Gaia që fiton vetëm çmime të para - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

“Por edhe dy të dyta!” shton me modesti pianistja e vogël për të cilën kritikët nuk i kursejnë lëvdatat." Gaia, i bie pianos vetëm prej pak vjetësh, është ende fëmijë, e megjithatë çmimet e fituara prej saj në konkurset ku ka marrë pjesë janë të panumërta. Dhe prej një viti, edhe pse 12 vjeç, ndjek me korrespondencë Konservatorin e Mantovës për t'u diplomuar në piano.

“T’i biesh mirë pianos, nuk do të thotë të bësh çdo notë në mënyrë të përkryer, por të dish të interpretosh muzikën”. I ka idetë e qarta Gaia Sokoli që është një vajzë e vogël, 12 vjeç, me flokët e gjatë e kaçurrela, disi e ndrojtur, por që i ndrisin sytë e i qesh e gjithë fytyra kur nis e flet për pianon, pasionin e saj.

Gaia jeton me familjen e saj në Alserio të Comos: me mamanë Evisin, babanë Dashamirin, dhe gjyshen Vida Golemi, emigrantë në Itali disa vjet para se të lindte Gaia. I ati ka ardhur këtu me eksodin e marsit: “im shoq ka ardhur me ‘Panamezen’ – thotë Evisi, e kuptohemi shumë mirë për çfarë flet – ndërsa unë një vit më pas. Në vitin 1993 kemi sjellë me bashkim familjar edhe nënën time, dhe sot jetojmë të gjithë bashkë”. Gaia ka lindur këtu, dhe prej një viti përveç pasaportës shqiptare ka edhe atë italiane.

Përveç faktit që është nxënëse e shkëlqyer, ndjek vitin e dytë të shkollës së mesme të ulët (tetëvjeçarja), Gaia ka një dhunti të veçantë: që e vogël ka treguar një interes të madh për muzikën, në veçanti për pianon. Duket se është e lindur për t’i rënë asaj me mjeshtëri të rrallë, edhe pse këtë anë të saj e ka mësuar rastësisht, kur një mësuese e shkollës fillore “Aldo Moro” të Alserios ia vuri në dukje. Në vitin 2006, në moshën tetëvjeçare ka nisur studimin e pianos dhe vetëm pas pak muajsh studime, nga viti 2007, në të gjitha konkurset, garat kombëtare e ndërkombëtare ku ka marrë pjesë, vogëlushja është vlerësuar me çmimin më të lartë të jurive dhe duartrokitjet e ngrohta të publikut. Emri i saj sot, që kur nisi të përmendej në panoramën muzikore ndërkombëtare të më të vegjëlve, është bërë goxha i njohur. Që në shfaqjet e para në publik ajo ka bërë për vete të gjithë, specialistë dhe dashamirës të muzikës.

Gaia ka nisur të marrë leksione në vitin 2006 nga profesoresha e njohur në ambientin e mësimdhënies Claudia Boz pranë Akademisë për Piano “Giovani Talenti” të Alzate Brianza-s që ndjek edhe sot e kësaj dite krah shkollës. “Në Akademi shkoj, zakonisht, dy herë në javë – tregon Gaia – të martë e të shtunë. Por kur kam një konkurs përpara edhe më shpesh”. Por këto dy vjetët e fundit, nga Krishtlindjet e vitit 2008, kur prindërit i dhuruan një piano, Gaia studion vetë çdo ditë, të paktën nga dy orë, e jo rrallë rri pranë pianos me gishtat që rrëshqasin mbi tastierë edhe shumë më gjatë.

“Kemi bërë e bëjmë plot sakrifica për Gaiën. – tregon e ëma, Evisi – Jemi gjithnjë në lëvizje, nga një qytet në tjetrin për ta shoqëruar. Por ndihemi shumë të shpërblyer e të kënaqur nga rezultatet e saj”. Suksesi i Gaiës është disi i papritur, “sepse në familjen tonë nuk kemi pasur asnjë muzikant” tregon Evisi. Nuk harron të thotë fjalët më të mira për profesoreshën e Gaiës, Claudia Boz, “e ka ndjekur gjithnjë me durim e dashuri, dhe arritjet e sotme të Gaiës i detyrohen jo vetëm talentit të vajzës por edhe punës së palodhur të mësueses që është si një nënë e dytë për Gaiën”.

Edhe vetë Gaia flet me dashuri për mësuesen e saj, e do atë me shpirt, për një arsye të thjeshtë: i mëson të bëjë diçka që ajo adhuron, t’i bjerë pianos.

Po ç’muzikë të pëlqen më shumë, Gaia? “Chopin – të përgjigjet pa u menduar dy herë – muzika e tij romantike dhe e trishtuar më lejon të shprehem më mirë se kushdo tjetër. Por në repertorin tim kam edhe Bach e Mozart”.

Nga viti 2009 Gaia ndjek me korrespondencë edhe Konservatorin e Mantovës për t’u diplomuar në piano: ka marrë më maksimumin e notave provimet e dhëna deri tani. “Nëse brenda dy-tre vjetëve të ardhshëm i jep të gjitha provimet, siç shpresojmë – tregon e ëma – do të jetë ndër të diplomuarit më të rinj të këtij konservatori”.

Gaia, i bie pianos vetëm prej pak vjetësh, është ende fëmijë, e megjithatë çmimet e fituara prej saj në konkurset ku ka marrë pjesë – thuajse gjithnjë çmime të para – janë të shumta, nuk është e lehtë t’i rendisësh të gjitha pa harruar ndonjë prej tyre. Vetëm pak muaj pasi ka filluar studimet e pianos, në dhjetor 2007 fiton Çmimin e parë të Konkursit ndërkombëtar Camillo Togni. Në vitin 2008 vogëlushja merr pjesë në shumë gara duke fituar gjithnjë çmimin e parë: në Konkursin Ndërkombëtar “Città di Candelo”, në Konkursin XV Kombëtar “Giulio Rospigliosi”, Konkursin ndërkombëtar “Giovani Talenti – Rovere d’Oro”, Çmimin I Absolut të kategorisë në Konkursin XVI ndërkombëtar “Music Competition” dhe Çmimin I Absolut në edicionin XIII të Konkursit Instrumental “Città di Giussano”. Në të njëjtin vit, ajo është fituese e Konkursit “Carlo Mosso” të zhvilluar në Konservatorin Vivaldi të Alessandrias dhe në dhjetor e mbyll një vit të suksesshëm që mund t’ia ketë zili një profesionist me shumë vite studimi mbi shpatulla, me Çmimin e parë të Konkursit XX Ndërkombëtar “Camillo Togni”. Edhe viti 2009 është i ngjashëm në numër pjesëmarrjesh dhe çmimesh me pararendësin: fiton sërish në edicionet e reja të konkurseve ku kish marrë pjesë një vit më parë dhe e shton buqetën e saj të çmimeve të para edhe me Çmimin I Absolut të Konkursit Ndërkombëtar “Lago di Monate”, me Çmimin I Absolut të kategorisë deri në 11 vjeç dhe Çmimin I Absolut të kategorisë deri në 15 vjeç të Konkursit III ndërkombëtar të Pianos “Nice Cote d’Azur” në Nicë të Francës. Vitin e mbyll sërish me Çmimin I në konkursin ndërkombëtar “Camillo Togni”.

Është e kotë të themi që edhe viti 2010 po u ngjan dy të mëparshmëve: Gaia merr pjesë në edicionin V të Konkursit ndërkombëtar të Ekzekutimit muzikor “Città di Asti” dhe fiton – si gjithnjë – Çmimin I të kategorisë, Çmimin I Absolut të të gjithë seksionit të Pianos; e njëjta gjë edhe në konkursin ndërkombëtar të Ricciones, në “Alice bel Colle”, në edicionin XVII e Konkursit Kombëtar për Piano “Musica insieme”, në edicionin V të konkursit ndërkombëtar “Città di Tradate” e në konkursin XXV muzikor ndërkombëtar “Rovere d’Oro-Città di S. Bartolomeo al Mare” (me maksimumin e votave, që është një gjë e rrallë e ku akoma më rrallë fitojnë studentë nga Italia).

A ka fituar ndonjëherë çmim të dytë? “Po – përgjigjet thjesht Gaia – dy herë, por ishin dy konkurset e para e sapo kisha filluar të studioja piano”.

Dhe duke qenë e zonja në piano, çmimet flasin vetë për këtë, përveçse në konkurse Gaia përzgjidhet vazhdimisht të marrë pjesë edhe në koncerte, t’i bjerë pianos për një publik të gjerë. Në tre vjetët e fundit ajo ka dhënë koncerte në Como e komuna të ndryshme të provincës së Como-s, por edhe në Riccione, Asti, Cuneo, Imperia, Genova, Varese, deri edhe në Nicë të Francës.

Kur e gjen kohën të mësosh? “Çdo ditë – përgjigjet Gaia – kur jam në shtëpi, edhe deri në darkë vonë, po të jetë nevoja”.

Por për një gjë u vjen keq Gaiës dhe familjarëve të saj, që deri më sot nuk ka dhënë asnjëherë një koncert në Shqipëri. Madje atje nuk ka shkuar asnjëherë deri më sot: “Kështu na kanë ardhur punët” thotë Evisi.

“Sapo të na jepet mundësia, veçanërisht prindërve që punojnë – thotë Gaia – do të kisha shumë dëshirë të shkoja. Edhe pse nuk flas mirë shqip,– shton ajo me bindje duke të folur gegërisht si gjyshja që është shkodrane – unë jam e ndihem shqiptare më shumë se italiane, dhe do të më pëlqente shumë të jepja njëherë koncert në Shqipëri”.

“Po, po, është shqiptare në shpirt e në gjak – përforcon gjyshe Vida fjalët e mbesës. – Ka ngritur flamurin shqiptar kur ka shkuar në Nicë, si të përfaqësonte Shqipërinë në konkursin ndërkombëtar. Kur dëgjon në shkollë apo në televizion të flitet keq për shqiptarë hidhërohet dhe i mbet mendja aty...”.

Keti Biçoku