Genti Tavanxhiu mbledh skulptorët në simpozium në Korçë - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

Pas shumë vitesh pune e suksesi në Itali, pas shumë eksperiencash të grumbulluara në evenimente kombëtare e ndërkombëtare, skulptori Genti Tavanxhiu në bashkëpunim me qendrën e kulturës "Vangjush Mio", Korçë risjell në qytetin e Korçës Simpoziumin e skulpturës. Themi risjell për faktin që këtë aktivitet skulptori e solli për herë të parë në këtë qytet vitin e kaluar i mundësuar nga bashkëpunime me entet lokale dhe që u mirëprit nga pjesëmarrësit por dhe nga publiku i shumtë që ndoqi me interes të veçantë gjithë etapat e punës së skulptoreve gjatë realizimit të veprave në periudhën e zhvillimit të Simpoziumit.

Skulptori shkodran Genti Tavanxhiu është një nga shqiptarët e Italisë, i mirënjohur me arritjet e tij në fushën e skulpturës monumentale, i vlerësuar në ekspozita e simpoziume kombëtare e ndërkombëtare me vepra të përhershme të shpërndara anë e mbanë, i cili ka vendosur paralelisht me aktivitetin e tij krijues të ndërmarrë e të konsolidojë bashkëpunime me institucione kulturore e artistë shqiptarë për krijimin e evenimenteve artistike me karakter kombëtar e ndërkombëtar duke vënë në dispozicion eksperiencën e tij në këtë fushë. Një mundësi "rritje" për institucionet e kulturës shqiptare nga ky bashkëpunim e një shprehje bujarie e transferimit të kësaj eksperience nga ana e artistit.

"Një laborator i tille është shumë i rëndësishëm për një artist - thekson Genti Tavanxhiu - ndihmon në promovimin e punës dhe në konfrontimin e saj me punime të artisteve të tjerë, pasi të gjithë kemi nevoje të shkëmbejmë të rejat".

Simpoziumi i Ndërkombëtar i skulpturës në 2008, në qytetin e Korçës u manifestua para publikut me veçantinë e tij si spektakël i artit figurativ "a cielo aperto".

Falë njohjes së tij me skulptorë nga vende të ndryshme të Botës, Genti Tavanxhiu solli në këtë simpozium artistë si Chifu Panaite nga Rumania, i cili ka punoi në gur një forme asteroidi me mesazhe të kodifikuara (artisti ka fituar çmimin e parë në Biennale-n e Toyamures, në Japoni), një gjë shume e rëndësishme kjo në panoramën e artit bashkëkohor. Jo kley nga Gjermania, i cili punon me një projekt të quajtur qytetet e Kley-t, dhe erdhi në këtë aktivitet nga çmimi I i fituar në Simpoziumin madhështor të Dubait. Uli Scwander, Gjermani-Spanje (filozof), i cili me licencë poetike gdhendi "Tavolina e kohës". George Cpajak nga Serbia,një nga veteranet e simpoziumeve internacionale, i cili punoi një obelisk të gjate 4m. Toshihiko Minamoto, Japoni, një mjeshtër i madh i të quajturave "Metamorfozat e Heshtjeve" si dhe artistë shqiptarë të cilët punuan duke ruajtur traditat e shkollës shqiptare. Emanuel Koko nga Gjirokasta, i cili i bazuar në një punë me motive folkloristike huazoi nga gunat. Vladimir Kaçaku, drejtor i muzeut "Bratko" në Korçë, që kërkonte të zgjidhte problemin e përhershëm të skulpturës në lidhje me raportin e formave dhe estetikën e tyre në hapësire.

Zhvillimi i tij u bë në një ambient të predestinuar nga bashkia e qytetit të Korçës dhe mundësoi qytetarët të bëhen spektatorë në çfarëdo momenti të punës së skulpturës, të shikojnë se si artistët një copë trung peme, një copë gur etj. e transformonin pak nga pak në një vepër arti. Por ky ishte vetëm njëri nga aspektet e Simpoziumit mbasi zhvillimi i tij konsiston kryesisht në punën e skulptorëve në kontakt të ngushtë njeri me tjetrin e përballje me të përditshmen, nga ky aspekt artistëve shqiptare iu krijua mundësia e krahasimit të dijeve qoftë në aspektin teknik e teorik si dhe eksperiencash në vite. U krijuan njohje e miqësi të reja të cilat mund të kthehen në të ardhmen në bashkëpunime serioze, eksperienca të reja apo thjesht miqësi mes artistëve e qytetit.

Simpoziumi i skulpturës i 2008 në Korçë, falë impenjimit serioz dhe të autoriteteve lokale, të cilat mundësuan të garantohej siguria e ambientit të punës arriti të ketë një sukses të madh aq sa një spektakël i tillë së shpejti do të rikthehet sërish në qytet, me iniciator- kuratorë një nga "shqiptarët e Italisë" skulptorin Genti Tavanxhiu dhe bashkëpunimit të paçmuar të bashkëshortes së tij Blerina Tavanxhiu. (Al.Te.)

Intervista me skulptorin Genti Tavanxhiu, në prag të Simpoziumit të Dytë Ndërkombëtar të Skulpturës në Korçë, Shqipëri:

Si lindi ideja e realizimit të një Simpoziumi Skulpture në Shqipëri dhe kush e mbështeti organizimin e tij?

Ideja e Simpoziumit të Skulpturës, nuk është e re. Ka vite që ky aktivitet i rëndësishëm ndërkombëtar, që përmban vlera, po zhvillohet pothuajse në të gjitha vendet e Botës me sukses.

Simpoziumi në qytetin e Korçës lindi para një viti, pasi Qendra e Kulturës "Vangjush Mio", me drejtorin e saj artistin Vladimir Topi, u interesuan për të zhvilluar një eveniment të tillë. Ato nuk kishin eksperienca në këtë fushë dhe kërkuan ndihmën time.

Së bashku, për një kohë shumë të shkurtër brenda një muaji kemi "ngritur në këmbë" simpoziumin, fale kjo edhe miqësisë që me lidhte mua me artistë në vende të ndryshme të Botës. Në simpoziumin e parë kanë marrë pjesë artistë ma famë botërore, duke ngritur nivelin e këtij aktiviteti në rangje të larta artistike. Dua të theksoj këtu se mbështetje të madhe dhe të pakufizuar na dha Kryetari i Bashkisë në Korçë z. Niko Peleshi, të cilin gjej rastin ta falënderoj. Ai është një politikan, një njeri me një vizion për të ardhmen sepse duke promovuar Simpoziumin e skulpturës, për here të pare në Historinë shqiptare, po kontribuon për ngritjen e Muzeut të Artit Bashkëkohor, duke regjistruar memorien historike të qytetit, format e ndryshme të shprehjeve artistike edhe duke mundësuar eksperimentet për funksionin që ka vepra e artit në hapësirat e reja urbane. Ky është edhe qëllimi i këtij simpoziumi.

Organizimi i këtij simpoziumi mbështetet plotësisht nga Qendra e Kulturës "Vangjush Mio", e cila varet nga Bashkia e Korçës. Mbështetje intelektuale i ka dhënë këtij simpoziumi edhe regjisori i njohur shqiptar, Llasi Serbo.

Ky bashkëpunim është eksperienca e parë me një institucion shqiptar?

Kjo ishte hera e parë që një institucion shqiptar bashkëpunon për një eveniment të tillë. Është një lajm i bukur dhe historik për Shqipërinë dhe shqiptarët, pasi ky eveniment ndihmon për njohjen dhe informacionin e azhurnuar të vlerave të artit bashkëkohor në Shqipëri dhe anasjelltas, për promovimin e saj në Botë.

A mendoni që një eksperiencë e tillë mund të përsëritet edhe në qytete të tjera p.sh në atë të Shkodrës ku keni lindur?

Po punojmë për të realizuar këtë projekt edhe në qytetin e Shkodrës. Aktualisht me Galerinë "Iris", me drejtorin e saj, artistin Sytki Brahimi po përgatisim skedën për të prezantuar Simpoziumin e Parë Internacional në këtë qytet, duke shpresuar që ky qytet më rëndësi të madhe për kulturën shqiptare, të interesohet për promovimin e tij. Ka vite, për të mos themi kurrë, që në Shkodër nuk zhvillohet një eveniment i tillë, mbase do të shërbejë për rizgjimin e Madh.

Ç'vend zënë artistët e rinj në këto Simpoziume?

Artistet e rinj në këto Simpoziume akoma nuk kanë një rol. Po punojmë edhe në këtë drejtim. Aktualisht jemi të interesuar të pasurojmë simpoziumin e Korçës me një numër të konsideruar artistësh profesionistë, që vijnë nga vende të ndryshme të botës. Sapo të jetë formuar ky fond, do të krijohet mundësia për përfshirjen e artistëve të rinj, qofte ato edhe studente të Akademisë së Arteve. Kështu mund të investojmë në krijimin e talenteve të reja, në promovimin e tyre përkrah emrave të mëdhenj në boten e artit. Pastaj nuk përjashtohen në të ardhmen mundësia e një simpoziumi të ndërtuar vetëm nga artistë të rinj.

Ç'kritere keni përdorur në përzgjedhjen e artistëve dhe nga cilat vende do të mbërrijnë pjesëmarrësit e Simpoziumit të dytë në Korçë?

Simpoziumi ka karakter ndërkombëtar, sepse vetëm kështu ai shfaq vlerat e vërteta. Jemi munduar të ftojmë në përgjithësi artistë me karakter hibrid, d.m.th. artistë të lindur në një vend dhe që aktualisht jetojnë në një vend tjetër. Këta artistë kanë përzier kulturën e tyre me traditat e vendit ku jetojnë, duke shfaqur situata befasuese. Janë pikërisht këto epiqendra e interesimit tonë.

Kam menduar shpeshherë ta titulloj Simpoziumin e Korçës "Hibrid fantastik, në gjuhë dhe në formë"....

Deri tani, për simpoziumin e dytë janë të interesuar shumë artistë kubanë, gjermanë, anglezë, suedezë, rumunë, egjiptianë, turk, japonezë, italianë, bullgarë, spanjollë dhe natyrisht jemi duke regjistruar kandidaturat.

Ju vetë si artist keni marrë pjesë në disa Simpoziume ndërkombëtare. Mund të rrëfeni një nga eksperiencat e fundit tuajat?

Unë kam qenë pjesëmarrës në 20 simpoziume ndërkombëtare, dhe kam sjellë eksperiencat e mia në simpoziumin e Korçës si kurator artistik i tij, duke përzgjedhur artistët, qe vijnë në Shqipëri.

Simpoziumi i fundit ku kam marrë pjesë u zhvillua në Universitetin e Antalyas (Turqi) dhe punimi im u vendos përpara godinës së Rektoratit. Një pozicion ky me prestigj të rëndësishëm e vlerësim për mua si skulptor.

E rëndësishme ishte për mua edhe vizita në Antalya. Muzetë e artit plot me skulptura antike greke, romake, qytetet e lashta prej mermeri, natyrisht edhe peizazhet e bukura bregdetare ia shtuan vlerën vizitës sime atje. Në shume raste simpoziumi i skulpturës i shërben artistit si pushime dhe i jep mundësinë atij të njohë një vend të ri. Uroj që edhe simpoziumi i dytë ndërkombëtar i Korçës të shërbejë edhe si promovim i qytetit dhe i Shqipërisë nëpërmjet prezantimit e njohjes që do realizojnë artistët e huaj pjesëmarrës.

Bisedoi Albana Temali

Shqiptari i Italisë - prill 2009