Sipërmarrësi italian i kërkon shtetit shqiptar 141 milionë euro - Shqiptari i Italisë

Shqipëri-Itali
Në vitin 1993, sipërmarrësi napolitan Angelo Frascino ka hedhur në gjyq shtetin shqiptar në gjykatën ndërkombëtare të Arbitrazhit dhe ka fituar një dëmshpërblim prej 48 miliardë liretash italiane. Për më shumë se dy dekata ka tentuar pa sukses në gjykatat shqiptare të fitojë të drejtën për të ekzekutuar atë vendim. Pa ia arritur, i drejtohet drejtësisë italiane e fiton. Sot, bashkë me interesin prej 13% në vit për 23 vjet, shteti shqiptar i detyrohet 141 milionë eurosh dëmshpërblim familjarëve të sipërmarrësit që ndërkohë ka vdekur
Nga Lindita Çela, BIRN

5 Maji 2015 duhej të ishte një e martë e zakonshme pune për të ngarkuarën e financës së konsullatës shqiptare në Milano, e cila u paraqit në Bankën Unicredit për të derdhur rrogat e punonjësve nga llogaria rrjedhëse.

Por ndryshe nga të martat e tjera çdo fillim muaji, ky veprim është kundërshtuar nga banka Unicredit, punonjësit e së cilës bënë me dije se llogaria rrjedhëse e konsullatës shqiptare ishte bllokuar pas një vendimi të 22 korrikut 2014 të Gjykatës së Apelit Romë për llogari të shoqërisë “Iliria Sh.p.k”.

Në të njëjtën ditë, konsullja e përgjithshme e Shqipërisë në Milano, Luljeta Çobani, i është drejtuar e alarmuar me një shkresë urgjente Ministrisë se Punëve të Jashtme, duke e njoftuar për situatën e krijuar.

“Ju bëjmë me dije se nga dita e sotme, të gjitha veprimet që kryejnë shtetasit shqiptarë për aplikim për pasaportë dhe veprime konsullore kalojnë në llogarinë e bllokuar,” i shkruan Çobani MPJ-së.

“Në këto kushte, jemi të mendimit që deri në zgjidhjen e situatës pagesat të bëhen me para në dorë, si për pasaporta dhe veprime konsullore. Me këto të fundit të mbulojmë shpezimet e konsullatës,” shtoi ajo.

Të dhënat dhe dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se situata e pazakontë e krijuar në Maj 2015 me bllokimin e llogarisë bankare të konsullatës së Milanos i ka rrënjët në një kontratë të lidhur midis qeverisë shqiptare dhe një sipërmarrësi italian në Mars të vitit 1991-në prag të rrëzimit të regjimit komunist në Shqipëri.

Kjo kontratë kishte për qëllim krijimin e një kompanie italo-shqiptare me me aksione të përbashkëta midis Ndërmarrjes Komunale në Plazhin e Durrësit dhe Iliria S.r.l në pronësi të  investitorit napolitan, Angelo Frascino, për zhvillimin e zonës turistike të qytetit bregdetar.

Për shkak të ndryshimeve politike në vend,  kompania italo-shqiptare nuk ka mundur të zhvillojë projektin e saj. Kjo nuk e ka  penguar Angelo Frascinon që në  maj të vitit 1993 t’i drejtohet gjykatës ndërkombëtar të Arbitrazhit, duke fituar një dëmshpërblim prej 48 miliardë liretash italiane kundër shtetit shqiptar.

Për më shumë se dy dekada, Iliria S.r.l dhe familja Frascino ka tentuar pa sukses të fitojë të drejtën për të ekzekutuar vendimin e vitit ‘93 në gjykatat shqiptare.

Por dështimi në Shqipëri nuk e ka shkurajuar kompaninë Italiane, e cila në Korrik 2014 ka arritur ta konfirmojë vlefshmërinë ligjore të Arbitrazhit dhe një vendim për ekzekutim të detyrueshëm ndaj palëve të treta, me të cilët Shqipëria ka marrëdhënie ekonomike në Gjykatën e Apelit dhe Tribunalin e Romës.

Autoritetet shqiptare kanë reaguar me plogështi ndaj vendimeve të gjykatave italiane. Vendimi i arbitrazhit të vitit 1993, bashkë me interesin prej 13 % në vit për 23 vjet kap një vlerë prej 141 milionë eurosh dëmshpërblim në dëm të vendit.

Pala shqiptare është njoftuar për vendimin në rrugë diplomatike me notë verbale në Tetor 2014, por të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë që Avokatura e Shtetit nuk ka reaguar për mëse 8 muaj- deri në Maj 2015, kur pas bllokimit të llogarive bankare të Konsullatës, ka kontraktuar me urgjencë një avokat italian për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Apelit Romë.

Edhe pse tashmë i pezulluar, Avokatja e Shtetit Alma Hicka pranon se vendimi i gjykatës italiane ka krijuar një precedent të rrezikshëm për shtetin shqiptar.

Biznes me shtetin komunist

Kur biznesmeni napolitan, Angelo Frascino erdhi në Shqipëri në Mars të vitit 1991,  regjimi gati gjysmë-shekullor komunist po përjetonte grahmat e fundit. Frascino i vuri syrin zonës së plazhit të Durrësit, e cila në atë kohë administrohej nga Ndërmarrja Komunale e Plazhit Durrës.

Frascino i propozoi qeverisë shqiptare një plan për zhvillimin turistik të zonës së plazhit të Durrësit me ndërtimin e resorteve,  vilave,  bankave, pallateve, kazinove  apo njësive të banimit të përshtatshme për 60.000 banorë, me një afat kohor prej 20 vjetësh.

Megjithëse projektit i mungonte një faturë financiare, një vendim i Këshillit të Ministrave i marrë me 28  Mars 1991 – tre ditë përpara zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri, autorizonte ish Ndërmarrjen Komunale të Plazhit të Durrësit  të krijojë shoqërinë e përbashkët italo- shqiptare me kompaninë e Frascinos “Iliria S.r.l.”

Një ditë para zhvillimit të zgjedhjeve në vend, gjatë heshtjes elektorale të 30 Marsit 1991, mes Iliria S.r.l dhe ish ndërmarjes komunale nënshkruhet kontrata e themelimit të shoqërisë mikse, “Durrazo-Iliria-Frascino, DIF,” e cila kishte për qëllim “ripërtëritjen (modernizimin) e plazhit të vjetër si dhe shfrytëzimin turistik të zonës bregdetare shqiptare.”

Kompania italiane e regjistruar nga Frascino, Iliria S.r.l zotëronte 51 % të aksioneve në kompaninë Italo-Shqiptare dhe pjesa tjetër zotërohej nga ndërmarrja komunale publike e Durrësit.

Për palën shqiptare, kontrata është firmosur nga ish kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Durrësit, Fatmir Minguli dhe ish drejtori i Ndërmarrjes Komunale të Plazhit të Durrësit, Jetgjat Todri.

Në lidhje me këtë kontratë kanë lindur divergjenca interpretative midis palës shqiptare dhe kompanisë italiane, e cila në bazë të nenit 2 të kontratës, filloi një gjykim arbitrazhi ndërkombëtar kundër qeverisë shqiptare në vitin 1993.

Gjyqi i arbitrazhit

Tre arbitra, mes të cilëve dhe  shqiptari Fatmir Laçej morën me 19 Prill 1993 në shqyrtim padinë e bërë nga shoqëria Iliria S.r.l kundër shtetit shqiptar.

Tribunali i vendosur në Dhomën e Tregtisë në Tiranë për 6 muaj shqyrtoi të gjitha pretendimet e palës italiane në dështimin e marrëveshjes së zhvillimit të zonës bregdetare të gjirit të Durrësit.

Për qeverinë e asaj kohe, fakti që kjo marrëveshje ishte nënshkruar nga ish Ndërmarrja Komunale e Plazhit të Durrësit nuk legjitimonte përfshirjen e qeverisë si palë në arbitrazh. Në 6 muaj që zgjati  ky proces, pala shqiptare është paraqitur vetëm në një seancë të vetme, e përfaqësuar nga avokatja Lejla Gjini.

Biznesmeni napolitan Frascino ka pretenduar gjatë gjyqit të arbitrazhit se qeveria shqiptare nuk i është përmbajtur kontratës së nënshkruar për zhvillimin e plazhit të Durrësit, për shkak se tokën pranë plazhit  dhe pranë pyllit me pisha  gjatë gjithë shtrirjes bregdetare ia ka dhënë palëve private për të kryer veprimtari bujqësore.

Pjesë e pretendimeve të Frascinos është dhe mossigurimi i kushteve dhe ambienteve për punë, si zyra apo dhe mjedise të tjera, që sipas kontratës ishin detyrim i ish Ndërmarrjes Komunale për t’i ofruar.

Angelo Frascino pretendoi gjithashtu se ai ka hartuar projektet për resortin turistik  të quajtur “Epidamus” dhe atë të kazinosë “Diamant” dhe se ndryshimet  e ndodhura  me përmbysjen e regjimit komunist  penguan zhvillimin e tyre.

Sipas akteve të paraqitura në arbitrazh, Frascino fajëson shtetin shqiptar se tokat e ndërmarrjes së përbashkët në zonën e Golemit, Qerretit dhe Karpenit,  iu dha privatëve  për ta përdorur për bujqësi, në vend që të zhvilloheshin për turizëm, sipas kontratës së lidhur me Iliria S.r.l.

“Shteti shqiptar ndryshoi ndarjen territoriale ndërmjet komunave, duke i dhënë komunës së Kavajës  një pjesë të territorit të përfshirë në kontratë.  Iu kthyen  pronarëve të  vjetër  pasuritë  e patundshme  ekzistuese në terrenin objekt të kontratës  duke shkelur në këtë mënyrë marrëveshjen e bërë më datë 30 Mars,” thuhet në pretendimet e bëra në Tribunal nga Angelo Frascino.

Pas 6 muajsh shqyrtimi të kontratës së nënshkruar në ditët e fundit të komunizmit në Shqipëri,  trioja e arbitrazhit e udhëhequr nga profesori turko-qipriot Ahmet Aker, del me vendim në 3 shtator 1993, duke  vendosur se qeveria shqiptare nuk i ka plotësuar detyrimet e marra përsipër ndaj palës italiane.

Trupa arbitrale vendosi dënimin e qeverisë shqiptare për t’i paguar si dëmshpërblim kompanisë  Iliria S.r.l shumën prej 48 miliardë e 239 milionë lireta për dëmet e pësuara. Sipas Gjykatës, kjo shumë duhet të fryhet me interesa të mëtejshme  në masën e treguar prej 13 % në vit, deri në datën e pagimit të saj të plotë.

Kjo trupë gjyqësore detyron shtetin shqiptar të paguajë edhe avokaten e palës italiane në shumën e 507 milionë liretave si dhe  shpenzimet gjyqësore në vlerën e 150 mijë dollarëve amerikanë.

Ky vendim i gjykatës së arbitrazhit nuk është apeluar nga shteti shqiptar, ndërkohë që 5 vite më vonë, Angelo Frascino i drejtohet gjykatave shqiptare për njohjen dhe ekzekutimin e vendimit të tribunalit të arbitrazhit. ...

Lexo artikullin të plotë në Reporter.al: Qeveria e përgjumur, Shqipëria rrezikon 141 milionë euro nga arbitrazhi