Chiara Imeraj, kampionia e gjimnastikës artistike - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

Pas titullit kampione e Italisë Chiara Imeraj së bashku 4 bashkëmoshatare janë sërish në podium për të tërhequr një çmim tjetër. Kështu shkruan gazeta e qytetit të Brescias  për gjimnasten shqiptare Chiara Imeraj.

Vogëlushja shqiptare 11 vjeçare, e cila shpallet  kampione  e Italisë në gjimnastikën artistike, ka ngjallur mjaft interes dhe kuriozitet jo vetëm në ambientin ku ajo ushtron aktivitetin e saj sportiv por edhe në mbarë  qytetin. Qyteti i Brescias është i shquar për sportistët me rezultate të larta në këtë profil sportiv dhe lindja e një talenti të ri me origjinë jo italiane është jo pak i diskutuar në këtë ambient. Skuadra e 5 vajzave  të moshës 10-11 vjeçare ku bën pjesë dhe vajza shqiptare është pjesë e skuadrës Brixia të trajneres së shquar  të këtij qyteti, Vanessa Ferrari. Është menaxheri  Enrico Casella ai që ka dhënë Ok për vajzën shqiptare duke  kuptuar suksesin e saj që në moshë fare të njomë.

Familja e Chiarës  emigroi në qytetin e Brescias vite më parë si shumë shqiptarë të tjerë.  Për babanë  e Chiarës, Gëzimin, i cili është nga qyteti i Bajram Currit dhe  nënën  nga qyteti i Shkodrës,  qëllimi kryesor i viteve të para, ishte mundësia e krijimit të një jete më të mirë. Chiara është fëmija e tretë e familjes Imeraj.

“Aftësia  për të bërë ushtrime fizike të “ndërlikuara” për moshën e saj është vënë re jo vetëm nga ne por dhe nga mësuesja e parë e Chiarës, –  tregon babai i Chiarës. –  Në fillim menduam se ishte dëshira për të luajtur si çdo fëmijë në moshën e vegjëlisë, por më vonë kërkesat dhe sugjerimet për ta futur në skuadrën  e gjimnasteve  shtohej çdo ditë. Edhe pse në vitet e para mundësia për të ndjekur  zhvendosjet e shumta në  stërvitje apo konkurse ishte e pakët, jemi munduar të gjithë ta ndihmojmë që ajo të realizojë këtë ëndërr të saj.

Chiara është gjithmonë e buzëqeshur  por rri pa folur tek dëgjon që flitet për të dhe çmimet e shumta të marra deri tani. Ndërsa e pyet për kupat e shumta të radhitura me kujdes në sallonin e shtëpisë, ajo i kujton të gjitha një e nga një. Çdo kupë për të është jo vetëm një çmim por dhe një histori, një sfidë që ajo e tregon me shumë dëshirë. Marrëdhëniet e mira me shoqet, dëshira për t’u stërvitur çdo ditë dhe kënaqësia  kur fansat –  tashmë të shumtë –  janë gjithmonë pranë për ta përgëzuar dhe duartrokitur, janë pjesë e çdo konkurrimi të saj, kur gati gjithmonë fiton edhe një çmim.

Vetëm disa ditë më parë listës së gjatë të çmimeve të marra përfshirë dhe atë të kampiones së Italisë për vitin 2010, i shtohet dhe titulli “Kampione e krahinës së Lombardisë për vitin 2011” të serisë C1 të moshës së saj.  Arritja  prej 208,550 pikësh, shënon dhe rezultatin më të mirë në Itali në gjimnastikën artistike duke konfirmuar më së miri dhe nivelin e qëndrueshëm sportiv.
“Kam shumë dëshirë të stërvitem  dhe më pëlqen shumë ky lloj sporti, –  thotë Chiara, që më tregon dhe fotot e saj me mikeshat e zemrës që nuk i ndan asnjëherë nga vetja. – Dëshira ime më e madhe është të jem Kampione dhe për këtë duhet të stërvitem shume”.

Fundi i këtij viti, dhe më saktësisht 5 dhjetori,  i sjell asaj një tjetër sfidë, ai i kampionatit  kombëtar që do të zhvillohet në Jesolo.

Leonora Memia