Edmond Budina. Regjisori punëtor - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

“Regjisori punëtor” rrëfen filmin e tij “Ballkan Bazar”, në kinema më 8 korrik

Nga Andrea Guglielmino, Cinecittà News

Shumëkush në Itali e njeh si aktor televiziv, për rolin Petritit, babanë e Nikos në soap operën e njohur Un posto al sole, por Edmond Budina, i lindur në Tiranë në vitin 1952, ka shumë profile të tjera. I diplomuar në Akademinë e Arteve, ka punuar për vite me radhë si aktor dhe regjisor në Teatrin Kombëtar, në të cilin ka qenë edhe anëtar i Këshillit drejtues Artistik. Ka bashkëpunuar me shumë gazeta duke mbuluar teatrin, kinematografinë dhe televizionin, ka dhënë mësim në universitetin e Tiranës ku është zgjedhur edhe si përfaqësues i profesorëve për takimin e dhjetorit 1990 me presidentin e asokohe Ramiz Alia për t’i kërkuar pluralizmin politik. Ka ardhur në Itali në vitin 1992, me operacionin C.O.R.A. (për riatdhesimin e familjeve italo-shqiptare), ka pasur një rol edhe në filmin Tickets të regjisorit të madh Ken Loach, dhe në vitin  2003 ka realizuar filmin e tij të parë me metrazh të gjatë, Lettere al vento.  E takojmë në prezantimin e filmit të tij të dytë, Ballkan Bazar, që del në kinema më 8 korrik. Një tragji-komedi e këndshme alla Kusturica, me dy gra italo-franceze (Catherine Wilkening e Veronica Gentili) që e gjejnë veten në mes të një grindjeje mes grekëve dhe shqiptarëve për “pronësinë” e disa eshtrave të një varreze në kufi, film që gëzon edhe pjesëmarrjen e aktorit italian Luca Lionello. Është një rast ky kur Budina, në atdhe personazh me peshë, nga ata për të cilët restorantet e mëdha hapin dyert e kuzhinën po të jetë e nevojshme, na lë sërish gojëhapur për thjeshtësinë dhe karakterin e tij poliedrik.

 “Doni të dini çfarë bëj për të jetuar? – thotë – jam punëtor. Merrem me kaldaja me gaz në një ndërmarrje në Bassano del Grappa, e do të bëj këtë punë akoma për shumë kohë. Për të xhiruar filmin m’u desh të merrja lejen e zakonshme dhe të jashtëzakonshme, natyrisht pa të drejtë rroge. Fatmirësisht ia dola për katër javë. Tek e fundit, ku ka një kryeministër punëtor, mund të ketë edhe një regjisor punëtor, pse jo?”

Çfarë ju ka frymëzuar në realizimin e filmit “Ballkan Bazar”?

Mbi të gjitha faktet reale. Nuk kam trilluar asgjë. U nisa nga rrëfimi i një vajze, në festivalin e Viareggio-s, që më shpjegoi se si arkivoli i gjyshit të saj nga Franca kishte humbur në Rusi. Qeshëm me të madhe dhe menjëherë krijova në mendje imazhin e këtij arkivoli pezull mes flamujve, që është edhe një lajtmotiv i filmit. Por varreza monumentale greke që shihet në film ekziston vërtet, është ndërtuar në vitin 2006 dhe përuruar në 2007-tën. Problemi qëndron në faktin që ka varre por nuk ka eshtra. Kështu nacionalistët përpiqen t’i gjejnë duke ua marrë shqiptarëve. Është një problem kufitar. Një shprehje thotë “ku bie ushtari, aty është atdheu i tij”. E pra, qëllimi është që të lihet të besohet që aty janë varrosur ushtarë të rënë gjatë konfliktit italo-grek. Por ndërhynë edhe ekspertë teknikë e shkencorë, që zbuloi se shumë nga këto eshtra u takonin grave dhe fëmijëve, të 1800-tës.

Na flisni për marrëdhëniet mes grekëve dhe shqiptarëve...

Kemi të njëjtat tradita, të njëjtën mënyrë jetese. Por nacionalizmat dhe konfliktet sjellin të keqen. Por unë nuk desha t’i fryj zjarrit, as të mbaja qëndrim. Dëshiroja të bëja një film dëfryes, ironik. Ka shumë shqiptarë që punojnë në Greqi por detyrohen të ndërrojnë emrat e tyre në emra grekë. Mendoni që shumë shqiptarë marrin edhe pensione greke pa punuar as edhe një ditë në Greqi. Arrijnë të marrin deri 320 euro në muaj vetëm pse deklarohen grekë, nuk është pak me krizën që po kalojnë. E bëjnë edhe kushërinj të mitë, por unë në këtë rast u kundërvihem.

Në film luani edhe një rol kyç, atë të priftit ortodoks me sjellje jo aq ortodokse...

Në krye të kishës ortodokse në Shqipëri është një grek që dëshiron regjistrimin e popullsisë mbi baza fetare dhe etnike. Ka shpërthyer edhe një polemikë, lidhur me filmin: kisha ka nisur një letër me akuza, edhe ndaj ambasadës italiane. Por jam i mendimit që institucionet fetare nuk duhet fusin hundët në zgjedhjet artistike të një regjisori.

Si ka qenë reagimi i publikut?

I mrekullueshëm. Kanë mbushur kinematë. Nuk mund t’ju jap shifrat e sakta, por di të them që në Shqipëri, me përpjesëtimet e duhura sepse atje flitet vetëm për 7/8 salla gjithsej, filmi ka bërë shumë para, më shumë se Avatar.

Do të dubloni filmin për tregun italian?

Duhet ta bëjmë patjetër për t’i dhënë “kombësinë italiane”. E ka për detyrë shpërndarësi Mediaplex. Por do të përpiqemi ta vëmë sa më shumë në qarkullim në versionin origjinal, sepse gjuha është shumë e rëndësishme në këtë rast pasi situatat e filmit zhvillohen pikërisht në një përzierje gjuhësh. Ballkan Bazar, nga ky këndvështrim, është edhe një valle gjuhësh.

Cilat janë ndikimet kinematografike për një regjisor shqiptar?

Në kohën e komunizmit nuk ishte shumë e lehtë të komunikoje me jashtë. Për shembull, Dario Fo, edhe pse ishte komunist, nuk arrinte tek ne sepse nuk mund të kontrollohej, nuk mund të parashikohej nëse do të ndërronte ide e çfarë do të bëhej. Filmat e parë që kam arritur të shoh, dhe që më kanë frymëzuar, ishin Beteja e Algjerit e Pontecorvo-s, Duart mbi qytetin e Rosi-t. Pastaj... Fellini është gjithnjë Fellini.

 

 

Advertisement