Ngjyrat e çuditshme të “Ylberit” - Shqiptari i Italisë

Shqipëri-Itali

Konteinerat: vazoja e Pandorës për misionin italian “Ylberi”

Konteinerat e Misionit Ylberi, si vazoja e Pandorës. Pas një artikulli të të përjavshmes italiane "Panorama", ajo që për qeverinë dhe popullin italian përbënte një "krenari kombëtare" në sy të botës, u shndërrua në të kushedi të satin skandal tipik all’italiana. Pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe kthimit të refugjatëve, në bankinën e Barit u gjetën rreth 900 konteinera "të harruar". Ai grumbull ndryshkurishtesh i lënë nën diellin përvëlues të verës, hodhi një hije dyshimi mbi tërë makinën organizative që ka ndihmuar me mijëra refugjatë kosovarë në Kukës, Durrës apo Vlorë. Nuk bëhet fjalë thjesht për paaftësi organizimi, pra skandali nuk mund të mbyllet me një polemikë në shtyp, as me një kërkesë për hetim parlamentar. Ndaj gjykatësit kanë filluar të hetojnë nëse ekzistojnë kushtet për hedhjen në gjyq të përgjegjësve. Por më parë duhet verifikuar gjithçka. Shkallë shkallë.

I tërë Misioni Ylberi do t'i nënshtrohet hetimit nga gjykata, duke filluar që nga mbledhja e ndihmave, grumbullimi nëpër pikat e caktuara,  dërgimi, shpërndarja. Nëntëqind konteinerat "e tepërt" të braktisur në port kur plasi paqja janë vetëm fillimi. Do të kryhet një "kontroll ligjshmërie" i katërciptë. Do të kontrollohet nëse të tërë konteinerat që kanë arritur në Durrës kanë shkuar tek refugjatët apo kanë përfunduar në duart e Mafias shqiptare  për t'u shitur në tregun e zi. Do të hetohet për të parë nëse ka pasur vjedhje apo mungesa edhe në Itali, nëse janë kryer mashtrime fiskale (ngarkesa të fryra për të bërë volum e peshë). Do të verifikohet edhe nëse Mafia shqiptare e ka pasur më të lehtë të veprojë duke i pasur shpatullat e ngrohta nga këtej detit, siç të bëjnë të hamendësosh disa lajme që arritën nga Vlora ku konteinerat e mëdhenj u zhdukën para se kampi të shkulej e të rripej nga njerëz të veshur me uniforma.

"Është një kontroll i domosdoshëm para se të ndërmarrim çfarëdo lloj iniciative. Deklaratat e nxituara dhe të papërgjegjshme mund t'i shkaktojnë dëme të pandreqshme Italisë, dëme dhe ndërkombëtar" thotë PM Michele Emiliano i cili po punon për mbledhjen e materialeve që mund të dokumentojnë shkeljet.

Tani për tani, në konteinerat e hapur ka patur vetëm surpriza të pakëndshme që, sidoqoftë, nuk përbëjnë krim për t’u ndjekur penalisht, kuintalë me mallra ushqimorë që skadonin në shtator, karroca fëmijësh dhe lodra të thyera, pako me rroba dimri. Gjen gjithçka, mes konteinerëve të harruar. Por dyshimi bren nga brenda: A janë vërtet “harruar” dhe vetëm kaq? Është thjesht një paaftësi apo një akt i kryer qëllimshëm? Një birë e zezë rreth një muaj mbetet për t’u ndriçuar, ka një boshllëk lajmesh për t’u mbushur. Gjatë gjithë korrikut, ndërsa u mbyllën kampet e refugjatëve dhe ndërprenë dërgimet e ndihmave, konteinerat kanë mbetur të braktisur në port. Vetëm më datën dy gusht, Protezione Civile i vë vetes pyetjen se ç’të bëjë me tërë atë material dhe tre ditë më vonë dërgon një funksionar të vetin për të kryer një kontroll të situatës. Pastaj bie sërish heshtja deri më 24 gusht. Por ndërkohë skandali ka shpërthyer. Dhe do të duhet kohë që të fashitet.

Botuar në Bota Shqiptare nr. 4 – 11 shtator 1999