Etrit Berisha, portieri i Lazios që po bën për vete klubin e tifozët - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Vlerësimet më të mira për 25-vjeçarin e Lazios. Veçanërisht pas ndeshjeve me Juventusin, Romën, Napolin. Askush nuk qan për Marchettin, portierin e parë të Lazios, larg fushës së gjelbër për arsye shëndetësore

Romë, 11 shkurt 2014 – Trajneri italian i kombëtares shqiptare, De Biasi, e ka thënë gjithnjë dhe e ka përsëritur edhe pas ndeshjes së fundit Lazio-Roma: “Berisha nuk ka nevojë të rekomandohet: e kam zbuluar në një skuadër të vogël suedeze e deri tani ka treguar se është shumë i zoti. Me Lazion mund të përsoset edhe më. Derby për të ishte një ngjarje e rëndësishme dhe ai e luajti shumë mirë rolin e tij”.

Nuk janë pak ata që mund të kujtojnë mëdyshjet e dyshimet që kishin kur Etrit Berisha, datëlindja 1989 mbërriti në skuadrën kryeqytetase nga Kalmar e Suedisë. Ka nisur të luajë futboll që kur ishte shtatë vjeç, kur jetonte akoma në Kosovë, por jo si portier por si sulmues. Në portë përfundoi rastësisht sepse u sëmur portieri i skuadrës. Dëshmoi se ishte i prerë për atë rol që vazhdon të mbajë edhe sot, mdje edhe me kombëtaren shqiptare.

Po aq rastësisht sa u bë portier, u bë edhe titullar në skuadrën e Lazios. Kur mbërriti në Romë, marrëveshja ishte të luante vetëm ndeshjet e kupës e ndonjëherë të zëvendësonte Marchettin, portierin e parë të Lazios kur ky ishte i dëmtuar. E kështu, njëherë për dëmtim, njëherë për temperaturë, Marchetti i ka lënë shpesh kohët e fundit vendin Berishës që po dëshmon se e meriton besimin e drejtorit sportiv Igli Tare e të të gjithë klubit.

As 25 vjeç, 1,94 metra i gjatë, Berisha duket mjaft i sigurt në daljet e tij. Edhe pse i ri në moshë ruan qetësinë e mbron më së miri hapësirën mes dy shtyllave. Në gjashtë ndeshje të kampionatit, mes të cilave Lazio ka luajtur edhe me skuadra të mëdha si Juventusi, Roma, Napoli, Berisha ka lënë përshtypjet më të mira, aq sa janë jo pak ata që mendojnë se portieri i parë i Lazios, Federico Marchetti, mund ta marrë shtruar para se të rihyjë në fushë për të mbrojtur portën.

Shqiptari i Italisë

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)