Generda Braçe fituese në konkursin Lingua Madre - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

U shpallën në Torino fitueset e edicioni të katërt të konkursit letrar Lingua Madre, i promovuar nga Regione Piemonte dhe nga Panairi Ndërkombëtar i Librit në Torino e kushtuar grave të huaja me banim në Itali. Këtë vit çmimi i parë iu dha bullgares Guergana Radeva me tregimin “Sconfini”,më pas u radhit gjermanja Irene Barbero Beerwald me “Strano, Estraneo, Straniero” dhe e treta shqiptarja Generda Braçe me tregimin “Mamme”.

Është viti i tretë rresht që në podiumin e nderit të këtij konkursi nuk mungojnë shqiptaret. Në vitin 2009 ky konkurs u fitua nga Alketa Kosova, ndërsa në vitin 2010 nga Kamela Guza, me tregimin “Vendi i kufijve”.

Generda Braçe, që këtë vit ka marrë stafetën e fituesve shqiptare, ka tërhequr vëmendjen e jurisë mes 270 pjesëmarrëseve, përveç se për aftësinë e saj në të shkruar, por edhe për moshën. Ajo është vetëm 11 vjeç. Jeton me familjen në Alessandria që prej vitit 2003.

Në motivimin e çmimit dhënë në konkurs lexohet: “tregimi është i kthjellët, i thellë dhe i pjekur kryesisht po të kihet parasysh mosha e re e autores; vetëm 11 vjeç ajo shtron pyetje mbi vetveten, të tjerët dhe përvojën e nënës së saj, me një freski mallëngjyese. E pikërisht në kthejtësinë dhe dlirësinë është pika e saj e forcës. Ideja e ballafaqimit mes dy nënash do të ishte banale nëse nuk do të bëhej duke pezullimi i jashtëzakonshmë i çdo gjykimi: nuk bëhen krahasime. Konfliktet janë sheshuar në mënyrë gati irreale, e megjithatë çuditërisht të vërtetë. Mbyllja hapet në një horizont ndjenjash dhe marrëdhëniesh të skicuar lehtë, që prek problemin në mënyrë të përkryer”.