in

Anbeta Toromani, kjo shtrigë engjëllore

Triumfi i munguar në skenë, shndërruar deri në casus belli televiziv me Teatro alla Scala,  i mbërrin madhështor nëpërmjet një opere. Makbethi i Xhuzepe Verdit, shfaqur për katër net në Sferisterion e Maceratas,  i jep balerinës shqiptare lavdinë e një dive.  Thyhet përfundimisht “tabuja” e televizionit. Hekate, perëndesha e mistershme mishëruar nga Anbeta, i ve kritikët e artit skenik në rresht për të lëvduar balerinën shqiptare

Coha e kuqe që flatron fluturim në ajër ka një njeri brenda. Valëvitet, rrëshqet, rri pezull mes ajrit dhe tokës, herë herë e prek këtë të fundit me majë të gishtave e sërish ngrihet në fluturim. Figura të zymta të dala nga ferri lëvizin vrulltas përreth, e shtyjnë, e tërheqin, e tendosin, e mbështesin, e flakin, por sapo coha çlirohet një inerci e brendshme i jep sërish vrull që çlirohet në një vallëzim aty të ëmbël e aty që shndërrohet në furi në rrugëtimin e vet të vuajtur e të trazuar drejt një kurore të praruar e një froni të kuq. Me ta mbërritur, aty shpaloset e tëra dhe kthehet në statujë. Hapësira e ka humbur përmasën, në vëllim e në kohë që atyre viseve matet me pafundësinë. Një brohoritje që ushton në tërë teatrin sjell brof me këmbët në tokë edhe spektatorët që ajo cohë e kuqe i pat marrë me vete magjepsur në fluturim.

Teatri është Sferisterio i Maceratës. Shfaqja është Makbethi i Giuseppe Verdit. Coha e kuqe është Hekata, perëndesha e shtrigave. Njeriu që e mishëron është balerina Anbeta Toromani.

Dhjetë minutat që Anbeta u ka dhuruar tremijë spektatorëve të njërit prej dy teatrove-arena më të rëndësishëm të Italisë gjatë gushtit të kaluar në Sferisterio Opera Festival, janë thuajse të shkëputura nga shfaqja. Janë i vetmi moment klasi dhe elegance, çlodhjeje dhe mendimi, në një opera të zymtë dhe të errët, që duhet tërë kohën, në muzikë e në vokalitet, të trazojë. Aq e zymtë dhe e errët saqë edhe vetë Verdi, gjatë shfaqjes së parë në Firenze më 1847, kërkonte me ngulm që roli i Lady Macbeth të mos i jepej Eugenia Tadolinit, një sopranoje të njohur të kohës, pasi ishte tepër e zonja. “Tadolini ka një zë të mrekullueshëm, të kthjellët, të fuqishëm, ndërsa unë dua që Lady të ketë një zë të ashpër, të mbytur, të zymtë” i shkruante Verdi dramaturgut Salvatore Cammarano.

Aq e zymtë dhe e errët duhet të jetë shprehja e pasioneve njerëzore dhe të egra, saqë edhe “ballabile” i Hekatës mes shtrigave do t’i shtohej operës vetëm njëzet vjet më vonë, me paraqitjen e operës në Paris, “për t’iu përshtatur shikuesit francez”.

Aq e zymtë dhe e errët saqë prej mëse një shekulli e gjysmë, në shumë vënie në skenë të Makbethit në operat e ndryshme anembanë botës, regjisorë të ndryshëm sot parapëlqejnë të shfaqin versionin e parë të Verdit duke e eliminuar skenën e baletit.

Makbethi i Maceratës vënë në skenë nga një prej regjisorëve më të mëdhenj italianë të operës, Luigi Pizzi, është i tëri nën shenjën e zymtësisë dhe errësirës që kërkon opera verdiane. Mjegull dhe shkreptima janë tërë kohës në skenë, vetëm dy ngjyra janë të pranishme, në skenë e në kostume, e kuqja dhe e zeza, gjaku dhe vdekja, por edhe kontrasti mes pasioneve njerëzore dhe atyre çnjerëzore të personazheve. Motor skenik mbetet froni, edhe ai i kuq, aty ku përfundon edhe fluturimi i Hekatës prej Anbete.

Si rrallëherë në recensionet e një opere, ku pjesa ‘ballabile’ ka një rol relativisht të parëndësishëm për melomanët, me vënien në skenë në Macerata kritika është ndalur edhe te baleti. Një shenjë i bashkon të gjithë kritikët, qoftë ata të cilët nuk e kanë pëlqyer vënien në skenë, e qoftë të tjerët Baleti ka “zbuluar” një yll të vetin. Anbeta Toromani, “star i një televizioni televiziv” veçon si me përçmim një kritik i Operaclick që pastaj shton i frymëzuar “që del në pah si balerinë plot talent e profesionalizëm”. “Një sukses personal për Anbeta Toromanin” – veçonte në recension Paolo Scotti i Il Giornales – “elegante dhe ekspresive në baletet e ndërtuara me koreografi veçanërisht fantaziose dhe jetësore nga Gheorge Iancu”.

Koreografitë e Iancut, një ndër balerinët më të famshëm europianë, protagonist i skenave të Teatrit Bolshoi, të Shën Pietroburgut e të La Scalas së Milanos, i japin Makbethit të Maceratës vrullin e ritmit të errët që ngjall muzika e Verdit. “Anbeta është një ‘zbulim’ imi” deklaron me krenari Iancu në një intervistë. Pa ia ngrënë hakun, duhet vënë re se fluturimi i Anbetës drejt fronit të kuq të Makbethit nuk ka qenë dhe aq i lehtë.

Përveç meritave të veta si balerinë dhe shndërrimit brenda pak vitesh në një yll të baletit italian, Anbeta Toromani mund të veçohet edhe për faktin se është bërë, ndoshta padashje, çjerrëse e atij raporti të heshtur por ekzistues mes televizionit dhe skenës së baletit klasik. Ekziston gjithkund, por ndoshta më shumë se kudo në Itali ku baleti është bërë protagonist i disa emisioneve të njohura, një farë snobizmi i ndërsjellë: ata që bëjnë balet në televizion përçmohen nga ata që bëjnë balet në skenë. Pjesa më e madhe e balerinëve televizivë nuk duan t’ia dinë se ku e kanë derën teatrot e famshëm të baletit. U mjafton fama televizive, apo ndoshta nuk kanë letrarisht ‘këllqet’ për t’u mbajtur në një skenë baleti klasik. Ndërsa Anbeta, e cila famën e ka mbërritur me televizionin, nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën e saj për t’u marrë me baletin klasik. Një profesionalizëm i ndjekur me ngulm, pa ngurruar të trokasë edhe te teatri i famshëm i baletit në Itali, Teatro alla Scala. Ku nuk i kanë hapur as derën pasi “kërcen në televizion”. Një paragjykim i shndërruar në incident gjatë finales së “Amicit” marsin e kaluar. I pranishëm pikërisht Gheorge Iancu i cili ngriti në qiell ekzekutimin e Anbetës. “Tani më lini të them dy fjalë” ndërhyri drejtuesja Maria De Filippi. “Dy fjalë për Anbetën që ma duartrokisni me kaq zjarr. Sot mes profesorëve kemi edhe Iancun, yll i baletit ndërkombëtar. Atë dua të pyes, pse Anbeta nuk u pranua të bënte një provë në Trupën e Baletit të La Scalas. Ja ku them haptaz se telefonova edhe unë vetë në Milano për t’u kërkuar t’i jepnin mundësinë e një audicioni, e më thanë jo. Po ju pyes, a është e mundur që meqë “merret me televizion” një talenti të tillë i duhet prerë rruga?”.

I zënë ngushtë Iancu u përgjigj “Nëse kolegët e mi në La Scala kanë thënë një gjë të tillë, janë treguar gomarë”. Kalojnë pak minuta: “Maria, më telefonuan nga La Scala dhe më thanë se nuk e kishin marrë pasi kishin vënë re disa mungesa teknike. Tani ama, që e kanë parë prapë, janë të gatshëm t’i ofrojnë një audicion”.

Forca e dhjetë milionë spektatorëve televizivë nuk zbulon vetëm se balerinët e La Scalas shikuakan edhe emisionet e baletit që aq shumë i përçmojnë. Por Anbeta, edhe pse nuk e thotë drejtpërdrejt, nuk ngurron të thotë për shtypin se La Scala nuk i kishte hapur as derën, kështu që nuk kishte si t’ia kuptonte “mungesat teknike” që ndërkohë i paskësh mbushur.

Anbeta nuk është paraqitur më në La Scala për të bërë audicionin. Pak muaj më vonë, vetë Iancu e ka thirrur Anbetën të mbushë te Makbethi rolin që dikur qe i koleges së tij të pandashme Carla Fracci. Hekata, perëndesha trini, mund të jetë për Anbetën, metafora e fillimit të një karriere në skenën e rëndë e profesionale të baletit italian. Paçka se, prej vitesh një yll i baletit në televizionin italian, e quajnë sot ‘zbulim’.

r.s.

Shqiptari i Italisë – shtator 2007

 

Shqipëri-Itali, sa afër e sa larg jemi

Mes shqiptarëve në Lombardinë e krizës