Elhaida Dani, një hap larg titullit - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
E ndërsa pritet që mbrëmjen e 30 majit të shpallet Zëri më i mirë i vitit, rrëfen se në Itali ka provuar të marrë pjesë edhe në një tjetër program: “Te Amici më kthyen mbrapsht që me provën e parë në vitin 2010”

Elhaida Dani, “Forcë e natyrës”, "Uragan”, “Fantastike”.

20 vjeçe e ka nisur të këndojë që kur ishte vetëm 6. Në vitin 2009 ka fituar edicionin shqiptar të "Star Accademy" ndërsa në vitin 2012 ka zënë vendin e parë në "TopFest" me një këngë të re që ka korrur sukses. Në të njëjtin vit triumfon edhe në Rumani, në në festivalin ndërkombëtar të muzikës pop “Liga e Kampioneve”.

Këto javë kemi shkruar mbi vlerësimet e mediave dhe dashamirësve të saj, ndërsa këtu sjellim dy intervista që ajo ka dhënë ditët e fundit: një për të përjavshmen Sorrisi e Canzoni” një tjetër për portalin melty.it në takimin me shtypin të organizuar më 28 maj në studiot e RAI-t në Milano.

Elhaida për melty.it: “Te Amici nuk më pranuan”

Elhaida Dani, para The Voice, kishte provuar të hynte te Amici i Maria De Filippit, por nuk kishte kaluar në provimin e parë. “Mora pjesë në përzgjedhjet që u bënë për Amici 2010. Por nuk kalova as provën e parë” kështu tregon ajo vetë për melty.it pa shtuar asgjë mbi mënyrën e seleksionimit apo arsyet e përjashtimit të saj nga programi i famshëm i Canale5.

Për pjesëmarrjen e saj në The voice, kujton natën e parë: "gjatë blind audition, kur të katër anëtarët e jurisë u kthyen nga unë, zgjodha Riccardo Coccianten sepse ishte idhulli im që e vogël; ndërsa këndoja, lutesha që ai të kthehej i pari, me zemër e kisha zgjedhur që më parë”. Është e lumtur për zgjedhjen e bërë dhe shprehet “Nëse kam arritur deri në finale, është edhe falë tij, e falë mbështetjes së publikut”.

Kur melty.it e pyet nëse i vjen keq që eliminoi Mattia Lever, Elhaida përgjigjet me sinqeritet: “isha në siklet. Kur arrin në finale, pyet veten nëse e meritoje vërtet”. Madje shton edhe: “Mattia është këngëtar shumë i zoti. Do të kisha qejf të këndoj me të në të ardhmen, të bëjmë një copë rrugë bashkë”.

Por duket se Elhaida i ishte trembur disi reagimit të publikut kur të mësonte se ishte shqiptare (por siç duket nuk kish marrë parasysh reagimin e qindra mijëra shqiptarëve që do ta mbështesnin këto javë): “Në internet lexohen lloj-lloj gjërash mbi shqiptarët, pata frikë mos suksesi im shtynte ndonjë të më sulmonte për origjinën time. Fatmirësisht nuk ndodhi kështu

Elhaida Dani do të këndojë në finale  këngën e re "When Love Calls Your Name", të shkruar nga mësuesi i saj Riccardo Cocciante. Një këngë në gjuhën angleze, që nuk përjashton edhe ndonjë interpretim të saj në gjuhën italiane, që tani për tani përbën ndoshta pengesën e vetme në rrugën drejt titullit.  "Kur erdha në Itali dija pak italisht. Por Riccardo Cocciante më bëri të ndihesha si në shtëpi. Ai është këngëtar shumë i ndjeshëm. Mësimi më i vyer që më ka dhënë këto javë është të mos mbaj për vete emocionet, por t’ia përcjell ato publikut”.

Çfarë do të bëjë në të ardhmen? “E rëndësishme është të vendos vetë rrugën time, të realizoj planet e mija”.

Për Sorrisi e Canzoni: “Edhe nëse bëhem e famshme nuk dua të ndryshoj”

Kënga e mësuesit tënd, Cocciante, që të pëlqen më shumë?
«“Margherita”, kënga italiane më e bukur e të gjitha kohërave».

Një karakteristikë e tij që të ka befasuar?
«Humaniteti i tij dhe përgatitja e jashtëzakonshme».

Këshilla më e rëndësishme që të ka dhënë?
«Të zbuloj shpirtin tim e ta vë në shërbim të zërit. Për këtë duhet ta falënderoj».

A ka ndonjë që duke të parë në The Voice ka thënë: «E kisha pasur gabim»?
«Ka gjithnjë persona që nuk kanë besim tek ne: e pranoj».

Kush është personi i parë të cilit do t’i telefonosh nëse fiton?
«Mendja do të më shkonte menjëherë te mami e babi».

Një gjë që nuk do të bësh kurrë nëse një ditë do të jesh e famshme.
«Nuk do të qëndroj kurrë larg publikut, dashamirësve».

Gjëja e parë që do të bësh po të fitosh popullaritet.
«Besoj se do të përpiqem të mos ndryshoj asgjë».

Cilën këngë do të kishe dashur ta kishe shkruar ti?
«“Adagio”. Është këngë që adhuroj».

Përgatiti Shqiptari i Italisë

Lexo edhe: Më shumë pikë në finale me “When love calls your name”