Anila Hanxhari{br}“Fituesi i çmimit Strega ka kopjuar librin tim” - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

Kritika dhe lexuesit e konsiderojnë si një nga poetet që spikat në panoramën italiane. Përveç konkurseve dhe botimeve ajo është e pranishme në antologjinë “Nuovissima poesia italiana” (Mondadori 2004). Megjithatë poetja shqiptare Anila Hanxhari nuk i ka shumë për zemër që të flitet për të, preferon që në vend të saj, të flasin vargjet dhe librat qw ka shkruar. Megjithatë në këtë intervistë ajo na rrëfen raportin me poezinë dhe vendlindjen, me ngrohtësinë që mund të presësh nga një poete. Dhe me një lloj rezerve që karakterizon poetët, që me pak fjalë përmbledhin ndjenjat e drithërimat e një çasti e të një jete.

Ka filluar të shkruajë që e vogël e nuk është ndarë më nga poezia. Deri tani ka botuar vëllimet me poezi “Io tu e l’anima”, “Assopita erba dell’est”, dhe “Cicatrici d’acqua”. Gjatë këtyre viteve ka fituar disa çmime në konkurse të ndryshme letrare si "Premio Camaiore Proposta", "Matacotta Opera prima - Ascoli Piceno", "Valle Senio – Ravenna” dhe "Miss Poesia" për Rai-n.

Bota Shqiptare: Diçka për jetën tuaj.

Anila Hanxhari: Kam lindur në Durrës në vitin 1974 dhe në vitin 1993 kam ardhur në Italinë klandestine. Mbaj mend që isha e para femër shqiptare që u vendosa në zonën e Val di Sangro, banoj ne Lanciano,  në provincën e Chietit. Aktualisht punoj në APTR-Abruzzo (Promovim dhe Turizëm) në zyrën e Informacionit dhe të Mirëpritjes së Turistëve në Francavilla al mare.

Zakonisht thuhet që në moshë fare të re të gjithë shkruajnë poezi. Ndërsa ju keni vazhduar edhe më pas, me rezultate shumë të mira, me sa lexojmë nga kritika. I mbani mend vargjet më të hershme,ose rrethanat kur keni shkruar? Si ju duken ato tani?

Unë shkruaj që në moshë të vogël  9-10 vjeç, dhe shkrimet që i përkasin kësaj moshë janë vjersha dhe jo poezi. Të shumtë janë ata që shkruajnë edhe në moshë më të madhe, por të paktë janë poetët. Të shumtit unë i quaj vjershëtor. Këtë konsideratë e bëj për të vënë në dukje përpjekjet, instinktin, punën, leteraturën kërkimore të gjuhës stilistike të poeteve me mendje, shpirt dhe talent krijues.

Me siguri është një pyetje që jua kanë bërë shpesh dhe zakonisht i bëhet atyre që si ju shkruani në një gjuhë të dytë. Italishtja është gjuha juaj e penës? Shkruani dhe në shqip?

Edhe pse unë e ndjej veten 150% shqiptare, shkruaj italisht.

Një ndër elementët që, sipas kritikës, pasuron imagjinatën dhe bagazhin tuaj artistik është pikërisht fakti që ju i përkisni dy “nënave” nëse mund t’i quajmë kështu Shqipërinë dhe Italinë. Në ç’raport janë në jetën dhe krijimtarinë tuaj këto dy toka?

I përkas të dyja tokave. 18 vjet në Shqipëri dhe gati 19 vjet n Itali. Brenda meje, në mendje, në shpirt jam shqiptare. Vetëm po të duash pa masë tokën tënde, të jesh krenare për karakterin, virtytet e popullit tënd, vetëm atëherë do te jesh në gjendje ta kesh shpirtin e hapur si dritare për horizonte dhe toka të tjera. Toka ime është natyra me të njëjtën gjuhë, race dhe fe.

Populli im është populli më i civilizuar që unë njoh, jam krenare për këtë. Të tre fetë me festat e tyre përkatëse janë ditë feste për të gjithë shqiptarët. Myslimani uron pashkët dhe e kundërta. Në ç’vend të botës ndodh një gjë e tillë? Vargu “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, është dhe parulla ime.

Keni lindur në Durrës dhe këtu jetoni në një vend bregdetar. Kjo është ndoshta arsyeja që në poezitë tuaja elementi i ujit është shumë i shpeshtë?

 Marrëdhënia ime me detin është si ai i të gjithë shqiptarëve. Unë jam emigrante dhe bij e eksodit.

Ju i keni kushtuar edhe veprën "Cicatrici d'acqua"emigrimit të shqiptarëve drejt Italisë. Si e mbani mend ju eksodin?

Kam qenë 18 vjeç, si mund ta harroj atë periudhë? Vitet e emigrantit kanë mbetur  “në vend numërò”,  koha është ndalur në ato vite, si zogu- kuku në orën e murit, ndërsa vitet e jetuara jashtë vendit janë vetëm minuta dhe sekonda, flesh. Hap e mbyll sytë dhe kanë kaluar 19 vjet...

Si e keni përjetuar tërmetin që ra në vitin 2009 në zonën ku ju banoni? Në sytë e një poeteje një ngjarje e tillë besoj se merr përmasa dhe konture të tjera.

E kam përjetuar siç mund të përjetohet një tragjedi e vërtetë. Kam marrë pjesë me gjithë zemër në një antologji të poetëve më të mirë italianë për L’Aquila, ku shitja e librit edhe në Panairin e Torinos shkuan  në bamirësi për banuesit e saj.

Kohët e fundit ka bërë shumë bujë padia juaj lidhur me shkeljen e të drejtave të autorit, kundër fituesit të çmimit Strega, Tiziano Scarpa. Edhe më parë po ky autor është akuzuar për “ngjashmëri” t’i quajmë me pjesë të veprës "Lavinia fuggita" të Anna Banti. Cili është versioni juaj? Besoj se kur keni lexuar romanin “Sabat Mater” duhet të ketë qenë një moment delikat për ju, si person dhe si shkrimtare.

Akuza e parë që i është bërë shkrimtarit Tiziano Scarpa lidhur me tregimin e Anna Bantit ka të bëjë me tematikën, kurse unë e akuzoj për stilin letrar krijues. Për shembull, mësuesja i jep të njëjtën teme 30 studenteve, tema është e njëjte, por është mënyra, stili krijues, dhe  fantazia që diferencon 30 studentet nga njëri-tjetri. Ngjashmëritë midis dy romaneve, “Maria delle caramelle”dhe “Saabat mater “ të befasojnë. Por ajo që më shtyu t’i drejtohem gjykatës është dalja e dy librave të tjerë të Tiziano Scarpa në vitin 2010. Në këto dy vepra, “Le cose fondamentali” Einaudi dhe “ La vita, non il mondo” Laterza, janë vënë re nga unë dhe nga një komision ekspertesh letrarë ngjashmëri të tjera të çuditshme me romanin “ Maria delle caramelle”.

Sipas jush shkelja është bërë nga shtëpia botuese Einaudi ku ju kishit dërguar dorëshkrimin e veprës suaj?

Unë i kam dërguar një e-mail Einaudit, por është drejtësia që do të vendosë fajin për jo-vigjilencë, ose faj tjetër... Unë kam besim tek drejtësia italiane.

Cila është tematika e romanit tuaj “Maria delle caramelle"? Ngjashmëritë janë në tematikë, në gjuhën e përdorur apo në episode ?

Romani është  shkruar në formë ditari dhe monologu, ku protagonistja Maria tregon vuajtjet, dhunën e përdorur mbi të dhe konfliktin e brendshëm me nënën e saj. Ngjashmëritë janë në tematikë, në gjuhën e përdorur dhe në episode.

Einaudi ka botuar disa autorë, ose më mirë autore shqiptare. Cili është autori shqiptar që shkruan në italisht që ju pëlqen më shumë (natyrisht nëse mund të na e thoni).

Nuk ka rëndësi shtëpia botuese ku autori boton krijimet e tij, por vlerat e tij si autor, dhe ato vlera varen nga aftësia dhe talenti krijues i tij. Vlerat e shkrimtarit nuk rriten kur ai bëhet i famshëm ose komercial dhe boton me një shtëpi botuese me famë. Shkrimtarët shqiptarë kanë karakter të fortë krijues, dhe kjo bën që shkrimet e tyre të konsiderohen të veçantë.

Ju drejtoni shoqatën Italfida e cila ka promovuar dhe promovon njohjen e kulturës shqiptare në Itali. Cilat janë projektet e ardhshme të shoqatës?

 Jam drejtore artistike e aktivitetit të suksesshëm “ Shqipëria midis legjendës dhe realitetit” në tre edicionet e tij. Aktualisht jemi duke u marrë më një dokumentar mbi Shqipërinë dhe artistët shqiptarë jashtë vendit.

Irida Cami

Lexo edhe: Shkrimtarja shqiptare akuzon për plagjiaturë fituesin e çmimit Strega