Romë. Takim Tahiri-Alfano, për të diskutuar mbi luftën kundër trafikut të drogës - Shqiptari i Italisë

Shqipëri-Itali
Në Itali, vizita e Tahirit kalon në heshtje të plotë, ndërsa sipas ministrisë së Brendshme të Shqipërisë, ministri Alfano është shprehur se “ka përshtypje shumë të mirë nga rezultatet e muajve të fundit të policisë shqiptare”

Romë, 11 qershor 2014 – Shqipëria e Italia janë të angazhuara në forcimin e luftës kundër trafikut të drogës dhe kjo çështje ka qenë dje në qendër të takimit që ministri i Brendshëm shqiptar Saimir Tahiri ka pasur në Romë me homologun e tij italian Angelino Alfanon. Këtë deklaron një komunikatë e ministrisë shqiptare e marrë nga i gjithë shtypi shqiptar, ndërsa në Itali lajmi ka kaluar në heshtje të plotë. Nuk gjen gjurmë të tij në asnjë nga komunikatat e ministrit apo ministrisë italiane dhe as në shtyp. E vetmja që përmend këtë lajm është agjencia Nova, por edhe kjo e merr lajmin nga Shqipëria.

Sipas njoftimit për shtyp të ministrisë së brendshme shqiptare, ministri i Brendshëm i Italisë duket se është shprehur “i impresionuar nga rezultatet e policisë shqiptare në këto muaj”.

Dy ministrat, në takimin e tyre kokë më kokë, kanë rënë dakord të forcojnë bashkëpunimin në luftën kundër trafikut të drogës. Në këtë drejtim, Alfano ka shprehur gatishmërinë e Italisë për të ofruar asistencë për luftën kundër kultivimit të drogës, ndërsa ministri Tahiri i ka thënë se qeveria shqiptare është e angazhuar për një luftë pa kompromis kundër këtij fenomeni, duke theksuar se siguria e një vendi do të thotë edhe më shumë siguri për gjithë vendet fqinje dhe rajonin. Lidhur me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, ministri italian ttha se Italia do të lobojë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat.

Gjithnjë sipas njoftimit të ministrisë së brendshme shqiptare, në Romë ka qenë edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi, që pati takime me drejtues të lartë të Policisë italiane, ku u disktuan aspekte të bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve në të dy anët e kufirit.

Së fundi, bëhet e ditur se ministri Tahiri ka ftuar ministrin italian të vizitojë Shqipërinë, ftesë që është mirëpritur nga Alfano dhe kjo vizitë do të realizohet së afërmi.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)