën. Kështu, brenda dy viteve, me durim e me insistim, Nënë Tereza organizoi në Shqipëri 7 shtëpi bamirësie.

Nënë Tereza, që nga viti 1928 jetonte në Indi fillimisht si murgeshë e urdhrit "Motrat e Loretos" dhe më pas, la mantelin e zi dhe veshi sarin e bardhë, me një kordon blu anësor të indianëve të varfër, hoqi kepucët, veshi sandalet  zbathur. Nënë Tereza themeloi Kongregacionin e famshëm Misionaret e Bamirësisë. India e kishte adaptuar dhe i kish dhënë shtetësinë. Krahas pasaportës indiane, Nënë Tereza mbante dhe pasaporta të shteteve të tjera si të Italisë, Vatikanit, Anglisë, ShBA-së, Irlandës, Kanadasë etj. Pasaportat ia kishin dorëzuar kryetarë shtetesh e kryeministra, madje dispononte dhe pasaportë diplomatike (Kanadeze), por i mungonte pasaporta shqiptare.

Nënë Tereza udhëtonte në rreth 100 shtete e në çdo aeroport të botës, pikë kufitare tokësore, apo port që kalonte, kurrë dhe askush nuk ia ka kontrolluar pasaportën, përkundrazi të gjithë policët e punonjësit e aeroprotit ngriheshin në këmbë, me respekt e nderim dhe e shoqëronin me shumë kënaqësi. Ajo nuk kishte nevojë për pasaportë udhëtimi, por si shqiptare dëshironte atë të shtetit amë, sepse donte ta përdorte si dokument të lidhjes së ngushtë me atdheun dhe të përkatësisë shqiptare, pasi bota e njihte si Nënë Tereza e Kalkutës. Dua të rikujtoj se ditën kur i dhanë Çmimin Nobel më 1979-tën, pyetjes për origjinën e saj, që i bëri një prift në sallë, iu përgjigj:
"Me origjinë dhe me gjak jam shqiptare, me shtetësi indiane, jam motër katolike e përmes thirrjes sime i përkas gjithë botës, por zemra ime i takon vetëm zotit".

Kur fliste për vendlindjen, sidomos me të huajt, Nënë Tereza deklaronte qartë e bukur "jam nga Shkupi", pra përdori përherë emrin shqip të qytetit të lindjes dhe asnjëherë nuk tha Skopje (varianti sllav), që përdorej zyrtarisht.

Për problemin e pasaportës ka disa shkrime, por asnjeri nuk ka treguar të vërtetën, madje ky aspekt delikat është shfrytëzuar me tendencë për t'i dhënë merita atyre që nuk u takonin. Është  shkruar se pasaportën ia dha dikush nga funksionarët. Kjo nuk është e vërtetë. Funksionarët e shtetit nuk dinin ku banonte, madje kanë qenë krejt indiferentë e nuk i kanë dhënë asnjë ndihmë konkrete Nënë Terezës. Pasaporta nuk bëhet në zyra funksionarësh.

Të gjithë shqiptarët e dinë cila është procedura dhe si veprohet për pasaportën për udhëtime jashtë Shqipërisë. Nuk dua të ndalem në këtë aspekt, por vetëm të konfirmoj se për pasaportën e  Nënë Terezës, ka kontribuar në mënyrë vendimtare N. Hito, që i dërgoi të gjitha të dhënat anagrafike në institucionet përkatëse, të cilët e përgatitën brenda afateve ligjore. Si unë dhe shumë të tjerë, që kanë pasur rastin të takohen me Nënë Terezën në atë kohë, janë dëshmitarë të gëzimit e të krenarisë që shprehte ajo, duke ia treguar të gjithëve pasaportën, sidomos të huajve, të cilëve u thoshte "kjo është pasaporta e vendit tim, shiheni sa e bukur është".

Lidhur me çështjen pasaportë, ka edhe një aspekt tjetër, që është lënë qëllimisht në heshtje. Në fakt Nënë Tereza ka kërkuar një lloj tjetër pasaporte dhe për këtë qëllim i dërgoi letër Ministrit të Jashtëm dhe Presidentit të Republikës, të cilëve u shprehu dëshirën të pajisej me pasaportë diplomatike. Kjo dëshirë i është refuzuar. Kërkesa për pasaportë diplomatike bazohej thjesht në faktin se në udhëtimet që do të bënte në vendet e tjera, Nënë Tereza dëshironte të përdorte pasaportën diplomatike të shtetit Shqiptar e në këtë mënyrë t'i prezantonte mbarë botës përkatësinë e saj shqiptare. Përgjigjen burokratike të instancave përkatëse Nënë Tereza nuk e mirëpriti. Ju rikujtoj se në këtë kohë, disa "tregtarë" (subjekte pivate) shëtisnin nëpër botë me pasaporta diplomatike, ndërsa kjo e drejtë iu refuzua një personaliteti si Nënë Tereza, e cila ishte "ambasadorja shqiptare e bamirësisë në botë". Asnjë qeveri shqiptare nuk ia njohu këtë meritë.

Në një nga takimet e zakonshme, Nënë Tereza më tha se do të ftonte një grup mjekësh amerikane dhe kërkoi të dinte cila ishte procedura, për hyrjen e medikamenteve. E mirëprita këtë propozim e i dhashë nomenklaturën tonë të barnave (përgatitur sipas rekomandimeve të OBSh-së). Me ndërhyrjen e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Nënë Terezës iu dha një nga vilat e ish-udhëheqjes komuniste (prapa kryeministrisë), për ta përdorur si poliambulator, ku mjekët amerikanë, të asistuar nga shumë mjekë të rinj shqiptarë, vizituan dhe u dhanë medikamente gratis me mijëra e mijëra qytetarëve të Tiranës e të rretheve. Në një nga këto ditë, Nënë Tereza erdhi më mori e duke më mbajtur përdore, më prezantoi të gjithë profesorët amerikanë, që punuan nga mëngjesi deri në darkë, për më shumë se një javë. U gëzova shumë dhe për faktin se profesorët amerikanë u asistuan nga mjekë të rinj shqiptarë (ish studentët e mi), që flisnin shumë mirë anglishten dhe që manifestuan formim profesional dinjitoz.  (vijon)

Lexo edhe:
1989, kur Nënë Tereza vinte për herë të parë në Tiranë
Kur Nënë Tereza vinte në Tiranë/3

Advertisement